101 vjet nga dita kur gratë amerikane fituan të drejtën e votës

Më 4 qershor të vitit 1919, Kongresi amerikan aprovoi Amendamentin e 19-të të Kushtetutës së SHBA-ve, i cili garantoi të drejtën e votës për gratë, dhe u dërgua në të gjitha shtetet federale amerikane për ratifikim, shkruan KultPlus.

Arkivat kombëtare në Uashington ruajnë disa nga dokumentet më të rëndësishme në historinë amerikane, e në mesin e tyre edhe amendamentin e 19-të që u miratua në Kongres para afër një shekulli.

Amendamenti i 19-të u ndaloi shteteve dhe qeverisë federale t’iu mohojnë qytetarëve amerikanë të drejtën e votës në baza gjinore.

Një ndër figurat kryesore që ndihmuan këtë çështje, është edhe aktivistja Ida Wells Barnet. Gratë gjithmonë i kanë shërbyer demokracisë, si në rastin e Jeanette Rankin nga Montana që fitoi një vend në Kongres në vitin 1916, para se të miratohej amendamenti. Ajo nuk ishte e vetme.

Shumë gra shërbyen në Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.

E drejta për të votuar, është themeli i demokracisë dhe është fituar me punën e palodhshme të aktivisteve për gjenerata të tëra.

Nga e kaluara e deri tash, kontributi i gruas në demokraci vazhdon të jetë vlerë në traditën amerikane. / KultPlus.com

Fotoreportazh: Amerika del ‘jashtë kontrollit’

Katër policë u qëlluan në St. Louis të SHBA natën e shkuar, teksa u mbush java me protesta të dhunshme pas vdekjes së George Floyd.

Ndërkohë një tjetër polic është qëlluar në kokë në Las Vegas, raporton Daily Mail. Skenat që vijnë nga SHBA tregojnë një vend jashtë kontrollit, shkruan gazeta.

Kjo situatë ka bërë që presidenti Donald Trump të paralajmërojë se do dërgojë ushtrinë në rrugë, njësoj si në trazirat e vitit 1992. Mijëra ushtarë do mobilizohen në mbarë vendin për t’i dhënë fund trazirave dhe mungesës së ligjit, tha Trump.

Daily Mail sjell këto foto nga trazirat në SHBA.

Bota solidarizohet me protestuesit amerikanë, mbahen protesta në shumë qytete

Mijëra persona në pjesë të ndryshme të botës kanë protestuar kundër vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd për t’u solidarizuar me protestuesit amerikanë.

Në Amsterdam të Holandës, rreth tre mijë persona u mblodhën të hënën në Sheshin “Dam” për të protestuar kundër brutalitetit të policisë dhe pabarazisë racore, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Në Rio de Janeiro të Brazilit, protestuesit u mblodhën të dielën përballë pallatit të guvernatorit për të protestuar në përkrahje të personave me ngjyrë.

Në Paris të Francës, një grup i vogël i protestuesve paqësor, i cili i përfaqësonte organizatat franceze kundër racizmit, u tubuan të hënën afër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Në Londër të Anglisë, policia ka arrestuar protestues gjatë fundjavës për shkak të shkeljes së masave kufizuese pasi ata marshuan për t’u solidarizuar me protestuesit amerikanë.

Protesta ka pasur ose janë planifikuar edhe në Australi, Gjermani, Irland, Greqi dhe në disa vende të tjera.

Përkrahje për këto protesta kanë ofruar edhe disa liderë botërorë. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se është e tmerruar nga vdekja e George Floyd-it dhe i mirëpriti protestat paqësore në vendin e saj. / KultPlus.com

Koronavirusi mund të përcaktojë fatin e përballjes SHBA-Kinë

Ndërsa COVID-19 po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, analistët janë përqendruar me të drejtë mbi pasojat e mundshme shëndetësore dhe ekonomike. Por kjo pandemi, është duke diktuar zhvillimin më të rëndësishëm gjeopolitik të shekullit XXI:rivalitetin mes SHBA-së dhe Kinës, mbi atë se kush do e drejtojë botën në të ardhmen.

Mënyra se si do i menaxhojnë Uashingtoni dhe Pekini pasojat e pandemisë së koronavirusit në javët në vazhdim, mund të përcaktojë se kush do ta udhëheqë rendin ndërkombëtar dekadat e ardhshme. Tek e fundit, siç e shpjegoj në një libër të ri, pandemitë globale kanë kontribuar shpesh në ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha në të kaluarën.

