Dita e dytë e edicionit të 13 të festivalit Anibar vjen me aktivitete të shumta

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Gjatë ditës u mbajtën tre punëtori nga Andy London – “Deluzione të Animuara”; Marcus Grysczok – “Si të Bëhesh Animator i Stop Motion” dhe Kristina Saganova – “Animacioni dhe Realiteti i Shtuar”.

Shfaqja e filmave filloi nga ora 12:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla me shfaqjen e garës së filmave të metrazhit të gjatë ku u shfaq filmi “Dozens of Norths”. Po ashtu, në ora 12:00 në teatrin Istref Begolli filloi edhe shfaqja e filmave për programin e fëmijëve të moshave 4+.

Ndërsa, programi i fëmijëve të moshave 9+ u mbajt me fillim nga ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Shfaqja e “Garës Ballkanike” solli për publikun një numër të filmave të prodhuar në vendet e rajonit (Slloveni, Kroaci, Serbi, Greqi), ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe premierat e “Shpija” nga Flaka Kokolli dhe “Magneti” nga Arvan Berisha, dy filma të animuar të prodhuar në Kosovë.

Dita vazhdoi me programin e veçantë: Scratch, Crackle dhe Pop: Filmat of Steven Woloshen. Gjatë këtij programi u prezantuan disa nga filmat e shkurtër të animuar të Steven Woloshen, të krijuara ndërmjet viteve 1983 dhe 2022.

Ndërsa, pas përfundimit të shfaqjes së filmave Steven ishte i gatshëm t’ju përgjigjet pyetjeve nga publiku, ku ai shpalosi më shumë detaje rreth punës së tij.

Përgjatë ditëve të festivalit përveç shfaqjes së filmave e masterklasave, vizitorëve të festivalit do t’u ofrohet hapësira për të ndjekur nga afër edhe një seri panelesh me folës të shquar.

Në ora 17:00 në Galerinë e Arteve në Pejë, filloi paneli i parë për këtë edicion, ku përgjatë një ore të pranishmit diskutuan mbi pavarësinë e artit në Ballkan nëpërmjet animacionit.

Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave të garës ndërkombëtare, ku u shfaqën gjashtë filma për të pranishmit.

Duke vazhduar pastaj me garën e studentëve në Kino Kubat. Nata përfundoj me argëtim nën tingujt e muzikës nga Sahati dhe Eptani, duke përmbyllur kështu natën e dytë të “Bestytndejave” të Anibar-it.

Edicioni i 13 i festivalit me një program të larmishëm me shumë aktivitete të ndryshme do të vazhdoj çdo ditë deri më 19 korrik në qytetin e Pejës. /KultPlus.com

Hapet ‘Anibar’, MKRS: Edhe këtë vit ata kanë kuruar një program të pasur artistik dhe aktivitete të shumta

Me një ceremoni të veçantë, të organizuar në Kino “Liqeni” në Pejë u hap edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit – Anibar.

Edhe këtë vit ata kanë kuruar një program të pasur artistik dhe aktivitete të shumta. Deri me datën 19 korrik do të prezantohen më shumë së 200 filma të animuar që trajtojnë tema të rëndësishme sociale dhe kulturore.

Tema e festivalit është “Besëtytnitë” ndërsa këtë edicion me karakter garues organizatorët e kanë ndarë në kategori të ndryshme.

Të pranishëm në hapjen e festivalit ishin edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, filmbërës e artdashës. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’ hapi dyert mbrëmë për të 13-tin vit në Pejë

Këtë të mërkurë festivali ndërkombëtarë i animacionit filloi edicionin e 13-të të tij. Ceremonia e hapjes së këtij festivali u mbajt në Kino “Liqeni” ku të pranishëm ishin shumë dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore si dhe ndërkombëtare.

Anibar gjithashtu pati nderin të shpalos programin e kuruar nga LINOLEUM Festival, një festival i animacionit i bazuar në Kiev të Ukrainës. Të pranishmit patën nderin të ndjekin një program 40 minutësh të përgatitur nga Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e festivalit LINOLEUM. Këtë vit, edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i Anibar fillon nga data 13 deri më 19 korrik. Një numër që përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq që përballet edhe me frikën, aq sa ka një fobi që mban emrin e saj. Pavarësisht nëse besoni në besëtytni apo jo, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë “supersticioze”.

Ky edicion është një ftesë për të gjithë me qëllim të zhvillimit të industrisë së animacionit dhe hapave drejt së ardhmes së tij. Aktivitetet kanë të bëjnë më rritjen dhe edukimin e komunitetit të animatorëve për shkak të potencialit të jashtëzakonshëm.

Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur prej 224 filmash, prej tyre 1400 të dërguar nga e gjithë bota. Filmat ndahen në tetë kategori, shtatë prej të cilave janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë, Kategoria e të Drejtave të Njeriut, Filmat e Audiencës së të rinjëve dhe një kategori tjetër jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës.

Përveç shfaqjes së filmave të animuar, si çdo edicion tjetër edhe këtë vit do të ketë programe tjera, ku përfshihen tre prezantime, katër punëtori, tri panele dhe katër programe speciale. Si në vitet e mëparshme, të ftuar special do të bashkohen për të ofruar njohurinë e tyre rreth industrisë së animacionit. Ndryshe nga edicionet e kaluara ky edicion do të ketë një program të veçantë të kuruar të realitetit virtual VR. Ky do të kurohet me partnerët të AniFilm Festival, të cilët kanë njohuri dhe ekspertizë të gjerë me filma VR dhe video interaktive. Programi VR do të jetë i pari që do të shfaqet në kuadër të festivalit Anibar si dhe në rajonin e Pejës. Vetë programi do të përbëhet nga shtatë filma të animuar të paraqitur para audiencës së festivalit në një mënyrë interaktive duke u fokusuar në një ndërfaqe eksperimentale dhe jo në vëzhgim për ta përjetuar shikuesin. Ky program do të ofrojë mundësinë për të parë filma në një mënyrë jo tradicionale duke stimuluar se si industritë kreative mund të shprehin histori.

Anibar këtë vit sjellë edhe programin muzikor, ku do të performonjë shumë artistë si: Gent Gorani, Connecting Dots, Florent V, Sahati, Eptan, Blla Blla Blla…, Neither Famous Nor Rich (NFNR), Jolle, BimBimma, Dj Pamon, Grey Lenses, Elektorati Intelektual, Shlem, Vëllezërit Mllefi, Telikput, Gipsy Groove, Lilac, Don’t Listen to Your Neighbours, Artil, dhe Currski. Ky edicion i festivalit përfundon më 19 Korrik. Besoni apo jo në bestytni, Anibar mirëpret ardhjen tuaj në qytetin e Pejës. / KultPlus.com

“Bestytndejat”, Anibar 13 shpalos programin për mbrëmjet muzikore

Festivali i filmit të animuar ‘Anibar’ ka nderin të shpalos programin (lineup) për mbrëmjet muzikore, përcjell KultPlus.

Me gjithsej 21 performues nga dhe jashtë vendit, ‘Anibar’ ju mirëpret të bashkëngjiteni tek parku Karagaq (Kino Liqeni) për “Bestytndejat” e tyre nga 13 deri më 19 korrik.

Më poshtë gjeni të bashkëngjitur fotografinë me emrat e performuesve. / KultPlus.com

Të shtunën mbahet koncerti nga Orkestra Fischermanns që i paraprinë “Anibar”

Koncerti i Fischermanns Orchestra është ngjarja që do t’i paraprijë edicionit të 13-të të Anibar, përcjell KultPlus.

Një orkestër arkaike, gjëmuese me fanfara bronzi të ndezura si zjarri, me tone vokale të tymit të punk-ut e tapiceri arkitekturore, si dhe me tone elektronike dhe grovulime rrethore që lëvizin gjymtyrët. Kjo trupë aventureske prej pesëmbëdhjetë vitesh është në rrugë duke i dhënë popullit mesazhin e saj muzikor, vazhdimisht në lëvizje. Duke luajtur më shumë se 300 koncerte në katër kontinente: festivale ndërkombëtare të xhazit deri në klube të hapura – kthehen përsëri tek rrënjët – në rrugë, në skenë, për njerëzit.

Presioni zanor i seksionit të borisë, shtytja djallëzore e seksionit të ritmit, improvizimet e mbipopulluara shpirtërisht dhe gjestet e duarve që ndryshojnë aranzhimet me shpejtësi rrufeje i bëjnë ata një nga grupet më interesante për t’u parë dhe dëgjuar drejtpërdrejt.

Koncerti do të mbahet në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” më 9 korrik duke filluar nga ora 20:00 dhe Anibar ju fton për të dëgjuar një grup të veçantë dhe për të pasur një eksperiencë të paharrueshme!

Çmimi i biletës: 2 Euro / KultPlus.com

Ku Kultura? e shtjelluar gjerësisht nga Çeku në bashkëbisedim me Sanajan dhe Muratin

Burim i shumë problemeve në fushën e kulturës shihet edhe mungesa e një ligji të tillë, i cili do të ishte si “çelës” i derës së shumë problemeve dhe do të ndikonte gjithashtu edhe në përditshmërinë e veprimtarisë së disa institucioneve, shkruan KultPlus.

Në një bisedë të organizuar nga Kosovo 2.0, ishin të ftuar Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku me bashkëbiseduesit e tjerë, Vullnet Sanaja nga Anibar dhe Donjetë Murati hulumtuese dhe anëtare në Punëtorët në Art, derisa kjo bisedë është moderuar nga gazetarja e K2.0, Lirika Demiri. E përpara gjithë fillimit të këtij debati ose diskutimi, u përkujtua edhe një herë tjetër regjisorja Vjosa Berisha, e cila ka bërë shumë për kulturën për shumë vite në Kosovë.

