Vdes ylli i televizionit amerikan, Phil Donahue

Prezantuesi i talk shouit amerikan, Phil Donahue ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ka konfirmuar familja e tij për mediat amerikane.

Prezantuesi vdiq në shtëpinë e tij të dielën pas një sëmundjeje të gjatë dhe i rrethuar nga familja, sipas një deklarate të lëshuar për emisionin Today të NBC, transmeton Klankosova.tv.

Donahue, i cili krijoi dhe drejtoi shfaqjen e Phil Donahue, u konsiderua “mbreti i bisedave gjatë ditës” në ShBA.

Gjatë karrierës së tij, Donahue intervistoi figura të njohura, duke përfshirë Nelson Mandela, Muhammad Ali, Sammy Davis Jr, Sir Elton John, Whoopi Goldberg, Robin Williams, Dolly Parton dhe Michael J Fox.

Një universitet amerikan online ofron arsim për studentë nga gjithë bota

Universiteti i Popullit, një universitet online pa pagesë, u themelua në vitin 2009 dhe u akreditua në vitin 2014.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, qëllimi i kësaj organizate jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara është që të ofrojë qasje tek arsimi i lartë për rreth 140,000 studentë nga 200 vende.

Kateryna Glubochenko është nga Mykolaivi në Ukrainë. Rusia filloi luftën ndaj vendit të saj, vetëm tre muaj para se ajo të diplomohej.

“Të gjithë filluan të largoheshin nga qyteti në panik. Të gjitha bizneset u mbyllën. Gjithçka mbeti në vend”, thotë ajo.

Por Kateryna nuk i ndali studimet. Ajo vazhdoi punoi dhe arriti të diplomohej, ndonjëherë duke studiuar në strehime për t’u shpëtuar bombave.

“Nuk kisha asnjë rrugë tjetër, përveç UoPeople.”

Universiteti i Popullit, ose UoPeople, thotë se është universiteti i parë jofitimprurës pa pagesë në internet i akredituar nga SHBA. Por universiteti nuk është plotësisht falas. Studentët duhet të paguajnë midis 140 dhe 400 dollarë për çdo klasë që marrin. Studentët paguajnë rreth 5 mijë dollarë për të marrë një diplomë, dhe më pak për disa nga programet për master.

Për më tepër, Universiteti ofron një sistem bursash për njerëzit që nuk mund të paguajnë. Nëse studentët kualifikohen dhe rreth 50 për qind e tyre hyjnë në këtë kategori, diplomimi nuk kushton asgjë. Sipas faqes bestColleges.com, në vitin 2022, kostoja mesatare e shkollimit dhe tarifave në një universitet publik katërvjeçar në Shtetet e Bashkuara ishte rreth nëntë mijë e gjashtëqind dollarë në vit.

UoPeople u themelua në San Francisko në vitin 2009 nga biznesmeni dhe sipërmarrësi izraelito-amerikan Shai Reshef, i cili thotë se universiteti pranon studentë nga e gjithë bota.

“Në SHBA kemi të pastrehë, kemi studentë pa dokumente, kemi nëna që nuk punojnë, por kemi edhe shumë studentë që kanë një jetë të vështirë”.

Refugjatja afgane Khadija Amini është studente e këtij universiteti që jeton në Shqipëri në pritje të vizës amerikane. Prindërit e saj punonin për qeverinë afgane, por pasi talebanët erdhën në pushtet, ata u larguan.

UoPeople i dha Khadijas jo vetëm shansin për t’u arsimuar që talebanët do t’ia kishin mohuar, por shumë më tepër.

“Vajzat e tjera afgane duan të arsimohen. Unë kam filluar t’u jap mësim online nga shtëpia si vullnetare. Po ashtu po i orientoj për të gjetur rrugë për t’u arsimuar”.

Sot, rreth 130,000 studentë nga 200 vende studiojnë në UoPeople. Personeli – rreth 26,000 vetë – përbëhet vetëm nga vullnetarë, dhe universiteti ofron diploma në administrim biznesi, teknologji informacioni, shëndetësi dhe të tjera.