Në shekullin V Para Krishtit, Athina ishte fuqia më e madhe e Greqisë së lashtë. Ajo ishte një shtet i pasur tregtar, qendra e artit dhe kulturës greke, dhe një fuqi detare që e kishte udhëhequr me sukses Aleancën Deliane në luftë kundër Perandorisë së fuqishme Persiane.

Por gjatë Luftën Peloponeziane kundër rivales së saj Spartës, Athina u godit nga një epidemi e rëndë në vitin 430 Para Krishtit. Studiuesit modernë, besojnë se ka qenë një epidemi e tifos e ardhur nga Afrika e Veriut. Sëmundja e shfarosi popullsinë e Athinës, e dërrmoi ushtrinë e saj, dhe madje i mori jetën udhëheqësit të saj më të mirë, Perikliut.

Para epidemisë, Athina ishte shumë pranë fitores, por e dobësuar nga sëmundja, ajo u detyrua të nënshkruajë një paqe të përkohshme në vitin 421 Para Krishtit. Kur rifilluan luftimet, Athina u mund nga Sparta, dhe forma e saj demokratike e qeverisjes u rrëzua nga spartanët fitimtarë.

Një fat të ngjashëm pati Republika e Venedikut. Sot, ne e shohim Venecian si një destinacion të mrekullueshëm turistik. Por në fund të Mesjetës dhe fillim të periudhës së hershme moderne, ajo ishte një superfuqi.

Venecia ka të ngjarë të ketë në atë kohë qyteti më i pasur në botë, fuqia më e madhe tregtare dhe detare. Ajo kontrollonte territorin, portet tregtare dhe kolonitë nga Italia kontinentale, në të gjitha rajonet e Mesdheut dhe Detin e Zi. Gjithsesi, ashtu si Athina, edhe Venecia u përball me raste të përsëritura të epiodemisë.

Murtaja Italiane e viteve 1629-1631, besohej se e kishte origjinën në Kinë, dhe prej andej u përhap në Perëndim, duke ndjekur trajktoren e të famshmes Rruga e Mëndafshit. Si një qendër e madhe tregtare, Venecia ishte ndër më të goditurat.

Ndërsa autoritetet bënë çmos për ta luftuar epideminë (fjala karantinë vjen nga fjala në dialektin venecian që do të thotë ‘40 ditë’), por nuk ishte e mjaftueshme. Murtaja Italiane, ndikoi në një ndryshim të madh në ekuilibrin evropiane të pushtetit, teksa Venediku ra, ndërsa shtetet e Evropës Veriore, si Anglia dhe Republika Holandeze, u ngritën për t’u bërë fuqi të mëdha gjeopolitike.

Siç thoshte dukur Ciceroni, paratë janë vektorët e pushtetit. Kina po raporton aktualisht ecurinë e saj ekonomike më të keqe ndër dekada. Tregu i aksioneve në SHBA është në rënie të lirë, teksa ekonomistët parashikojnë një recesion të afërt.

Që të dy fuqitë do të dobësohen ekonomikisht, por jo në mënyrë të barabartë. Aftësia e tyre relative për të “lundruar” në mesin e kësaj stuhie, do të përcaktojë kur dhe ndoshta edhe nëse, Kina mund ta kapërcejë SHBA-në, si fuqia më e madhe ekonomike në botë.

Në rafshin diplomatik, në garën SHBA-Kinë ekziston një element ideologjik, pasi shumë analistë e shohin modelin e drejtuar nga shteti autoritaro-kapitalist i Kinës, si një alternativë të zbatueshme ndaj sistemit demokratik të tregut të hapur që përfaqëson Amerika.

Për t’u përballur me COVID-19, Partia Komuniste Kineze u përpoq që ta fshehë epieminë, gjë që vetëm sa i përkeqësoi gjërat. Por pas një reagimi të ngadaltë, Kina vendosi masa drastike, dhe duket se e vendosi sëmundjen nën kontroll.

Analistët janë tani sy e veshë, për të parë nëse Shtetet e Bashkuara demokratike, do të jenë më të afta që ta përballojnë këtë krizë. Siç ndodh shpesh në shoqëritë e lira, qeveritë vendore dhe aktorët privatë, si universitetet ashtu dhe ligat sportive profesioniste, kanë ndërmarrë veprime më të vendosura sesa qeveritë kombëtare.

