Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’, do të fillojë edicionin e tij të 12-të me shumë surpriza të cilat i kanë paralajmëruar ditë më parë. Ndër këto surpriza, janë edhe pesë prezantimet ndërkombëtare që do të shoqërojnë festivalin këtë vit, e që tashmë janë bërë publike, përcjell KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar është bërë urë lidhëse mes Kosovës dhe botës së artit, duke e vendosur Kosovën në hartën e madhe të animacionit, si një shtet me potencial të gjerë artistik e kulturor.
Më poshtë gjeni listën e pesë prezantimeve ndërkombëtare në këtë festival.
“Expanded Animation” nga Jurgen Halger, më 24 korrik në ora 12.00 në Kinemanë Jusuf Gervalla.
Jurgen ka studiuar artin, dizajnin eksperimental vizual dhe studimet kulturore në Universitetin e Artit dhe Dizajnit në Linz, Austri. Ai për momentin punon si profesor në kampusin universitar të shkencave të aplikuara Hagenberk, Austri. Prezentimi ka për qëllim që të shfaq mundësitë e pafundme që ofron bota e animacionit. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit, ky prezentim do të shfaqet nga distanca: Jurgen do i flas audiencës virtualisht përmes ekranit.
Në “The journey of a clitoris across the world”, Lori Malépart na çon në procesin e saj krijues dhe udhëtimin e një klitori nëpër botë.
Ajo do të ndajë me ne disa detaje të lezetshme mbi qasjen e saj krijuese duke filluar nga përpjekja e saj e parë në animacion e deri në filmin e saj të parë “The Clitoris” (2016). Ajo do të flasë gjithashtu për projektet e saj aktuale në Bordin Kombëtar të Filmit të Kanadasë. Bashkohuni me ne në 25 korrik në ora 12:00 në Kinema Jusuf Gervalla për të mësuar më shumë rreth rrugëtimit të saj artistik. Lore Malépart do të flasë me publikun vituslisht nga ekrani i kinemasë.
Prezentimi i tretë është “Animated Documentaries” nga Frédéric Schuld.
Ky edicion i festivalit do të mirëpres përsëri Frédéric Schuld për të dhënë një prezantim mbi dokumentarët e animuar. Duke pasur parasysh punën e gjerë që Frederic ka në prodhimin dhe animimin e dokumentarëve, e aq më teper duke marrë me mend trendin e zhvillimit të shpejtë në Kosovë për të dokumentuar ngjarje përmes mediumit të animacionit, ky prezantim me sesionin e pyetjeve dhe përgjigjeve (Q&A) do të ofrojë goxha shumë perspektiva . Frédéric do të flasë për gjëra të tilla si këndet e vështira që kamera nuk mund të kapë dhe për mënyrën se si të vizualizojmë konceptet abstrakte të përvojës njerëzore. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit për shkak të pandemisë, ky prezentim do të mbahet gjithashtu virtualisht më 26 korrik në orën 12.00 në Kinema Jusuf Gervalla
Mauro Carraro do të jetë i pranishëm për të mbajtur një prezantim të quajtur “Into 3D Animation”.
Pasi studioi gravurë, fotografi dhe dizajn grafik në Universitetin Politeknik të Milanos, Mauro vazhdoi rrugën e tij akademike në Francë. Në vitin 2010 ai u diplomua në të mirënjohurin “Supinfocom Arles”, ku ai studioi animacionin CG. Tani jeton në Gjenevë, Zvicër, ku punon në studion “Nadasdy Film”. Filmi i tij i parë profesional i animuar me metrazh të shkurtër “Hasta Santiago” u dha si Filmi Debutues më i Mirë në Festivalin e “Annecy” në 2014 dhe mori mbi dymbëdhjetë çmime në të gjithë botën. Ndryshe nga prezentimet e mëparshme, ky do të mbahet me prezencë fizike më 27 korrik në ora 12.00 në Kinema Jusuf Gervalla.
Brooke Keesling është Kryesuesja e Zhvillimit të Talenteve të Animacioneve në ‘Bento Box Entertainment”.
Ajo ka punuar në industrinë e animacionit dhe VFX për dekada si artiste, në prodhim, në arsim dhe në zhvillimin e talenteve. Brooke do të jap një prezentim gjatë edicionit të 12-të të festivalit mbi përvojën e saj si një grua që punon në seri të ndryshme të animuara, duke iu përgjigjur disa prej pyetjeve kryesore se si mund të futemi në biznesin e animacioneve. Si mund ta fusni këmbën në derë? A ka rëndësi shkolla artistike? Çfarë duhet të ketë në portofolin tuaj dhe si të lidheni për të punuar me “peshqit e mëdhenj?”. Me potencialin e zhvillimit të industrisë së animacionit në Kosovë, ky prezentim do të përqëndrohet në komunitetin e industrisë krijuese, duke rritur njohuritë, kapacitetet e tyre dhe duke i barazuar me aftësitë e tregut në këtë fazë të krijimit të një industrie këtu. Brook do ta jap këtë prezantim virtualisht , më 29 korrik në ora 16.00 në Kinema Jusuf Gërvalla. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar së shpejti pritet të fillojë me edicionin e tij të 12-të.
Në kuadër të këtij edicioni, do të shfaqen katër programe speciale. Këto programe paraqesin disa tema të ndryshme ku njëri prej tyre, “Variations of Isolation” paraqet pikërisht temën e këtij edicioni, “Izolimin”.
Katër programet speciale që do të shfaqen janë “Brazen”, “Variations of Isolation”, “YOU ANIMAL” dhe “Experimental”. Secili prej këtyre programeve ka kohëzgjatje të ndryshme për t’i dhënë audiencës tonë një eksperiencë të shkëlqyer artistike të animacionit.
Këto programe speciale paraqesin tema të ndryshme duke u fokusuar në një kuptim më të thellë të animacionit, dhe duke ofruar ambientin artistik që secili t’i kuptojë ato nga një këndvështrim artistik. Gjatë kohës së izolimit, Anibar pranoi një numër të jashtëzakonshëm të aplikimeve nga e gjithë bota, shumica e të cilave janë produkt i izolimit.
Më poshtë gjeni të bashkangjitur listën me të gjitha informacionet rreth progtameve speciale.
