Regjisori Dhimitër Anagosti sot feston ditëlindjen e 88-të

Dhimitër Anagnosti ( 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe të mesmen të përgjithshme e kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperato. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti./ KultPlus.com

Fotografi nga dasma e Dhimitër dhe Roza Anagnostit (FOTO)

Roza dhe Dhimitër Anagnosti janë një çift i njohur shqiptar, të cilët gjatë jetës së tyre kanë ushtruar profesione nga bota e filmit, shkruan KultPlus.

Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Ndërsa Roza Anagnosti,  (Tiranë, 27 tetor 1943) është aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë e cila mban titullin “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Roza dhe Dhimitër Anagnosti janë martuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, nga dasma e të cilëve KultPlus ju sjell një fotografi:

‘Përjetësi’ i Anagnostit, në festivalin e filmave të restauruar në Berlin

“Sistemet dhe imazhet e tyre” është seksioni i festivalit Film Restored, organizuar nga Kinemateka gjermane (Deutsche Kinemathek), që nisi dje, në kinema Arsenal në Berlin.

Në datën 23 shtator, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, do të prezantojë për publikun europian një anë pak të njohur të filmit dokumentar shqiptar. Bëhet fjalë për dokumentarin e restauruar të regjisorit Dhimitër Anagnosti, “Përjetësi”, një vepër me stil krejt të veçantë e që ia vlen të studiohet për mënyrën e realizimit dhe kontekstin e kohës kur është krijuar. Dokumentari “Përjetësi” është prodhim I vitit 1973. Prezantimi I delegacionit shqiptar do të plotësohet me fjalën e  drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria, si edhe video-kritikave nga Roza Anagnosti dhe Genc Përmeti.

Festivali i filmave të restauruar do të mbahet deri në datë 25 shtator. Që nga viti 2015, “Film Restored Festival” i është dedikuar trashëgimisë filmike në epokën dixhitale. Restaurimet dixhitale, sillen në Berlin për kremtimin e premierave të tyre. Kineastët dhe restauruesit raportojnë mbi aspektet e ndryshme të procesit të dixhitalizimit, ndërkohë që ekspertët zhvillojnë diskutime mbi çështje të politikave dhe estetikës.

Edicioni i shtatë i këtij festivali është titulluar “For real?!” (Vërtet?!) dhe hulumton mbi shtresat e ndryshme që formësojnë një dokumentar. Kësaj here, festivali vjen edhe si nderim, në 80-vjetorin e regjisorit të famshëm Werner Herzog./ atsh/ KultPlus.com