Mungesa e një “shkopi magjik” për t’i zgjidhur problemet ka ndikuar shumë që vit pas viti ato të përsëriten dhe mund të thuhet se janë bërë edhe pjesë e jetësës për shumë fusha të ndryshme në Kosovë, por sidomos në kulturë, në fushën e së cilës mungon Ligji i Kulturës. Megjithatë, shpresat ekzistojnë gjithnjë se ai është udhës dhe veçse është publikuar edhe koncept dokumenti për art dhe kulturë në platformën për konsultime publike.

“Unë po shpresoj që ligji të jetë i gatshëm deri në vjeshtë, ose eventualisht në fund të vitit” – Hajrulla Çeku.

I pari i Ministrisë së Kulturës, ka deklaruar se pret që të ketë sa më shumë komente nga publiku dhe njohësit e kësaj fushe, në mënyrë që të jetë i gatshëm në formën më të mirë të mundshme.

“Ne besojmë që nëse dojmë reformë të thellë të punojmë pak më gjatë, në mënyrë që të jetë sa më i gjithëpërfshijshëm. Pas publikimit të koncept-dokumentit, është edhe një afat tjetër, komentet që vijnë integrohen në këtë koncept dhe procedohet për vendimmarrje në Qeverinë e Kosovës. Pas miratimit, nga tre opsionet; opsioni pa ndryshime, me ndryshime të moderuara dhe ndryshime rrënjësore, pas vlerësimit që është bërë, analizës dhe të tjerat, koncept-dokumenti rekomandon opsionin e tretë, pra, atë të ndryshimeve të thella në legjislacionin dhe atë institucional në atë të kulturës”, ka thënë Çeku.

Çeku, kërkoi që të ketë një minutazh më të gjatë në fillim të debatit, kjo pasi sipas tij një reformë e tillë është shumë e gjatë dhe kërkon që të ketë më shumë shpjegim, dhe të tregojë mënyrën se si kultura komunikon me fushat e tjera, pse shërben ajo dhe pse duhet të kemi prioritet kulturën dhe investimin në të.

Duke filluar me një kontekst historik, ai tha se me hovin që ka pasur Kosova në instuticionalizimin e Kulturës nga mesi i shekullit XX, që kanë qenë vitet përgjithësisht jo stabile politikisht, duke përfshirë gjithashtu të gjitha zhvillimet e viteve 80′ e deri te lufta 99′, e edhe pas këtyre viteve, ka pasur një zhvillim të pa precedentë, në të gjitha nivelet e sistemit kulturor. Kosova aktualisht numëron rreth 0,4 për qind të burimeve njerëzore të angazhuara në kulturë. Mbi 103 festivale të kulturës, mbi 130 struktura insticione kulturore të nivelit qëndror dhe lokal, mbi 380 biznese dhe struktura të tjera private të profileve të ndryshme në kulturë. 12 shkolla fillore dhe të mesme të artit, 10 prej sosh në muzikë, 2 në art figurativ. Mbi 10 shkolla private të arteve, 11 fakultete të arteve, mbi 10 formacione kamertale, orkestrale, korale për komuna dhe kështu me radhë.

“Po flasim për një eko-sistem koxha kompleks dhe të madh. Legjislacioni ka qenë i vjetëruar, kjo është një pikënisje mbi të cilën është ndërtuar edhe vizioni për reformë. Po jo vetëm i vjetëruar, por edhe i ndërlikuar goxha shumë, që e ka rregulluar kulturën, i cili brenda profilit të kulturës dhe artit është i stër-degëzuar dhe poashtu prej shumë dikastereve e fushave tjera, me theks të veçantë arsimin, diplomacinë dhe ekonominë në Kosovë, që në 20 vitet e fundit ka pësuar shumë ndryshime dhe si i tillë ka një fizionomi strukturore dhe funksionare, që nuk përkon aspak me situatën e viteve 2000. Pra, kur janë hartuar këto ligje kanë qenë kohëra ndryshe, sot dinamika e 20 viteve është shumë e madhe dhe këto legjislacione nuk i plotësojnë nevojat për të vazhduar tutje. Vetëm ky fakt është indikator i nevojës për një lloj rifreskimi, sidomos për faktin që Kosova është një shtet i pavarur, e kto ligje janë ende me vulë të UNMIKU-t. As Galeria Kombëtare e Kosovës e as Galeria e Ministrisë së Kulturës, nuk kanë natyrë skenike performuese, ligje të bazuara. GKK ka akt të vendim të themelimit dhe një statut që përcakton përgjithësi strukturën e organizimit dhe Galeria e Ministrisë ka një aktvendim dhe rregullore. Kur nuk ekziston baza, duhet të improvisosh dhe në fund të vend që të zgjidhet problemi, krijohet grumbull i ri dokumentash ligjore. Galeria e Filharmonia janë të barabarta, por mënyra si funksionojnë kanë baza të ndryshme ligjore, edhe kjo e vështirëson tani punën e të gjithave bashkë. Skena e pavarur, e pambuluar ligjërisht është një tjetër problem i madh, që shpresojmë ta zgjidhimin me ligjin e kulturës “, tha ai mes tjerash, duke potencuar nevojën e madhe që Kosova e institucionet e saj kanë për këtë ligj.

Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Anibar, Vullnet Sanaja, beson që një prej qëllimeve kryesore të gjithë këtij procesi duhet të jetë që të ndryshojë shumë pjesa se si përceptohet skena e pavarur nga institucionet publike.

Kur jemi duke folur për institucionet publike, jemi duke folur për njerëz. Kur jemi duke folur për institucionet e pavarura të kulturës, prap jemi duke folur për njerëz. Për arsye se në shumicën e kohës duke folur gjithnjë për struktura e gjëra të tjera po e humbim edhe bazën, janë kryesisht artistët që kërkojnë një të drejtë njerëzore e bazike që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda një hapësire të caktuar, publike në këtë rast. Tashmë, po më duket që është shumë mirë që po krijohen disa lehtësira në këtë aspekt. Gjithashtu, për këtë ligj duhet që të shohim situatën reale në vend dhe të vazhdojmë. Skena e pavarur duhet të jetë gjithsesi atje në ndryshimet që do të ndodhin. Si skenë e pavarur, nevojat tona kanë qenë gjithmonë që të largohen disa prej vështirësive në baza ditore, që lidhen kryesisht në hapësirën të cilën veprojmë, pra, të lejohet shfrytëzimi i saj. E dyta kish me qenë rreth funksionimit të përditshëm, dmth shumica deri tash nuk kanë pasur mekanizma për financimin e skenës së pavarur, prandaj kemi avokuar gjithnjë që të ndjeket një fond në këtë aspekt. Një fond i cili do të zhvillonte skenën e pavarur, të shërbente si qëndrueshmëri“.

Donjetë Murati, ka thënë se është shumë e qartë që ka probleme të shumta në fushën e kulturës, duke filluar nga muzeut të Kosovës, arkivave, prej gati gjithçka që është shumë esenciale që të funksionojë një shoqëri pak më mirë.

“Ky ligj do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e secilit prej neve. Po pres me padurim që të lexojë këtë dokument dhe ta shohë se çfarë po përmban. Isha në mëdyshje që a duhet gjithçka të fokusohet vetëm në një ligj, apo më pas shfaqen edhe politika të tjera që duhet pasur parasysh. Ka shumë probleme në çasje të dokumenteve ose diçka tjetër, edhe pse zakonisht duhet të shkojmë nëpër ministri të tjera, prapë se prapë Ministria e Kulturës është një adresë e caktuar në të cilën mund të ballafaqohesh edhe gjithashtu të bashkëpunosh me ta. Edhe pse është shumë komplekse, adresa mbetet MKRS-ja, sidomos për neve që punojmë në këtë sferë“, tha ajo, duke hapur debatin në qoftë se duhet të gjitha fushat të përmbledhen bashkë vetëm në një ligj.

Teatri Kombëtar i Kosovës, në të vërtet i gjithë Kosovës

Ministri i Kulturës gjithashtu u pyet se çfarë do të ndodhë me pjesën e TKK-së, pasi ky i fundit do të jetë në rinovim të plotë nga 1 korriku.

“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas analizës së bërë e kemi parë që ka nevoje për ndërhyrje emergjente. Kjo për faktin se ajo ndërtesë është shumë e vjetër dhe realisht punëtorët, e aktorët atje po rrezikonin vetën e tyre duke punuar në hapësira të tilla. Ne kemi menduar që Teatri Kombëtar i Kosovës të jetë i gjithë Kosovës, të paktën për një periudhë dhe të mos i përkas vetëm Prishtinës. Prandaj, gjatë kohës së rinovimit, qendrat kulturore nëpër gjithë qytetet e Kosovës, do të shërbejnë si hapësirë alternative për shfrytëzim nga trupa e aktorëve të TKK-së”.

Çeku, i cili po priste që të përgjigjej në pyetjet e debatin e shtruar nga bashkëbiseduesit e tjerë, tha se koncept-dokumenti si fazë e hartimeve ose akti tjetër i reformës ligjore, është analizë e gjendjes, vlerësim i nevojave, vlerësim nëse ligjet aktuale i plotësojnë nevojat që i ka secili sektorë.