Brazen
Programi i parë special është programi me titullin “Brazen”. Brazen paraqet portrete të 30 grave, secila nga sfera të ndryshme të jetës, duke vrapuar nga hijet, dhe duke ekspoluar mundësitë se çfarë duan të bëhen. Në këtë program ndjekim storjen e një astronaute, një perandore dhe një roje të fenerit të detit. Për shkak të padrejtësive dhe izolimit me të cilin janë përballur, tani ato më në fund u nisën për të luftuar padrejtësitë. Kjo seri është bazuar në librat komik më të shitur, “Culottées”, të shkruar nga Pénélope Bagieu, dhe është sjellur në ekran për ju nga regjisorët Mai Nguyen dhe Charlotte Cambon De La Valette me aktoren Cécile De France. Po ashtu, ky film është prodhuar në Francë gjatë vitit 2019. Ju mund të shiqoni Brazen në Kinemanë Jusuf Gërvalla me 29 Korrik duke filluar nga ora 16:00.
Variations of Isolation
Programi i dytë me rradhë është “Variations of Isolation”. Programi përmban 5 filma të ndryshëm me kohëzgjatje të ndryshme, histori të ndryshme, krijuar nga regjisorë të ndryshëm dhe shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm. “Variations of Isolation” do të shfaqet në Kinemanë Jusuf Gërvalla me 29 Korrik duke filluar nga ora 12:00.
Ky program u kurua nga Marco de Blois i cili është një programues dhe kurator i animacionit në Cinémathèque québécoise, një muze dhe arkiv filmi me bazë në Montreal. Ai organizoi shumë retrospektiva për Cinémathèque dhe vende tjera në Kanada dhe jashtë saj dhe luajti një rol kryesor në blerjen e shumë koleksioneve në relacion me pionierë Kanadezë të animacionit (Raoul Barré, Al Sens, Ryan Larkin, René Jodoin, etj.). Ai është gjithashtu programues i festivalit Les Sommets du cinéma d’animation që zhvillohet çdo vit në Montreal dhe Québec.
Me një kohëzgjatje prej 1 orë e 13 minuta, programi i tretë special është “YOU ANIMAL”. Historia e këtij filmi të animuar shfaq Nimfën dhe Roger dhe pengesat që ata kalojnë në lidhjen e tyre. Me regji nga Avid Liongoren, shkruar nga Manny Angeles dhe Paulle Olivenza dhe prodhuar nga Manny Angeles, Erickson Raymundo dhe Joyce Bernal. Këta filma do të shfaqen nëpër çdo ekran të festivalit Anibar, në platformat tona dixhitale, ose më 28 korrik duke filluar nga ora 12:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla!
“Experimental”
Përveç programeve të tjera, festivali na sjell edhe një aspekt të programeve speciale. Një nga programet është i krijuar nga një anëtar i ekipit tonë, Panot Mahmutaj. Në një deklaratë ai thot se “rezultati i këtij programi “Experimental” vjen nga eksperimentimi dhe njohuria e tij. Ai shton se “dështimi është po aq me vlerë sa suksesi”. Ky program vjen si sinonim i fjalës “guxim”. Guximi për të krijuar diçka të pazakontë. Guximi për të provuar dhe krijuar gjëra të reja, duke mos ditur se çfarë do të ndodhë. Ky territor i panjohur hapë rrugët e kreativitetit. Ndërsa programet e tjera u krijuan nga njerëzit e lartëpërmendur të cilët nuk janë pjesë e organizatës.
Festivali i Filmit të Animuar Anibar fillon më 23 dhe përfundon më 30 korrik! / KultPlus.com
Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit Animues Anibar është shume afër. Ekipi po ndjehet shumë krenarë që po prezantojnë juritë e këtij edicioni, përcjellë KultPlus.
Tema e festivalit do të jetë izolimi, ku shumica e punëve të paraqitura do të rrotullohen rreth kësaj teme. Më shumë se 300 filma do të shfaqen gjatë festivalit. Filmat do të ndahen në nëntë kategori. Gjashtë nga këto kategori janë konkurset: Konkursi Ndërkombëtar, Konkursi i Studentëve, Konkursi Ballkanik, Konkursi i Videove Muzikore të Animuara, Konkursi i Filmit Artistik dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Tre kategoritë e tjera janë jo-konkurruese: Panorama Jashtë Konkurrencës, Programi për Fëmijë dhe Adoleshentë dhe Programi Special Eksperimental
Ndryshe nga edicionet e tjera, këtë vit festivali do të përbëhet nga tre juri të ndryshme. Këto tre juri të ndryshme do të përbëhen nga profesionistë ndërkombëtarë të animacionit, figura publike lokale dhe artistë, si dhe studentë të animacionit, fokusi i tyre kryesor do të jetë të zgjedhin më të mirët nga të gjitha kategoritë e lartpërmendura të filmave.
E para në listë është Juria e Madhe e festivalit, e përbërë tërësisht nga profesionistë ndërkombëtarë të animacionit, të njohur për zanatin dhe ekspertizën e tyre në këtë fushë. Kjo juri do të analizojë në detaje të gjëra dhe do të vendosë për fituesin e këtyre kategorive: Konkursi Ndërkombëtar i cili përmban 35 filma gjithsej, si dhe Konkursi i Filmit artistik duke sjellë në ekran një total prej 5 filmash të animuar me gjatësi të plotë që presin të shikohen.
Anëtarët e jurisë janë:
Fabian Driehorst bashkë-themeloi studion e prodhimit të filmit Fabian & Fred që është një prodhues i filmave të animacionit dhe filmave hibrid, shpesh në bashkëprodhime ndërkombëtare. Filmat e tij u shpërndanë dhe u shfaqën gjerësisht në më shumë se 800 festivale.
Joni Männistö, i lindur në 1981 në Finlandë, është një kineast dhe animator. Pasi u diplomua nga Akademia e Arteve Turku në vitin 2011 ai u bë një anëtar aktiv i disa kolektivave finlandeze të animacionit që punojnë në projekte tregtare dhe artistike. Puna kolektive përfshin filma të animuar, si dhe instalime arti për ekspozita. Männistö ka drejtuar filma të tillë si The Trap (2008), Swarming (2011) dhe Electric Soul (2013), të cilët janë shfaqur të gjithë në festivale të shumta ndërkombëtare.
