Fitimet e një “Showman-i”, dibrani dhe arti i tij në rrugët e Amsterdamit

Emiljan Cera është 27-vjeçari nga Dibra, që nga lavazhier është bërë një nga artistët më të preferuar të rrugëve.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se fillimisht punonte në një lavazh, ku lante makinat. Ndërkohë, pas 14 vitesh jetesë në Greqi dhe praktikonte me disa djem breakdance, u largua për në Amsterdam.

Tashmë, Cera jep shfaqje në rrugë dhe fiton para sa për një muaj punë krahu.

“Është më vështirë se është në rrugë, është pllakë, asfalt. Po trupi vihet në punë. Që i vogël 5-6 vjeç kam nisur breakdance. Për momentin nuk bëj stërvitje se e shpërndaj energjinë time kur bëj shfaqje.

Unë jam një tip shumë energjik dhe kam shumë qejf adrenalinën. Kam shumë qejf ta vazhdojë derisa të kem mundësi. Unë kam eksperienca me këtë shfaqje në rrugë. Po që në 2012. Si fillim flas, bëj prezantimin, nuk i tregoj se çfarë do bëj. Derisa shoh që janë mbledhur shumë njerëz dhe i surprizoj.

Jam nga Dibra. Kam bërë lloj-lloj punësh, 19 vjeç kam punuar në lavazh, kam larë makina. Këtë shfaqje e përsëris dy herë në ditë dhe për mua është perfekt”./abcnews.al / KultPlus.com

Vdes gazetari investigativ holandez, u qëllua nëntë ditë më parë

Gazetari i njohur holandez në fushën e krimit, Peter de Vries, i cili u qëllua dhe u plagos rëndë në Amsterdam nëntë ditë më parë, ka vdekur.

Të afërmit e tij kanë thënë se “Pjetri luftoi deri në fund, por nuk ishte në gjendje të fitonte betejën”.

Të shtënat më 6 korrik tronditën Holandën, të njohur me hetimet e De Vries ndaj mafiozëve të drogës. Dy të dyshuar u arrestuan.

De Vries, 64 vjeç, u qëllua në kokë disa minuta pasi u largua nga një studio televizive.

Ai ishte vlerësuar lartë për raportimin e tij në nëntokën holandeze – përfshirë rrëmbimin e milionerit të birrës Freddy Heineken në vitin 1983.

“Ai është i rrethuar nga njerëzit që e duan atë”, thuhej në deklaratën e të afërmve. “Pjetri ka jetuar me bindjen e tij: ‘Në gjunjë të përkulur nuk ka asnjë mënyrë të jesh i lirë'”. / Koha.net / KultPlus.com

Plazhi rozë përallor në Amsterdam

Të gjithë e duam Amsterdamin, por nganjëherë të gjithëve u pëlqen pak pushimi në vend të ngrohtë, me rërë dhe me shumë kokteje.

Por, tani është krijuar një plazh përrallor dhe i gëzueshëm për të gjithë, pikërisht në qendër të Amsterdamit, dhe ky vend i ka të gjitha.

Nga palmat tek rëra e bukur dhe e butë rozë dhe karriget në kuvertë, ky vend është një ëndërr absolute e ardhur gjithashtu, transmeton KultPlus.

Nuk është lokali juaj mesatar i plazhit sepse gjithçka është rozë! Nga shiriti në kabinat dhe madje edhe disa nga ushqimet, ju mund të prisni rozë, rozë dhe vetëm rozë! Një vend perfekt për fotografitë e Instagramit. / KultPlus.com

Amsterdami përdorë lulet për t’i bërë rrugët më të sigurta

Kryeqyteti holandez, Amsterdam, dallohet për rrugët e mbushura me biçikleta, që ndonjëherë bëhen shkak edhe i incidenteve të padëshiruara. Për këtë arsye, autoritet po përpiqen të gjejnë forma për ta bërë qytetin edhe më të sigurt.

Një gjetje për këtë shqetësim është mbjellja e luleve, që krahas hijeshisë që u japin rrugëve po i bëjnë ato edhe të parrezikshme.

“Në qytetin tonë po vendosen vazo prej druri të mbushura me lule përgjatë hekurudhave, urave a rrugëve të ngushta, duke ndaluar parkimin e biçikletave. Hapësira për këmbësorët është e rëndësishme, tani më shumë se kurrë. Për shkak të numrit të madh të biçikletave, që lihen në kangjellat e urave apo në trotuare, ka më pak hapësirë. Kjo krijon situata të pasigurta”, tha për CNN një zëdhënës i qytetit, transmeton KultPlus.

Duke vendosur shporta lulesh në kangjellat e urave, e kudo nëpër rrugë, qyteti i Amsterdamit po krijon hapësira plot aromë dhe ngjyrë, për t’u bërë pse jo dhe kjo një atraksion turistik. / KultPlus.com

Një film shqiptar në festivalin e Amsterdamit

“Emancipimi i turmave” filmi i regjisorit shqiptar Ervin Lerra po merr pjesë në Festivalin e Amsterdamit (World International Film Festival Amsterdam).

Filmi merr shkas nga protestat e studentëve shqiptarë gjatë vitit 2018 dhe përpiqet të shpjegojë nevojat e shoqërisë për t’u zhvilluar përmes revoltave.

Pas një premiere të suksesshme në Tiranë gjatë pranverës së kaluar, filmi mori pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Puglias në Itali, Dormeo Films, (Dormeo Films Puglia International Film Festival”.