“Mbi këtë analizë, nxirret edhe vlerësimi në qoftë se ka nevojë që të orientohet diku. Kur të miratohet koncept-dokumenti, kalon në fazën e hartimit të ligjit apo ligjeve të akteve të tjera nënligjore, të cilat nuk janë veç prej Ministrisë së Kulturës. Kjo reformë do të prekë edhe ligjet e të tjerëve, për të dhënë si pasqyrë të përgjithshme. Loncept-dokumenti, rekomandon për shembull një ligj unik, një ligj unik duhet të jetë një ligj minimalist. Unë e quaj “kushtetutë për kulturë”, jo detajet me u vendosë, jo ligje ku ti tregon se sa premiera duhet t’i ketë institucioni. Në fund vijmë në dilema se, 10 premiera në vit, nëse institucioni i jep 8 atëherë kush duhet të shkojë në burg që teatri i ka bërë vetëm 8? Ligji unik është i përgjithshëm, e jep një model të strukturës së institucionit publik, a do të ketë këshillë drejtues apo jo, a e emëron vetë ministri, a është konkurs publik që një komision i pavarur ia rekomandon tre emra ministrit, e pastaj ai e dërgon në qeveri dhe nënshkruhet kontrata nga kryeministri. Apo, një model tjetër; të gjitha këto detaje mund të vendosen në ligj. Por, dinamika caktohet më statutin e institucionit përkatës, teatri e ka statutin e vetë, nëse pas 10 vjete teatri ka nevoja të tjera, mund të ndryshojë statuti, e jo ligji. Ligji unik, aktet nënligjore, statutet dhe ligjet e aktet nënligjore të ministrive të tjera”, tha ai, duke vazhduar potencimin për rëndësinë e madhe që ka ligji unik për kulturës.

Sanaja thotë se në kinemanë “Jusuf Gërvalla” është një ndër hapësirat e vetme publike në Pejë ku mund të ndodhë aktivitete kulturore alternative, në të cilat mund të shfaqen filma nga e gjithë bota me tema të ndryshme, pa u cenuar liria e shprehjes apo e ngjajshme.

“Po besoj që duhet të njihet kjo pasuri që e kemi. Bashkarisht e kemi krijuar të gjithë, por në të njëjtën kohë të promovohet si një model i suksesshëm në bazë të së cilës mund të rritet kjo hapësirë kulturore, edhe në qytete të cilat mungon, por edhe në qytete ku veçse ka”.

Qasja e Ministrisë ndaj hapësirave alternative

Hapësirat alternative, të cilat mungojnë dhe shpëtimi i tyre është bërë falë angazhimit të një grupi të madh të organizatash, të cilat kanë ndikuar që hapësirat alternative të vazhdojnë si memorie alternative të vendit.

“Unë e shoh si një ligj me tre kapituj. Kapitulli i parë, institucionet publike, i dyti skena e pavarur dhe kapitulli i tretë duhet të jetë infrastruktura/hapësira kulturore”, thotë Çeku, ku sipas tij ky do të jetë në një lloj forme edhe ligji i ri i Kulturës, renditja e të cilave nuk është e planifikuar.

Murati shton tutje një kujtim të saj, i cili ishte si në formë të gabimit ose diçka e tillë, në procesin e blerjes së veprave të artit.

“Blerja e veprave të artit faktikisht e themelon një koleksion publik të artit dhe me themelimin e blerjen e veprave nuk është se veç blehen veprat, faktikisht ato duhet të menaxhohen, të bëhen të çasshme për publikun dhe është sikurse themelimi i një institucioni të ri. Pra, fillon të dokumentoht kultura materiale e një vendi, e në atë kulturë mund të jenë edhe veprat e artistëve më të vjetër, ata që s’janë më, atyre bashkëkohor, ka shumë elemente e qasje mbi të cilat mund të fillosh e ta bësh këtë koleksion. Kur t’i shohësh modelet e ndryshme, atëherë mund që të bëhen interpretime të ndryshme dhe angazhimi me veprat të vazhdojë. Për neve, pasi që e kemi analizuar e kemi parë që ka ndodhur një keqkuptim, në formën se si e kemi kuptuar edhe ringjalljen ekonomike dhe fondin emergjent”.

Tema më e diskutuar në Kosovë këtë muaj: SUNNYHILL

Nga publiku i pranishëm u hap edhe tema e shumë diskutuar në Kosovë, e cila është pikërisht e festivalit “Sunnyhill”, i cili sikurse në një dramë televizive fillimisht largohet nga Kosova, vetëm për t’u rikthyer pas disa ditësh përsëri.

Një nga të pranishmit, pyeti në qoftë se është vendosur diçka për lokacionin e ri dhe çfarë është diskutuar deri tani rreth Ministirsë, pra Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës me organizatorët e këtij festivali.

Çeku, shpjegoi se Qeveria ka dhënë versionin e saj, i cili ka të bëjë kryesisht me dhënien në ofrim të një hapësirë për shumë përdorime dhe atë hapësirë t’ia ofrojnë organizimeve si SunnyHill dhe të tjerëve gjatë gjithë vitin, natyrisht për ngjarje më të rëndësishme.

“Institucionet e shtetit, Qeveria bashkë me Komunën pra mund të investojnë në këtë hapësirë dhe ajo të jetë me një qasje më ekskluzive, por gjithsesi të jetë një investim i shtetit me një trupë menaxhuese që bisedon me të gjithë ata që mund të organizojnë ngjarje dhe aktivitete kulturore. Ky është versioni në të cilën beson qeveria. Nuk besojmë që i shërben asnjërit interes në publik, prandaj kemi kërkuar që çështjen me organizimin e SunnyHill të mos e ndërlidhim me çështjen e dhënien së hapësirës në shfrytëzim. Këtë e kemi lënë që ta diskutojmë edhe pak për zgjidhjen më të mirë. Jemi të gatshëm t’i shohim të gjitha modalitetet, për mua si një nga argumentet më të rëndësishme se ka qenë me rëndësi SunnyHill të organizohet në Kosovë është një lloj angazhimi i ynë për të sjellë ngjarje ndërkombëtare në Kosovë”.

Zhvillimi i përgjithshëm kulturor në Republikën e Kosovës, nga këndvështrimi historik ka shërbyer si një fushë me potencial vendimtar në zhvillimin e brendshëm shoqëror, rritjen e kohezionit social si dhe forcimin e elementeve të rëndësishme identitare të shoqërisë dhe të shtetit. Në rrethanat aktuale, Republika e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe shoqëria civile, konstatojnë domosdoshmërinë e formulimit të një kornize të re të politikave publike kulturore të cilat do të mundësojnë që kjo fushë e ndikimit të posaçëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike, të realizojë plotësisht potencialin e vet, thuhet nga MKRS-ja.

Koncept dokumenti për art dhe kulturë është i paraqitur në webfaqen e Ministrisë së Kulturës dhe është i qasshëm për të gjithë, ndërkohë pritja nga akterët e fushës së kulturës për një ligj unik, është e madhe. /KultPlus.com

Festivali “Anibar” udhëton në Beograd

Nesër nga ora 20:00-22:00, do të filloj Festivali i animacionit Anibar edhe në Beograd. Filmat që do të shfaqen: Regular (US), Shpija (Kosovo), Slouch (Germany), Goodbye Jérôme! (France), RIM (Not Specified), A Film About a Pudding (UK).

Festivali i Animacionit Anibar feston këtë vit edicionin e tij të 13-të, me temën “Besëtytnitë”. Numri 13 konsiderohet si një numër fati i keq, kështu që menduam se ishte një temë e përshtatshme për edicionin e këtij viti. Ndonëse disave besëtytnitë mund t’u duken të liga dhe të paarsyeshme, të tjerëve i konsiderojnë ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasigurinë dhe duken mjaft të rëndësishme nga ana kulturore. Dikush mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm që na afrojnë, por ato gjithashtu priren të na japin një arsye të paimagjinueshme ose një shpjegim se përse ndodhin gjërat. Ndonjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni.

Me një program të pasur prej më shumë se 300 shfaqjesh dhe seminare të ndryshme, prezantime dhe panele; Anibar ju mirëpret të gjithëve të na bashkoheni këtë verë nga data 13 deri më 19 korrik në qytetin e Pejës në Kosovë.

Anibar është një organizatë me seli në Pejë, Kosovë, e cila i është përkushtuar komunitetit të saj. Është një hapësirë ​​për ata që priren të mendojnë jashtë kutisë së përbërë nga një grup aktivistësh të pasionuar. Nëpërmjet animacioneve dhe ngjarjeve të rëndësishme sociale dhe kulturore ne synojmë të lidhim idetë dhe të provokojmë mendjet si dhe të frymëzojmë të tjerët./ KultPlus.com

Anibar on Tour ne 11 qytete

Sot fillon Anibar on Tour në Prishtinë,  në ora 20:30 në hapësirën Stereospace në Prishtinë, për të vazhduar më pas edhe në qytete tjera, shkruan KultPlus.

Anibar po shfaq filmat e tij të shkurtër në disa qytete të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Gjithashtu do të shpalosen më shumë informata rreth edicionit të 13-të ku temë janë besëtytnitë.

Për të hapur edicionin e 13-të, Anibar në bashkëpunim me organizata të ndryshme, ka filluar udhëtimin në këto qytete;

1. Prishtinë – Stereospace – 13.06.2022 – 20:30
2. Prishtinë – Dit’ e Nat’ – 15.06.2022 – 21:00
3. Prizren – Lumbardhi – 16.06.2022 – 21:00
4. Gjakovë – Ali Podrimja – 19.06.2022 – 21:00
5. Beograd – Kc Magacin – 21.06.2022 – 21:00
6. Beograd – Dc Krov – 22.06.2022 – 21:00
7. Prishtinë- Fondacioni 17 – 23.06.2022 – 20:00
8. Tetovë – Social Cultural Space – 25.06.2022 – 21:00
9. Mitrovicë – 7 Arte – 27.06.2022 – 21:00
10. Tiranë – Reja -29.06.2022 – 21:00
11. Tiranë – Destil Creative Hub – 30.06.2022 -21:00./ KultPlus.com

Prerja e thonjve natën, macja e zezë e shumë besëtytni tjera në edicionin e trembëdhjetë të Anibar

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka shpalosë datat e edicionit të trembëdhjetë, i cili do të mbahet nga 13 deri më 19 korrik, shkruan KultPlus.

