Edhe andrrat shiten…

Nji shëtitje e autorit mes personazheve të tija
Tregtar flamujsh – Ernest Koliqi

E sa për Shqipni, po të siguroj un se ka me qindrue. Kështu thotë shprehimisht Hilush Vilza, por në këtë fjali gjen vend edhe zemra e trazuar e shkrimtarit shkodran, Ernest Koliqit, ajo që ende në vete bart shpresën fishtjane të Lahutës së Malcis për një Shqipëri ideale. Atë Shqipëri ku flamujt nuk shiten. Atë vend ku shqiponjat që fluturojnë lart në qiell prekin majat e maleve, bartin mbi krahët e tyre mesazhin e një vendi të lirë. Një vendi ku flamuri kuqezi gjen vend në zemrat e shqiptarëve, e jo në bodrumet e errëta e të mbuluara me një pluhur që kishin lënë pas luftërat e armiqtë shekullorë.

***

Zbritur nga malësia, duke lënë mbrapa orë, shtojzovalle e ligje kanunore, Ernest Koliqi gjen vend tashti në një cep të Shkodrës e bëhet një me qytetin e me ngjarjet që ndodhin aty. Rrugëve të qytetit sheh Hilush Vilzën e Loro Shegorin duke kuvenduar, rri e i shikon derisa hyjnë në kafenenë e qytetit, për t’i vazhduar aty bisedat e tyre. Shkon pas Shan Arvenit e Lec Gurrmollës, për t’i ndjekur aventurat e tyre rinore e për të drekuar me ushqimet e shijshme. Kështu, Tana s’kishte pse të brengosej se do të tepronin gjithë ato ushqime të lezetshme.

Ndjek rrugën drejt qytetit, i përcjellur nga freskia që vinte nga fushat e bleruara, për të arritur te vendi ku në të njëjtën kohë, si ditët e tjera, kalonte Dyta, e bija e Simon Rrukullit, me një libër të Tush Kezenës të fshehur nën krahë. Atë që do ta lexonte pa e ditur i ati i vet. Duke bredhur në kërkim të një historie, autori vëren dritën ende të ndezur në dhomën e Vidës, ku luante e dashurohej me muzikën i vëllai i saj, Viktori. E dinte autori se ai do hidhërohej për fatin e tij, për atë përrallë përtej detit të cilën nuk mund ta realizonte, e brenda do ta mbante vajin që e kishte me veten e me të gjithë të tjerët.

Sipër gjethve ma t’epër, nji qiell pa hanë, por përplot me hyj, ai bashkohet me Shanin, e duke kënduar rrugëve arrin te shtëpia e Lecit, ku gjen mikpritjen ashtu siç e kanë zakon e traditë shqiptarët. E porse ndodhë shpesh qi gjan e kushtueshme, kur e ke gjithmonë parasysh, fillon mos me e çmue. Habitesh e kërkon gjithkah pa u kujtue se rrin njaty para teje”. Flet autori me Vik Gjinaziun, e ia kujton të kërkojë edhe një herë mbas shimshirit. Se edhe lumturinë nganjëherë e gjen në gjëra të vogla, në ato që dikujt i duken edhe pa kuptim, ashtu sikur Gjizelës.

Rrugëve të Shkodrës, Koliqi gjen dashurinë e miqësinë, atdhedashurinë, por anësh rrugëve edhe ca ëndrra të thyera. Pak më tutje ballafaqohet me vdekjen, e bashkë me Cinton nuk vajtojnë, rrinë bashkë, me zemër të copëtuar para miqve që qajnë për vdekjen e Kolës. Atë që dikush e kishte vëlla nga gjaku e kush tjetër vëlla shqiptar. Ai rri e pret bylbylat e Plepishtit të këndojnë. Bylbyla të Plepishit, lajkatarë të hanës qi ngjitet mbi rrjeshtin e bukur të plepave. Hanë kumbulla të freskëta përtej murit të oborrit bashkë me Lecin, që i bëhet zemra mal nga ajo pritje e ngrohtë e zonjës së vjetër me sy ende të mbushur gjallëri. Atëherë kur të gjithë e kthenin kokën në anën tjetër me një lloj përbuzjeje kur Ndrekë Batuci hynte brenda në kafene, ai e shikonte me dhimbje, i dhimbseshin ky i fundit e Silja, e cila ndoshta nesër do ta kishte prapë babanë pranë. Po, ndoshta nesër, nesër…

