Me program të larmishëm muzikor, festivali ‘Angros’ rikthehet edhe këtë vit në edicionin e tij të gjashtë

Nga data 4 deri më 6 gusht, në Platonë e Teatrit të Gjilanit do të mbahet festivali ‘Angros’, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të gjashtë.

Përgjatë këtij festivali do të mbahet edhe ‘Nata e Plisit’ ku do të performojnë një grup i njohur kosovar dhe artistë lokalë të cilët do të dhurojnë performanca mbresëlënëse, përcjell KultPlus.

Për të gjithë dashamirësit e muzikës elektronike, është përgatoti një natë e paharrueshme me ritme dhe tinguj në ngjarjen ‘Nata Elektronike’. DJ të zgjedhur me kujdes do të ngjiten në skenë, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme plot me muzikë elektrizuese.

Po ashtu festivali këtë vit ka menduar edhe për fëmijët në programin ‘Angros Kids’, ku arti takon imagjinatën. Fëmijët do të kenë mundësinë të zbulojnë krijimtarinë e tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme artistike, e për të cilët ëstë përgatitur po ashtu një dhuratë,  shfaqja e një filmi për fëmijë me projektor, pikërisht në zemrën e qytetit.

Ndërkaq, përgjatë këtyre netëve, publiku do të ketë mundësi të argëtohet nga artistë të njohur vendorë e të huaj./KultPlus.com

Në Gjilan mbahet edicioni i parë i festivali Angros

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me “Balkan Union”, këtë vit prezantojnë festivalin veror “ANGROS” i cili po mbahet me 3, 4 dhe 5 gusht 2018.

Organizatorët kanë thënë se emri i këtij festivali “Angros” ishte emri i lumit Morava në antikitet.

“Ky festival është një iniciativë e nxitur nga nevoja për aktivitete rekreative dhe edukative gjatë muajve të verës kur qyteti i Gjilanit ka ardhjen e qytetarëve të saj nga diaspora, pastaj kthimi i studentëve nëpër shtëpitë e tyre dhe mysafirë të ndryshëm që japin një gjallëri të madhe dhe dinamikë jetës në Gjilan”, kanë thënë përgjegjësit nga festivali Angros.

Këtë vit mbahet edicioni i parë dhe ka një program mjaft të pasur me grupe të ndryshme muzikore dhe DJ, kuzhinë tradicionale dhe aktivitete e lojëra tjera interesante për vizitorët.

Si një ndër ngjarjet më të mëdha në qytet, festivali është kujdesur për të gjitha detajet në mënyrë që vizitorët të kenë rehati dhe siguri – ndërsa shijojnë aktivitetet dhe produktet më të mira të vendit.

Në aspektin kulturor festivali “Angros”, është kujdesur që të pasqyroj autenticitetin dhe atributet unike të qytetit – përfshi edhe artistë të ndryshëm të vendit me prezantime dhe veprat e tyre.

Kjo mënyrë e ekspozimit të vlerave të qytetit përballë bashkatdhetarëve dhe në bashkëpunim me rininë gjilanase siguron që vlerat tona të promovohen edhe tek diaspora dhe kështu të kontribuojmë në bashkëpunim artistik e kulturor edhe me potencialin tonë në Evropë.

Hapja e festivalit gjatë ditës së djeshme kishte në vete ekspozitën, pastaj zumba dance, bende të ndryshme muzikore nga Gjilani, Kosova e Shqipëria.

Dita e sotme është përcjellë me ushqime tradicionale, pastaj organizimi i punëtorisë në fushën e Artit dhe riciklimit, në fushën e fotografisë, pastaj stand up comedy nga aktori Avni Shkodra, Tanju Şerif, Dagg X base, Lilac, Leke dhe Toton nga Kosova.

Ndërsa, dita e nesërme 5 gusht pos tjerash ka edhe yoga, ushqimi tradicional, vazhdimi i punës së punëtorive, poezi dhe përmbyllja e festivalit./ KultPlus.com