Tema e Festivalit për këtë edicon janë bestytnitë, dhe organizatorët kanë lëshuar një komunikatë mbu këtë temë, që bestytnitë, sipas organizatorëve, njerëz të ndryshëm i përcjellin në shumë situata e momente.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Anibar

A i keni ra ndonjëherë gurit e drurit? A e ndërroni rrugën kur para këmbëve ju kapërcen maca e zezë? A ju qorton nëna, babai, gjyshja e gjyshi kur prisni thonjtë e këmbëve gjatë natës?

A besoni në të mbinatyrshmen? Mistikën? Mitet? Legjendat? Bestytnitë?

Nëpërmjet gjithë këtyre viteve të traditës janë përcjellur në gjenerata e gjenerata ushqimi, veshja, mentaliteti, gjuha dhe mbi të gjitha, bestytnitë, sado moderne janë bërë kohërat. Qoftë fat i mirë apo i keq, nëm apo heks, sehir, helm magjik dhe hajmali fatsjellëse, kjo frikë e pa arsyeshme e gazmore na ka ndjekur me shekuj të tërë.

Ndonëse për disa, bestytnitë mund të duken të liga e të pa arsyeshme, disa të tjerë i shohin ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasiguritë dhe duket se janë kulturalisht shumë të rëndësishme. Ndokush tjetër mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm se na afrojnë, por ato gjithashtu prirën të na japin arsye të paimagjinueshme ose shpjegime mbi atë se përse ndodhin disa gjëra. Nganjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni.

Trokitni tre herë në dru dhe tërhiqni veshin sepse si temë e këtij viti në Festivalin e Animacionit Anibar janë bestytnitë. Këtë vit, në qytetin mistik të Pejës, ne po mirëpresim besëtytnitë nga afër dhe larg për të bashkuar vende, komunitete, artistë dhe miq për të festuar besime të shumta. Ne po mblidhemi për të formuar një pikë qendrore për diversitetin, multikulturalizmin dhe për t’i lidhur të gjithë së bashku me temën tonë. Edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i Anibar fillon nga data 13 deri më 19 korrik. Numër ky që përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq por që pikëtakohet edhe me frikën, aq e rëndësishme sa për këtë punë një fobi e mban emrin e saj. Pavarësisht nëse jeni ose jo paraskevidekatriafobik, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë bestyte.

Anibar ka qenë gjithmonë për promovimin dhe festimin e unitetit, diversitetit dhe kulturës; qoftë përmes filmave të animuar, muzikës, seminareve dhe paneleve. Një pikë takimi për krijuesit në të gjithë botën për t’u rritur, për të shkëmbyer njohuri, për të pasur një hapësirë për t’u ndjerë rehat dhe më e rëndësishmja: për t’u argëtuar. Si komunitet, ju mirëpresim (edhe gjyshërit tuaj bestyt) që të bashkoheni me ne në këtë përpjekje të fatit që rrëfehet nga të gjitha skajet e botës.

Besoni apo jo te besëtytnitë, Anibar mirëpret ardhjen tuaj në qytetin e Pejës nga data 13 deri më 19 korrik!

Ejani dhe shikoni botën përmes një pasqyre të thyer./ KultPlus.com

“Hapësirat Kulturore të Kosovës” vizitë në Slloveni

Nga data 16 e deri më 22 maj është mbajtur vizita e dytë studimore në Slloveni në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Anibar, 7Arte, Lumbardhi dhe Pogon.

Në këtë vizitë nga Kosova kanë marrë pjesë menaxherë kulturor, përfaqësues të rrjeteve lokale dhe nacionale të kulturës, zyrtarë institucional që mbulojnë dikastere të kulturës, punëtor të ndryshëm kulturor, përfaqësues të mediumeve kulturore dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Nën emrin “Rrjetet e Qëndrueshme të Kulturës në Kosovë”, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që në Lubjanë, Koper dhe Maribor të vrojtojnë për së afërmi praktika të partneriteteve publiko-civile dhe të kuptojnë rolin e rrjeteve të kulturës në këto partneritete.

Ndër të tjera, ata kanë kuptuar detajisht mënyrat alternative të menaxhimit të infrastrukturës dhe hapësirave publike, sikundër që janë informuar hollësisht me programet këtyre hapësirave dhe rrjeteve të kulturës. Përgjatë vizitës pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë rreth punës së punëtorëve kulturor, organizatave dhe kolektiveve të kulturës përgjatë viteve.

Theks i veçantë është vendosur edhe mbi ndikimet e efektshme të rrjeteve të kulturës në avokimin e të rinjve për përfshirje dhe për politika më të favorshme kulturore. Në fund, pjesëmarrësit kanë parë perspektiva të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të kulturës, por edhe forma të ndryshme të përdorimit të rrjeteve sociale në informimin, zhvillimin dhe krijimin e audiencave.

Në Lubjanë, Maribor dhe Koper janë vizituar hapësirat, institucionet, organizatat dhe festivalet: Asociacija, Metelkova, Glej Theater, City of Women, GT22, Pekarna Magdalenske Mreže, StopTrik, Vetrinjski Dvor, Elektrarna, Zavod Bunker, Kino Šiška, PiNA, Španski Borci, Kibla, Zavod Mars dhe Dance Theater Lubjana. Prezentimet janë realizuar nga: Inga Remeta, Miha Satler, Tjaša Puereber, Poček Barbara, Urška Jež, Zoran Petrovič, Miha Sonda, Mojca Jug, Simon Kardum, Borut Jerman, Iztok Kovač, Hana Repše, Miha Horvat, Urška Breznik, Marko Brumen, Živa Kleindienst, Peter Tomaž Dobrila dhe Katja Somrak, ndërsa janë zhvilluar dhjetëra vizita të ndara në hapësira e institucione tjera kulturore.

Ekipi i CSoK është jashtëzakonisht falënderues ndaj Presidentës së Asociacija, Inga Remeta, për koordinimin, krijimin e programve dhe ndihmën e madhe në realizimin e kësaj vizite studimore. Po ashtu, falënderojmë edhe Komunën e Pejës që ka bashkë-financuar këtë ngjarje.

Kjo është vizita e fundit studimore (pas asaj në Kroaci) në kuadër të projektit të sipërpërmendur. Si përfundim, falënderojmë edhe Ambasadorin e Kosovës në Slloveni, z. Valdet Sadiku, për ftesën dhe pritjen që e ka bërë, por edhe për artistët, shoqatat e organizatat e ndryshme që kanë shprehur dëshirë për të na takuar.

Kjo vizitë studimore u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Komunës së Pejës, në kuadër të projektit “Partneriteti publiko-civil për qeverisje inovative të infrastrukturës publike” i zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. /KultPlus.com

Përmbajtja e kësaj vizite është përgjegjësi e organizatorëve dhe nuk i paraqet domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Grupi Gillespie vjen me koncert të premten në Pejë

Grupi  Gillespie të premten do të mbajë koncert në hapësirat e kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë, përcjell KultPlus.

Ky koncert është organizuar nga Anibar në kuadër të projektit Rietësimi i Kulturës në Pejë.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Anibar:

Anibar në kuadër të projektit Rrijetësimi i Kulturës në Pejë, ka nderin të ju ftoj në koncertin e grupit Gillespie këtë të premte duke filluar nga ora 20:00 në hapësirat e Kinema Jusuf Gërvalla.

Ju mirëpresim!

Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)./ KultPlus.com

Publikohet hulumtimi “Hapësirat Kulturore të Kosovës”

Anibar, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, i pëkrahur nga Bashkimi Evropian, ka njoftuar për publikimin e hulumtimit të tye më të ri “Hapësirat Kulturore të Kosovës” nga Rudina Hasimja, përcjell KultPlus.

Qëllimi i këtij punimi është të bashkohet literatura që në të kaluarën ka qenë shumë e shpërndarë dhe të lidhen bisedat rreth kulturës, artit dhe hapësirës publike. Kështu, po propozohet një kornizë për analizë më të thellë të pengesave me të cilat ballafaqohen këto hapësira dhe çfarë ndikimi kanë ato në qeverisjen e infrastrukturës publike dhe në qasjen e barabartë në kulturë. 

Në fund, Anibar synon të ngritë vetëdijen rreth vështirësive të organizatave të pavarura kulturore dhe nisjen e bisedave rreth modeleve të ndryshme të qeverisjes që mundësojnë më shumë pjesëmarrje dhe llogaridhënie publike. 

Për më shumë informata rreth hulumtimit klikoni në linkun e bashkëngjitur më poshtë.

https://www.culturalspacekosova.org/research/51/culture-spaces-kosovo / KultPlus.com

Rikthehet seria e koncerteve ‘Peja Jazz’, vazhdon promovimi i këtij zhanri

“Anibar” dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” këtë dhjetor po e vazhdojnë organizimin e “Peja Jazz” – serisë së koncerteve që lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithandej globit.

Një vit më vonë “Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar qëllimin e promovimit të muzikës jazz dhe shndërrimin e qytetit të Pejës në stacion për adhurues të këtij zhanri. 

Programi i sivjetmë është shtrirë përtej rajonit duke sjellë para publikut bandeonistin italian, Daniele di Bonaventura, një muzikant i jashtëzakonshëm, shoqëruar nga miku i tij prej 30 vjetësh, kitaristi Roberto Zechini. 

Publiku do ta prekë nga afër edhe performancën e “AJS Quartet” nga Tirana, me Gent Rushi, Ermal Rodi, Emilijan Dhimo dhe Roni Gjura. “AJS Quartet” tash dhjetë vjet, përveçse njihet si grupi më i suksesshëm i xhaz-skenës shqiptare, është edhe avokues i xhazit bashkëkohor ballkanik. 

Rrugëtimi i sivjetmë do të përmbyllet me kitaristin shkodran Kejdi Barbullushi, student në Vjenë dhe një nga muzikantët e dalluar të gjeneratës së re të muzikantëve shqiptarë. Në “Peja Jazz” vjen me formacionin e tij të themeluar së voni, bashkë me dy multiinstrumentistë të xhaz-skenës kosovare: Visar Kuçi dhe Enes Beu.