Por ekspertët paralajmërojnë, se do të nevojitet një veprim më i fortë në nivel federal. Suksesi i përgjigjes së SHBA-së, do të formësojë perceptimet globale mbi efikasitetin relativ të demokracisë përkundrejt autokracisë.

Dhe kjo nga ana tjetër, do të ndikojë në gjendjen globale të SHBA-së, fuqisë së saj të butë dhe aftësisë së saj për të tërhequr aleatët e lëkundur në orbitën e vet, dhe jashtë sferës së ndikimit të Kinës.

Ndërkohë në fushën ushtarake, Komisioni i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes për vitin 2018, paralajmëroi se Lufta e Trete Botërore me Kinën, është një skenar i mundur, dhe se Shtetet e Bashkuara, kanë gjasa edhe ta humbasin atë.  COVID-19 do të ndikojë mbi personelin ushtarak, dhe gatishmërinë e të dyja palëve, por edhe mbi strategjitë e qeverive kombëtare.

Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, besojnë se pasiguria mbi ekuilibrin e fuqisë ushtarake dhe zgjidhjen e kësaj çështje, është shkaku kryesor i konfliktit. Nëse qeveria amerikane është e fokusuar në reagimin ndaj katastrofave në shtëpi, dhe nëse ka për shembull një shpërthim epidemik tek personelit ushtarak amerikan, a do ta mendonte Pekini që tani është koha e duhur për të vepruar kundër Tajvanit?

Sigurisht, rreziqet e një lufte SHBA-Kinë mbeten të ulëta, por gjasat janë më të mëdha se sa disa javë më parë, dhe pasojat do ishin potencialisht katastrofike. Për fatin e mirë të SHBA-së, studimi im tregon se demokracitë në përgjithësi, ua kalojnë rivalëve të tyre autokratikë në garat e mëdha për pushtet dhe ndikim.

Nuk ka kohë për të humbur. Ndërsa udhëheqësit amerikanë, po përgatisin reagimin e tyre ndaj koronavirusit, ata duhet të mendojnë jo vetëm mbi krizën emergjence të shëndetit publik, por edhe për të ardhmen e udhëheqjes globale amerikane.

Shënim: Matthew Kroenig, është drejtor i Nismës së Strategjisë Globale në Qendrën Skaukroft për Strategji dhe Siguri në Këshillin Atlantik. Ai është edhe autori i librit “Rrithimi i rivalitetit mes fuqive të mëdha:Demokracia përkundrejt autokracisë, nga bota e lashtë, deri tek SHBA-ja dhe Kina”.

“National Interest” – Bota.al /KultPlus.com

Adem Dalipi, shqiptari që depërtoi nga “American Idol”: Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm

Jeta Zymberi

Prindërit e tij kanë lindur në Maqedoni, në një fshat të vogël të quajtur Kërçovë. Më pas janë transferuar në ShBA bashkë me prindërit. Atje shkuan në shkollë dhe u martuan në Ilinois. Më pas ka lindur djali i tyre, Adem Dalipi i cili sot është 17 vjeç e që po mahnitë me talentin e tij në muzikë, shkruan KultPlus.

I lindur dhe rritur në Amerikë, Ademi ka treguar për KultPlus se jo çdo gjë ishte e lehtë për familjen e tyre në këtë vend të madh.

“Unë kam lindur në Amerikë më 2003 (tani jam 17-vjeç) dhe jam rritur aty. Prindërit më merrnin bashkë me vëllain dhe ktheheshim verës në shtëpi për ta vizituar familjen dhe për të mësuar më shumë rreth fshatit dhe kulturës sonë. Në Amerikë pata shumë keqkuptime për shkak të emrit, por sidoqoftë sfondi im kulturor ishte i ndryshëm sepse ne angazhoheshim në komunitetin shqiptar që na rrethonte.”

AMERICAN IDOL – “Hollywood Week” – Coverage. (ABC/Eric McCandless) ADEM DALIPI

Por, talenti i tij për muzikë ra në sytë e profesorit qysh në klasë të tretë, kështu ai  paralajmëroi nënë e tij që djali kishte “vesh për muzikë”. Kjo i ndihmi Ademit për të nisur rrugëtimin e tij, fillimisht duke mësuar kitarë e më pas nis të këndojë dhe të mësojë instrumente të tjera.

