Fragment nga romani ‘SHITËSI’ i autorit Andrin Aliu

Nga Andrin Aliu

‘SHITËSI’

-A do të thotë kjo se shoqëria ndërmjet njerëzve qenka e përkohshme? – fola unë, pasi zonja Fazile nuk vazhdoi më gjatë.

-Nuk e mbarova, – u përgjigj ajo. – Kam ende për të thënë.

-Në rregull. Mund të vazhdosh.

-Natyrisht, ekziston edhe shoqëria e përjetshme, e cila arrin t’u rezistojë furtunave të kohës, për një shkak që është vetë domethënia e pakapërcyeshme e saj: kjo shoqëri ka një qëllim të përbashkët. Nuk ka rëndësi nëse je psikolog, filozof, aktor apo shkrimtar. Të gjithë bashkohen rreth asaj që ata duan ta realizojnë. Madje janë të gatshëm edhe të flijohen në përmbushjen e qëllimit të tyre. Kjo shoqëri është e ndërtuar mbi besën e dhënë se përkundër gjithckaje, do të qëndrojë e pathyeshme. Atë e përbëjnë shokët me karakter të hekurt dhe të sprovuar, që kanë hequr dorë nga vetvetja, por jo edhe nga qëllimi. Quhet e përjetshme , ngaqë përpjekja është kësisoj. Këta shokë janë të zhveshur nga interesi individual dhe janë betuar që halli i njërit shok, do të jetë edhe halli edhe halli i të tjerëve. E mira dhe e keqja, trishtimi dhe gëzimi, vuajtja dhe lumturia, sipas tyre s’mund të peshojnë vetëm mbi supet e njërit shok, por do të peshojnë barabartë mbi supet e të gjithëve. Përvec qëllimit, të përbashkëta do t’i kenë edhe ditët e panumërta që i presin solemnisht në vargun e gjatë të pështjellimeve jetësore. Do të hanë dhe do të pinë të pandarë; do të enden si një grup turistësh në qytetin ku kanë lindur dhe s’kanë ndërmend ta braktisin kurrë; do të dremitin mbrëmjeve në shtëpinë e madhe të shokut fatlum; do të zgjohen të nesërmen ende pa zbardhur mëngjesi dhe do të vrapojnë rrugëve të boshatisura, me vrullin e kënaqësisë së përhershme rinore; do të ëndërrojnë për atë që s’është dhe që një ditë doemos do të bëhet; do të shkelin me këmbët zbathur në tokën e qullur nga shiu veror; do të bërtasin gjer në kupë të qiellit, duke i riprodhuar shpesh e më shpesh frazat magjike të besnikërisë së ciltër e të betonuar ndërmjet tyre; do të qeshin dhe do të qajnë si të marrë nga ndjenjat e përziera shpirtërore të mposhtjes dhe të ngadhënjimit; do të tranden prej pafuqisë njerëzore për t’i ndryshuar rregullat absurde të mendjeve mediokre; do të mallkojnë pasditet e ngrysura dhe do të urojnë ato vezulluese; do të vdesin së bashku, kur casti vendimtar do t’iu troket në derën e mynxyrës së llahtarshme. Me sy të mbyllur do të treten në shkulmat e harresës së përbotshme, për të mos kujtuar më askush se c’kohë e pështirë i përpiu pamëshirshëm në llurbëtirën e vet.

Një pikë loti i rrëshqiti nga cepi i syrit të majtë dhe përshkoi ethshëm faqen e saj të bardhë. Instinktivisht e fshiu këtë pikë me mollëzën e gishtit të vogël, ndërsa dukej se po luftonte brenda vetes, për të vënë nën kontroll shpërthimin tinëzar të emocioneve.

-Shoqëria e përjetshme! – thashë unë, i kapluar nga keqardhja për zonjën Fazile.

-Do të mbetet përherë kështu: e përjetshme, – ma ktheu ajo, tejet e vendosur.

-Duhet të jeni me fat që miqësia mes jush dhe xhaxhit Mursel ka arritur t’i mbijetojë pengesave të kohës.

Tundi kokën në shenjë pohimi dhe nxori një buzëqeshje të lehtë.

-A të shëtisim sërish? – më pyeti krejt papritur.

-Ku dëshironi të shkojmë?

-Nuk ka rëndësi, – tha e shpërqendruar. – Mjafton të ecim rrugicave, sic bemë më parë./ KultPlus.com