Programi “Matinée” sivjet zëvendësohet me “MirëmënJAZZ”, si thirrje për t’i kaluar mëngjeset së bashku duke risjellë fonotekën e “Peja Jazz” dhe jo vetëm.

Ju mirëpresim nga 15 deri më 17 dhjetor në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”. 

Ky edicion i “Peja Jazz” është kuruar nga Dardan Selimaj. /KultPlus.com

Së shpejti nis konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë”

Konferenca “Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë” do të mbahet më 13 dhe 14 dhjetor në hapësirat e Kinema “Jusuf Gërvalla”.

E organizuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, kjo konferencë avokon për forma të reja dhe efektive të partneritetit dhe bashkëpunimit publiko-civil, duke inicuar një diskutim dhe duke vendosur një plan për përpjekjet e ardhshme të rrjeteve të organizatatave kulturore, komuniteteve artistike dhe autoriteteve publike. 

Konferenca është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7 Arte, dhe Pogon.

Përmbajtja e kësaj konference është përgjegjësia e Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e Bashkimit Europian.

Pjesë e konferencës do të jenë edhe këto panele:

Paneli I: “Mbështetje e Qëndrueshme Publike për Skenën e Pavarur Kulturore”

Paneli II: “Qeverisja e Infrastrukturës Publike”

Panel III:  “Rrjetet e Kulturës”

Ndër të tjera, do të mbahen dy sesione pune që do të trajtojnë hapësirat kulturore dhe financim publik të tyre dhe rrjetëzimin e bashkëpunimin kulturor. Në kuadër të konferencës, janë paraparë dy vizita në dy objekte me potencial të shndërrimit në hapësira kulturore: “Domi Ramiz Sadiku” dhe “Kulla e Ministerit”.

Konferenca do të jetë e mundur në tri gjuhë (me përkthim simultant) ndërsa pjesëmarrësit do të jenë nga i gjithë rajoni. / KultPlus.com

Anibar me ekspozitë kushtuar historisë së kinemasë “Jusuf Gërvalla”

Anibar nga e premtja e kaluar(5 nëntor) ka hapur për publikun ekspozitën e historisë së gjatë të kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë.

Përmes një njoftimi, Anibar bën të ditur se të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë ekspozitën, janë të mirëpritur nga dita e hënë deri të premten, me fillim nga ora 11:00 deri në 17:00.

Gjithashtu, mësohet se kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 15 prill 2022.

Në ekspozitë do të shfaqen pajisjet dhe përdorëset nga arkivi i kinemasë, si posterët dhe projektorët e filmave, por gjithashtu do të shfaqen katër vepra të reja arti të prodhuara nga artistët e rinj të cilëve iu dha mundësia për ta shprehur talentin, artin dhe kreativitetin e tyre përmes kinemasë si burim të frymëzimit.

Artistët e përzgjedhur që do të shfaqin veprat e tyre janë Liberta Shtimjani, Mirjeta Qehaja, Adnan Kryeziu dhe Eliza Shala./KultPlus.com

‘Anibar’ organizon festivalin një ditor në kuadër të Ditës së Animacionit

28 Tetori është Dita Ndërkombëtare e Animacionit. Kështu Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, ‘Anibar’ po e feston këtë rast të veçantë me një mini-festival një ditor që do të mbahet në në Kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë, përcjell KultPlus.

Në datën 28 tetor Anibar do të shfaq dy programe të animacionit.

Në orën 12:00 do të fillojnë me programin për fëmijë, një program që përmban një përzgjedhje të filmave të shkurtër të animuar të kuruar në kuadër të programit për fëmijë të edicionit të 12-të. Në orën 18:00 festivali vazhdon me programin për të rriturit ku gjithashtu, do të jenë të shfaqur filma të animuar nga edicioni i 12-të i këtij festivali.

”Përveç shfaqjes së filmave ju mund të shijoni edhe një eksperiencë VR e cila do të jetë e vendosur në korridoret e Kinemasë Jusuf Gërvalla. Aktiviteti do të jetë i hapur për fëmijë dhe për të rritur. Mund edhe të vet-edukoheni rreth historisë dhe evolucionit të animacionit, përmes videove të cilat do të shfaqen gjatë tërë ditës. Duke filluar nga ora 19:30 do të kemi edhe një natë muzikore për të shënuar përfundimin e ngjarjes. Ejani dhe festoni Ditën Ndërkombëtare të Animacionit me Festivalin e Animacionit Anibar në Pejë!’‘, njoftohet tutje në komunikatën për media. / KultPlus.com

Akademia e Animacionit Anibar hap thirrjen për aplikim për gjeneraten e pestë

Akademia e Animacionit Anibar ka njoftuar se ka hapur thirrjen për aplikim për gjeneraten e pestë.

Akademia e Animacionit ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit. Ky program shërben si program ekstra kurrikular për të interesuarit në animacion në Qytetin e Prishtinës dhe Pejës.

Programi do të zgjatë 6 muaj, përderisa studentët do të mësojnë gjashtë komponente të animacionit, duke përfshirë këtu:

Tregimi i animuar, Dizajni i animacionit, Parimet e animacionit, Bazat e Softuareve, Montimi dhe Editim i Zërit.

Për të aplikuar duhet dërguar një tregim me 5 ose më shumë vizatime (në formë të storyboard) në [email protected] si dhe porfolion me subjekt Aplikim për Akademinë e Animacionit.

Gjithashtu duhet të plotësohet forma në vegëzën e mëposhtme! https://forms.gle/9ZpgWKYsUabpjQPY6

Thirrja mbyllet me 15 Tetor 2021, në ora 00:00, ndërkaq aplikantët duhet të jenë së paku 16 vjeç. / KultPlus.com

Thirrje e hapur për ilustrues për librin me ilustrime ‘Kinemaja Jusuf Gërvalla’

Anibar-i po kërkon artistë dhe/ose dizajnerë për projektin “Trashëgimia kulturore si formë arti– Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë”, ku planifikohet të dizajnohet një libër me ilustrime i cili e ilustron historinë e gjatë dhe pasurinë e Kinemasë ”Jusuf Gërvalla” ndër vite.

Për ta bërë këtë, ”Anibar” po kërkon një ilustrues, artist dhe/ose dizajner grafik i cili do të jetë në gjendje ta dizajnojë dhe ilustrojë këtë libër.
Synimi i “Trashëgimisë kulturore si formë arti”: Projekti i Anibar-it ”

Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë” shërben për ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e hapësirave të trashëgimisë kulturore vendore, si Kinemaja Jusuf Gërvalla dhe hapësirave të tjera të rëndësishme historike në Pejë, për komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë. Përmes aktiviteteve artistike dhe programeve edukative, projekti synon ta rrisë dukshmërinë e hapësirave të trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës përmes intervenimeve artistike dhe edukimit duke i angazhuar të rinjtë dhe fëmijët me prejardhje të ndryshme etnike që jetojnë në këtë rajon.

Projekti “Trashëgimia kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë” është pjesë e grantit financiar të projektit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezioni social” që zbatohet nga UNDP në Kosovë dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP).

Qëllimi i Librit me Ilustrime për “Kinemanë Jusuf Gërvalla”: Në kuadër të “Trashëgimisë kulturore si formë arti – Promovimi i trashëgimisë kulturore në Pejë”, në Kinemanë Jusuf Gërvalla do të zhvillohen disa aktivitete dhe intervenime, por edhe në hapësira të tjera të trashëgimisë kulturore.

”Së pari, ne do ta organizojmë Ekspozitën e Trashëgimisë së Kinemasë & Promovimin e Veprave të Artit, që është një koleksion i artikujve nga arkivi i kinemasë dhe veprave origjinale të artit të përzgjedhura përmes thirrjes së hapur. Së dyti, si pjesë e aktivitetit të Vizitës Studimore, nxënësit do ta vizitojnë kinemanë në një vizitë me një udhëzues që do t’u flasë për historinë e kinemasë dhe ekspozitës. Deri në fund të vizitës, Anibar do të shpërndajë libra me ilustrime për këta fëmijë, për ta bërë përvojën e tyre edhe më mbresëlënëse dhe edukative. Libri do t’i shpërndahet rreth 1500 fëmijëve përmes aktiviteteve të ndryshme të projektit dhe komunikimit me ta”, thuhet në komunikatën për media.

Përmbajtja dhe forma e librit me ilustrime:

Libri i Ngjyrosjes “Kinema Jusuf Gërvalla” duhet t’i ketë gjithsej 13 – 14 faqe, duke përfshirë kopertina të forta me një dizajn dhe emër interesant. Duhet t’i përmbajë dhjetë (10) faqe me ilustrime origjinale që paraqesin historinë dhe pasurinë e kinemasë, tri (3) faqe tekst mbi kinemanë (përgatitur dhe redaktuar nga Anibar), faqen hyrëse, faqen e fundit dhe kopertina të forta me ilustrime.

Roli dhe detyra e artistëve të përzgjedhur do të jetë e dyfishtë: i) ai/ajo do të duhet të krijojë/dizajnojë dhjetë (10) faqe origjinale me ilustrime të librit bazuar në historinë e kinemasë dhe ii) ai/ajo do të duhet t’i bashkojë të gjitha këto dhjetë (10) faqe, përfshirë faqet shtesë me tekst të shkruar (përgatitur nga Anibar) në një (1) libër me ilustrime. Artisti apo artistja e përzgjedhur do të punojë ngushtë me Anibar-in për ta krijuar versionin përfundimtar të librit me ilustrime, siç u përmend më lart.

Artisti ose artistja e përzgjedhur është përgjegjës për krijimin/ilustrimin dhe bashkimin e librit, ndërsa Anibar-i është përgjegjës për përmbajtjen, tekstin (në gjuhët zyrtare shqip dhe serbisht, përfshirë anglishten) dhe aspektet e dukshmërisë dhe rezultatin përfundimtar të projektit.