“Kam shkruar muzikën time qysh kur isha 11-vjeç. Prindërit e mi nuk qenë marrë me muzikë, prandaj ishte pak e vështirë për mua. Ata filluan të shohin seriozitetin tim dhe kështu nisën të më mbështesin. Së bashku gjetëm mundësi për të krijuar lidhje me njerëzit në industri.”, ka treguar Ademi i cili aktualisht ka filluar të prodhoj dhe regjistroj muzikë në studio, ku i ka dy këngë që i ka shkruar vet. Ndërsa, këtë verë, do ta lansoj një EP që ka pasur mundësi ta incizoj profesionalisht në Los Anxhelos, Kaliforni. 

Një ndër mundësitë më të mira që i ka ardhur në duar, si një djalë i ri në këtë fushë, është edhe ftesa për audicion në “American Idol”. Ishte vera e vitit 2018, kur sapo kishte mbaruar disa incizime në Toronto të Kanadasë dhe një producent nga “American Idol” e ftoi në audicion. Atë kohë ishte vetëm 15-vjeç, dhe kishte fatin të merrte tiketën e artë nga një juri e përbërë nga këngëtarët e famshëm si: Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan.

“Pas kësaj unë kam shkuar edhe në “Javën e Hollivudit”. Kjo shfaqje më dha besim të madh që unë do të jem artist serioz në të ardhmen, dhe kjo do të më ndihmojë për lidhje të reja me industritë muzikore”.

Amerika ka një treg të gjerë të muzikës, artistë nga e gjithë bota vërshojnë drejt këtij vendi për të realizuar ëndrrat e tyre, por Ademi beson fuqishëm se do të sigurojë vendin e vet dhe audienca do ta mbështesë.

“Kam një sfond unik në muzikë, me ndikim të madh nga bluzi. Duke qenë se vet i shkruaj këngët e mia, besoj se audienca do të më mbështesë në rrugëtimin tim.”

Ndërsa, ka vetëm 3 javë që ka publikuar këngën e re të cilën e ka prodhuar vetë. Kënga titullohet “Wanting for you” dhe është shoqëruar edhe me një videoklip mjaft të këndshëm. Kënga është pritur shumë mirë dhe Ademi pohon që ka marrë mjaft kritika pozitive.

Duke qenë në fillet e karrierës, padyshim që ai ka shumë ëndrra që pritet t’i realizojë. Një ndër to është edhe bashkëpunimi me John Mayer.

“Një nga inspirimet e mia më të mëdha, do të ishte gjë e mrekullueshme të bashkëpunoja me të. Një tjetër artist që më vjen tani në mendje është Mac Ayres.”

Ndërsa, i pyetur për sukseset e vajzave shqiptare si: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e Ava Max të cilat tashmë kanë prekur majat e muzikës botërore, Ademi thotë se ky është qëllimi dhe ëndrra e tij.

“ I respektoj të gjithë shqiptarët që kanë arritur, pasi është e vështirë të kesh sukses në këtë industri. Bebe Rexha dallohet sepse ka pasur shumë vështirësi me të cilat është përballur derisa ka arritur aty ku është.”

Muzikë shqip pohon që dëgjon pak, megjithatë ka dy artistë aktual që i dëgjon, ai është Ledri Vula dhe Gashi.

“Dëgjoj gjithashtu grupin “Elita 5”, babai im e shijon muzikën e tyre”, pohon Dalipi i cili shprehet i gatshëm për bashkëpunime me artistët shqiptarë.

Përderisa në Maqedoni ai shkon shpesh për vizitë bashkë me familje, Kosovën ende nuk ka pasur rast ta vizitojë. Por ai ka plan që këtë verë të vizitojë natyrën dhe bukuritë shqiptare dhe gjithashtu shpreh dëshirën që të perfomojë në Kosovë apo Shqipëri.

Rrugën e nisur e sheh të gjatë dhe të suksesshme, por për këtë ai është duke punuar shumë. Dalipi po planifikon që ta lëshoj EP-në shumë shpejt, por për shkak të Covid-19 gjithçka ka mbetur pezull.

