Dua Lipa nuk po mbetet jashtë asnjë gare të madhe në industrinë e muzikës, në vitet e fundit.
Këngëtarja nga Kosova me famë botërore është nominuar së fundmi në tri kategori të çmimeve në “American Music Awards”, të cilat janë bërë publike të enjten.
Sipas njoftimit të AMA-s, Lipa është nominuar në kategoritë “Favourite Female Pop Artist”, “Favourite Pop Album” për albumin “Future Nostalgia”, dhe “Favourite Pop Song” për këngën “Levitating”.
Në të tri kategoritë, këngëtarja kosovare 25-vjeçare garon me emrat e mëdhënj të muzikës si Taylor Swift, Ariana Grande, Doja Cat, Olivia Rodrigo dhe The Weeknd.
Ndërkohë, këtë vit artistja me më së shumti nominime në AMA është Olivia Rodrigo, me gjithsej shtatë nominime, përfshirë edhe kategorinë për “Artistin e vitit” dhe “Artisti i ri i këtij viti”.
Këngëtari i muzikës R&B, The Weeknd është nominuar në gjashtë kategori. The Weeknd është fitues i pesëfishtë i AMA-s deri tani.
Ngjarja e madhe muzikore “AMA 2021” do të mbahet në Los Anxhelos, më 21 nëntor. / KultPlus.com
Të dielën mbrëma u mbajt ceremonia e ndarjes së shpërblimeve muzikore, “American Music Awards”. Ngjarja e përvitshme glamuroze e cila zuri vend në Los Angeles, u mbajt live pavarësisht pandemisë së koronavirusit e cila e ka goditur dukshëm skenën kulturore anembanë botës.
Taylor Swift ishte fituesja kryesore e mbrëmjes duke e rrëmbyer shpërblimin, “Artistja më e mirë e vitit” dhe dy çmime tjera, “Videoklipi më i mirë” dhe “Artistja më e mirë pop/rock”.
Kjo është hera e gjashtë që Swift e rrëmben trofeun kryesor të ceremonisë “AMA”, i cili votohet nga publiku. Këngëtarja nuk qe e pranishme në sallë për ta pranuar çmimin, por përmes një videoje i falënderoi fansat e saj për përkrahjen që i kanë dhënë albumit të saj befasues me muzikë folklorike, të lansuar gjatë karantinës.
Edhe artistët kanadez, Justin Bieber dhe The Weeknd, ishin në mesin e fituesve të mëdhenj të natës, duke i rrëmbyer nga tri shpërblime secili, transmeton Koha.
Bieber u shpall “Artisti më i mirë pop/rock” si dhe i fitoi dy çmime tjera për bashkëpunimin e tij me yjet e muzikës country, Dan + Shay, në këngën shumë të pëlqyer nga publiku “10,000 Hours”.
Ndërsa The Weeknd u shpërblye në kategoritë “Artisti më i mirë i muzikës Soul/R&B”, “Albumi më i mirë Soul/R&B”, çmim ky i cili shkoi për albumin e tij të fundit “After Hours”, dhe “Kënga më e mirë Soul/R&B” për hitin “Heartless”.
Në mesin e fituesve të tjerë të mbrëmjes ishin edhe, Dua Lipa, Doja Cat, Becky G, “BTS” dhe të tjerë.
Bukuroshja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, ishte nominuar në dy kategori të kësaj ceremonie, por arriti të triumfojë në njërën prej tyre. Ajo e fitoi çmimin “Kënga më e mirë pop/rock” për hitin e saj të padiskutueshëm, “Don’t Start Now”.
Doja Cat e fitoi shpërblimin “Artistja më e mirë e re”, ndërsa Becky G u shpall “Artistja më e mirë Latine”, një kategori e re kjo e cila sivjet i është shtuar ceremonisë “American Music Awards”. Por fituesi kryesor në kategoritë e muzikës Latine ishte këngëtari, Bad Bunny, i cili i fitoi çmimet “Artisti më i mirë latin” dhe “Albumi më i mirë i muzikës latine”. Ndërsa çmimi “Kënga më e mirë latine” shkoi për hitin “Tusa” një bashkëpunimin ky mes këngëtares Karol G dhe reperes Nicki Minaj.
Vëmendje të madhe gjatë mbrëmjes së të dielës me rastin e kësaj ngjarje të rëndësishme muzikore, morën performancat e yjeve në skenë.
Justin Bieber e filloi shoun duke i kënduar hitet e tij të fundit, “Lonely” dhe “Holy”, përpara se në skenë të shoqërohej nga këngëtari, Shaën Mendes, për ta interpretuar duetin e tyre të lansuar të premten më 20 nëntor, “Monster”.
Ceremonia “AMA” po ashtu e festoi rritjet e popullaritetit të muzikës latine në vend, me shtimin e disa kategorive që i nderojnë artistët latin dhe një performancë tërheqëse të yjeve, Jennifer Lopez dhe Maluma, të cilët e interpretuan këngën “Lonely” në dy gjuhë, anglisht dhe spanjisht.
Skenën e ceremonisë “American Music Awards” e hijeshuan edhe dy këngëtare shqiptare. Dua Lipa e interpretoi hitin e saj “Levitating” duke e sjellë një performancë energjike, të shoqëruar me vallëzim dhe në fund të performancës, Dua u ngrit mbi skenë duke e sjell një pamje dramatike, por që i përshtatej tekstit të këngës e cila thotë “Mund të fluturosh me mua sonte”.
Derisa, Bebe Rexha dukej fantastike me flokët e kuqe dhe e veshur me një kostum të bardhë seksi, teksa në ceremoninë e së dielës e interpretoi këngën “Bay I’m Jealous”, së bashku me artisten Doja Cat.
Rep artistja, Megan Thee Stallion, e shënoi debutimin e saj në këtë ceremoni me interpretimin e këngës së saj të fundit, Body”, derisa Katy Perry e dha performancën e parë që nga lindja e vajzës, Daisy Dove, duke e performuar këngën “Only Love” bashkë me yllin e muzikës, Darius Rucker.
Grupi i muzikës K-pop, “BTS” e përmbylli ceremoninë me interpretimin e një versioni të ri të hiteve, “Dynamite” dhe “Life Goes On”.
Ceremonia u prezantua nga aktorja Taraji P. Henson, e cila e hapi ngjarjen me mesazhin: “Ka qenë një vit i gjatë dhe tani që 2020 po përfundon, është koha ta kujtojmë se ne jemi një shtet. Duhet që patjetër ta ndihmojmë njëri-tjetrit dhe të shërohemi së bashku”. / Koha.net/ KultPlus.com