Kush mund të aplikojë:

Çdokush që ka aftësi për të krijuar një libër me ilustrime: artistë, ilustrues, dizajnerë grafikë, etj .; pavarësisht moshës së tyre.
Çdokush që ka mënyra dhe modele inovative për t’i bërë librat me ilustrime sa më të përshtatshëm dhe argëtues për fëmijët pas përvojës së tyre në vizitën një (1) ditore;
Ne i inkurajojmë fuqishëm minoritetet dhe personat nga komunitetet joshqiptare që të aplikojnë gjithashtu, me fokus tek komuniteti boshnjak, serb, turk, ashkali, egjiptian, goran dhe rom.

Për të aplikuar, ju lutemi dërgoni një email në [email protected], duke përdorur temën ‘Aplikacioni – Libri me ilustrime “Kinemaja Jusuf Gërvalla”.
Në email, ju lutemi përfshini një prezantim të shkurtër ku tregoni se kush jeni, si dhe portofolion tuaj.
Në rast se tashmë keni ide rreth faqeve me ilustrime dhe formës, ju lutemi përfshini edhe ato.
Për frymëzim, ju rekomandojmë ta lexoni botimin “Një histori e shkurtër e kinemasë Jusuf Gervalla”
në linkun: https://anyflip.com/xjjai/ozsh, ta shikoni këtë tur virtual të posterave të filmit ose ta vizitoni kinemanë: https://anibar.org/ekspozita/.

Afati i fundit për aplikim është: 27 gusht 2021

Procesi i përzgjedhjes: pas datës së mbylljes së thirrjes, OJQ Anibar do t’i vlerësojë dhe zgjedhë tri idetë (aplikacionet) më të mira të cilat përshtaten me kërkesat e kësaj thirrje dhe që e portretizojnë më së miri qëllimin e kësaj Thirrje të Hapur dhe kërkesat e këtij aplikacioni si dhe historinë dhe rëndësinë e Kinemasë Jusuf Gërvalla. Rezultatet e përzgjedhjes do të shpallen deri më 31 gusht 2021.

Informacione të tjera të rëndësishme: ju lutemi vini re se për idenë/aplikacionin e përzgjedhur do të paguhet kompensim gjatë zbatimit të projektit/idesë. Ju lutemi vini re se nëse ideja/aplikacioni juaj përzgjedhet, do të duhet të jeni në dispozicion në fillim të shtatorit 2021 për angazhim me Anibar-in. / KultPlus.com

Përfundon festivali ‘Anibar’, shpallen fituesit e edicionit të sivjetëm

Dje me 30.07.2021 u mbajt ceremonia e mbylljes së edicionit të 12-të të festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar.

Në këtë ceremoni njëherit u bënë të ditur edhe filmat fitues, të cilët i gjeni më poshtë.

LISTA E FITUESVE

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar shpalli fituesit e edicionit të 12-të. Tri juritë tona zgjodhën fituesit e gjashtë kategorive: The International Competition, Student Competition, Balkan Competition, Animated Music Video Competition, Feature Film Competition, dhe Human Rights Competition.

Pas një jave të ngarkuar me shfaqjen e filmave nga kategoritë garuese & jo-garuese, panelet, prezantimet dhe punëtoritë, edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar përfundoi të premten në mbrëmje. Ne e përmbyllëm festivalin me ceremoninë e mbylljes tek Kino “Liqeni”, ku u shfaqën fituesit nga gjashtë kategoritë garuese.

Kategoritë garuese të festivalit u vlerësuan nga tri juri të ndryshme. Grand Jury (Fabian Driehorst, Joni Männistö, Lori Malépart-Traversy, Mauro Carraro, Yvonne van Ulden) zgjodhi fituesit e International Competition dhe të Feature Film Competition. Student Jury (Blend Leci, Lisjan Bajri, Lorna Çekixhi, Nora Jusufi, Driton Goleshi, me ndihmën e mësueses Sarah Lugthart) vlerësuan Student Competition dhe Balkan Competition. Dhe juria jonë e tretë, e cila përbëhet nga Alban Nimani,

Ana Nedeljkovic dhe Paola Orlic, zgjodhën fituesit e Animated Music Video Competition dhe të Human Rights Competition.

Këta janë fituesit e kategorive garuese dhe komentet e jurisë mbi përzgjedhjen e tyre:

International Competition

“Souvenir Souvenir” e Bastien Dubois nga Franca, ishte filmi fitues i kësaj kategorie. Filmi ka të bëjë me suveniret algjeriane të luftës, të gjyshit të autorit.

“Filmi ishte i kompletuar. Ai është treguar me zgjuarsi me “meta-layers” që me të vërtetë kontribuojnë në mesazhin e historisë. Ka një strukturë të fortë dramaturgjike, ritëm të mirë, është i animuar mirë dhe stilet e zgjedhura rrisin ndikimin. Ai trajton temën e ashpër të kolonializmit nga ana e krimit në një mënyrë të nuancuar, të dhembshur dhe të sinqertë që nuk mbyll derën, por e hap atë për diskutim. Ai shkon përtej historisë së veçantë franceze dhe është i njohur dhe i rëndësishëm për shumë njerëz në vendet e Evropës Perëndimore.”

Një vlerësim i veçantë shkon për “My Galactic Twin Galaction”, më regji të Sasha Svirsky i prodhuar nga Alexander Gersimov. Një film nga Federata Ruse, ku e mira dhe e keqja, utopia dhe distopia, ndeshen në një betejë vdekjeprurëse.

“Një film që është fantastik në formën e tij dhe vërtet qesharak. Animacioni eksperimental nuk mund të bëhet më qesharak se kaq.”

Student Competition

Fitues i Student Competition u zgjodh “Butterfly Jam”, një film nga Franca, me regji të Shih-Yen HUANG. Ky film flet për një grua të re, e cila përshkruan babain e saj dhe raportin e tij me kafshët e shumta shtëpiake, për të cilat ai nuk mund të kujdeset.

“Një histori e bukur dhe e pazakontë e treguar në një mënyrë të bukur dhe të pazakontë. Vizualizimi i dhimbjes është shpesh një gjë e vështirë për tu bërë, por ta bësh atë pa përdorimin e personazheve është edhe më mbresëlënëse. Ky film përcjell ndjenjat e apatisë dhe neglizhencës në një

mënyrë kaq të rrjedhshme dhe hipnotike sa që ju lë me një ndjenjë të thellë trishtimi dhe pas filmit, që është arsyeja pse fituesi është Butterfly Jam nga Shih-Yen Huang “

Një vlerësim i veçantë shkon për “Coffin” të Yuanqing Cai, Nathan Crabot, Houzhi Huang, Mikolaj Janiw, Mandimby Lebon, dhe Théo Tran Ngoc.

“Për një përshkrim mahnitës të ndjenjës së parehatisë në një qytet shumë të populluar me një qasje vizuale që është e pamundur të mos bashkëndjeni, vlerësim i veçantë për Student Competition shkon për “Coffin” nga Yuanqing Cai CAI, Nathan Crabot CRABOT, Houzhi Huang HUANG , Mikolaj Janiw, Mandimby Lebon, Théo Tran Ngoc.”

Balkan Competition

“Those who drown cling to foam” është fituesi i Balkan Competition. Një film kosovar që shfaq sfidat e përditshme të gruas për ushqim dhe mbijetesë në kohën e luftës. Regjisore dhe shkrimtare e filmit ishte Urtina Hoxha, Eremirë Krasniqi ishte shkrimtare, kurse filmi u prodhua nga CHWB Kosova.

“Ky film kap ndjenjën e frikës që shumë njerëz e kaluan shumë bindshëm me mjete minimale. Thjeshtësia e stilit të artit me të vërtetë të lejon të fokusohesh në historinë dhe rritë ndikimin emocional. Duke treguar këtë histori përmes syve të një nëne, me një instinkt të fortë mbijetese, ju bën të lidheni me situatën stresuese që njerëzit ishin. Fituesi është ” Those who drown cling to foam” nga Urtina Hoxha. “

Një vlerësim i veçantë shkon për “Elusiveness”, një film serb i drejtuar nga Marija Vulic, i shkruar nga Isidora Vulic, dhe prodhuar nga JaFilm Jagodina. “Elusiveness” bazohet në një tregim popullor serb dhe tregon historinë e një vajzeje me origjinë dhe bukuri të veçantë.

“Në vlerësim të dizajnit, animacionit dhe mjeshtërisë së bukur të këtij filmi, vlerësimi i veçantë për Balkan Competition të këtij viti shkon për ” Elusiveness” nga Isidora Vulic.”

Animated Music Video Competition

Fituesi i Animated Music Video Competition është ” A little too much”, një video muzikore amerikane që shfaq një grua në një hapësirë imagjinare, e cila çliron veten dhe kapërcen frikën nga madhështia e vetvetes. Ky film drejtohet dhe shkruhet nga Martina Scarpelli.

“Animacion 2D bardhë e zi i ekzekutuar bukur që na jep një udhëtim frymëzues në botën e brendshme të një gruaje. Të jesh një, do të thotë të jetosh në një ritëm të vazhdueshëm të të gjitha llojeve të emocioneve nga të qenit e patrembur, e guximshme, dhe e bukur deri në të qenit e brishtë, e pasigurt, e mjerë dhe plot frikë. Por, mesazhi kryesor i dhënë është më se i qartë: pranimi i butë i të gjitha atyre emocioneve, veçanërisht lidhur me pasiguritë në lidhje me objektivizimin e trupit të saj si një e drejtë thelbësore për të qenë dhe për tu ndjerë e lirë si grua.”

Një vlerësim i veçantë shkon për “Kona” nga Shpat Morina.