Lori Malépart-Traversy është regjisore e filmave të animuar nga Montreal, Kanada. Ajo studioi arte vizuale dhe animacionin e filmit në Universitetin Concordia. Kohët e fundit, dokumentari i animuar ka qenë mediumi i saj i preferuar për të komunikuar idetë e saj krijuese dhe mesazhet që ajo dëshiron të transmetojë. Filmi i saj i temës “The Clitoris” (2016) ka qenë një sukses ndërkombëtar në qarkun e festivaleve dhe në internet. Filmi eksploron sensualitetin femëror.
Mauro Carraro, i lindur në Veri-Lindje të Italisë. Pasi mbaroi studimet për gdhendje, fotografi dhe dizajn grafik në Universitetin Politeknik të Milanos, ai e vazhdoi udhetimin e tij më tej duke vazhduar rrugën e tij akademike në Francë. Filmi i tij i parë profesional i animuar me metrazh të shkurtër “Hasta Santiago” u dha si Filmi më i Mirë Debutues në Festivalin e Annecy në 2014 dhe mori mbi dhjetra çmime në të gjithë botën. Që nga viti 2014 masterklasa e tij “Sensible 3d” dhe seminari i tij “How to open your 3D eyes” u mbajtën në më shumë se 30 shkolla dhe festivale të ndryshme si Universiteti Korans Wolf në Berlin, IED Instituti Evropian i dizajnit në Milano dhe Akademin e Arteve të Vilnius në Vilnius .
Yvonne van Ulden, e lindur në 1978 në Hollandë, është një specialiste në tregimin vizual. Ajo punon si drejtoreshë krijuese, producente, ligjeruese, këshilltare dhe kuratore në fushën e animacionit dhe VR. Yvonne ka një dashuri për projektet hibride dhe pëlqen të eksplorojë të gjitha mundësitë e animacionit. Me një prejardhje në studimet e botës së artit ajo ishte një ligjeruese teorie për studentët e filmit dhe animacionit në një Akademi Hollandeze të Artit, kur 2008 ajo u përfshi me festivalin e sapoformuar të animacionit KLIK Amsterdam. Që nga ai moment ishte arti i animacionit që përcaktoi jetën e saj. Ajo është një nga ekspertët e animacionit në Hollandë dhe këshillon organizata të shumta filiale për financimin e animacioneve dhe prodhimeve inovative VR / media si Fondi Audiovizual Flemish dhe Fondi Hollandez i Transmetimit (NPO) dhe ajo udhëhoqi fushatën promovuese për animacionin holandez në Cartoon Movie në 2019.
Juritë luajnë një rol të madh në zgjedhjen e punëve më të mira të animacionit që vërtet portretizojnë potencialin e plotë të botës së animacionit. Për të arritur më tej qëllimin e synuar, festivali nuk do të ishte i njëjtë pa Jurinë Studentore. Kjo juri përbëhet kryesisht nga studentë të animacionit që do të bëjnë zgjedhjet përfundimtare në këto kategori: Konkursi Studentor i cili ka gjithsej 31 filma, dhe Konkursi Ballkanik që grumbullon gjithsej 9 filma.
Anëtarët e jurisë janë:
Sarah Lugthart u diplomua në 2004 nga Universiteti i Utrecht (Media e Re dhe Kultura Dixhitale). Ajo filloi të punojë në Institutin Hollandez për Filmin Animues (NIAF), ku ishte përgjegjëse kryesore për shpërndarjen e festivalit. Pas kësaj ajo punoi për Shoqatën për Teatrot e Filmit në Brabant (VBF), e cila u bashkua në 2009 për t’u bërë Kunstloc Brabant. Ajo organizoi punëtori, shfaqje filmash dhe takime në rrjet. Krahas punës së saj në akademi Sarah Lugthart ishte gjithashtu një anëtare e Komitetit të Fondit të Arteve Profesionale (Subsidieregeling Professionele Kunsten), brabants kenniscentrum voor kunst en cultuur (tani Kunstloc), dhe një këshilltare për animacionin për Fondin Hollandez të Filmit në 2011 dhe 2012. Ajo jeton në Antwerpen. Sarah do të jetë mentore e Jurisë Studentore këtë vit.
Blend Leci është një animator nga Prishtina i cili është njëzet vjeç. Ai ka qenë i përfshirë në animacion që kur ishte dymbëdhjetë vjeç. Tani është i specializuar në animacionin e personazheve.
Lisjan Bajri, i lindur në Pejë në vitin 1998, është një Artist 3D i vetë-mësuar. Ai së pari filloi të mësonte rreth animacionit kur ishte fëmijë. Ai eksperimentoi dhe filloi të mësonte në atë moshë shumë të re, kur zbuloi mundësinë e personalizimit të personazheve. Ai zyrtarisht filloi karrierën e tij kur filloi punën e tij të parë si 3D Artist në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, në OJQ “Syiov”. Pas kësaj ai vazhdoi rrugëtimin e tij duke punuar për kompani të ndryshme, OJQ si dhe projekte individuale në fushën e skulpturës, modelimit dhe animimit. Ai kohët e fundit ka filluar studion e tij të quajtur “brainwash3D”.
Lorna Çekixhi, e diplomuar në Skenografi dhe Kostumografi. Ajo ka një pasion për animacionin dhe shfaqjet me kukulla, por kryesisht për personazhe dhe skenografi. Gjatë vitit 2021, ajo ka qenë pjesë e dy projekteve të animacionit të teknikes (stop motion) më konkretisht një filmi të shkurtër të kesaj teknike dhe një videoklip.
Nora Jusufi është 18 vjeç. Ajo është një studente e Dizajnit, si dhe një animatore me kohë të pjesshme. Nora ishte pjesë e gjeneratës së tretë të Akademisë së Animacionit. Ajo ka një interes të madh në animacion dhe ilustrim. Të qenit pjesë e akademisë i hapi asaj shumë mundësi për të përsosur më tej zanatin e saj.
