Dy anekdotëza të Nastradinit me titujt “Nastradini i bjen çitelisë” dhe “Nastradini i shpëton vdekjes” nga përmbledhja “Prozë popullore nga Drenica II”, përgatitur nga Anton Çetta dhe botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitin 1972, vinë të lexuara nga Plator Gashi, përcjell KultPlus.
Dy anekdotëza të Nastradinit, ndeshtrashat e të cilit janë shndërru në tregime gaztore qi kanë ndjellë gaz në shumë cepe të botës. Kështu shkruhet për prapavijën e tij në “Proza popullore nga Drenica II” (Rilindja, 1972) nga Anton Çetta:
“Anekdotat e Nastradinit tregohen ndër shumë popuj të botës e sidomos ndër ata të Lindjes së Afërme dhe të Ballkanit […].
Në një anë është pohuar se ‘nuk mund të thohet gjë me siguri për të si person historik’ (Fehim Bajraktareviq, Nastradin Hodžin problem, Prilozi XIV, 1934) ndërsa në botimin e tregimeve të Nastradinit nga Ahmet Halit Jasharogllu, Stamboll 1950, ky i fundit, duke u mbështetur në të dhënat e shkrimtarit turk Mehmet Fuat Kyprilizades, pranon si gjë të sigurtë qenjen e tij si person historik.
Anekdotat e Nastradinit janë përhapur nëpërmjet të kulturës turke (letërsisë gojore apo të shkruar), por njëkohësisht, shumë sosh, janë edhe prodhim i popujve të ndryshëm ku ato tregohen;
Përpos qëllimit gaztor, një pjesë e tyre ka bazën në kushtet ekonomike dhe shoqërore të vendit ku janë thurur;
Në një pjesë të zgjedhur të tyre çfaqen aspiratat e njerëzve të vegjëlisë, nga të cilët edhe janë trilluar. Nastradini është përshkruar si njeri i thjeshtë, pa kurrfarë pasurie, por është i pajisur me atë squetësi të mprehtë natyrore, për çka dallohen njerezit e popullit. Ndonëse i pashkollë, ai ja del në krye të gënjejë krerët e pushtetit feudal, të cilët, ndër ato anekdota paraqiten mjaft të pagdhendur e te trashë. Poashtu ja del ne krye të nxjerrë në shesh korrupcionin e aparatit byrokratik (si domos ndër gjyqe) dhe të qëndroje përballë arrogancës dhe vrazhdësisë së njerëzve të klikës sunduese. Shikuar nën këtë prizëm, tregimet e Nastradinit janêëshprehja e njerezve të vegjëlisë të etshëm për drejtesi.“
Fjalorth:
me u koçitë – me ngecë
dyzen, -i – akordim i rregullt, mirëtingëllim
melaq/e, -ja (sh. meleq) – engjëll
me dekë – me ia (dikujt) shpirtin
madhni, -a – perëndia
myhlet, -i – afat
reqat, -i (sh. reqate) – pjesë përbërëse e lutjes myslimane – namaz. Dy, tri ose katër reqate e përbejnë një namaz
namaz, -i – lutja myslimane që bëhet pesë herë në ditë në kohë të caktuar.
baj kabull – pranoj
me u ngi – me u ngopë
Marrë nga llogaria e Plator Gashit në ‘Soundcloud’, ku ai herë pas here do të ngarkojë lexime të përrallave, kallëzimeve, anektdotave dhe në përgjithësi të letërsisë popullore gojore shqiptare, duke mos i lanë anash as krijimet e tjera letrare me vlerë, të shkruara në shqip. / KultPlus.com