“Kona është një animacion konceptual me një ilustrim të vrazhdë të zakoneve të vështira tradicionale shqiptare që i trajtojnë gratë shumë ashpër dhe që fatkeqësisht ende zbatohen jo vetëm në rajone të ndryshme të Kosovës, por edhe në të gjithë botën. Meriton çmimin për vlerësim të veçantë dhe ne i bashkohemi plotësisht thirrjes për çdo vajzë dhe grua të re që të ngrihen kundër keqtrajtimit.”

Feature Film Competition

“Kill it and leave this town” është fituesi i Feature Film Competition. Është një film polak, i drejtuar nga Mariusz Wilczynsk dhe prodhuar nga Bombonierka. Filmi flet për dikë që fshihet në një vend të sigurt kujtimesh, ku koha nuk lëvizë dhe të gjithë të dashurit e tij janë gjallë.

The Grand Jury e kategorizon këtë film si “Një perlë e stilizuar ashpër që zuri jurinë në befasi dhe i preku ata në një nivel emocional. Ky film është brutalisht i sinqertë dhe i dëlirë. Nuk ndalet nga turpi, ai merret me marrëdhëniet njerëzore në shumë nivele. Një film me muzikë të bukur, dialog të shkruar mirë dhe humor të mprehtë.”

Human Rights Competition

Fitues i kësaj kategorie është një film spanjoll i quajtur “Where were you?”. Skenari dhe regjia u realizuan nga María Trénor CoIomer, dhe u prodhua nga Francesc Garcia Donet dhe Francesc Picó. Tema e filmit është dhuna ndaj grave, dhe tregon përvoja nga vende të ndryshme në gjuhë të ndryshme.

Juria zgjodhi këtë film si fitues sepse: “Filmi tregon potencialin e fortë të animacionit për të diskutuar çështje të rëndësishme shoqërore dhe politike. Ai diskuton temën që është me rëndësi thelbësore në ditët e sotme dhe ndihmon që zërat e guximshëm të femrave të dëgjohen duke na treguar historitë e tyre të vërteta mbi dhunën.”

Një vlerësim i veçantë shkon për “We have one Heart” nga Katarzyna Warzecha. Një film polak që flet për një djalë që merr vesh për babanë e tij të cilin ai nuk e ka njohur kurrë, përmes disa letrave që prindërit e tij shkëmbyen vite më parë.

Sipas jurisë ky film është “Një kombinim i suksesshëm i qasjeve të animacionit dhe dokumentarit, bazuar në ngjarje të vërteta, një film që është në të njëjtën kohë personal dhe politik, na tregon një histori të rëndësishme për dashurinë dhe mënyrat për të kaluar kufijtë.” / KultPlus.com

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling mbajti një prezantim sot në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling ka mbajtur një prezantim sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër te Festivalit të Filmit të Animuar Anibar, përcjellë KultPlus.

Brooke Keesling tregoi për përvojën e saj gjatë kohës kur punoi për kompani si ‘Cartoon Network’, ‘Disney dhe Warner Bros’, ku edhe ka qenë e përfshirë në disa filma si: “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”.

Ajo vazhdoi duke treguar për punën e saj në Bento Box Entertainment, shtëpia e “Bob’s Burgers” dhe “Central Park”.

Pos këtyre, Keesling ndau me publikun fakte interesante rreth filmit të saj të parë të animuar, “Boobie Girl”, i cili ka fituar çmimet Oscar dhe Emmy në vitin 2005.

Ajo ka një përvojë të gjatë pune në nivelet më të larta të industrisë së animacionit dhe në detaje tregoi pikërisht për këtë.

Në fund, ajo pranoi edhe pyetje nga publiku ku tregoi për mundësitë e shumta në industrinë e animacionit, duke ju dhënë këshilla animatorëve të rinj të cilët janë të interesuar të kenë një karrierë në fushën e animacionit. / KultPlus.com

Përfundon dita e katërt e festivalit ‘Anibar’, ndalohen aktivitetet muzikore në solidarizim të viktimave në Kroaci

E hëna ishte mjaft intensive, njerëzit po vraponin nëpër kinematë e qytetit ku po mbaheshin shfaqjet e filmave, prezantimet, panelet dhe punëtoritë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ”Anibar”, përcjell KultPlus.

Sot u zhvilluan katër punëtori. Në ora 10:00 u mbajt punëtoria “Confessions of Isolation” tek shkolla “Halil Kasapolli”, ku pjesëmarrësit patën rastin të dëgjonin histori dhe të ndanin përvojat e tyre të izolimit. Në të njëjtin vend, Joan Kamberaj udhëhoqi punëtorinë me titullin “One frame a time”. Një punëtori tjetër që është pjesë e këtij edicioni është “From one generation to the next”, që u mbajt tek Qendra Rinore. Fëmijët e grup moshave të ndryshme morën pjesë duke vrapuar e vizatuar, e kryesorja duke u shoqëruar me njëri-tjetrin.

Punëtoria tjetër është “BARMOTION” e drejtuar nga Gary Schwartz, ku të rinjtë vazhduan të mësonin mbi procesin e krijimit të filmave të animuar. Përvojat e fëmijëve këtu kanë qenë të jashtëzakonshme.

Takimi ditor “Coffee and Talks”, u mbajt tek lokali Exit. Këto takime janë mjaft emocionuese, pasi që pjesëmarrësit kanë rastin të takohen dhe të ndajnë përvojat e tyre, një mundësi e mirë për t’u njoftuar me animatorët profesional që kemi në edicionin e këtij viti të festivali.

Pastaj, audienca u mblodh tek Teatri “Istref Begolli”, për të shikuar filmat “Kona”, “Where Were You”, “niet thuis”, “Afloat”, “Yuluu”, “Not for money, not for love, not for nothing”, and “Llaves (Keys)”, që janë pjesë e Human Rights Competition 3.

Kjo u pasua nga Feature Film Competition tek Kinema “Jusuf Gërvalla”. Filmi i përzgjedhur për ditën e sotme ishte “Up We Soar”, i cili u shfaq në ora 16:00.

Me radhë në program ishte paneli “Haven’t we noticed”, i udhëhequr nga Bekim Sele dhe Lum Çitaku. Panelistët ndanë mendimet e tyre mbi lidhjen mes kreativitetit dhe diturisë. Ata theksuan potencialin që ka rinia në fushën e kreativitetit dhe lirisë së shprehjes. Sipas tyre, qëllimi kryesor i kreativitetit është çizolimi i vetes, dhe fitimi i një perspektive të re për të shikuar atë që na rrethon.

Tek Kino “Liqeni”, u vazhdua pastaj me shfaqjen e filmave të International Competition 3. Kjo kategori garuese përmban punime nga animatorë ndërkombëtarë, të cilët e kanë sjellë artin e tyre tek rinia kosovare, përmes tregimeve të ndryshme në formën e filmave të animuar.

Dita përfundoi me shfaqjen e Student Competition 3, tek Kino Kubat në ora 22:00. Filmat e shfaqur ishin “Red Shoes”, “Afloat”, “Portrait of a woman”, “Bus Line”, “CHRONIQUE”, “The Edge”, “Incognito”, “Inside” dhe “Ciervo”.

Si rezultat i aksidentit tragjik që ka ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë, ”Anibar” ka anuluar të gjitha aktivitetet muzikore të së hënës. / KultPlus.com

Përfundon dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’

Dje ka përfunduar dita e tretë e festivalit Anibar. Aktiviteti i parë ishte “Coffe and Talks”, i cili i mundësoi të pranishmëve takimin me, jurinë, animatorë si dhe Ambasadoren Holandeze Carin Lobbezzo të cilët diskutuan mbi krijimet e tyre dhe animacionin në tërësi.

Dita vazhdoi në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” ku në ora 12:00 u shfaq prezantimi “A journey of a clitoris across the world” nga Lori Malépart-Traversy Ajo tregoi për fillimet e karrierës së saj si animatore dhe shpjegoi në detaje projektin e saj, i cili prek temën e ndjesisë femërore, më saktësisht masturbimit femëror, me një fokus të veçantë në ngacmimin seksual dhe tabutë që e rrethojnë këtë temë. Një prezantim i cili si mesazh kryesor e ka vazhdimin e thyerjes së tabuve.

Gjatë ditës vazhdoi edhe shfaqja e pjesës së dytë të filmave brenda kategorisë “Kids Program”. Filmat u shfaqën në teatrin “Istref Begolli” duke filluar nga ora 12:00. “The 7 Kids”, “The Alien Nightmare”, “Children of Gainmore Hoë They Found It”, “My Tagalong” dhe “A stone in the shoe” ishin disa nga filmat të cilët audienca pati rastin t’i përcjellë gjatë ditës.

Ndërsa në kategorinë “Human Rights Competition 1” e mbajtur në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, u shfaqën këta filma: “Human Rights”: “Mild Madness, Lasting Lunacy”, “Niet Thuis”, “In Nature”, “De Berde”, “Flowing Home”, “Las Mariposas: How three sisters defied a dictator”.

Filmi i dytë i metrazhit të gjatë i cili ishte pjesë e aktiviteteve të përgatitura për ditën e diel “The Nose of The Conspiracy of Mavericks” u shfaq në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Filmi paraqet aventurat e hundës, përderisa kjo e fundit humb dhe fillon një jetë të re. Tregim mjaft komik i cili u mirëprit nga publiku.

Në vazhdim u mbajt paneli “Reviving llullabies through animation/Rijetësimi i ninullave me animacion”, në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Ky panel solli temën e “Ninullës N” si një variacion folklori për kohët moderne. Folës të panelit ishin Besa Berberi, Dardan Selimaj, Shpend Kadaj dhe Mentor Berisha.

