Jeffrey Charest, amerikani që studioi çiftelinë

Një histori e veçantë, nga ato që të bën të çuditesh por dhe ta admirosh. Jeffrey Charest është një amerikan i cili u diplomua në Mbretërinë e Bashkuar për një instrument të panjohur për britanikët, për çiftelinë tonë shqiptare.

Duke gërshetuar pasionin me të panjohurën bëhet edhe më e veçantë historia e Jeffrey, i cili vijon të jetojë në Uells në Britanisë.

“Gjatë vitit 1992 babai im ishte në Shkodër, ai pa në një dyqan këtë instrument dhe mendoj se do ta pëlqeja atë. Më sjellin në Kaliforni, e hapa kutinë dhe kur e pashë nuk e kisha idenë se çfarë ishte. Mu deshën disa vite për ta kuptuar se si quhej pasi asaj kohe nuk kisha as internet për ta kërkuar”, thotë Jefrrey.

Tashmë ai luan çifteli në mënyrë profesionale, dhe pse në fillim e pati të vështirë të luante, por mësoi duke parë dhe video ku luhej ky instrument. Krahas saj, Jeffrey luan dhe disa instrumente të tjera shqiptare.

“Që nga atëherë kam mësuar të luaj dhe në sharki, pak lahutë e disa instrumente të tjera nga shtetet e Ballkanit. Luaj dhe mandolinë, tombolë etj.”, vijon ai.

Ai performon edhe në rrugë me çifteli dhe reagimi i qytetarëve është mbresëlënës.

“Shpesh herë njerëzit janë konfuz sepse asnjëherë nuk kanë parë apo dëgjuar diçka të tillë, po në të shumtën e rasteve interesohen dhe ju duket diçka interesante”, thotë Jeffrey.

Ai ka qenë në Shqipëri dhe thotë se është ndjerë mirë dhe këtë vizitë e ka shfrytëzuar për të blerë instrumente. Shpesh amerikani i pasionuar pas çiftelisë relaksohet duke luajtur./diasporashqiptare/ KultPlus.com