Andrea Alessi, figura madhore e arkitekturës evropiane, me origjinë nga Durrësi

Andrea Alessi, një prej figurave madhore të arkitekturës evropiane me origjinë shqiptare, është kujtuar në një aktivitet organizuar nga Shoqata e Arkitektëve kroatë në Zagreb.

Aktiviteti u shoqërua me një ekspozitë të veprave të Andrea Alessi, realizuar nga fotografi shqiptaro-kroat Luka Mjeda. Gjatë veprimtarisë foli Velimir Neidhardt, president i Akademisë së Arteve dhe Shkencave kroate, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, arkitektët Rilind Čočaj dhe Ardijan Karlo Gashi.

Andrea Nikolle Aleksi, apo siç njihej në Kroaci, Adrija Alesi, ishte një arkitekt dhe skulptor i lindur në Durrës në 1425. Pas shpërnguljes së tij në Split (Dalmaci) ai arriti të bëhej një nga artistët më të mëdhenj të Rilindjes dalmatine.

Karakteristikë e Andrea Alesit ishte që në punimet e tij, vinte mbishkrimin ku shënohej origjina e skulptorit. Që në rini shkoi në Split të Dalmacisë dhe aty studioi pranë skulptorit Mark Troja. Është autor i statujave të lozhës së tregtarëve në Ankona të Italisë, i 1454 afreskeve të një kishe të Dalmacisë. Kryevepra e tij mbahet Pagëzimorja e Trogirit, në katedralen e Shën Lorencit.

Tre vjet më parë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për sjelljen në shqip të veprës së arkitektit shqiptar me famë ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Andrea Alessi, skulptori i njohur Renesancës Dalmatine me origjinë nga Durrësi

Andrea Nikollë Aleksi, i njohur edhe si Andrea Alessi, ose Andrija Aleši ka qenë një arkitekt, piktor dhe skulptor i famshëm, i njohur si një nga artistët më të mëdhenj në kohën e Renesancës Dalmatine.

I lindur në Durrës me 1425, ai u zhvendos në Dalmaci, duke bërë emër në fushën e arkitekturës. Karakteristikë e Aleksi Andreas ishte që në punimet e tija, shënonte mbishkrimin në të cilin shkruhej origjina e tij. Që në rini shkoi në Split të Dalmacisë dhe aty studioi pranë skulptorit Mark Troja. Është autor i statujave të lozhës së tregtareve në Ankonë të Italisë, i 1454 afreskeve në një kishe të ishullit Arabe të Dalmacisë. Kryevepra e tij mbahet Pagëzimorja e Trogirit.

Pagëzimorja e Trogirit ndodhet në katedralen e Shën Lorencit. Por gjurmët e punëve të tij ndihen edhe në pallatet e Trogirit përreth, në atë të peshkopit Torlon dhe veçan në pallatin përkundruall portës kryesore të katedrales, Palazzo di Coriolano Cippico, ku si kryevepër e Andrea Aleksit njoftohet portali disakatësh me dritaret me tri harqe (trifore), mandej në kapelën e Shën Gjonit etj.

Ka shumë për të parë, si dhe për t’u informuar nga historianët e artit që i kanë vlerësuar punimet e tij këtu në Trogir, “Opusi i Trogirit”, si kompleksin më të rëndësishëm arkitekturor-skulpturor të fillimeve të artit të Rënesansës së hershme të saposhfaqur në Europë. /dsh/ KultPlus.com