Kurse pjesa e dytë e filmave në kategorinë garuese “Student Competition” u shfaq për të gjithë të pranishmit në Kino Liqeni. Kjo kategori përmban në vete punime nga studentë të animacionit nga e mbarë bota. Titujt e filmave që u shfaqën janë: “Diminuendo”, “Butterfly Jam”, “The Midnight Sun”, “Favorite Daughter”, “Papa Zaza”, “Eating in the Dark” dhe “Mom’s Hair”.

Nga ora 22:00 vazhdoi shfaqja e filmave së kategorisë garuese “International Competition” duke shfaqur filmat: “Souvenir Souvenir”, “Not for money, not for love, not for nothing”, “Self Scratch”, “MOM”, “Boobs”, “All Her Dying Lovers”.

Aktiviteti i fundit i ditës u shënua me një performancë të bendit ZWADA në hapësirën e liqenit në orën 23:00.

Jemi shumë të lumtur me numrin e madh të pjesëmarrësve për edicionin e 12-të të festivalit të filmit të animuar Anibar dhe i mirëpresim të gjithë të interesuarit të na bashkëngjiten në ditët në vijim.

Për t’u informuar mbi të gjitha lajmet e reja vizitoni webfaqen tonë www.anibar.org / KultPlus.com

Festivali i Filmit të Animuar ‘Anibar’ ka publikuar panelet e edicionit të sivjetëm

Në kuadër të edicionit të sivjetëm, Festivali i Filmit të Animuar Anibar prezanton 6 panelet e tij të cilat paraqesin tema të ndryshme, transmeton KultPlus.

Këto panele janë:

1.     Isolation brings isolation

2.     Reliving lullabies through animation

3.     Haven’t we noticed

4.     Surrounded by four windows

5.     Animation for the future

6.     F**k it through art

Gjithçka që duhet të dini në lidhje me Panelet e Edicionit të këtij viti të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar.

Në këtë edicion të festivalit vizitorët kanë mundësi  të ndjekin panelet tona edukative, përveç punëtorive, masterklasave dhe mbi 300 filmave nga e gjithë bota. Panelet janë një pjesë e rëndësishme e punës së festivalit pasi ato ofrojnë një platformë të përbashkët ku ne debatojmë dhe dëgjojmë përspektiva mbi tema të ndryshme.

Ky edicion do të sjellë gjashtë panele të ndryshme, të udhëhequra nga profesionistë të fushave të ndryshme ku secili prej tyre i veçantë në mënyrën e vet , do  të trajtojë  tema të ndryshme diskutimi, duke e sjellur kështu një aspekt të ri të interpretimit dhe vlerësimit të fenomeneve të ndryshme kulturore. Panelet janë një prej mënyra se si ne mund të  lidhemi me njëri-tjetrin, por edhe të lidhim audiencën tonë dhe botën e ç’izoluar jashtë Kosovës. Ne ju ofrojmë një ulëse në rreshtin e parë në diskutimet e vazhdueshme ku ndahen idetë dhe ku të gjithë mund të mësojnë se çfarë e bën një film të animuar të shkëlqyer. Në të gjitha format e tij, jo vetëm në aspektin teknik, animacioni është para së gjithash një histori që pret të tregohet: të mësosh se si ta tregosh aty qëndron triku!

Më poshtë, po ju prezentojmë panelet dhe përmbajtjen e tyre:

Isolation brings isolation – 

Pa marrë parasysh gjendjen mendore dhe shoqërore të një personi, situata me pandeminë e ka imponuar distancën shoqërore, e cila ka sjellur forma të ndryshme të izolimit. Ky izolim i detyruar ka shpërfaqur probleme të cilat kanë qenë të padukshme për një kohë të gjatë, ndërsa edhe më shumë i ka theksuar shtresezimet e ndryshme të problemeve të shëndetit mendor që e karakterizojnë shoqërinë tonë. Numri i rritur i  dhunës në familje dhe vetëvrasjeve kanë qenë dhe vazhdon të jet shqetësues. Mund të thuhet se izolimi fizik ka sjellë edhe izolimin mendor. Në përgjithësi arti dhe kultura njihen të jenë ngushëlluese për shumicën, sepse e thyejne izolimin mendor dhe ndjenën e izolimit fizik. Por, sa arrinë arti ta thyej maksimen që thotë se izolimi sjellë izolimin? Ky panel do të mbahet më 24 korrik në ora 17:00.

Reliving lullabies through animation – Animacioni i parë i serialit “7 lullabies” nga Besa Berberi sjell “Lullaby N” të cilën nëna ia këndon vajzës së saj. Është një përpunim i tingujve që janë në të tashmen dhe do t’i përcjellen brezave të ardhshëm. Besa Berberi, përmes 7 ninullave, dokumenton dhe hap një kapitull të ri mbi trashëgiminë shpirtërore.”Lullaby N” është një variacion folklorik për kohën moderne. Navigim muzikor dhe poetik si ëndërr, një udhëtim muzikor dhe poetik I figurës se nënës duke mirëpritur një fëmijë në jetë. Përjetimi i ndjenjave delikate dhe të pastra. Ky panel do të mbahet me 25 korrik në ora 17:00.

Haven’t we noticed? – 

Një njeri i zakonshëm kalon 78,000 orë duke shikuar filma, video, animacione, dhe programe televizive, që i bie deri në tetë vite të një jetëgjatësie mesatare të shpenzuar para ekranit. Duke qenë pjesë kaq vitale e jetës sonë, tani është koha të vëmë në dyshim ndikimin. Çfarë po shikojmë dhe si ndikojnë tek ne ato që i shikojmë? Tregimi i ngjarjes mund të jetë një nga mjetet më të fuqishme, përmes së cilës ne mund të  ndajmë informacione, të shprehim pakënaqësi, gëzim, dashuri, vështirësi dhe trishtim. Mirëpo, a jemi duke krijuar vlera, opinione apo a mos jemi edhe duke e jetuar jetën tonë duke qenë të ndikuar nga ngjarjet të cilat i shohim e dëgjojmë?  Ose a do të zgjedhnim gjërat që i zgjedhim po qe se ato nuk do të na servoheshin? A nuk e kemi vërejtur vështirësinë e kohës sonë dhe sa jemi të aftë të kontestojmë njohuritë dhe informacionet që po na shërbehen, duke e përdorur animacionin, muzikën, filmin dhe artin në përgjithësi? Për më shumë, a është tregimi i ngjarjes një nga aspektet thelbësore të këtij ndryshimi të nevojshëm? Ky panel do të mbahet më 26 korrik në ora 17:00.

Surrounded by four windows – Ky panel ka të bëj me  izolimit artistik. Përmes një periudhe të gjatë të izolimit te vetes  artistët mund të shohin përtej sferës së asaj që njerëzit e tjerë mund të shohin. Kjo mundëson  zbulimin e  aspekteve të  ndryshme të procesit të krijimit brenda kohës së izolimit. Ideja prapa këtij  panelit është trajtimi i asaj se si  artistët futen në  izolim të përkohshëm në mënyrë që të zbulojnë dhe shfaqin krijimtarinë e tyre të brendshme. Artistët nuk duhet të jenë të vetmuar që ta ndjejnë izolimin. Për një artist kosovar vetëm duke qenë pjesë e një komuniteti, vetëm duke dëgjuar dhe duke parë nuk mund të jetë e mjaftueshme e as ngushëlluese kur mundësitë janë përtej të prekshmës. . Ky panel do të mbahet më 27 korrik në ora 17:00.

Animation for the future-  Një panel që merret me temën e përfshirjes së mësimit audiovizuel në sistemin tonë arsimor. Metodë e mësimit që është vërtëtuar  të jetë më e dobishme për të gjitha grupmoshat . Duke e marrë parasysh ndikimin pozitiv që mund të kenë metodat e të mësuarit audioviziv e sidomos thjeshtësinë e shpërndarjes së informacionit që mund ta mbart animacioni, një pyetje duket se domosdo lind: përse ende nuk po e përfshihet animacioni atë në sistemin tonë arsimor? . Ky panel do të mbahet me 28 korrik në ora 17:00.

F**k it through art –

Përgjatë historisë, arti ka ndihmuar ndryshimet thelbësore në shoqëri dhe është një nga format më të këndshme, paqësore por edhe si formë komunikimi është mjaft revolucionare. Mënyrat e të shprehurit të një qëndrimi, ndjenjeje ose rezistence, mund të jenë aq të fuqishme saqë nuk mund ta imagjinojmë. Njerëzit nuk shqetësohen prej çështjeve të cilat nuk i afektojnë personalisht ata, ndërsa të afektuarit jo gjithmonë gjejnë kanale dhe zë që të shprehin pakënaqësitë e tyre. Pikërisht këtu arti mund të përdorët më së fuqishmi. Në këtë aspekt, ne mund të na shërbejë një thënie e artisti Banksy: “Arti duhet të ngushëllojë të trazuarin dhe të trazojë ata që janë rehat”. Por a duam të trazojmë, në mënyrë qe të bëjmë ndryshimin? Po, me të vetmet armë të nevojshme: fotografitë, mbishkrimet, animacionet, pikturat, filmat dhe instalacionet artistike. Me fjalë tjera: të shpallim të pavlefshëm atë që është e gabuar në shoqëri. Ky panel do të mbahet me 29 korrik në ora 17:00.

Ekzistojnë mendime  të ndryshme mbi atë sefare do të thotë të jesh një artist i mirë, të jesh në gjendje të transmetosh mesazhin tënd plotësisht, pa ndërprerje, në mediumin tënd të zgjedhur duke folur me ata që i vlerëson më shumë, me audiencën. Këto panele synojnë t’i përgjigjen asaj se  çfarë do të thotë të krijosh, nga të gjitha cepat e dhomës, në mënyrë që publiku të humbet, magjepset e këndjellet përgjatë diskutimeve jashtëzakonisht interesante që do të nisim më 24 korrik e do të mbarojnë më 29! 

Që të gjitha panelet do të mbahen Te Liqeni, hapësirë kjo brenda Parkut Karagaq! / KultPlus.com