Arta Dobroshi, 100 për qind vetvetja dhe pasioni për astronominë

Arbër Selmani
Fotografitë: Fahredin Spahija

Rolet e saj ndër vite kanë treguar se ajo e tejkalon edhe veten, edhe aktrimin, fushën ku thotë se gjithmonë ndihet mirë dhe ku secilin personazh e jeton në momentin kur regjisori kërkon që kamerat të aktivizohen.

Arta Dobroshi megjithatë, në një ditë me re dhe të vranët të kryeqytetit, ka zgjedhur të flasë për veten dhe për idenë e të qenit vetvetja, secili prej nesh, pak më larg aktrimit dhe fjalimeve rreth të qenit aktore e suksesshme apo sfidave për të arritur diçka në jetë.

Dobroshi ka qenë sonte e ftuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, që para audiencës të flasë në një bisedë më relaksuese, me titullin “Be you” ose Je ti. Ajo foli në ndërtesën të cilën e ka bashkëthemeluar gjyshja e saj. Ajo thotë se ndoshta ka qenë e shkruar që kësisoj, ajo spontanisht të jetë e pranishme me fjalimin e saj, që erdhi jo pak si një ligjëratë rreth të qenit vetja.

Një aktore, por qind për qind vetvetja dhe prezente në rolet e saj.

“Momenti kur kamera shkon ‘action’ unë jam 100 për qind rehat. Ndoshta për këtë arsye më ka tërhequr aktrimi, sepse duhesh me qenë prezent në atë moment 100 % dhe mos me mendu asgjë tjetër. Para roleve të mia unë shkruaj biografi, bëj hulumtime, dhe jam prezente në jetën të cilën e luaj, sepse nuk ke kohë me mendu për asgjë tjetër” tregon Arta Dobroshi.
Para një audience të cilëve u interesoi më shumë aspekti i të qenit vetja te një aktore e cila e ka dëshmuar veten kur para disa vitesh parakaloi në tepihun e Festivalin e Filmit në Kanë, Arta në prapavijë pati një fotografi nga gjithësia, e realizuar nga Bill Anders në vitin 1968, në misionin e Apollo 8. Kjo, jo krejt e rastësishme.

“Kur e shoh këtë fotografi, e shoh botën nga një tjetër perspektivë. Dhe përnjëherë, ndihem ndryshe sepse e kuptoj sa e vogël është bota, sa ndryshe, e ne jemi të gjithë bashkë” tregon Dobroshi.

Bill Anders dhe Arta Dobroshi i lidhë e bukura, gjithësia, por edhe perceptimi për jetën. Anders i ka parë fjalimet e Artës dhe se si ajo i qaset botës dhe vetes duke lidhur hapësirën e eterit dhe emocionin njerëzor, e Arta ka parë një film të tij, dhe kësisoj dyshen e ka lidhur e njëjta frekuencë e mendimeve. Lidhja me astronautët filloi kur Arta morri pjesë në një program të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me ç`rast udhëtoi për në Amerikë dhe u njoftua me këtë fushë goxha ndryshe prej aktrimit.

“Anders më pas më ka treguar se si unë e kam ndihmuar atë me mendu se nuk duhet me shku deri në orbitë, gjithësi, që me pasë një perspektivë të përgjithshme” tregon aktorja Arta Dobroshi në këtë bisedë me fansat e saj në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Arta Dobroshi dhe “Be You” erdhi si bashkëpunim mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, American Corner dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Dobroshi u pyet edhe për vështirësitë të cilat i hasin të rinjtë e të rejat nga Kosova që synojnë të bëhen aktorë e të kenë një karrierë në aktrim.

“Mos i mendoni kushtet gjithmonë, atë çka ta don ty zemra dhe ajo që është ëndrra jote, është e vërtetë, në të kundërtën nuk kishte me ekzistu” i është përgjigjur Arta Dobroshi një prej pyetjeve të audiencës.
Dobroshi është 37 vjeçare ndërsa ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në Çmimet Evropiane të Filmit. Ajo ka qenë edhe anëtare e jurisë në edicionin e 59-të të Festivalit të Filmit në Berlin. / KultPlus.com