Me Tregtar flamujsh kalohet nga një jetë ku kishe të drejtë të ëndërroje, siç bënte Vilza, djaloshi me shpirt të pastër prej poeti, në një jetë ku ngulfateshe në një zymtësi të cilën e jetonte Gaspër Tragaçi, i mbyllur në dyqanin e errët, i cili vend po ia vidhte dalëngadalë ditët e jetës së tij. Hilush Vilza, atë Shqipërinë ideale e kërkonte në ëndërr e i shkonte pas, e pa shikuar mbrapa e ndiqte atë si i përhumbur rrugëve të vjetra të Shkodrës, përgjatë korridoreve të shkollës, ku dëgjonte zërat gazmorë të nxënësve të tij. Vende të bukura m’u pa, por të rrezikshme m’u banue.  Edhe vetë jeta dukej ashtu e bukur kur e shihje nga afër, por pastaj gjërat e ngjarjet, e më së shumti njerëzit, dinin të të dëshpëronin.

Autori ende u qëndron besnik dokeve e zakoneve, traditave shqiptare, të cilat u përcollën ndër shekuj, por në mënyrë që një popull të përparojë, sikur na mëson Koliqi, duhet të ketë parasysh që ta dëgjojë këngën e detit pa i harruar zakonet malit.

E këto të fundit nuk mund të harroheshin aq lehtë kur ende kishte zonja të cilave sytë u vezullonin me dashuri, ata sy të mbetun të rij të grues, qi rrinte tu e shikue nësa ai ngrante, qitshin lot të heshtëshëm. Porse, nëpër lot, qeshnin.

Këngë e valle, lojëra, nostalgji fëmijërore e ëndrra rinore që përmbysen nga funerali i një të huaji, dikujt që deri para pak kohësh kishte thithur oksigjenin e atyre maleve në të cilat tani do bëhej një me dheun.

Qielli shqiptar. Ma i kalthër se ai qielli i huej.

Jo vetëm Simon Rrukulli, por edhe shumë të tjerë, në një mënyrë i frikësoheshin përparimit. Dija e edukimi ishin gjëra të largëta për ta. Është Dyta ajo që merr guximin t’i kundërvihet babait të saj, i cili nuk e lejonte të lexonte, duke e shpallur armik të rrezikshëm librin dhe dijen që buronte nga ai. Bashkë me Vik Gjinaziun, edhe ne ndiejmë dashurinë e cila shpërndahet përtej faqeve të librit, e është ai që na mëson që lumturinë ta kërkojmë afër, se ajo rri aty afër nesh. A të mashtrohemi nga një pasuri e rrejshme duke mos e parë atë pasuri të cilën veçse e posedojmë?

A shiten ëndrrat?

Po. Në Shqipëri, aty ku flamujt nuk shiten, bëhet tregti me ëndrra.

S’kanë të paguem andrrimet e bukura, me të cilat u kënaqme mbramë.

E unë këto fjalë për Koliqin sot, ua kushtoj të gjithë atyre që Bajrami i përkundi në djepin ari të fantazisë.

Nga Edlira Musliu / KultPlus.com

Sartri: Ferri i vërtetë është te tjetri

Shkruan: Bujar Meholli

Në dramën ‘Me dyer të mbyllura’ do të përpiqem të analizojë dramatikën si kategori zhanrore që shpreh determinimin politik-kulturor në raport me shoqërinë, familjen, grupin dhe individin. Garseni, Inesi e Estela janë tri karaktere që takohen në ferr pasi janë sjellur nga një shërbëtor misterioz dhe janë vendosur në një dhomë të modeluar sipas stilit francez të kohës, që në fakt del të jetë ferri social, në të cilin këto tri karaktere përpëliten gjatë gjithë kohës duke pritur lloj-lloj torturash e ndëshkimesh të përjetshme, pasi kishin kryer krime nga më të ndryshmet.

