Ekspozita me titullin „Idile të rëndomta të jetës modern” të piktorit Jeton Gusia, e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, (08.11.2022 – 30-11-2022) e kuruar nga Blerta Hoçia, prezanton piktura të krijuara brenda viteve 2018-2022, sikur mëton të fus në kujtesën kolektive një jetë të përjetuar e perceptuar brenda një filozofie globalizuese.
Konteksti kohor dhe jetësor është kriza globale e imponuar nga Pandemia e korona virusit, duke krijuar kështu një motivacion për gjakimin e pamjeve jetësore që autori do t’i quaj idile të rëndomta, dhe të dimensionuar në hapësirë dhe kohë si shfaqje të jetës moderne , pra një perceptim dhe vizion gjithëpërfshirës i dimensioneve jetësore përbrenda rruzullit tokësor. Pra, ato vijnë si pamje të rikujtuara, të përjetuara dikur dhe vijnë si një idile, si një dashuri universale për jetën që po rrezikohet të zhbëhet!
Hapësira e errët ku janë aranzhuar e ekspozuar punimet mbase do të jetë një zgjedhje e përbashkët autor-kurator, sepse kështu i jep një dimension kreativ tërë opusit të veprave,( diku 35 sosh), sugjeron idenë se këto pamje dalin nga thellësia e kujtesës së njeriut të kohës së caktuar, që shpaloset në këtë mënyrë dhe me këtë koncept për t´u dhënë një dimension edhe më kuptimor pikturave, pra pasurimin me nëntekstin artistik! Konteksti përgjithësues global, hapësira e gjerë e mini – konteksteve, pamjet e jetës së rëndomtë, gjithandej globit, te shpalosura me një thjeshtësi gati ilustruese, duke e përshkuar me një ind perceptimi e materializimi artistik figurative gati fëmijëror. Ky anatemim i politikës globale vjen natyrshëm pa një fije të vetme të deklarativizmit!… Edhe figuracioni i larmishëm i njerëzve, hapësirave urbane e rurale, mjetet teknike, shtazët e shpezët, arkitektura etj. te gjitha trajtohen kujdesshëm me këtë qasje estetike. Ky infantilitet estetik modern, edhe në koncept estetik, edhe në trajtim e vizualizim estetik, me kujton piktorin amerikan te Pop Artit Jemes Rizzi, me një botë komplekse tematike e figurative të jetës moderne , kur krijoi e veproj ky piktor vërtet me një veçanti e origjinalitet krijues. Pra, ky vizion globalizues në trajtimin e temave dhe motiveve, i pikanterive jetësore, përshkohet nga një vizion fëmijëror, që nga fusha e letërsisë sonë shqipe na përkujton “Kronikën ne gur” të Kadaresë si qasje dhe filozofi artistike! Dhe ajo ofrohet shumë natyrshëm, dhe pranohet si e tillë, dhe më nuk ndalemi të mendojmë se përse kështu është trajtuar figura, peizazhi, flora, fauna, etj., por të shfaqet imazhi që ofron mesazh, tepër natyrshëm , thjesht dhe bukur. Dhe kështu tejkalohet dimensioni ilustrativ, dhe trajtimi figurativ koloristik, ngjyrat e përdorura me një ndjeshmëri të theksuar piktoreske, e bëjnë që vepra të befasojë edhe përtej asaj që shohim ne moment… Pra, kjo qasje dhe formë e vizualizimit, na bënë të mendojmë me thellë, me psetë që vetvetiu shfaqën. Pse pikërisht kështu?… Sepse piktori Jeton Gusia kështu e sheh jetën në gjerësinë e thellësinë e saj, dhe aty kapen larushitë e jetës, gëzimet, hidhërimet, sukseset, dështimet, humorin e lehtë dhe simbolikën e metaforiken që shkon edhe deri në sarkazëm!
U ndjeva vërtetë i kënaqur në botën e pikturave të Jeton Gusisë të ekspozuar në këtë fund vit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, dhe kjo qasje dhe ky modernitet piktural i bën mirë skenës së artit ndër ne, për t´i dhënë me shumë hapësirë pikturës së mirëfilltë, përtej disa trendëve e tendencave eksperimentuese artistike, të tipit të instilacioneve, apo video projekteve, që sikur kanë zënë shumë hapësirë viteve të fundit!… / Arsim Kajtazi / KultPlus.com