Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Béla Bozsik, i cili deri me tani ka shërbyer në cilësinë e zëvendësambasadorit.
Ai e falënderoi z. Bozsik për punën, angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë që prej vitit 2016, dhe përgëzoi për detyrën e tij të re si ambasador.
Ambasadori Bozsik, shprehu përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës.
Thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i dyanshëm. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte me interes të përbashkët.
“Kryeministri falënderoi Hungarinë për mbështetjen në fushën e arsimit, veçanërisht 75 bursa në vit të ndara për studentët nga Kosova, por edhe përkrahjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Rruga përpara e rajonit drejt integrimit në BE e prosperitetit mbetet me rëndësi, ku u veçua dhe kontributi që Hungaria mund të japë vitin e ardhshëm gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Me këtë rast, Kryeministri Kurti tha se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO, dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Kryeministrit./KultPlus.com