Amfiteatri i Durrësit, ‘magnet’ për turistët

Durrësi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, falë edhe thesareve të tij kulturore dhe historike. Amfiteatri Romak, një nga atraksionet kryesore të qytetit antik, mahnit vizitorët me historinë dhe arkitekturën e tij të lashtë.

“Jam nga Sllovakia, Amfiteari është shumë i bukur. Është hera e parë që vij  në Shqipëri dhe mendoj që është mahnitëse.”

“Më pëlqen ky vend, historia e tij, edhe mozaikët që pash.”

“Kthehemi për të disatën herë në Shqipëri sepse më pëlqen shumë, veçanërisht Durrësi”.

“Është shumë i bukur ky sit, historia e tij është interesante po aq sa mënyra që i ka rezistuar kohës.”

Amfiteatri, i ndërtuar në shekullin e II Pas Erës Sonë gjatë periudhës Romake, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Statistikat tregojnë një rritje të dukshme të interesit të vizitorëve gjatë periudhës Janar-Korrik.

Jona Saraçi, specialiste në Qendrën Muzeore të Durrësit, thekson se turistët që e vizitojnë Amfiteatrin i përkasin grupmoshave të ndryshme, por mbizotëron mosha e tretë.

Amfiteatri ka një kapacitet prej rreth 15,000 spektatorësh dhe është përdorur për lojëra gladiatorësh dhe shfaqje të tjera publike në atë periudhë.

Me kalimin e kohës, ai ka mbetur një dëshmi e fuqishme e historisë dhe traditës së lashtë të Durrësit, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj./klantv/ KultPlus.com

Amfiteatri në Durrës, një nga destinacionet më të vizituara

Më shumë se 14 mijë persona kanë vizutuar Amfiteatrin e Durrësit nga janari deri në muajin korrik. Kjo shifër është më e lartë se një vit më parë ndërsa turistët janë të grupmoshave të ndryshme ndërsa janë jo vetëm vendas, por edhe të huaj.

Jona Saraçi, specialiste: Numri shkon në 14 mijë turistë në të gjithë harkun 6-mujor të kësaj periudhe, që do të thtoë jemi me ritme të kënaqshme për këtë sezon turistik.

Vjeshta është një nga periudhat më të pëlqyera për të vizutar Amfiteatrin e qytetit bregdetar ndaj pritshmëritë janë të larta edhe për muajt në vijim

Jona Saraçi, specialiste: Stina e vjeshtës gjithmonë ka qenë e preferuar sepse dhe vapa e këto kushte klimaterike , ajo është më e rehatshme për turistët.

Turistët janë nga shtete të ndryshme, kryesisht nga Europa ndërsa thonë se i tërheq historia e qytetit bregdetar.

“Më pëlqen shumë këtu, më duket një vend i mrekullueshëm. Unë vij nga Sllovakia dhe më pëlqen historia.”

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, jam nga Polonia. Isha më parë në Vlorë e tani në Durrës.”

“Është impresionuese se çfarë kanë ndërtuar në këtë qytet. Pak muaj më parë vizitova Koloseun dhe është një strukturë e ngjashme.”

Amfiteatri i Durrësit ka një kapacitet prej 15 mijë spektatorësh dhe është përdorur për sfida gladiatorësh dhe lojëra të ndryshme./tvklan/KultPlus.com

Amfiteatri i Durrësit dhe zona muzeore mbi 19 mijë vizitorë në janar-gusht

Amfiteatri antik i Durrësit dhe zona muzeore janë ndër më të vizituarat nga turistët vendas e të huaj.

Qendra Muzeore Durrës bën të ditur se “që nga janari deri në fund të gushtit numri i vizitorëve në Amfiteatër dhe në zonën muzeore të Durrësit vazhdon të mbetet mjaft i lartë. Konkretisht në këtë periudhë ato u vizituan nga 19 185 vizitorë, rreth 9 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku u vizitua nga 10 849 vizitorë”.

Sipas Qendrës Muzeore Durrës, këtë vit ka pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve në amfiteatër.

“Vihet re një rritje e jashtëzakonshme e numrit të turistëve në qytetin tonë dhe veçanërisht, të turistëve që shfaqin interes për historinë dhe kulturën vendase”, thekson Qendra Muzeore Durrës.

Vizitorët kryesisht janë gjermanë, holandezë, polakë, italianë , etj.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.

Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.

Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra.

Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive./atsh/KultPlus.com

Rihapet Amfiteatri i Tiranës, çdo natë nga një aktivitet

Pas 27 vitesh, Teatri i hapur i Tiranës i është kthyer dinjitoz parkut të Liqenit Artificial, artistëve, kulturës, publikut dhe brezave. Tingujt e magjishëm të Bandës së Forcave të Armatosura shënjuan edhe fillimin e një epoke të re kulturore për kryeqytetin.

