PRIFEST ka njoftuar se gara unike e filmave të metrazhit të mesëm do të përmbyllet me premierën regjionale të filmit AND THE WIND WEEPS, të regjisores Aulona Selmani.
Filmi flet për historinë e Dautit, një i mbijetuar i një masakre ku i është vrarë djali, ai për 20 vite është përgatitur për letrën që do ta lexojë nësë një ditë do e thërrasin në Hagë për të dëshumar për terrorin që kishte ndodhur atë ditë. Djegia e kujtimeve bëhet akoma më e rëndë kur Dauti merr lajmin se vëllau i tij ka vdekur nga një sëmundje, duke e lënë Dautin si të vetmin dëshmitar të ngjarjes. Kujtesa e tij fillon ta tradhëtojë në detaje të rëndësishme të dëshmisë. Ai ndoshta nuk do arrijë të vë drejtësinë në vend për djalin e tij. Për vëllaun e tij, për shokët e tij. A do e falin të vdekurit Dautin që ai i është nënshtruar harresës?
Filmi, nën regjinë dhe skenarin e Aulona Selmanit, vjen si premierë regjionale në PriFest.
Producent i filmit është Lauro Jenni. Kurse kasta e aktorëve që luajnë në film janë: Bislim Muçaj, Kumrije Hoxha, Armend Smajli, Afrim Muçaj, Ermal Sadiku.
Filmi i kaluar i regjisores Selmani ‘Si në vaj’ ishte fitues në edicionin e kaluar të PriFest.
Filmi do të shfaqet me datë 14 shtator 2024, në kino Armata, në bllokun e filmave të orës 17:00./ KultPlus.com