Mjeshtri i pikturës dhe mozaikut, Anastas Kostandini, feston sot 70-vjetorin e lindjes. I njohur nga miqtë dhe artdashësit si Taso, Anastas Kostandini ka lindur në Pogradec, në vitin 1954.
Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i specializuar për art monumental. Është një nga bashkë autorët e mozaikut “Shqipëria”, mozaiku i restauruar në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.
Në vitin 1991 i jepet titulli “Piktor i merituar”. Përveçse me pikturë, merret edhe me mozaikë dhe piktura murale, ku disa syresh janë ndër më të rëndësishmet në Shqipëri. Gjithashtu merret edhe me ilustrime poezish dhe prozash. Ai është pjesëmarrës dhe organizator i shumë kolonive të piktorëve.
Taso ka realizuar një numër të madh pjesëmarrjesh në ekspozita të përbashkëta por edhe vetjake, disa prej të cilave janë hapur në SHBA, Francë, Holandë, Gjermani, Greqi etj.
Në këtë 70-vjetor të lindjes së piktorit, mozaistit, grafistit, ilustratorit të mirënjohur shqiptar, Anastas Konstandini, Qendra për Hapje dhe Dialog, duke i uruar edhe shumë vite të tjera me krijimtari plot ngjyra nga qyteti i Pogradecit, solli mesazhin se në fillim të shtatorit COD-i rikthen në Tiranë pas afro një dekade veprën e tij. Vepër që kësaj here vjen e plotë në të gjitha hapësirat e COD-it me shumë surpriza./atsh/KultPlus.com