Po vazhdon edicioni i gjashtë i Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha”, në kuadër të të cilit mbrëmë në skenën madhështore të teatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB u paraqit shfaqja nga Kosova “Andorra”.
Për të parë këtë shfaqje u panë të pranishëm figura nga kultura e arti, veçanërisht dashamirë të teatrit dhe studentë. Ndërsa, pas shfaqjes të pranishmit u argëtuan deri orët e vona të mbrëmjese muzikë të përzgjedhur nga dj Nird. Sot, në natën e katërt të PITF do të jepet shfaqja “I don’t wanna forget” nga Italia me regji të Marina Romondias./ KultPlus.com
Aktori i ri, Labeat Bytyçi, ndanë me lexuesit e KultPlus vitin e tij shumë të suksesshëm 2021, duke filluar nga shfaqjet teatrore e deri te pjesëmarrja në një film me përmasa enorme.
Bytyçi tregon se në filmin ““ILLYRICVM”, mori pjesë në audicionet që janë mbajtur në Prishtinë, dhe aty fitoi rolin e “Curtius”.
Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film.
“Kjo ka qenë një eksperiencë shumë më ndryshe prej çka jemi mësuar deri më tani, duke filluar nga tema që trajton filmi dhe periudha në të cilën zhvillohet”, thotë Bytyçi për KultPlus.
Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova.
Edhe pse nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur do të shfaqet ky film, Bytyçi njofton se filmi është në pjesën e montazhës.
“Deri më tani sa kam informacion, filmi është në pjesën e montazhës ku është menduar që të dalë në vjeshtën e këtij viti, por kuptohet që asgjë nuk është definitive”, shprehet ai.
Përpos angazhimit në film, Bytyçi ka qenë vazhdimisht duke punuar edhe në teatër.
“Kam luajtur në disa shfaqje gjatë vitit 2021, ku e fundit ka qenë shfaqja “Andorra” nga Teatri i Prizrenit, e kjo do të vazhdojë edhe për këtë vit me repriza, mund të them se viti 2021 ka qenë mjaft i suksesshëm”.
Sa i përket vitit të ri dhe planeve të reja, aktori nga Suhareka shpreson që së pari të ketë shëndet dhe planet e tij fokusohen në film e teatër. /KultPlus.com
Shfaqja ‘Andorra’ me regji të Kushtrim Bekteshit, prodhim i Teatrit të qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, ka fituar dy çmimet kryesore në edicionin e parë të festivalit ‘Artmania’ që u mbajt në Gjakovë për pesë net rresht.
Kjo shfaqje mori çmimin ‘shfaqja më e mirë’, ndërkaq aktori i kësaj shfaqjeje, Bujar Ahmeti mori çmimin ‘aktori më i mirë’ .
Ahmeti, i cili ka përfunduar studimet në akademinë e arteve në Prishtinë në vitin 2013, ka luajtur në shumë filma dhe shfaqje të cilat kanë udhëtuar nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare duke përfshirë: “An unforgettable Spring in a forgotten villiage” nga Kushtrim Bekteshi, “Home” nga Daniel Mulloy, “Samo Kazem” nga Jelena Gavrilovic dhe mbi 20 shfaqje teatrale ndër vite, 5 prej të cilave janë nga regjisori tashmë i ndjerë, Bekim Lumi.
Shfaqja “Andorra” rrëfen fatin tragjik të një të riu hebre me emrin Andri në Andorrë (vend fiktiv) i cili në vigjilje të ardhjes së nazizmit ballafaqohet me paragjykimin dhe diskriminimin për shkak të përkatësisë së tij etnike.
Siç thuhet dhe në tekst nga një koment i shtuar model i tillë paragjykimi kemi qenë edhe ne në të kualuarën tonë të afërt dhe jo vetëm paragjykimi por edhe urrejtje, krimi e gjenocidi. Shfaqja si koncept regjisorial dialogon dhe thërret në kujtesën e afërt kolektive tonën ku dhe vetë kemi qenë personazhe tragjikë dhe pjesë e Kosovës së lyer me gjak , ndërkohë thërritet në tekst ‘ në Andorrën tonë të bardhë si bora … ‘ edhe pse pellg gjaku, si në Kosovën tonë që ende i kullojnë plagët.
Në shfaqje luajnë aktorë të njohur si : Xhevdet Doda, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi, Rifat Smani, Liridona Shehu , Afrim Muça, Fetah Paçarizi, Besëlidhje Bytyqi, Alban Çela e shumë të tjerë./KultPlus.com