Në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” u hap ekpozita fotografike me titull “1989-Para dhe Pas. Rishikimi i qytetit”.
Ekspozita vjen nga Muzeu i Bashkisë së Bukureshtit dhe mban për autor fotografin Andrei Birsan. Imazhet e kapura prej tij janë një dëshmi e ndryshimeve që ka pësuar qyteti ku ai jeton, që prej regjimit komunist e deri më sot. Sfida e artistit është të kapë detaje të ndryshimit përmes përvojës së një të mbijetuari apo një dëshmitari që i ruajti këto ndryshime në kujtesën e tij fotografike. Autori bashkangjit momente të jetës së tij, me kujtesën kolektive. Fotot ballafaqojnë nostalgjinë për regjimin e dikurshëm i cili ofronte paqe në këmbim të nënshtrimit, më të rinjtë që atë periudhë e shohin si rrënim sentimental.
Andrei Birsan thotë përmes ekspozitës së tij se ekziston dhe një grupim i tretë: ata që nuk e njohën kurrë të shkuarën dhe lindën pas një pragu historik. Ata jetojnë vetëm me realitetet e reja duke lënë të hapur shtegun e rrezikshëm të kthimit prapa.
Ekspozita ofron dhe imazhe të ndryshimit rrënjësor të përditshmërisë urbane të 30 viteve të fundit, me të njëjtat vende por me një notë ndryshe të sjelljes kolektive.
Nga ekspozita e fotografit rumun Andrei Birsan, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com