Shqipëria zotëron pyllin më të madh të gështenjave në Ballkan, me sipërfaqe 10000 hektarë, 30% e të cilit ndodhet në Tropojë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me zëvendësambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Mia Marzouk, ishin në Tropojë, ku morën pjesë në përurimin e një ambienti të ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave, financuar nga Britania e Madhe.
Me dy ambiente për ruajtjen e gështenjave, një ambient freskues dhe një ambient ngrirës, frigoriferi arrin një kapacitet prej 40 metër kub. Ky proces siguron ruajtjen e gështenjave në kushte optimale, zgjat jetëgjatësinë, ruan cilësinë dhe përmirëson mundësitë për tregtim duke rritur të ardhurat për familjet që varen nga ky sektor.
Denaj tha se, ky investim nuk i shërben vetëm sipërmarrjes që ka ngritur këtë qendër frigoriferike, por të gjithë zonës.
Sipas saj, kjo pikë ofron një kombinim perfekt të agroturizmit me bujqësinë, pasi pika frigoriferike dhe e grumbullimit janë hallka që do të rrisim vlerën e produktit të stampuar.
“Me anë të këtij investimi, po punojmë për krijimin e të gjitha kushteve për të garantuar mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha anët për sipërmarrësit dhe produktin”, tha ajo./atsh/ KultPlus.com