Ana Naqe, sopranoja shqiptare tashmë pjesë e një filmi

Sopranoja shqiptare Ana Naqe, jeton dhe ushtron aktivitetin e saj artistik në Belgjikë. Artistja e mirënjohur vazhdon me interpretimet e saj në skenat evropiane, pas pak kohësh ajo do të jetë aktive në fushën e kinematografisë, duke u bërë dhe pjesë e një filmi.

Në një intervistë për emisionin “Vizioni i pasdites”, ajo tregon për fillimet, karrierën dhe angazhimet e ardhshme.

“Në moshë shumë të vogël, 13 vjeçe, shkova të bëja master klas dhe koncerte me violinë në Belgjikë. Aty krijova lidhjet dhe mundësitë që të mund të studioja në shkollë të mesme”, shprehet ajo.

“Prindërit e mi janë dashamirës të muzikës klasike, ndaj kishin shumë dëshirë të kishin një fëmijë që të merrej me muzikë. Aktualisht jam edhe mësuese muzike në Belgjikë. Karriera si soprano është ajo që më ka bërë të njohur. Profesioni jonë të detyron të udhëtosh shumë dhe të njohësh vende të ndryshme”, shprehet Ana Naqe.

“Për çdo projekt të ri, unë duhet të bëj audicione dhe në të shumtën e rasteve kam fituar, por ka edhe raste që nuk jam përzgjedhur”, tregon soprano shqiptare.

Teksa flet për artistët shqiptarë të njohur në botë Ana Naqe tregon se Shqipëria ka një pasuri të madhe me zëra të larmishëm: “Vendi ynë është shumë i pasur me zëra të larmishëm, ndaj edhe në botë vlerësohen maksimalisht. Në vendet nordike ka nevojë për zëra të tillë. Muzika jonë folklorike ka ndikuar në këtë pasuri. Dëshira ime ka qenë të jem artiste dhe të jem në skenë dhe sigurisht jam shumë e lumtur me arritjet e mia dhe kam dëshirë të vazhdoj dhe të jap më të mirën time.”

“Projekti për filmin nisi si shfaqje teatri dhe mua më ftuan si aktore dhe këngëtare në fillim dhe më pas një regjisor tjetër mori përsipër që të bëhej film dhe unë u bëra pjesë e këtij filmi. Filmi do të jepet në televizion ndërkombëtar të Belgjikës me datë 30 prill. Pjesë e filmit janë aktorë të njohur që kanë fituar shumë çmime. Gjithashtu kam qenë pjesë e një filmi turk, një film që flet për emigrantët”, tregon artistja shqiptare në Belgjikë. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Ana Naqe, një soprano shqiptare në operan belge

Sopranoja shqiptare Ana Naqe, e ka ndërtuar jetën dhe karrierën e saj artistike prej shumë vitesh në Belgjikë. Aftësia vokale dhe interpretuese i kanë siguruar asaj role të shumta në skenat belge dhe në shtete të tjera, si Spanja, Franca, etj.

“Kur erdha me studime në Belgjikë, vendosa të studioja paralelisht violinë dhe kanto, nuk e mendoja kurrë që do bëhesha këngëtare dhe se violina do të kalonte në vend të dytë. Për momentin, jam duke xhiruar një film me titull Madame Bovary, ku unë interpretoj arie nga Lucia di Lammermoor”, – tregon sopranoja shqiptare në një intervistë.

Ana thotë se edhe pse ka pasur fat, suksesi i saj është më tepër punë dhe këmbëngulje. Ajo është nënë e një djali 13-vjeçar që nuk dëshiron të largohet nga Belgjika dhe kjo është arsyeja që nuk është kthyer në Shqipëri.

“Unë kam pasur shumë fat. Por dua të them se është tepër punë, punë natë e ditë dhe këmbëngulje. Sigurisht që në Shqipëri mendoj se do ta kisha shumë më të lehtë, njerëzit njihen më tepër dhe kush nis rrugën e tij ecën para shumë më shpejt. Pas kohësh që isha unë u desh shumë kohë që talente të rinj të dalin. Arsyeja pse nuk kthehem në Shqipëri është se kam një djalë 13 vjeç që është shumë belg, do Belgjikën”, vijoi Ana.

Rolet që do të dëshironte të interpretonte janë Norma, Ana Bolena dhe Jenufa dhe që shpreson ti realizojë shumë shpejt. Përsa i përket koncerteve në Shqipëri ajo zbulon një projekt të sajin.

“Shfaqjet e mia me Madam Bovari fillojne, pas xhirimeve të filmit në mars në Spanjë, në prill janë 20 shfaqje të Madame Bovarisë në Europë. Në maj jam duke bërë një repeticion me një projekt tjetër të ri të një producente serbe, që do mund të sillet në Shqipëri ndoshta vitin që vjen po dhe ajo do bëj tur në Europë”, tha ajo. / KultPlus.com