Driton Goleshi lindi në Deggendorf, Gjermani në 1993. Ai u kthye në Kosovë në 2001. Ai gjithmonë njihej si një fëmijë plot imagjinatë. Edhe pse ai studioi Shkenca Kompjuterike ai kurrë nuk ndaloi së kanalizuari fëmijën e tij të brendshëm në të gjithë punën e tij. Ai krijoi “njerëzit 2 cm” një stil arti që synon të ilustrojë njerëzit dhe historitë e tyre pa asnjë kufizim të imagjinatës.
Për herë të parë ndonjëherë, prezantohet Juria për Video Muzikë të Animuar që përmban 41 filma dhe Konkurset për të Drejtat e Njeriut që përmbajnë 22 filma. Anëtarët e kësaj jurie janë:
Alban Nimani, një profesor i njohur i intermediave, dizajner grafik, si dhe kompozitor dhe interpretues. Për më shumë se një dekadë ai ka punuar si profesor i Medias së Re në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku ai ishte gjithashtu Shefi i Departamentit të Arteve të Zbatuara. Ai ka një karrierë të vlerësuar muzikore si udhëheqës i grupit alternativ Asgje Sikur Dielli, i cili publikoi 4 albume muzikore dhe shumë videoklipe. Ai gjithashtu prodhoi një performancë solo intermedia e cila u shfaq në Galeritë dhe Institucionet e Artit në Kosovë, Shqipëri, Itali, Meksikë dhe Afrikën e Jugut. Aktualisht ai është i përfshirë në menaxhim dhe promovim të artit si drejtor i Tulla – Qendra e Kulturës në Tiranë, ku drejton artet vizuale, programet arsimore joformale dhe programet muzikore të qendrës.
Ana Nedeljkovic lindi në Beograd në 1978. Ajo u diplomua për pikturë në Fakultetin e Arteve të Bukura në Beograd. Asaj ju dha një doktoraturë në praktikën e artit në të njëjtin fakultet. Ajo është një artiste vizuale që punon në mediat e vizatimit, instalimit dhe filmit të animuar dhe është gjithashtu aktive në edukimin artistik. Filmit të parë “Rabbitland” (2013) ju dha Ariu i kristaltë në Berlinale. Ai ka marrë gjithashtu çmime të tjera të shumta dhe është shfaqur në më shumë se njëqind festivale në të gjithë botën. Filmi i dytë “Untravel” (2018) u shfaq premierë në Berlinale, u shfaq në Annecy dhe Sundance dhe u nominua për çmimin Annie.
Paola Orlic është producente e Festivalit Botëror të Filmit të Animuar Animafest Zagreb, historiane arti dhe kuratore e pavarur. Ajo u diplomua për histori arti dhe filozofi në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Zagrebit dhe ka një MA në Kolegjin e Artit, Universiteti i Ohajos, SHBA, me një fokus në art dhe film.
Tani pas shpalljes zyrtare të jurisë, qëndroni në vëzhgim për shumë informacione interesante rreth jush, teksa jemi pranë fillimit të festivalit për të festuar së bashku. / KultPlus.com
Izolimi si arsye e mbylljes të botës nga pandemia, por dhe të ndjenjës që tash e sa vite, pavarësisht pandemisë e përjetojnë Kosovarët, janë vetëm një shpjegim i shkurtë i “Izolimit”, temës së edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit ‘Anibar’, i cili si çdo vit tjetër edhe këtë herë po vjen me surpriza të shumëta, shkruan KultPlus.
“Pandemia ishte arsyeja pse ne filluam të mendojmë për këtë temë. Për herë të parë, e gjithë bota përjetoi atë që përjetojnë kosovarët: të mos jesh në gjendje të lëvizësh lirshëm. Por mungesa e lirisë së lëvizjes ishte vetëm një pikë e të menduarit për izolimin. Ne gjithashtu filluam ta lidhim atë me forma të tjera të izolimit. Përveç izolimit për sa i përket lirisë së lëvizjes, e cila lidhet me kufizimet tona të vizave dhe situatën me pandeminë, ne gjithashtu ishim të interesuar se çfarë kuptimi ka “izolimi” për njerëzit. Pra çfarë efekti ka izolimi ndaj mendjeve tona”, ka thënë koordinatorja për media dhe komunikim e Anibar, Rina Statovci për KultPlus.
Sipas saj izolimi mund te jetë i mirë dhe i domosdoshëm në disa periudha të cakuara të jetës, madje edhe atëherë kur duhet të arrish paqe me veten. Tutje ajo e shpjegon izolimin si gjendjen natyrore të animatorëve, ku ata mbyllen për javë të tëra brenda studiove.
“Izolimi mund të jetë edhe i mirë. Përgjatë pandemive, karantinimi duhet të jetë i domosdoshëm. Por edhe në kohëra tjera, gjithsecili prej nesh i ka të njohura momentet kur e dëshiron vetminë, në mënyrë që të arrihet paqja me botën e veten. E gjithashtu për hir të disa domosdoshmërive: fokusit, përqëndrimit, të vërtetës. Thelbit. Izolimi është po ashtu gjendja natyrore e animatorëve. Ajo e mbyllë veten brenda studios së saj për javë e muaj. Animacioni mund të jetë goxha zanat i të vetmuarve. Por në fund, arti i saj fluturon. Thyen barrierat e shoqërisë. Kapërcen kufijtë kombëtar sikurse të mos ekzistonin. Dhe lidh shikuesit gjithandej botës”, ka shtuar Statovci në një intervistë për KultPlus.
Por, krahas kësaj ane të mirë, Rina Statovci, nuk e lë pa e përmendur “errësirën” që mbanë brenda vetes kjo fjalë, e mënyrë e jetesës. Tutje ajo ka shtuar se “Izolimi” i tyre është një thirrje për zgjim që të bëhëmi më serioz për çëshjet që përballemi e jetojmë çdo ditë brenda shtëpive tona.
“Pra per kete arsye ne zgjodhëm “Izolimin” si temë të këtij edicioni, është një temë e përshtatshme për çfarë po ndodhë në Kosovë dhe mbarë botën”, tregoi tutje Statovci për KultPlus.
