Grupi “The Animals and friends” elektrizojnë Amfiteatrin e Tiranës

Publiku i Tiranës pati përsëri rastin për të kaluar një mbrëmje të bukur, nën tingujt e një muzike e cila elektrizoi parkun e Liqenit. Shkallët e Amfiteatrit të Tiranës u mbushën plot me adhurues të grupit legjendar “The Animal and Friends” të cilët interpretuan muzikë rock ‘n’ roll dhe R&B.

Pjesë e bandës ishte edhe John Steel, bateristi legjendar i grupit, tashmë 80-vjeçar, i cili ka luajtur me këtë bandë që në krijimin e saj, në 1963. Steel është i vetmi anëtar i bandës që nga fillimet e saj, pasi anëtarët e tjerë i janë bashkuar bandës angleze “The Animals”, më vonë.

“The Animals” kanë qenë një nga bandat angleze, më të suksesshme dhe më jetëgjata. Pikërisht ky vit përkon edhe me 60-vjetorin e themelimit te saj.

Koncerti u realizua nën kujdesin e Bashkisë Tiranë dhe kryetarit Erion Veliaj. /atsh/ KultPlus.com

Fëmijë francezë e shqiptarë performancë orkestrale në Amfiteatrin e Tiranës

Në kuadër të eventeve të organizuara për Javët Ndërkombëtare të Kulturës, u mbajt dje një performancë e veçantë orkestrale midis Petites Mains Symphoniques dhe orkestrës së Liceut Artistik Tiranë në Amfiteatrin e Tiranës.

Një harmoni perfekte në Orkestrën e “Duarve të vogla simfonike”, përbërë nga fëmijë francezë e shqiptarë të moshave 6-17 vjeç e kthyen Amfiteatrin e kryeqytetit shqiptar në një festë muzikore për fëmijë e të rritur.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se “është kënaqësi të shohësh se si muzika, kultura lidh njerëzit, edhe pse flasin gjuhë të ndryshme. Ky është qëllimi i Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Javët Kulturore Ndërkombëtare një nismë e Ministrisë së Kulturës sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës. E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, Javët Kulturore Ndërkombëtare është vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor.

Qëllimi i kësaj nisme është njohja dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritja e ofertës së aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat duke u shndërruar në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore. /KultPlus.com