Aktorja Andrea Riseborough ruan nominimin kontrovers për çmimin e madh ”Oscar”, gjë e cila mahniti botën e kinemasë javën e kaluar.
Protagonistja e ”TO LESLIE” nuk do të privohet nga nominimi për aktoren më të mirë, ka vendosur Akademia e Filmit që administron çmimet, pavarësisht se fushata e pazakontë promovuese e filmit ka ngritur shqetësime në bord.
Vendimi është marrë gjatë një takimi ”ad hoc” të organizatës. Nominimi i aktores britanike kishte befasuar Hollywood-in kur u shpallën nominimet më 24 janar.
Kritikët e kishin lavdëruar performancën e Riseborough, por filmi me ‘buxhetin e ulët’ deri më tani ka fituar vetëm 27,000 dollarë në arkë dhe kurrë nuk është promovuar me shumë bujë, siç ndodh zakonisht me produksionet e tjera në garë për Oscars.
Në vend të kësaj, ishte Mary McCormack, gruaja e regjisorit Michael Morris, e cila krijoi një mbështetje të madhe në mediat sociale midis miqve dhe yjeve të famshëm, nga Edward Norton tek Gwyneth Paltrow, tek rivalja e Andreas, Cate Blanchett.
Lëvizja kishte ndezur polemika në Hollywood mes frikës se rregullat e Akademisë kundër lobimit për veten ose përçmimit të rivalëve ishin shkelur.
“Kemi konstatuar se aktivitetet në fjalë nuk shkojnë deri aty sa të revokojnë kandidaturën”, theksoi Akademia.
Megjithatë, sipas akademisë ”asnjë ndryshim nuk do të zbatohet përpara edicionit të 2023 të Oscars më 12 mars”. /atsh / KultPlus.com