“Unë besoj se arsimimi është një e drejtë themelore dhe çdo person në botë duhet ta ketë këtë mundësi. Dhe ne pikërisht këtë bëjmë. Zhvillojmë një model arsimimi të lartë, duke treguar se të gjithë mund të kenë qasje dhe të përballojnë arsimin e lartë”.

UoPeople punon me një numër institucionesh me reputacion të arsimit të lartë, përfshirë universitetet e Edinburgut dhe McGill. Universiteti merr gjithashtu mbështetje dhe ndihmë nga organizata jofitimprurëse si Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe gjigantë të teknologjisë si Google dhe Intel./VOA/KultPlus.com

Ambasadori Hovenier e quan lokacion të klasit botëror Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, sot ka vizituar Parkun Arkeologjik të Ulpianës, shkruan KultPlus.

Ambasadori Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka thënë për Ulpianën se në këtë lokacion të klasit botëror, po punon një super ekip për të dokumentuar trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Kisha privilegjin të vizitoja Parkun Arkeologjik të Ulpianës sot, ku një ekip mahnitës po shton faktet dhe po dokumenton trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë lokacion të klasit botëror”, shkroi Hovenier në rrjetin social Twitter./KultPlus.com

Image

Si u bë Henri Miler shkrimtar?

Kur Tropiku i Gaforres u botua në shtator 1934, Henri Mileri ishte dyzet e tre vjeç dhe një shkrimtar krejtësisht i panjohur. Ai shkruante që prej njëzet vjetësh, por dorëshkrimet ishin mbledhur grumbull në sirtarët e tij. “Ngushëllimi im i vetëm ishin Servantesi, Zhan-Zhak Rusoi dhe Marsel Prusti, që nuk ishin më të rinj kur kishin botuar.”

Lindur në Nju-Jork, ai ishte rritur në një mjedis të varfër dhe dëshira e tij e vetme, që në fëmijëri, ishte të bëhej artist. Ai nuk kishte mendime të qarta dhe provoi pa sukses për vite të tëra – pa formim dhe studim, si autodidakt i përsosur – forma të ndryshme artistike dhe mundësi shprehjeje. Mbijetoi me zanate të vogla të rastit, si shërbyes hoteli apo telegrafist. Pikturonte dhe shkruante vjersha, që ua shiste kalimtarëve në rrugë. Më 1930, arriti në Paris.

“Nuk kam para, nuk kam strehë, nuk kam përvojë. Jam njeriu më i lumtur i botës.” Në brigjet e Senës, Mileri bëri me të vërtetë jetën e një të vdekuri nga uria: ai lypte, nuk e dinte kurrë se kur do të hante sërish. Pa banesë, pa adresë, flinte tek të njohurit thjesht mbi një dyshek; ditën endej në qytet si një i pastrehë, duke vjedhur bakshishet në tryezat e kafeneve. Dhe shkruante kudo që të shkonte, kudo që të ndodhej: në copëra letrash, në mbulesa librash, në fatura llogarish. Shumë shpejt u bë një fytyrë e njohur në baret dhe te fundërrinat e Monparnasit. Ky ishte “Henri, shkrimtari amerikan”. Ai përshkruante atë që shihte dhe atë që ndiente, si një njeri që jeton dhe mendon në kundërshtim me normat dhe rregullat shoqërore dhe që e konsideron veten njeri të dorës së dytë. Nga ato skica do të lindte një roman. “Universi im i njerëzve ishte zhdukur, isha tërësisht vetëm në botë, mik kisha vetëm rrugët dhe ato më flisnin në atë gjuhë të trishtuar dhe të hidhur që është bërë nga mjerimi njerëzor, nga malli, nga keqardhja, nga mohimi dhe nga vuajtja e humbur.”