Teksa vitin e kaluar Anibar erdhi për publikun në një formë krejtësishtt ndyshe nga herët e tjera, pra në formatin online. Këtë herë do të bëhet një kombinim mes të dyjave, formatit online dhe pjesëmarrjes fizike, ashtu që të ju mundësojnë pjesmarrësëve të përjetojnë të dy anët e medaljes.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i 12-të i Anibar do të jetë në format të kombinuar. Kjo do të thotë që Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar mund të vizitohet si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes platformave virtuale, për çka stafi i Anibar është përgaditur prej fillimit të organizimit të këtij edicioni”, tha Rina Statovci për KultPlus.
Statovci ka shtuar se dhe në këtë vit do të ketë mysafir të shumtë që do të marrin pjesë në ediconin e 12-të të Anibarit, duke shtuar se ata do të marrin pjesë fizikisht dhe virtualisht duke i shtuar kështu edhe më shumë magjinë e netëve të verës këtij festivali.
Fetsivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar në këtë edicion do të sjllë program të gjerë si kurrë më parë, me afro 300 filma të animuar nga 1413 gjithsej sa janë dërguar nga e gjithë bota.
Filmat e përzgjedhur do të ndahen në nënëtë kategori, ku gjashtë prej tyre janë garuese, si Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut.
Ndërkaq tre kategoritë e tjera janë jokonkurruese si Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Por, kjo nuk është surpriza e vetme e Anibar, kjo sepse në këtë edicion do të shfaqen premierat botërore të “Raft” nga Marko Mestrovic, si pjesë e Garës Ballkanike, “Error” nga Lucie Vostárková si pjesë e Garës Studentore si dhe premierën e dytë pas Festivalit të Filmit në Kanë të “Red Shoes” nga Anna Paděrová, në Garën Studentore.
E pyetur se sa e vështirë ka qenë që të organizohet edicioni i sivjetëm i Anibar, Statovci për KultPlus ka thënë ka qenë mjfat e vështirë pikërisht për faktin se masat kundër virusit po ndërrojnë dita ditës, dhe ata duhet të jenë të përgatitur për çdo ndryshim.
“Hasëm mjaft vështirësi në organizimin e festivalit. Është e vështirë të organizosh diçka nëse nuk e di se cilat masa do të jenë në fuqi në një kohë të caktuar. Duhet të planifikojmë çdo gjë dhe të jemi të gatshëm për çdo ndryshim, gjë që merr shumë kohë. Për më tepër ishte edhe e vështirë ti sjellim mysafirët tanë në Kosovë pasi ka ende shumë kufizime të udhëtimit. Gjithashtu organizimi i programit tonë muzikor dhe ahengjeve ishte më i vështirë se zakonisht. Sidoqoftë, panvarësisht gjithçkaje ishte vërtet një vit i mirë për organizimin e Anibar”, ka përfunduar ajo./ KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar shpall programin artistik për edicionin e 12-të këtë vit. Nga data 23 deri më 30 korrik, Anibar sjellë programin më të gjerë se kurrë më parë, me afro 300 filma të animuar nga 1413 të dërguar nga e gjithë bota, përcjell KultPlus.
Filmat do të ndahen në nëntë kategori. Gjashtë nga këto kategori janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Tre kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Për këtë edicion, Anibar do të ketë premierat botërore të:
“Raft” nga Marko Mestrovic, si pjesë e Garës Ballkanike.
“Error” nga Lucie Vostárková si pjesë e Garës Studentore.
Premierën e dytë pas Festivalit të Filmit në Kanë të “Red Shoes” nga Anna Paděrová, në Garën Studentore.
Programi i këtij viti përfshin filma që janë shfaqur, nominuar e që kan fituar çmime në “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë tjerë.
Duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i 12-të i Anibar do të jetë në format të kombinuar. Kjo do të thotë që Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar mund të vizitohet si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes platformave virtuale.
”Ju mirëpresim në kinematë tona në Pejë, Kosovë, ku do t’i kemi tre te hapura dhe dy të mbyllura. Virtualisht, vizitorët mund të shikojnë të gjitha filmat në platformën tonë dixhitale në online anibar.org”, thuhet në komunikatën për media.
Ndër të tjera, në komunikatën për media është bërë e ditur se shumë shpejt do të shpallet edhe tema e festivalit, juria, programet speciale, prezentimet dhe të gjitha aktivitetet e tjera. / KultPlus.com
Fillim dhjetori, krahas dimrit qytetit të bukur të Pejës do ti sjellë edhe net të paharrueshme me koncertet e muzikës Jazz. ‘Peja Jazz’ për katër net me radhë do të sjellë muzikën si sinonim të shprehjes së lirë por edhe si çlirim të shablloneve që deri dikur dukeshin të pathyeshme, shkruan KultPlus.
Kjo nismë e re ka filluar si organizim në kuadër të projektit të Anibar, komunitet ky që fuqizohet përmes artit dhe kulturës. Koncerti është menduar të zhvillohet përgjatë datave 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Anibar Vullnet Sanaja, në një intervistë për KultPlus ka thënë se ideja për një organizim të tillë daton qysh në fillet e punës së Anibar-it, mirëpo sipas tij arsyeja se pse pikërisht ky event do mbahet në këtë kohë, është edhe fakti që tashmë në vend ka filluar pjekja e kushteve për realizimin e ideve të tilla.
“Ne kemi parë këto vitet e fundit që ka pasur interesim të rritur për këtë zhanër në qytetin e Pejës, prandaj, edhe kemi menduar që këtë vit marr parasysh edhe nevojën për aktivitete kulturore ta fillojmë këtë organizim. Nuk është se ka pasur ndonjë arsye specifike pse kemi menduar ta organizojmë, më duket më shumë është se janë pjekë kushtet për të realizuar këtë event, ideja e të cilit është ekzistente qysh në fillimet e punës tonë në Anibar”, pohoi ai.
Pikërisht në pandemi, kohën kur kultura ka pësuar goditjen e saj më të madhe organizatorët e kësaj serie të koncerteve të muzikës Jazz kanë dashur të sfidojnë vetën dhe të zvogëlojnë distancën e krijuar mes nesh.
“Në kohën kur pandemia Covid-19 ka godit skenën e kulturës, gjithandej globit, organizatorët kanë dashtë ta sfidojnë veten që mu në këtë kohë ta krijojnë një ngjarje të re kulturore që ka për qëllim zvogëlimin e distancës mes nesh, gjithmonë duke respektuar masat në fuqi për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19”, shtoi Sanaja.
