Ambasadori i Gjermanisë Rohde: Kosova nuk rrezikohet, e ruan KFOR-i

Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë ka folur për situatën e sigurisë ne vendin tonë.

Rohde iu bashkua një proteste në Prishtinë, të hënën, për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën. Edhe Beogradi protestoi, të premten mbrëma. Këtu, nuk u sha e kritikua, por u mbrojt e u lëvdua Rusia. Presidenti i saj, Vladimir Putin, të cilit iu bë një mural këtu, u quajt vëlla.

Ngjarja në Serbi, që dikush në Berlin e cilësoi të neveritshme, turpëruese dhe pështymje në vlerat evropiane, nuk e shqetësoi kështu shumë edhe ambasadorin në Prishtinë.

“Janë 7 milionë serbë dhe 2 mijë prej tyre në rrugë, kështu që, sipas meje, disa njerëz që bëjnë thirrje të papërgjegjshme dhe shpërndajnë urrejtje nuk do të thotë që po e shfaqin qëndrimin e gjithë popullit serb”, tha Rohde për Klan Kosova.

“Unë besoj në arsyeshmëri, një parandalim të arsyeshëm dhe, siç e dini, të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se i tërë rajoni i përket BE-së, kjo është ajo që edhe qeveria ime e re e ka shprehur. Ky është prioriteti ynë dhe për këtë arsye do të ketë edhe vizita zyrtare së shpejti në Kosovë”.

Rohde komentoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, pas luftës që nisi Rusia.

“Sikur e dini shumë mirë, ne jemi partnerë të fuqishëm të Kosovës, KFOR-i është këtu duke e monitoruar situatën dhe unë ju garantoj se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë rreziku”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk nxiti apo krijoi tensione

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në këtë takim, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se Kosova në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione.

Osmani, parafrazohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman se prezenca e forcave policore në veri të vendit është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan   lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Sipas Presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit”, thuhet në komunikatën e Presidecës.

Më tej, thuhet se presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euroatliantike.

“Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane”, thuhet në komunikatë.

Sot gjatë ditës u raportua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është qortuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Mirëpo këto lajme janë cilësuar si të pavërteta nga këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari./KultPlus.com

Ambasadori gjerman e kundërshton gazetarin serb: BE-ja dhe SHBA-ja s’po tregohen të buta me Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb nuk mendon se BE-ja dhe SHBA-ja po tregohen të buta me palën e Kosovës. Ai ka thënë se pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në shtator, nuk do të ketë ndryshime thelbësore në politikën e Gjermanisë ndaj Serbisë.

Scheib s’u pajtua me gazetarin e mediumit serb “Kurir” (medium i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq), kur ai e pyeti nëse BE-ja dhe SHBA-ja po tregohen të buta ndaj Kosovës.

“Ne presim që të dyja palët t’i qasen këtyre negociatave në mënyrë konstruktive dhe ne jemi duke informuar qartë autoritetet, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë. Sigurisht, është e rëndësishme që të ketë një nivel të caktuar të besimit të ndërsjellë nga të dy palët. Kjo është arsyeja pse është mirë që presidenti (Aleksandër) Vuçiq dhe kryeministri (Albin) Kurti u takuan personalisht”, tha Schieb.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të dy palët ta respektojnë parimin e marrëveshjes dhe zbatimit.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori gjerman kujtoi se Kombet e Bashkuara e kanë autorizuar BE-në që të ndërmjetësojë në dialog dhe theksoi se amerikanët konfirmuan gatishmërinë e tyre për ta mbështetur këtë proces nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Do të ishte mirë që sinjale pozitive të mbërrinin gjithashtu nga Moska”, tha ai.

Schieb gjithashtu iu referua shfaqjes së shumë “non-papers” në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe theksoi se pozicioni i Gjermanisë është i qartë – nuk ka ndryshime kufijsh sepse, siç tha, kjo do të krijonte probleme shtesë në vend të zgjidhjes së atyre ekzistuese, të cilat do të rezultonin në destabilizim të rrezikshëm të rajonit.

“Ndonjëherë diskutimi i drejtuar emocionalisht rreth të ashtuquajturve “non-papers” me origjinë të papërcaktuar është i përshtatshëm për ta larguar vëmendjen nga tema të rëndësishme që e përfaqësojnë një sfidë, dhe kjo është përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe pajtimi me vendet përreth”, tha ambasadori gjerman. / Gazeta Express / KultPlus.com

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingrafviziton ish-kampin e internimit në Tepelenë: Kujtimi i krimeve në ketë vend duhet të mbahet i gjallë

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf ka vizituar ish-kampin e internimit në Tepelenë.

Gjatë vizitës në ish-kampin e Tepelenës, ambasadori Peter Zingraf mësoi më shumë rreth krimeve të tmerrshme të regjimit komunist në Shqipëri. “Kujtimi i asaj kohe dhe krimeve që u kryen në këtë vend duhet të mbahet gjallë. Mësimet nga e kaluara janë kujtesë për të tashmen dhe të ardhmen”, tha ai.

Kampi i internimit në Tepelenë, u vendos nga regjimi komunist buzë lumit Vjosa në të hyrë të Tepelenës, në anën perëndimore, rrëzë kodrës së stërmadhe që u zinte diellin kazermave të kampit, ku pak më tutje ndodhej burgu i Bënçës dhe shtatë kilometra më tej një tjetër kamp famëkeq internimi, ai i Turanit.

Ish-kampi i internimit Tepelenë u ndërtua në vitin 1949 dhe funksionoi deri në mars 1954. Në kampin e Tepelenës kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin të internuar nga veriu dhe Shqipëria e Mesme. Të ardhurit ishin familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë ku numri i të internuarve arrinte deri në 300-600 persona. Kazermat ishin vendosur njëra pas tjetrës duke e çuar numri deri në 2300 të internuar gjithsej në të gjithë kampin./ atsh/ KultPlus.com

Ambasadori gjerman para largimit nga Kosova: Po e pi makiaton e fundit

Ambasadori gjerman, Christian Heldt sot është larguar nga Kosova pasi ka përfunduar misionin e tij diplomatik.

Heldt ka postuar një fotografi në rrjetin social Twitter në aeroportin e Prishtinës, duke shkruar se po e pi makiaton e fundit të mrekullueshme para largimit nga Kosova, raporton Gazeta Express.

“Kjo është kur e di se koha mbaroi. Portreti im në galerinë e ambasadës gjermane së bashku me paraardhësit e mi dhe pierjen e makiatos së fundit kosovare të mrekullueshme në aeroport”, ka shkruar Heldt.

Ai ka njoftuar poashtu se profilin e tij zyrtar në Twitter do t’ia dorëzojë pasardhësit të tij Jorn Rohde që do të arrijë në Kosovë pas pak ditësh./Express/ KultPlus.com