Në Paris, Henri Mileri gjeti më në fund temën e vet të vërtetë e të madhe letrare: jetën e vet. Tropiku i Gaforres është kështu guri i parë i një autobiografie të përhershme, dhe të gjitha së bashku janë zbulimi i një identiteti artistik, për të cilin aty e tutje Mileri nuk do të dyshonte më. Autori e gjeti, në fillim, te seksualiteti burimin e pashtershëm të jetës së vërtetë; që në rini, vetë ai ishte një erotoman i shkallës së parë, njihte dashuri të shumta, u martua pesë herë. Në Paris, prostitutat e tërhiqnin dhe e mrekullonin, por ai do të takonte gjithashtu një grua, ndikimi i së cilës u bë vendimtar për karrierën e tij. Ai njohu Anais Ninin, gruan e pasur të një bankieri, që shkruante ditarin e saj dhe jetonte në mënyrë shumë të lirë. Kjo bukuri e lehtë u dashurua pas Milerit dhe lidhja e tyre do të përflakej shumë shpejt. Seksi dhe shkrimi bashkohen aty në mënyrë jashtëzakonisht krijuese. Anaisi e mbështeti nga ana financiare Henrin dhe e nxiti nga ana intelektuale, kur ky pushtohej shpesh nga dyshimi dhe pavendosmëria; dhe ishte gjithashtu Anaisi që bëri diçka të botueshme nga dorëshkrimi kaotik, duke shkurtuar gjysmën dhe duke ndrequr shumë dobësi stilistike. Ideja e titullit ishte një krijim i përbashkët i dy dashnorëve.

Pa Anais Ninin, ndoshta nuk do të kishte patur kurrë një Henri Miler shkrimtar.

Libri nuk pati sukses të menjëhershëm, megjithatë bëri zhurmë në botën e vogël letrare, duke e vendosur menjëherë autorin si shkrimtar. Autorë të shquar i kushtuan vëmendje, urimet për sukses dhe komentet nuk kurseheshin; në të njëjtën kohë, kundërshtimet e tërbuara të konservatorëve kundër “pornografit” Henri Miler vetëm e rrisnin namin e tij.

Mileri ia arriti qëllimit të ëndrrave të tij dhe asgjë nuk mund të kthehej prapa. Ai u zhyt i tëri në punë, shkroi libër pas libri. Shumë gjëra ngjajnë edhe sot jashtëzakonisht depërtuese në prozën e Milerit. Ajo që na duket sot shumë e lehtë, dikur për të, sidomos e thëna e gjithçkaje thjesht e pa frikë, ka qenë një stërmundim i vërtetë. /KultPlus.com

233 vite nga vdekja e nënshkruesit të Pavarësisë së SHBA-ve, Benjamin Franklin

Benjamin Franklin lindi më 17 janar 1706 në Boston dhe ishte një botues amerikan, burrë shteti, shkrimtar, shkencëtar, sajues dhe filozof politik, shkruan KultPlus.com.

Konsiderohet gjithashtu si një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte biri i dhjetë dhe fëmija i pesëmbëdhjetë i një përpunuesi sapuni dhe qiriri. Qysh në vitet e hershme të jetës së tij ai ka marrë një zhvillim të gjerë të njohurive përmes leximit intensiv të letërsisë së përgjithshme dhe shpirtërore në mënyrë autodidakte.

Ai për një kohë ka punuar në një dyqan arti te James-gjysmë vëllai i tij. Ndërsa përgjatë viteve 1729-1766, ai ishte redaktor i Gazetës së Pensilvanisë. Në vitin 1750 Franklin u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Pennsylvania.

Ndër studimet e shumta që pati përgjatë viteve ai studioi ujin e kuq, Rryma e Gjirit, përmbajtjen e kripës. Në kohën e krizës së Aktit Stamp , u bë një avokat i njohur i të drejtave amerikane në Londër. Në maj 1775 ai shkoi përsëri në Pensilvani dhe u bë anëtar në Kongres. Ai përndryshe kishte projektuar, komitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. 

Në 1769 themeloi Shoqërinë filozofike Amerikane. Ndërsa në vitin 1776 Benjamin Franklin ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 korrik.