Krejt për fund, artisti i ri ka një mesazh për të rinjtë shqiptarë: Gjeni diçka që me të vërtetë doni ta bëni dhe bëni gjithë përpjekjet tuaja që ta arrini atë. Punoni shumë dhe tregohuni të durueshëm! / KultPlus.com

Josef Kote, artisti shqiptar që mahnit publikun amerikan me pikturat shumëngjyrëshe

Jeta Zymberi

Artisti shqiptar Josef Kote është një ndër emrat më të shquar të artit në Amerikë, por ai gjithçka e nisi nga qyteti i Vlorës ku vazhdoi tutje udhëtimin e gjatë të eksplorimit, eksperimentimit dhe emocioneve artistike. Si fëmijë ai kishte dy pasione; pikturën dhe muzikën, natyrisht piktura ishte pasioni i tij më i fortë që më pas ju dedikua tërësisht, shkruan KultPlus.

“Fillimisht konkurrova në Vlorë, dhe më pas në Tiranë që të studioja në Liceun Artistik, Jordan Misja. I fitova të dyja konkurset dhe në moshën 14- vjeçare u largova nga shtëpia e prindërve të filloja rrugën time si artist”, nis të tregojë Kote për KultPlus.

“Mbas liceut, konkurrova përsëri dhe vazhdova studimet për katër vjet të tjera në Akademinë e Arteve. U diplomova për pikturë dhe skenografi. Në vitin e fundit të Akademisë punova në Kinostudion Shqiptare, dhe realizova një film të shkurtër vizatimor ‘’Lisi’’. Mbas shkollës, u emërova si skenograf në teatrin e Vlorës ku punova për një periudhë relativisht të shkurtër mbasi u largova në Greqi të vazhdoja karrierën si artist”.

Ka pothuajse tri dekada që është larguar nga Shqipëria dhe jeton në Amerikë. Udhëtimet nga zhvendosjet nga Greqia në Toronto, dhe më në fund në New York, kanë pasur një impakt të madh në krijimtarinë e tij artistike. “Rrugë e gjatë… gjithmonë në kërkim dhe eksperimentim që të gjeja veten time kudo që shkova”, thotë Kote.

New York është një nga qendrat më të rëndësishme në botë përsa i përket artit, me mijëra artistë nga gjithë bota shkojnë vazhdimisht në kërkim të realizimit të ëndrrës së tyre dhe si i tillë, është shumë e lehte të humbasësh nëse nuk je i veçantë. Por, Kote falë talentit dhe veçantisë së tij në punime arriti ta kalonte këtë pjesë pa problem.

“Gjatë periudhës që jetova dhe punova në Toronto, krijova një koleksion të madh pikturash dhe mund të them se ajo ishte faza paraprake që më përgatiti për në New York. Pra isha i ndërgjegjshëm që duhet të tregoja individualitet të veçantë në pikturë në mënyrë që të futesha në tregun e artit amerikan dhe menjëherë fillova punën për prezantimin e parë.”

Ekspozita e parë që e realizoi në New York, ishte momenti më vendimtar për karrierën e tij sepse aty mori kritika të mira nga ana profesionale.

“Nga aty, ndryshova natyrën e punës që bëja më parë dhe më në fund fillova të krijoja atë që kisha eksperimentuar për kohë të gjatë. Ky ndryshim ishte i domosdoshëm për mua që të mund të shpërtheja ndjenjat që kisha brenda vetes dhe që më kishin munduar për kohë të gjatë. Ekspozita ishte tepër e suksesshme. Shumë shpejtë mbas kësaj ekspozite, galeritë dhe publiku amerikan vlerësuan artin tim dhe më kanë mbështetur në një mënyrë të mrekullueshme.”

I pyetur nga KultPlus se si e definon artin e tij, Kote thotë se nuk dëshiron ta përkufizojë se çfarë lloj artisti është. Ai thotë se çdo artist bën artin që i përshtatet temperamentit të tij.

“Në shkollë u trajnova si akademik, por mund të them se qysh në vitet e shkollës kam pasur tendenca abstraksioniste. Realizmi nuk ishte një opsion për natyrën time; thjeshtë nuk më krijonte emocione të forta të cilat të më mbanin për periudhë të gjatë. Realizmi më përkufizonte të shprehja në mënyrë ekspresive ndjenjat e mia. Nuk dua të keqkuptohem, kam admirim të madh për piktorët që punojnë në mënyrë hyperealiste; sepse duhet të kesh mjeshtëri dhe durim të krijosh por arti është tepër personal dhe mendoj se çdo artist bën artin që i përshtatet temperamentit të tij.”

Duke qenë se ka ushtruar profesionin e pikturës për më shumë se 30- vite, në krijimtarinë e tij kanë ndodhur transformime të ndryshme të cilat kanë qenë të lidhura me vendin ku ka jetuar, me eksperienca dhe horizonte të ndryshme.

