Në shënimin e 23-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, shtëpinë-muze të tij në Krushë të Madhe e kanë vizituar familjarë, bashkëveprimtarë, e politikanë. Duke kërkuar që të zbardhet fati i tij, të gjithë e vlerësuan lartë veprimtarinë kombëtare të Hotit.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe të gjithë të pagjeturve tjerë është detyrim ndaj familjarëve dhe shoqërisë.
“Ky aktivitet është simbolik dhe ka për qëllim edhe njëherë me ngrit zërin jo vetëm zërin e arsyes por me forcë me ngrit zërin ku është Ukshin Hoti? Profili i njërit prej atdhetarëve të kulluar, një humanisti kryengritësi, prijësi të mendimit kritik udhërrëfyes drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar na bënë të ndihemi borxhlinj përherë karshi kësaj figure madhore në vendin tonë… Së këndejmi, ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe i të pagjeturve të tjerë është detyrim ndaj familjes, ndaj shoqërisë, vendit tonë dhe në përgjithësi ndaj kombit shqiptar sepse ai përfaqëson vlerat më sublime që mund ta karakterizojë një intelektual vizionar i këtyre përmasave”, theksoi ai.
Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se madhështia e veprës së Ukshin Hotit i bënë të tjerët të ndihen të vegjël.
Ai dha edhe disa porosi, ndërsa tha se për ta forcuar sigurinë dhe shtetin ligjor në Kosovë nuk do të jenë kurrë të ndarë pavarësisht partisë politike e përkatësisë.
Sipas tij, shqiptarët krahas synimit për bashkim kombëtar, ata duhet të jenë të bashkuar edhe për një miqësi me Amerikën.
“Madhështia e veprës së tij na bënë gjithë neve tjerëve të vegjël. Por guxoj me besu se po punojmë, do të punojmë dhe do të qëndrojmë përjetë me atë që është testament jo vetëm për politikën por për secilën prej nesh. Në një ditë si kjo ndoshta dy-tre porosi janë të mira që t’i themi se për ta forcuar sigurinë edhe shtetin ligjor të Kosovës kurrë nuk do të jemi të ndarë nuk ka asnjë identitet që na ndanë as partitë, as përkatësitë tjera. Do ta forcojnë sigurinë dhe shtetin ligjor të Kosovës a e dini pse, sepse siguria dhe shteti ligjor i pushtuesit na ka sjell në këtë ditë dikur e ne duhet ta kemi tonin të fortë dhe të përjetshëm. Po ashtu, që ta kemi një bazë ekonomike që të jetojmë në vendin tonë është detyrë e jona pa marr parasysh se kush jemi, një bazë ekonomike që njeriu i Kosovës të jetojë në Kosovë. Duhet të jemi të bashkuar sot dhe të mos thellohemi dhe fokusohemi tek përkatësitë tjera, mbrojtja përmes NATO-s, duhet me shënu hyrje në NATO Kosova pikërisht që mos të na përsëritën ditë si kjo, mos të na përsëritet historia. Duhet të punojmë intensivisht që të anëtarësohemi në NATO, është interes i yni”, u shpreh ai.
E djali i intelektualit, Ukshin Hoti, Andini u shpreh se ditët si këto janë të mërzitshme për të gjithë familjarët e të zhdukurve, madje u shpreh se për familjarët e të zhdukurve lufta nuk ka përfunduar ende.
Hoti si kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur u shpreh se Serbia po i lë të lirë dhe në poste politike kidnapuesit e babait të tij.
Ai po ashtu tha se Serbia nuk po heq dorë prej politizimit të çështjes së të pagjeturve.
“Jo vetëm ne si familjar të Ukshin Hotit por edhe të gjithë të tjerët që kanë pasur rastin e përafërt të vuajtjes familjar të personave të zhdukur konsideroj se ende nuk ka përfunduar lufta për ne. Jemi 23 vite pas dhe në një apo formë tjerë, ende ne vuajmë dhe mbajmë shpresën dhe zgjohemi dhe kur e shoh hallën dhe zonjën Nustrete e di se çfarë dhimbje mund të kenë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje me shpresën se mos ajo Serbi kriminale që është sot po ndryshon mendje. Fatkeqësisht e njëjta Serbi, konsideroj unë, vazhdon të jetë edhe sot me mendje të tillë kriminale… Të gjithë publikisht i dinë emrat e atyre që e kanë kidnapuar babin nga burgu i Dubravës dhe ata sot jo vetëm që janë të lirë në Serbi, por edhe poste publike dhe rastësisht prej që e kam marr detyrën e kryetarit të Komisionit por edhe delegacionit për Persona të Zhdukur kam hasur në raporte të cilat delegacioni i Serbisë i ka dorëzuar tek ne në bazë të kërkesave të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të babit dhe përgjigjja e tyre është po aq kriminale, tregon se Serbia në asnjë rast të vetëm nuk e depolitizon dhe në asnjë rast të vetëm nuk heq dorë prej politizimit të çështjes së personave të zhdukur’”, theksoi ai.
Hoti shprehu angazhimin e tij në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Jo vetëm për babin por për të gjithë personat e zhdukur përderisa ne me aq fuqi sa kemi jemi aty dhe nuk do të ndalemi asnjëherë nuk janë ndal as më herët dhe nuk janë ndal as sot dhe nuk do të ndalemi as në të ardhmen”, u shpreh Hoti.
Homazhe dhe vizitë në shtëpinë muze të veprimtarit, Ukshin Hoti sot ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca./Express/ KultPlus.com