Ai gjatë karrierës së tij u përfshi në disa qështje me interes publik përmes disa shkrimeve të tij, ku disa nga temat kishin të bëjnë me pastrimin e rrugëve, ndriçimin, futja e zjarrfikësit vullnetar ,

Gjatë gjithë jetës së tij, ai ka botuar traktate dhe ese për të gjitha llojet e temave, të tilla si për politikën, dhe çështjet ligjore të arsimit dhe të kontrollit të popullsisë.

Dalja e tij e fundit publike para vdekjes së tij ishte në mbështetjen e një programi të Kongresit, për heqjen e skllavërisë në nivelin federal duke dhënë këshilla ndaj masave. Më 17 prill 1790 Benjamin Franklin vdiq në moshën 84 në Filadelfia.

Circa 1750, American statesman, writer and scientist Benjamin Franklin (1706 – 1790). (Photo by Hulton Archive/Getty Images)

176 vite nga lindja e gazetarit dhe politikanit hungaroamerikan, Joseph Pulitzer

Joseph Pulitzer ishte një gazetar, editor dhe politikan hungaroamerikan.

Lindur në Makó, në Hungari, dhe emigruar në Shtetet e Bashkuara, Pulitzer u bë një reporter dhe editor i famshëm. Një shpërblim i tij, Pulitzer, më i rëndësishmi në fushën e gazetarisë, që u caktua për herë të parë në vitin 1917, sipas dëshirës së lënë nga gazetari i ndarë nga jeta pak vite më parë.

Pulitzer emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1864, gjatë luftës së secessionit amerikan. Pas përfundimit të konfliktit u vendos në St. Louis, në Missouri, filloi të punojë për një gazetë në gjuhën gjermane, Westliche Post, më 1868.

Në zgjedhjet parlamentare në Missouri, më 1869, Partia Republikane e paraqitën si kandidat të saj në një kolegj që demokratët e konsideronin të blinduar. Befas ai u zgjodh duke mundur kandidatin demokrat. Vazhdoi një periudhë të shkurtër me republikanët për të kaluar tek Partia Demokratike, deputet i së ciës u bë më 1885.

Më 1872, Pulitzer bleu The Post për 3.000 dollarë. Pastaj, në vitin 1878, bleu edhe St. Louis Dispatch për 2.700 dollarë, si dhe dy gazeta, të cilat e shndërruan The St. Louis Post-Dispatch, e cila mbetet ende sot e përditshmja kryesore e qytetit.

Në vitin 1883, Pulitzer bleu edhe The New York World (një gazetë që po qëndronte me humbje prej rreth 40.000 dollarë në vit) për 346.000 dollarë nga Jay Gould. Pulitzer e ktheu vëmendjen tek lajmet me interes njerëzor, skandalet dhe sensazionalizmi. Pulitzer ishte bërë një urë ndërmjet shoqërisë amerikane dhe emigrantëve që e popullonin Nju Jorkun në vitet e fundit të shekullit XIX. Në brendësi të gazetës së tij vendosi rubrika të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në gjithë shtypin botëror, përfshiu reklama tregtare. Emigrantët e shohin gazetën e Pulitzerit si një pikëtakim ku ata grumbullohen në një vend që nuk ishte (ende) i tyre. Në vitin 1885, një vit më vonë, kur do të zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, punësoi Richard F. Outcaultin për të sjellë ilustrime bazuar në jetën e përditshme në rrethinat më të varfëra; kështu gazeta arriti në 600.000 kopje – kundrejt 15.000 sa ishte kur e bleu gazetën – duke e bërë The New York World të parën të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Atë vit u bë protagonist i mbledhjes së fondeve për ndërtimin e bazamentit për Statujën e Lirisë, i cili u përurua më 26 tetor 1886. Falë kësaj iniciative u grumbulluan 100.000 dollarë.