“Gjatë gjithë kohës, brenda vetes kam pasur shqetësim artistik të krijoja diçka që të më mbushte plotësisht, diçka që të ishte e imja; të krijoja një stil që të reflektonte personalitetin dhe ndjenjat e mia. Në mënyrë tepër organike dhe graduale fillova të inkorporoja brenda realizmit abstrakten duke ndjekur vizionin dhe ndjenjat e mia. Në këtë fazë të karrierës time e ndiej se kam arritur të kem individualitetin tim duke krijuar punë të cilat kanë balancë të mirë të realizmit me elemente abstrakte. Për mua si artist është e rëndësishme të mbajë realiste vetëm atë pjesë që më intereson duke e shkatërruar pjesën tjetër.”

Abstraktja ia jep lirinë të luaj me ngjyrat, format dhe materialin që përdorë duke thyer rregullat e realizmit në një lloj mënyre. Sipas artistit, është një balancë shumë sensitive, duhet të dish çfarë të lësh dhe çfarë të mbash që kompozimi të qëndrojë.

Për të arritur në pikën ku sot është, natyrisht nuk ka qenë e lehtë, ka punuar me mijëra orë duke eksperimentuar, një dedikim i plotë që të mund të krijonte stilin dhe teknikën që sot ka e të cilat vazhdojnë të evoluojnë në mënyrë tepër organike.

Pikturat e Josefit të rrëmbejnë qysh në shikim të parë e të fusin në një ëndërr të bukur. Por, i gjithë ky art buron nga shpirti i madh i artistit që mbushet çdo ditë plot inspirim nga bota që e rrethon.

“Puna ime është shprehje vizuale e vetës time, kush jam unë dhe çfarë unë mendoj për botën rreth meje e cila është burimi nga unë marrë emocionet që më pas i transferoj në pikturë. Ka kaq shumë gjëra në botë që më zgjojnë interes – natyra, arkitektura, njerëzit, muzika…”

Së sa ka ndikuar jeta e tij në Shqipëri për formimin artistik, Kote thotë se pikërisht ajo periudhë e ka formuar për artistin që është sot.

“Mendoj se katër vitet e para të liceut (periudhë në të cilën unë isha adoleshent) më ndihmuan të formohesha me një disiplinë akademike dhe të rritesha në një ambient mjaft konkurrues. Megjithëse isha i talentuar dhe kisha një dedikim të plotë në pikturë, mendoj se ato 8 vite studime më dhanë bazat për artistin që jam sot.”

Arti i Josef Kotës është përqafuar nga entuziastë të artit në gjithë botën. Koleksionistë dhe entuziastë të arriti e mbështesin gjatë gjithë kohës artistin shqiptar dhe gjejnë kënaqësi në atë se çfarë ai krijon dhe kjo padyshim që e frymëzon të krijojë punë gjithnjë e më të mira.

Josef, tashmë është edhe autor i shumë ekspozitave. Në Amerikë ka disa galeri që ekspozojnë punët e tij gjatë gjithë vitit. Zakonisht ai punon për 3- 4 ekspozita personale në vit.

“Është një punë tepër intensive, por siç thashë edhe më lartë, piktura është frymëmarrja ime dhe më jep satisfaksione të mëdha shpirtërore. Jam gjithmonë në kërkim se çfarë do të krijoj nga ekspozita në ekspozitë. Mendoj se rruga e artit në një lloj mënyre është një konkurs pambarim që kërkon dedikim dhe sakrificë.”

Artisti shqiptar tash është në përgatitje të dy ekspozitave personale. Më datë 8 gusht një e tillë do të prezantohet në New Jersey. “Kam punuar intensivisht për këtë ekspozitë të krijoja një koleksion pikturash me tematikë detin dhe art figurativ. Duke punuar për ekspozitën e quajtur ‘’Leeting Go’’ isha në një moment që doja të krijoja punë që transmetonin qetësi, paqe, dhe besoj se arrita të realizojë atë çfarë kërkova.”

Por, menjëherë pas këtij prezantimi, Koten e prej një tjetër ekspozitë. Në shtator ai hapë një të tillë në Atlanta për të cilën gjithashtu është duke punuar.