“Ideja më lindi nga ngjashmëria e mahnitshme dhe shumë e bukur nga midis protestave të studentëve në Tiranë në vitin 2018 dhe jelek-verdhëve në Paris. Unë atëherë isha në Paris, ku ndenja rreth një muaj. Pashë se zhvillimet ishin krejtësisht të njëjta deri sa politika ndërhyri tek të dyja lëvizjet. Unë e kam thënë edhe në film shumë hapur që protesta e studentëve ishte e mahnitshme dhe një protestë model për gjithë botën dhe jo vetëm për Shqipërinë, deri në çastin kur ndërhyri politika dhe mediat politike në këtë protestë, duke i etiketuar si FRESH-istë, LRI-stë, FRPD-istë etj” – tha regjisori Lera për Zërin e Amerikës.

Dokumentari “Emancimipi i turmave” trajton dilemat e shoqërisë shqiptare që pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme, nëse kryengritjet i sollën zhvillim, nëse pas revoltave përfitojnë pjesëmarrësit masivë apo individë pa merita.

“Turma është përzgjedhur simbolikisht si treguesi i dukshëm i një shoqërie, sepse filmi tregon zhvillimin e shoqërisë shqiptare, por ka edhe një përqasje ndërkombëtare, sepse ngjarjet dhe situatat që kanë ndodhur në Shqipëri kanë ndodhur kudo. Filmi është bazuar te filozofia e Hose Ortega el Caset, filozofi më i madh i shekullit të kaluar. Edhe në mes të Parisit ndodhin të njëjtat ngjarje si në Tiranë, në Prishtinë, në Romë, Milano dhe kryeqendra të tjera me demokraci shumë më të konsoliduara në botë” – thotë autori.

Për suksesin e këtij filmi autori Lera ka bashkëpunuar ngushtë me profesor Përparim Kabo, me dr. Afrim Krasniqi dhe publicistin Ben Andoni.

Studiuesi i njohur Përparim Kabo, ka thënë se “dokumentari zbërthen sfidën e qytetarisë shqiptare për të protestuar në dobi të vetvetes apo turmëzimit të palogjikshëm në dobi të të tjerëve”.

Regjisori Ervin Lera thotë se idealizmi i kryengritjeve dhe protestave gjithmonë humbet nëpër kthesat e papritura.

“Unë mendoj që vetëm fillimet e kryengritjeve janë idealiste, pastaj me zhvillimin e tyre, çdolloj kryengritje, lëvizjeje apo formë reagimi tjetër, që sjell zhvillim dhe ndryshim, nuk mbetet më gjatë idealiste, sepse nga vet turmat kryengritëse apo protestuese, që kërkojnë ndryshimin, dalin individë me qëllime të caktuara, të cilat në shumicën e rasteve janë qëllime egoiste. Mund të themi që nuk ka kryengritje idealiste deri në finale” – tha autori.

Filmi përpiqet dhe arrin me sukses të shpjegojë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve moderne në Shqipërisë nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe dy dekadat e këtij shekulli të ri.

Pjesëmarrja e tij në festivale ndërkombëtare është një zë i veçantë nga Shqipëria në valën e nismave evropiane për të zbërthyer pikëpyetjet, që u dalin shoqërive gjatë revoltave për të sjellë zhvillim, dhe për t’u emancipuar, duke u përpjekur të rrëzojnë mure izolim dhe me gurët e tyre të ndërtojnë ura bashkëpunimi./voa/ KultPlus.com

Pasojat e pandemisë, 9 milionë turistë në vit, sot Amsterdami është bosh

Në ditë normale, është kjo pamja e një prej qyteteve më të vizituara në botë, Amsterdamit. Miliona turistë kanë vizituar çdo ditë qytetin, deri në 15 mars, kur Amsterdami dhe gjithë bota, mbyllën dyert për vizitorët për shkak të pandemisë koronavirus.

Sheshet kryesore të qytetit janë bosh, ndërsa lagjet e famshme të “dritave të kuqe”, tashmë janë të qeta, me rrugë të pastra, një ndjesi që vendasit thonë se nuk a e mbajnë mend kur ka qenë hera e fundit që e kanë provuar, ndoshta në vitet ’80.

1.3 milionë vizitorë gjatë vitit 2019, ose 108,000 mijë persona në muaj, janë të dhënat zyrtare të vizitave në shtëpinë e Anna Frank, nga këta 92% turistë të huaj. Edhe ky muze tashmë i ka dyert e mbyllura, ndërsa në një moment të dytë, drejtuesit do të llogarisin humbjet e këtyre muajve izolim.

“Amsterdami përllogaritet të ketë humbur rreth 90% të prenotimeve në hotele, por qyteti nuk duhet të nxitojë për të rihapur dyert për turistët e huaj”, thotë kryetarja e bashkisë, Femke Halsema.

Sipas saj, nëse duhet të respektohet distanca sociale, ndërsa qyteti ka 800 mijë banorë, ardhja e turistëve të huaj, do e bënte të pamundur respektimin e këtyre masave.

“E di që kemi 55 mijë shtretër hotelesh që presin miq, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të stimuluar turizmin rajonal, nacional apo ndërkombëtar. Nëse ne e ekzagjerojmë, rrezikojmë të kemi një valë të dytë të virusit” tha kryetarja e bashkisë, e gjendur përballë reagimeve të shumta nga sektori hotelier.

Sipas direktivave të BE-së, udhëtimet jo urgjente drejt Holandës, janë të pezulluara deri në datën 15 qershor, por vendi nisi një fazë rihapje në 11 maj kur niveli i vdekjeve u vu në kontroll.

Nga data 1 qershor do të rihapen baret dhe restorantet, por do të presin një numër të kufizuar klientësh. / KultPlus.com