Tutje drejtori i kësaj ngjarje, e njëkohësisht edhe themeluesi i festivalit i filmit të animuar Anibar tha se themelimi i ‘Peja Jazz’ është një çlirim nga shabllonet e vjetra që synon të sjell shpresë dhe afrim mes njerëzve në kohën kur distanca e kërkuar sociale mund të thelloj edhe më tepër ndarjet.
“Me themelimin e “Peja Jazz” në një kohë kur e ardhmja është e turbullt dhe kur po testohen themelet e shoqërisë bashkëkohore, “Peja Jazz” vjen si “çlirim” nga shabllonet e formave të organizimit të ngjarjeve muzikore me dëshirën që të sjellë shpresë dhe afrim mes njerëzve, në kohë kur distanca sociale, kaq e kërkuar mund t’i thellojë ndarjet edhe më shumë”, tregoi ai.
Emrat e pjesëmarrjeve do të behën të ditur me kohë. Kurse deri më sot janë bërë të ditur emrat e i kitaristit Armend Xhafer i cili do të performoj së bashku me miqtë e tij, kontrabasistin Kiril Tufekcievski dhe bateristin Viktor Filipovski, si dhe duos Muhaxheri dhe Kuçi, fokusi i të cilëve është interpretimi i veprave dhe përshtatja në mënyrë sa më origjinale të veprave të muzikës Jazz.
Edicioni i parë i ‘Peja Jazz’ po organizohet në kuadër të projektit “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës” i “Anibarit” që mbështetet nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, “Goethe-Institut”./ KultPlus.com
“Qasje për të gjithë” ishte tema që kishte bërë bashkë panelin për diskutim i cili u bajt mbrëmë në kuadër të festivalit “Anibar”. Pjesë e këtij paneli ishin: Matilda Zizolli – QKM Tiranë, Rijad Mehmeti – Avokues i të drejtave të fëmijëve dhe moderatore: Dafina Zuna Hoxha – UNICEF Kosova, shkruan KultPlus.
Pjesëmarrësit e këtij paneli pasqyruan dhe diskutuan urgjencat e personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjithë përfshirja në arsim, punësimi e deri tek përshtatja e infrastrukturës, me fjalë të tjera, për mundësitë e qasjes për të gjithë.
Pjesë e diskutimit të këtij paneli ishte edhe nevoja për kujdes që kanë personat me nevoja të veçanta. Sipas panelistëve, personat e kësaj kategorie shpesh herë nuk mund të dalin nga shtëpia sepse nuk kanë qasje në qytet.
Gjatë këtij diskutimi, Rijad Mehmeti u shpreh se qasja në shkolla për personat me aftësi të kufizuar është e mangët.
“Shkollat kanë qasje me të vërtetë të mangët, është mungesë e vetëdijesimit plotësimi i të drejtave sepse mendoj që një fëmijë duhet të ketë qasje në të gjithë ambientin e shkollës sepse të gjithë janë të barabartë”, u shpreh ai.
Ndërkaq Matilda Zizolli tha se nuk duhet t’i viktimizojmë personat me nevoja të veçanta por as jetën e tyre.
“Është shumë e rëndësishme që mos t’i shohim as mos t’i viktimizojmë ata si individë, as të viktimizojmë jetën e tyre. Për neve një orë kufizim, d.m.th. mos marrje e gjërave të përditshmërisë tonë na duket e tepërt, imagjinoni se çfarë ndodhë me një fëmijë i cili çdo ditë e ka këtë lloj kufizimi”, deklaroi ajo.
Ndërkaq sipas Rijad Mehmetit, personat me aftësi të kufizuara nuk kanë nevojë për një dorë ndihmëse por për qasje në shërbime në mënyrë të pavarur.
“Njerëzit me aftësi të kufizuar mund të jenë të pavarur nuk ka nevojë dora e dikujt çdoherë të jetë në ndihmën e tyre, qasja fizike, alfabeti i brajlit, gjuha e shenjave, do të thotë çka do që mund të ndihmoj jetën e tyre e bënë më të pavarur”, ka shtuar më tutje Mehmeti.
Duke u nisur nga aspekti personal, Rijadi, tregoi se nuk mund të dalë në Prishtinë pa pasur ndonjë asistues e që në të shumtën e rasteve janë babai ose nëna.
Gjatë këtij paneli u diskutua edhe për vështirësitë me të cilat janë përballur personat me aftësi të kufizuar gjatë pandemisë.
Matilda Zizolli tha se ka pasur probleme të shumta ngase as prindërit, as fëmijët e mbi të gjitha as personeli i specializuar nuk ishte i përgatitur për një situatë të tillë. Ajo veçoi si një nga rastet më të vështira, qasjen e vështirë që kanë pasur me personat e prekur me autizëm. Sipas saj e vetmja mënyrë që tu ndihmonin fëmijëve ishte që tu mbanin trajnime prindërve.
Ndërkaq Mehmeti u shpreh se mësimi online për të ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë sepse ai nuk është përballur me vështirësitë që përballet çdo ditë. Gjatë diskutimit ai vuri në pah edhe faktin që jo çdo nxënësi i duhet një laps e një fletore, sepse sipas tij për të është më e përshtatshme të mësoj me anën e një kompjuteri.
Rijad Mehmeti rrëfeu me entuziazëm faktin që për herë të parë arsimtarët nuk i thanë t’i kryente e t’i dorëzonte detyrat më vonë për shkak të pamundësisë së tij që të jetë në hapin e shpejtë me të tjerët. Ai tha se për shkak se përdorimi i teknologjisë kishte lehtësuar procesin për të ai tashmë dërgonte detyrat me kohë, pa pasur nevojë për një orar shtesë.
Festivali “Anibar” sonte mban diskutimin e radhës me temë “Solidariteti në Veprim”. / KultPlus.com
Festivali i Filmit të Animuar “Anibar”, mbajti mbrëmë panelin e tij të dytë me radhë. Me temë “Shkatërrimi i patriarkatit përmes animacionit” ky panel erdhi përmes platformës ZOOM dhe live në Facebook.
Në këtë diskutim morën pjesë Amanda Barbour – kritike filmi, Fabian Driehorst – producent dhe moderatore: Britt Raes – Animatore.