I pyetur nga ne, nëse një ekspozitë të tillë mendon ta hapë edhe në Shqipëri, ai përgjigjet: Pa dyshim, dëshiroj të bëjë një ekspozitë atje në mënyrë që edhe publiku shqiptar të ketë mundësi të shikojë punimet e mia dhe unë të kem mundësi të shikojë reagimin e tyre.”

Kote beson se për çdo artist suksesi më i madh është atëherë kur publiku dallon veprat e tij midis mijëra pikturave që qarkullojnë sot në internet, media sociale etj.

“Në rastin tim, mendoj se kjo ka qenë një arritje e madhe për mua. Përsa i përket vazhdimësisë time artistike – do vazhdojë të pikturojë dhe të eksperimentojë. Amullia është gjëja që më shqetëson si artist, atëherë dhe vetëm atëherë është vdekja e artistit nga pikëpamja artistike dhe shpirtërore (mendimi im)  prandaj gjithmonë jam në fazë eksperimentimi sepse dua të befasoj vetën, pastaj publikun”, thotë Kote duke përmbyllur kështu intervistën me KultPlus.

E ardhmja e ndritshme e artit të Kotes pritet të prekë dhe shumë e shumë vende të tjera të botës, por urojmë të vijë për një natë në vendin ku gjithçka nisi e të përqafohet me publikun shqiptar të cilët e presin me padurim botën shumëngjyrëshe të Kotes. / KultPlus.com

Haradinaj: Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan kush janë dhe nga vijnë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të premten udhëtoi në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës me ftesë të komunitetit katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, mbrëmë ka marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, kështu tha kryeministri  Haradinaj, në fjalën e tij, në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, i ftuar nga Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot ndihet jashtëzakonisht i nderuar që e ndajnë këtë kohë bashkë duke thënë se bashkëkryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.

“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përçark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, shtoi ai.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj theksoi se toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetesës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjtën Nënë Terezën.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Shumë i nderuar të isha në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe shqiptarë të të gjitha trojeve tona, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare. Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garancë e thellimit të miqësisë së përhershme me ShBA-në”, ka shkruar Haradinaj.

Në nderim të kësaj date dhe gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe, në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim.

Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së. / KultPlus.com

Dua Lipa do të këndojë në “The Voice” të Amerikës

Ylli i Pop muzikës ka pasur ngritje në karrierë pas suksesit me këngën “New Rules”, i cili ka arritur mbi një miliard shikime në YouTube.

Dua Lipa thuhet se është në rend të parë për të regjistruar kolonën zanore të filmit të James Bond.

Por, sot është bërë e ditur që këngëtarja do të jetë në talent shou amerikan, që ka mbi tre milionë shikues.

Bukuroshja 22-vjeçare do të shfaqet të premten (18 maj) në shoun “The Voice”, i cili mbahet në Los Angeles.

“Dua do të shfaqet këtë të premte në The Voice në Los Angeles!”, shkruan në rrjetet sociale duke mos dhënë edhe më tepër detaje të tjera.

Ndryshe, sipas Capital FM, Lipa është duke kryesuar garën me Ed Sheeran dhe Jessie J. në listën e emrave të mundshëm për të regjistruar temën për filmin e 25-të të agjentit James Bond.

Filmi është planifikuar të shfaqet në kinematë botërore gjatë muajit nëntor të këtij viti./ KultPlus.com

Marko Caka me rol kryesor në njërin nga episodet e serialit të famshëm “Spies next door”

Marko Caka, aktori me prejardhje shqiptare i cili është duke ngjitur majat e karrierës së tij në Hollivud, tashmë ka nisë xhirimet në një rol protagonist në një episod në serialin “Spies next door”.

Lajmin për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë Caka, i cili ka treguar se seriali vjen nën regjinë e Erik Kirsten.

“Unë kam rolin e Boris, një ish agjent i KGB por që rekrutohet për shërbimin sekret të CIA-s. Ngjarjet e episodit janë të përqendruar në vitin 1982 në Virgjinia ku Boris, pasi ka braktisur familjen për t’i shërbyer shërbimit sekret të bllokut komunist, ai vendoset tw kthehet në familjen e tij por që ndiqet këmba-këmbës dhe helmohet nga spiunazhi sovjetik i KGB”, tha për KultPlus, Caka.

Episodi i serialit hulumtues do të shfaqet në fillim në kanalin kombëtar amerikan A&E gjatë verës së këtij viti. Ky film i viteve 80’ nga dinamika e ngjarjeve, ka një ngjashmëri me historinë e vrasjeve të fundit të ish agjenteve të KGB nga spiunët rus në kryeqytetin londinez.

