Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) është çelur ekspozita e Fate Velaj, me titull “Amerikanët”. Artisti është frymëzuar nga arti i fotografisë së Robert Frank në vitet ’50.
Prof. asoc. Albes Fusha, kurator i kësaj ekspozite, e vlerëson Velajn si një artist ndërkufitar që udhëton me penën në letërsi, udhëton me penelin në pikturë, udhëton me aparatin në fotografi.
“Amerikanët” është një ndër udhëtimet i tij i cili duhet parë jo thjeshtë si një ndihmesë në artin e fotografisë, por edhe të kulturës amerikane në përgjithësi”, thotë Fusha.
Ekspozita është një përzgjedhje prej 70 imazhesh, një ekstrakt i qindra fotove të realizuara në udhëtimet e tij nëpër Amerikë.
Fate Velaj nuk ka pasur si qëllim të bëjë një reportazh, me këtë ekspozitë. Fotografi ka qenë në ndjekje të një qëllimi: të rizbulimit të ritmeve fotografike që Robert Frank përjetoi në vitet 1955-1957 dhe, të dokumentonte gjithçka që i dukej e ndryshuar në jetën e përditshme të amerikanëve.
Prof. Albes Fusha thotë se Velaj është larg metodave tradicionale të fotografimit. Ai shpesh e përdor aparatin pa e vënë në nivelin e syve, duke luajtur me rastësinë.
Ekspozita “Amerikanët” është ndërtuar që pamjet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Nuk ka asgjë të rastësishme në renditjen e tyre. Përzgjedhja është si fjalët e gjetura plot kujdes e gati e njëjtë me rrëfimet e romancierit Fate Velaj.
Ekspozita do të qëndrojë në COD deri në fund të dhjetorit./ atsh /KultPlus.com