Garseni këmbëngul në pafajësinë e tij, thotë se qe ekzekutuar për shkak se ishte pacifist, kurse Estela që në dramë shfaqet si karakter tekanjoz gjithashtu mohon kategorikisht të ketë kryer ndonjë faj për sjelljen e saj në atë ambient i cili është përshkrim i jetës së përtejme. Ajo mendon të jetë bërë ndonjë gabim gjatë procesit të dënimit me vdekje. Ndërsa Inesi, karakteri i së cilës dallon nga dy të parët, u kërkon që t’i ndalin gënjeshtrat dhe të pranojnë dënimin tashmë të caktuar për krimet e bëra. Situatat që pasojnë janë çdoherë më të vështira për karakteret që dalin me probleme psikike, të ndodhur në ferrin, të cilit përpiqen t’i ikin vazhdimisht por nuk ia arrijnë.

Refuzimi i Inesit për të besuar se ata të dy kanë përfunduar aty rastësisht vazhdon, teksa pas përpëlitjeve që bëjnë me doemos duhet t’i binden fatit të përcaktuar duke e pranuar si të tillë. Dialogët që kanë me njëri-tjetrin janë ku më të vrazhdë ku më të lehtë, herë-herë mbesin pa forcë për të komunikuar të zhytur në mjerim të thellë. Megjithatë, pas një diskutimi pranojnë krimet e tyre; Garseni kishte keqtrajtuar gruan e tij, Inesi kishte joshur gruan e kushëririt të saj, derisa Estela pas një lidhjeje kish mbytur fëmijën duke e shtyrë babain e fëmijës të kryejë vetëvrasje. Estela, një grua me sharm nga shoqëria e lartë, interesohet për pamjen e saj, gjersa Inesi don ta joshë atë duke i ofruar ‘pasqyrë’ por nuk ia arrin qëllimit. Garseni që qëndron indiferent ndaj grave, rrjedhimisht nuk tërhiqet nga asnjëra prej tyre por iu sugjeron ta lënë njëri-tjetrin të qetë në heshtje.

Karakteri i Inesit është shumë interesant në dramë. Ajo ka fuqi mendimi dhe është e zonja të manipulojë me mendimet e Estelës dhe Garsenit gjatë gjithë kohës. Inesi shfaqet si një lezbike që kish dalë kundër bashkëshortit të saj dhe më vonë qe bërë vrasëse, por që në dramë del njëfarë ‘kriminelje e ndershme’ pasi ajo sinqerisht ia pranon vetes se është person mizor. Joshja që Estela i bën Garsenit e shtyen Inesin në çmenduri, gjegjësisht në kulminacionin e dramaticitetit. Me t’u hapur dera në mënyrë të pashpjegueshme, asnjëri prej karaktereve nuk është në gjendje të ikë nga aty. Garseni dëshiron të fitojë besimin e Inesit, e cila e quan paraprakisht frikacak dhe të mjerë, derisa ai arrin përfundimin se në vend të ndëshkimeve apo torturave, ‘ferri i vërtetë është tek tjetri’. Inesi ka nën vëzhgim, çdo lëvizje të tyre derisa Estela, e zemruar, mundohet ta vras më vonë Inesin, kështu ta largojë nga loja dhe të mbesë vetëm me Garsenin por orvatja e saj rezulton e kotë, Inesi veçse ishte e vdekur.

Karakteret janë vazhdimisht në luftë mentale, emocionale dhe fizike. Në tekstin e kësaj drame del botëkuptimi ekzistencialist që i prinë esencës dhe mundësisë së zgjedhjes në situata ekzistencialiste ose-ose. Autori përjashton ferrin religjioz, duke e zëvendësuar me ferrin social, pra tokësor. Ekzistencializmi, (filozofi së cilës i takon autori) trajton problemin e qenies njerëzore duke mos dhënë përgjegje as ofruar ndonjë zgjedhje. Njeriut para se t’i përcaktohet fati ai ekziston si njeri! Atmosfera sartriane na çon kah konkluzioni se njeriu ekziston, dhe faktikisht zbulohet që nuk është por thjesht ekizston.

Ky tekst dramatik tërthorazi na flet për lirinë e kufizuar të qenies njerëzore dhe pafuqinë për të dalur nga ajo hapësirë e mbyllur drejt lirisë! Një lirie fillimisht vetjake, pastaj shoqërore. Vendosja e karaktereve në ferr rezulton si simbolikë, për të treguar se në fakt ferri i vërtetë janë njerëzit që veprojnë mbi tokë. ‘Me dyer të mbyllura’ mbetet ndër dramat më tipike, në të cilën shfaqen idetë filozofike ekzistencialiste sartriane. /KultPlus.com