Gjatë këtij paneli u diskutua rreth rasteve të ndryshme kur animacioni ka shërbyer si mjet thumbues e i efektshëm në përpjekjen për ndryshime shoqërore e sidomos gjinore, por u diskutua se si ky lloj arti mund të adresojë dhe të ofroj zgjidhje për fenomenet e fundit që ka sjellur pandemia. Me pak fjalë, si mundet animacioni të shkatërroj patriarkatin?
Gjithashtu, u diskutua edhe se si pandemia ka sjellë në pah nevojën për diskutimin e punës së pabarabartë që ndodhë në mes burrave dhe grave dhe që kjo mund të shërbej si një ide për të prodhuar më shumë animacion në këtë fushë.
Poashtu, panelistët vunë në diskutim edhe efektin që pandemia COVID-19 ka pasur tek ta deri më tash, duke theksuar se pandemia mund të ketë impakt për të sjellur tema të reja në fushën e animacionit.
Njashtu, në këtë panel u diskutua edhe për projektet e Amandas edhe Fabianit që në një formë kanë kritikuar patriarkatin.
Ky panel po implementohet me mbështetjen “Fridrich Ebert Stiftung – Prishtina Office”, platformën “Kosovo We Want”, programin e “Human Rightivism” të SIDA dhe Ambasada Gjermane në Prishtinë. / KultPlus.com
Edicioni i 11-të i “Anibarit” filloj në një formë ndryshe prej herëve tera. Tashmë kinematë, diskutimet e shumë çka tjetër shfaqet në platformën online të këtij festivali. Ky realitet i ri i botës së artit është krijuar si pasojë e vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë për menaxhimin e situatës me COVID-19, shkruan KultPlus.
Diskutimi “Are We Humans, Are We dancers?” solli pikëpyetjen se a jemi duke ndjekur lëvizjet e vullnetit tonë të lirë apo thjesht jemi duke ndjekur hapat e zakonshëm të vallëzimit, në fushën e politikës, jetën shoqërore por edhe cilën do sferë tjetër të veprimtarisë.
Pjesëmarrëset e këtij diskutimi Vjosa Osmani, Leonora Kryeziu dhe Donika Emini sollën para publikut perspektiven e tyre rreth asaj se si mund të ecim në një rrugë të pa trasuar, me mendime e ide tona. Të vallëzojmë nën tingujt e njëjtë, por secili prej nesh me vallen tonë unike.
Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij diskutimi theksoi faktin se në vend që ne të krijojmë melodi të reja, kërcejmë me ritmin e melodive të orkestruar. Sipas saj e njëjta praktikë vlen edhe në shumicën e gjërave që ne bëjmë në jetë.
“E njëjta praktikë vlen pothuajse për shumë gjëra që ne i bëjmë në jetë pra sillemi në mënyra të caktuara sepse ashtu na kanë mësuar në familje dhe në shkollë, veprojmë në publik ashtu si veprojmë sepse ashtu është qoftë rregulli, ligji apo rendi publik. Gjykojmë dhe paragjykojmë nganjëherë sepse lejojmë të na merr përpara mendimi i masës dhe kjo natyrisht shpesh kritikohet mirëpo është deri diku ritmi i zakonshëm i jetës, duke jetuar me një ritëm çmendurisht të shpejtë në kohën tonë”, ka thënë Osmani e cila tutje tha se çdo ditë është sfidë në vete sepse kur ndjek rrugën e trasuar nga dikush tjetër shtegu i jetës mund të duket më i lehtë.
Sipas Osmanit janë pikërisht valltarët që në një moment kanë kuptuar se jo çdo herë duhet të kërcesh sipas koreografisë sepse vallëzimi shijohet vërtetë vetëm kur dominon njerëzorja, kur shpërfaqet emocioni e kur ngadhënjejnë ndjenjat, e si të tillë ata kanë mundësuar të kemi çdo të mirë që e vlerësojmë lartë në shoqërinë tonë.
Ajo tutje tha se është e vështirë të ecësh me ritmin tënd të muzikës në vendin tonë, e sidomos kur je një grua në një profesion si politika. Sipas saj kur ti fillon të ndryshosh koreografinë e cila ka qenë pjesë e jotja deri sot atëherë lufta e të tjerëve kundër teje rritet shumë.
“Përderisa je në ritmin e njëjtë me të gjithë, ke vlerësime të larta por në momenti kur e kupton që koreografia ose idetë e reja në fakt mund të avancojnë shoqërinë shumë më shumë sesa ato pjesë e të cilave ke qenë më herët, dhe insiston në to, lufton në to atëherë edhe lufta e të tjerëve kundër teje rritet në një masë të madhe”, ka deklaruar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq Donika Emini gjatë këtij diskutimi tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider që refuzojnë të ecin në rrugë të patrasuar, sipas saj përshtypjen më të madhe që e ka marrë gjatë kësaj kohe ka qenë nga ana e votuesve që kanë mbështetur këtë.
“Mendoj se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider të cilët kanë refuzuar me ecë në rrugë të patrasume, kanë sfidu sisteme të cilat janë konsolidua për 20 vite sisteme të kapura edhe megjithatë çka më ka lënë përshtypje është që edhe votuesi, qytetari e ka pa dhe e ka mbështetë këtë. Zakonisht në fillim të rrugëtimit shumë pak mbështetesh, në fillim të rrugëtimit kur fillon me e sfidu sistemin, sistemi është më i fortë edhe të mund. Mirëpo në momentin kur del me një fazë më të konsolidume, fillon me gjet mbështetje atëherë veç e sheh që ndryshimi ka filluar edhe ndryshimi ka fillu me u bë me ty”, ka deklaruar ajo.
Drejtuesja dhe panelistja e këtij diskutimi, Leonora Kryeziu u shpreh se ajo çka i bënë përshtypje e sidomos në shkollën politike që ajo udhëheq është fakti që të rinjtë që vijnë nga partitë politike, vijnë me ide të marra gatshëm. Mirëpo sipas saj qëllimi i një shkolle politike është që tu mundësoj këtyre të rinjve që të zhvillojnë individualitetin e tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e pyetur për hapësirën që partitë politike ju ofrojnë të rinjve tha se pjesën më të madhe të të rinjve “hapësira” që u ofrohet në parti politike nuk është ajo e shprehjes së mendimit apo qëndrimit. Sipas saj të rinjtë angazhohen vetëm në kohë zgjedhjesh e më pas lihen anash.
