Presidentja Osmani dekoron ambasadorin Kosnett me urdhrin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot në takimin lamtumirës ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Duke e falënderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, Osmani tha se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së.

Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fortë dhe i pakontestueshëm.

Në takim palët vlerësuan lart edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike.

Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i institucioneve kosovare për mikpritjen e qytetarëve afganë, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit.

Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të ri në Kosovë Jeffrey M. Hovenier.

Hovenier, i cili pritet të zëvendësojë ambasadorin aktual Kosnet, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës./KultPlus.com

Ambasadori Kosnett: Kosova po u jep mundësi afganëve për të ndërtuar jetë të re

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova u jep mundësi afganëve në krijimin e jetëve të reja.

“I nderuar që i shoqërova liderët kosovarë dhe ambasadorët e shteteve QUINT-it për ta mirëpritur grupin e parë të afganëve që janë evakuuar në Prishtinë”, ka thënë ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’.

“Afganët shtëpinë e përhershme do ta kenë diku tjetër, por përkohësisht do të qëndrojnë në Prishtinë. Kosova nuk është duke shpëtuar jetë, ajo është duke u dhënë atyre mundësi për të ndërtuar jetë të reja”, ka thënë tutje ai.

Përgjatë mbrëmjes së të dielës në Kosovë kanë arritur 111 afganë në Aeroportin e Prishitnës. Ata do strehohen në ish-Kampin e Bektel Enka-s.

Siç ka bërë me dije Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nesër do nisen aeroplanë të tjerë ushtarakë amerikanë me afganë në drejtim të Kosovës. /KultPlus.com

Kosova pret afganët, Kosnett falënderon Osmanin për vendimin e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ndërkaq, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Presidentja Osmani nënvizoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

Presidentja Osmani po ashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan po ashtu për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë. / KultPlus.com

Ambasadori Kosnett: Falënderoj Kosovën në emër të Amerikës, edhe një herë dëshmuan lidership në nivel global

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë që të pranojnë refugjatët afganë.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka shkruar se Kosova edhe njëherë ka shfaqur lidership në nivel global.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falenderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë e juaj për t’ju ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jetë të re. Edhe njëherë, Kosova demonstron lidership në nivel global”, ka shkruar Kosnett.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visas (Vizave të Veçanta Imigruese) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre.

Në komunikatën e Qeverisë bëhet e ditur se këta persona do t’i nënshtrohen verifikimit nga institucionet e sigurisë.

“Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Personat nën mbrojtje sipas vendimit të Qeverisë, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil.

​Dje, institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata thonë kanë pasur me autoritetet amerikane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo thotë se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Në Afganistan, militantët talibanë kanë marrë kontrollin e shtetit./KultPlus.com

Kosnetti shpreson që filmbërësit kosovarë të arrijnë në Hollywood

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha në prag të ndarjes së çmimeve prestigjioze të kinematografisë, Oscars, që do të mbahet sot, se filmat dhe aktorët e regjisorët ndërkombëtarë ndër vite kanë arritur të futen në Hollywood.

Në rrjetin social Twitter, ambasadori Kosnett shtroi pyetjen se kush nga filmbërësit dhe aktorët kosovarë do t’i afrohet së shpejti Hollywood-it?

Ambassador Philip S. Kosnett@USAmbKosovo

Looking forward to #Oscars2019. International filmmakers and actors have found success in Hollywood for generations. Who will be the next #Kosovo director or actor to make it big in the United States? https://goo.gl/TuY7oZ 2110:00 AM – Feb 24, 2019Twitter Ads info and privacyHollywood: Still a magnet for worldwide talent | ShareAmericaActors and filmmakers from Poland to Taiwan have contributed to the world’s first and most profitable film industry, centered in Hollywood, California.share.america.govSee Ambassador Philip S. Kosnett’s other Tweets

“Në pritje të Oscars2019. Regjisorët dhe aktorët ndërkombëtarë kanë arritur sukses në Hollywood me gjenerata. Kush nga regjisorët dhe aktorët kosovarë do të korrë sukses në Shtetet e Bashkuara?”, tha Kosnett.

Të dielën do të mbahet edicioni i 91-të i ndarjes së çmimeve Oscars në 24 kategori.

Kosova ishte përfaqësuar në vitin 2016 në Oscars, me filmin “Shok” të regjisorit Jamie Donoughue, që fliste për luftën në Kosovë. Ky film ishte i nominuar në kategorinë e filmave më të mirë të shkurtër. /KultPlus.com

Porosia e Ambasadorit Kosnett për Pavarësi (VIDEO)

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Kam nderin dhe privilegjin që shërbej si ambasador i SHBA-së gjatë kësaj kohe emocionuese. Jam kthyer në Kosovë pas 15 viteve dhe e shoh që populli i Kosovës ka arritur përparim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit dhe është përgatitur për sukses në skenën botërore. Gjithmonë mahnitem nga të rinjtë e Kosovës: të rinj të zgjuar, energjikë, kreativë, që kërkojnë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë”, ka thënë Kosnett.

Kosnett, tutje ka thënë se të dy vendet kanë përfituar nga partneriteti i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe, siç thotë Kosnetti, “nuk kam asnjë dyshim që partneriteti ynë do të vazhdojë në të ardhmen e largët”.

“ Por, mos u gaboni. Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë dhe demokracisë. Iu takon kosovarëve që të marrin përgjegjësi dhe t’iu kërkojnë llogari udhëheqësve për të marrë hapat e nevojshëm për përparim”, ka thënë tutje, përcjell Koha.net.

“Sa herë që udhëtoj nëpër vend dëgjoj që qytetarët kosovarë i duan tri gjëra për familjet dhe vendin e tyre: paqe, drejtësi, mbarësi. Unë besoj se një vend nuk mund të presë të arrijë sukses në njërën nga këto fusha pa pasur sukses edhe në fushat tjera. Arritja e paqes do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Arritja e drejtësisë nënkupton veprime konkrete për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet. E ndërtimi i mbarësisë nënkupton përpjekje më të mëdha që do të nxisin investimet ndërkombëtare dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë ambasadori amerikan.

Kosnett, tutje thotë se sigurimi i kësaj të ardhmeje do të kërkojë udhëheqje të matur politike, qytetari të angazhuar, si dhe përkushtim për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, feje e etnie.

“Jam i bindur se populli i Kosovës është i aftë të përballet me sfidat që i ka përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!”, ka përfunduar urimin me mesazhe Kosnetti. /KultPlus.com