Amerika bëhet me garë të këngës sikur “Eurovisioni”

Spektakli më i njohur në Evropë, “Eurovision”, do të udhëtojë përtej oqeanit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Festivali i Këngës në Amerikë do të nisë nga viti 2021.

Versioni amerikan i “Eurovisionit” do të mbahet në një seri prej 5-10 garave kualifikuese, që çojnë në gjysmëfinale e në fund në finalen e madhe.

“Trashëgimia unike e ‘Eurovisionit’ daton qe 65 vjet dhe popullariteti i tij në botë vetëm rritet. Është koha që Amerika të shijojë këtë spektakël, përmes garës simotër, ‘American Song Contest’. Dashuria ndaj muzikës është universale dhe festimi me muzikë në shumë zhanre e stile thyen kufijtë e bashkon njerëzit”, ka thënë mbikëqyrësi i garës evropiane të këngës, Martin Osterdahl.

“American Song Contest” do të mbahet disa muaj pas edicionit të 65-të që pritet të mbahet në Roterdam të Holandës, në majin e 2021-s. Edicioni nuk u mbajt sivjet për shkak të pandemisë së koronavirusit. / KultPlus.com