Në vitin 1887, filloi të punojë në The New York World gazetarja  Elizabeth Cochran, e cila do të bëhej e famshme me pseudonimin Nellie Bly, së cilës Pulitzer ia beson disa hetime të bëra më vonë të famshme si, si keqtrajtimet ndaj pacienteve femra në spitalin psikiatrik të qytetit me titull “Ten Days in a Mad-House” ( “Dhjetë Ditë në një shtëpi të çmendur “). Ky hetim pati jeohnë tejet të madhe në publik dhe i deturoi autoritetet të marrin masa të posaçme.

Më 1888 Pulitzer kishte idenë e realizimit të asaj që shkrimtari francez Jules Verne kishte imagjinuar në një nga librat më të famshëm të tij, Udhëtim rrotull botës për 80 ditë. Pulitzer ia ngarkoi këtë mision gazetares Nellie Bly dhe ajo e sfidoi duke realizuar udhëtimin në më pak se 80 ditë. Më 14 nëntor 1889 ajo u nis nga Hoboken, në Nju Xhersi, për udhëtimin e saj prej 40 000 kilometrash. Më 25 janar 1890 Nellie arriti në New York, pas shtatëdhjetë ditësh, një rekord absolut (edhe pse u përmirësua pak muaj pas nga George Francis Train, i cili përfundoi udhëtimin në 60 ditë). Ditari i saj Around the World in Seventy-two Days (Rrotull botës në shtatëdhjetë e dy ditë) ishte një sukses i madh.

Po më 1890, botuesi i revistës “New York Sun”, e sulmoi Pulitzerin në gazetën e tij, duke e definuar “hebreu që ka braktisur fenë e tij” (babai i Pulitzerit ishte hebre, nëna katolike, ndërsa gruaja, Kate Davis, ungjillore). Ky veprim, që kishte për qëllim t’ia largonte Pulitzerit lexuesit e besimit të krishterë, e përkeqësoi shëndetin e gazetarit, tashmë jo në gjendje të mirë, dhe e detyroi atë të largohet nga drejtimi i gazetës, duke mbajtur, megjithatë, kontrollin financiar.

Në vitin 1895, William Randolph Hearst bleu The New York Jurnal, duke filluar një betejë gazetareske kundër The New York World të Pulitzerit. Kjo garë me Hearstin, sidomos para dhe pas Luftës Spanjollo-Amerikane, e lidhi emrin e Pulitzerit me gazetarinë e karakterizuar nga sensacionizmi apo spekulimet skandaloze.

Më 1896, The New York World inauguroi një shtojcë me ngjyra, një inovacion absolut për atë kohë. The New York World denoncoi një skandal që përfshinte një pagesë mashtruese prej 40 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kompaninë franceze të French Panama Canal Company në vitin 1909, dhe Pulitzer u hodh në gjyq nga Theodore Roosevelt dhe John Pierpont Morgan. Gjykata hodhi poshtë akuzat duke vendosur një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit.

Më 1892, Pulitzer i propozoi presidentit të Universitetit të Kolumbias, Seth Low, të krijonte një shkollë të gazetarisë dhe ofroi veten si huadhënës i kursit. Do të ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë. Universiteti fillimisht nuk pranoi propozimin dhe paratë, por në vitin 1902 presidenti i ri i Universitetit, Nicholas Murray Butler, pranoi kërkesën. Por projekti u realizua vetëm pas vdekjes së Pulitzerit, i cili nuk mund të admirojnë ëndrrën e tij të realizuar. Me vullnetin e tij, Pulitzer dhuroi 2 milionë dollarë në universitet, gjë që çoi në krijimin e Shkollës së Studimeve të Avancuara të Gazetarisë në vitin 1912; megjithatë, nuk ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë, pasi u parapri nga Universiteti i Misurit.

Më 1917 u dha Çmimi i parë Pulitzer, në përputhje me dëshirat e Pulitzerit; shkolla e gazetarisë që ai donte mbetet më prestigjiozja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot. Joseph Pulitzer vdiq ndërsa ishte në bordin e jahtit të tij në portin e Charleston, Karolina e Jugut, në vitin 1911.

Ai është varrosur në Varrezat e Woodlawn në Nju Jork (në rrethin e Bronksit). / KultPlus.com