Për herë të parë, bashkë në një natë, nën tingujt e hënës, 400 artistë u ngjitën në skenën e Amfiteatrit të Tiranës, e cila ishte mbushur plot e përplot nga qytetarë të të gjitha grupmoshave, për të ndjekur koncertin plot surpriza të përgatitur nga Bashkia e Tiranës.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Erion Veliaj dha lajmin se skena e re e artit që i shtohet kryeqytetit do të ketë një aktivitet çdo natë. Veliaj shtoi se, përkundër ndonjë zëri kritik, këto investime në kryeqytet, jo vetëm që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, por njëkohësisht do të gjenerojnë edhe mjaft të ardhura për ekonominë e qytetit.

“Lajmi i mirë është që pothuajse çdo natë do të ketë një aktivitet, e mbi të gjitha ta gëzojmë Amfiteatrin e rilindur të Liqenit të Tiranës. Ne patëm një sherr shumë të madh këtu, te këndi i lodrave, patëm një të tillë më të vogël këtu, por gjithmonë u them njerëzve, atyre që thonë ‘ne s’kemi bukë të hamë, ju bëni teatër e bëni koncerte’. Nëse qëllimi kryesor i bashkive e qyteteve do të ishte buka, bashkitë do të ishin furra të mëdha buke. Ata që mendojnë se vetëm buka është ajo që na intereson, lajmi i mirë është që ky teatër do të prodhojë edhe më shumë bukë, sepse do të prodhojë më shumë ekonomi, do të ketë më shumë artistë që do të kenë aktivitete, prej tyre do të gjenerohet turizmi në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i cilësoi këto 3 vite të drejtimit të Bashkisë së Tiranës si vitet më të bukura të jetës së tij, ndërsa garantoi se puna për realizimin e projekteve transformuese nuk do të ndalet.

“Për pak ditë mbushim 3 vite që kur skuadra jonë, e gjithë skuadra, duke filluar nga i pari tek i fundit, mori përsipër sfidën që të drejtonim Tiranën. Nuk e di për ju, por unë besoj që për mua kanë qenë 3 vitet më të bukura të jetës sime dhe unë ju falënderoj me gjithë zemër për besimin. Ditët më të mira, ne i kemi përpara! Ne kemi treguar këtu në Tiranë, që kur ne bashkëpunojmë, kur i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit, kur kemi pak më shumë besim te njëri-tjetri, ne mund të bëjmë mrekulli, gjëra që më përpara mendoheshin të pamundura, ndaj unë ju falënderoj me gjithë zemër për besimin. Por duhet të vazhdojmë edhe këtë vit të fundit të këtij mandati, të ecim me besim. Kemi ende shumë punë për të bërë, duke filluar nga teatro të tjerë, edhe kështu me nisma të tjera, por duhet besim”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë lajmëroi nisjen e një sërë nismash të reja, që e afrojnë kryeqytetin shqiptar më pranë me vendet e zhvilluara të Europës.

Mbrëmjen e sotme, Veliaj ndau edhe një emocion kur në moshën 4-vjeçare, ai së bashku me babain ishin pikërisht në skenën e teatrit veror te Liqeni Artificial.

“Unë e fillova ditën shumë bukur sot. Nëna ime më bëri një surprizë, më tregoi një fotografi që isha ulur aty me babain tim në vitin ’84. Unë isha 4 vjeç atëherë, ai në fakt ishte mosha që jam unë sot. Nuk e kisha parë asnjëherë atë fotografi, nuk e di pse më kishte humbur në shtëpi dhe patjetër u mallëngjeva, por pastaj mendova ‘Ne nuk ndërtojmë vetëm infrastrukturë, ne nuk bëjmë vetëm tulla, vetëm llaç, vetëm beton, vetëm ndriçim, vetëm pemë, ne në fakt në këtë qytet ndërtojmë kujtime’. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me ata 4-vjeçarë, por me gjasë, nëse rriten në një qytet që e shënjon të gjithë jetën e tyre me kujtime të tilla, me kujtime të bukura, ndoshta kryetari i ardhshëm, apo kryeministri i ardhshëm, apo presidenti i ardhshëm i Shqipërisë është një prej këtyre 4-vjeçarëve sot, që kujtimet e para që e lidhin me Tiranën i ka nga ky teatër, siç i kisha unë në vitin ’84”, u shpreh Veliaj.

Artdashësit e kryeqytetit kishin mundësi që të ndiqnin për më shumë se dy orë tingujt e Olen Çesarit, pjesë muzikale, balet, simfoni, arie, uvertura, si dhe pjesë nga repertori botëror dhe shqiptar. Nën dirigjimin e Noorman Widjaja interpretoi orkestra e RTSH-së, Fanfara Tirana, Kori i TKOB-së dhe balerinë solistë nga Shkolla e Baletit.

Kryeqyteti ka tashmë një tjetër skenë, që do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të Parkut të Liqenit Artificial në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët./ KultPlus.com