“Boris është roli i parë protagonist i imi që shfaqet në televizionin amerikan dhe që premton për të ardhmen e karrierës sime në Industrinë e Filmit gjigant amerikan”, përfundoi për KultPlus, Marko Caka./ KultPlus.com

Bebe Rexha për herë të parë në top-pesëshe në SHBA

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka hyrë për herë të parë ka hyrë në top-pesëshen e top-listës prestigjioze të Billboardit në Amerikë.

Kënga e saj “Meant to Be” me grupin Florida Georgia Line’s udhëheq top-listën e zhanrit Country për 15 javë. Bebe Rexha me këtë fakt bëhet këngëtarja e parë në histori që me një këngë të tillë ka udhëhequr kaq gjatë në këtë top-listë.

Suksesi më i madh para hyrjes në top-pesëshe, për Rexhën ishte me këngën “Me, Myself & I” me G-Eazyn më 2016.

Kënga më e dëgjuar mbetet “God’s Plan” e Draket./ KultPlus.com

Bibliotekat e qytetit të Nju Jorkut do të falin gjobat për të gjithë fëmijët

Ata që vonojnë të paguajnë më shumë se 15 dollarë në bibliotekat publike të qytetit u është ndaluar të nxjerrin më shumë libra derisa të paguajnë gjobën, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Në mesin e të pezulluarve janë 160,000 fëmijë, shumica prej tyre nga lagjet më të varfra të qytetit, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë.

“Të mësuarit është një e drejtë. Të lexuarit ju sjellë botët e reja”, tha Octavia Loving, një studente 17 vjeçare në Shkollën e Lartë të Muzikës Speciale, ndërsa ajo qëndronte në mesin e pllakave në Bibliotekën Countee Cullen në Harlem, një nga lagjet me më së shumti fëmijë me kartela të bllokuara sipas zyrtarëve të bibliotekës. “Ata nuk duhet të na bllokojnë të lexojmë për shkak të parave”.

Të enjten, tre sistemet bibliotekare të qytetit – Biblioteka Publike e Nju Jorkut, e cila u shërben Manhatanit, Bronksit dhe Staten Islandit; Biblioteka Queens; dhe Biblioteka Publike e Bruklinit – do të falin të gjitha gjobat për nën 17 vjeçarët dhe zhbllokojnë kartelat e tyre. Amnistia një herë është duke u nënshkruar nga Fondacioni JPB, një filantropë që mbështet rastet qytetare dhe do të kompensojnë 2.25 milion dollarë e të ardhurave nga gjobat e falura.

Amnistia “është një mënyrë dramatike për t’u dërguar mesazhe fëmijëve dhe të rinjve që ne dëshirojmë që ju të ktheheni, dhe ne duam që ju të lexoni”, tha Anthony W. Marx, president i Bibliotekës Publike të Nju Jorkut. Falja nuk është e kushtëzuar me kthimin e ndonjë libri ose DVD të prapambetur. “Ne duam që ju të jeni përgjegjës, por nuk duam t’ju penalizojmë vetëm sepse jeni shumë të varfër për të paguar gjobat”.

Sistemet e bibliotekave aktualisht mbështeten në të ardhurat nga gjobat për të financuar programe të caktuara, tha z. Marx. Sipas tij heqja e gjobave do t’i kërcënonte ata. Gjobat gjithashtu shihen si një pengesë për vjedhjen e librave dhe një mënyrë për të siguruar librat për lexuesin e ardhshëm.
Sisteme të tjera, edhe pse jo aq të mëdha sa ato të New York City, kanë ofruar versione më të gjera të amnistisë.

Që nga viti 2015, Sistemi i Bibliotekave Publike i Qarkut të Kolumbias nuk ka penalizuar nën 19 vjeçarët për materiale të vonuara ose të humbura. “Ne nuk duam arsyetimin se ju nuk keni ardhur në bibliotekë për shkak të frikës se ju keni borxh”, tha George Williams, një zëdhënës i atij sistemi bibliotekar.

San Francisko ofroi falje për një periudhë gjashtëjavore për gjoba gjatë këtij viti, gjatë së cilës u zhbllokuan kartat e më shumë se 5,000 njerëzve dhe mbuluan gati 700,000 artikuj duke përfshirë një libër që ishte vonuar për një shekull. / KultPlus.com