“Pra problemi është që shumica dërrmuese e të rinjve edhe kur u epet “hapësire”, ajo hapësirë nuk nënkupton hapësirë për shprehjen e mendimit, hapësirë për shprehjen e qëndrimit e mbi të gjitha jo hapësirë ku të merret parasysh pastaj mendimi. Pra merren kryesisht si një grup të cilët angazhohen vetëm në kohë të zgjedhjeve dhe pastaj një numër i madh i tyre lihen anash. Pra shumë shpesh nëpër parti politike të rinjtë konsiderohen më shumë si numër sesa si potencial e kjo duhet të ndryshoj si mendësi”, ka deklaruar ajo.
Madje ajo tha që kur merren shembuj vende tjera dhe diskutohet se si kanë arritur të kenë zhvillim të madh ekonomik përgjigjja është e qartë “investo në njerëz e jo në asfalt”.
Gjatë këtij diskutimi edhe pjesëmarrësit patën mundësinë që të shtrojnë pyetje për panelistët dhe të bëhen pjesë e diskutimit. Njëra nga pjesëmarrëset të cilës ju bë i ditur vetëm emri gjatë këtij diskutimi, e pyet Vjosa Osmani se si ka mundësi që ajo ka qenë pjesë e një muzike për dy dekada, madje pjesë e një muzikë që e ka formësuar e tani nuk mund ta dëgjojë më atë muzikë.
Osmani tha: “Përkundrazi Valmira unë nuk e kam asnjë problem që ta dëgjoj atë muzikë, unë jam duke e mbrojtur atë muzikë e cila është ndërtuar për dy dekada, janë të tjerët që kanë filluar valle tjetër, madje kanë filluar valle të rrezikshme. E tash në valle të rrezikshme që janë të këqija edhe për vendin edhe për qytetarët tanë, natyrisht që unë nuk e kam ndërmend me hy”, deklaroi ajo.
Sipas Osmanit pjesa dërrmuese e keqkuptojnë faktin që ajo vetëm po mbanë fjalën dhe e quajnë dele që largohet nga kopeja.
‘Po e përmbyllë më këtë, shumica dërmuese e njerëzve që e keqkuptojnë faktin që unë thjesht po e mbajë fjalën, më thonë kështu, kështu më thonin edhe në vitin 2014 e 2015 e po e përsërisin edhe tash. Më thonin “Delja që ndahet nga kopeja e hanë ujku”, përgjigja ime është e thjeshtë “Unë nuk jam dele mos u bëni as ju dele”, ka përfunduar Vjosa Osmani.
Gjatë këtij diskutimi u fol edhe për faktin se si gratë instrumentalizohen në politikë, si dhe pozitën që kanë gratë në politikë. Gjithashtu penalistët theksuan faktin se sfidimi i sistemit bëhet dyfish më i vështirë kur, sfiduesja është grua e jo burrë. / KultPlus.com
Festivali Anibar i filmit në Pejë ka publikuar programin artistik të tij për edicionin e 11-të, i cili do të mbahet nga 17 deri më 23 gusht, në Pejë. Bëhet e ditur se nga 1300 filma, 139 u zgjodhën nga ekipi përzgjedhës për t’u shfaqur gjatë 7 ditëve të festivalit.
Filmat janë ndarë në 7 kategori, ku 5 prej tyre do të jenë në garë: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Ndërsa 2 kategoritë e tjera do të jenë jashtë garës: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Në mesin e filmave të përzgjedhur nga Anibar, do të shfaqet premiera botërore e “All Those Sensations in my Belly” e regjisorit Marko Djeska, film ky që garon në Garën Ballkanike dhe në Kategorinë e të Drejtave të Njeriut.
Programi i larmishëm i filmave që do të shfaqen gjatë muajit gusht janë përzgjedhur, nominuar ose shfaqur në një numër festivalesh të tjera siç janë: “Annecy International Animation Film Festival”, “The Academy Awards”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Sarajevo Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Ottawa International Animation Festival”, dhe shumë tjerë.
Programi artistik i Anibar do të shfaqet përmes platformave dixhitale për mysafirë vendor dhe ndërkombëtar. Mundësia e organizimit të kinemave të hapura do të mbetet opsion vetëm nëse situata pandemike përmirësohet gjatë muajit gusht.
Në një mënyrë apo tjetër, programi i filmit do të përmbajë vepra të mrekullueshme dhe unike të animacionit nga e gjithë bota, që do të jenë në dispozicion për t’u parë nga 17 gushti deri më 23 gusht.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit – Anibar, këtë vit do të festojë edicionin e tij të njëmbëdhjetë (XI), ndryshe nga çdo edicion tjetër, me data të reja dhe një format të adaptuar të festivalit për shkak të situatës me të cilën po përballemi të gjithë.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kemi vendosur që festivalin ta mbajmë me datat: 17 deri më 23 gusht të këtij viti, e jo sikurse kemi paralajmëruar më herët në korrik.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit – Anibar, këtë vit do të ofrojë një program të përshtatur sipas parametrave mbrojtëse të paracaktuara nga institcuionet relevante në Kosovë për mbrojtjen nga COVID – 19. Anibar është përkujdesur që përvec shfaqjes së filmave, prezantimeve, programeve speciale, aktiviteteve edukative dhe profesionale, të ofroj edhe programin artistik per transmetim online nëpërmjet platformave digjitale.
Anibar fton të gjithë që të përcjellin faqen kryesore të Anibar: www.anibar.org si dhe profilet e Anibar në Facebook, Twitter dhe Instagram, në mënyrë që të informohen rreth të gjitha lajmeve rreth festivalit të sivjetëm.
Në ndërkohë, shumë shpejt pritet të dalin edhe me temën e festivalit dhe programin e dizajnuar. / KultPlus.com
Organizata kulturore Anibar njofton për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të kinema “Jusuf Gërvalla”, respektivisht hapësirave të Akademisë së Animacionit. Si organizatë e cila në vazhdimësi ka punuar për intensifikimin e bashkëpunimeve kulturore me botën e jashtme dhe ofrimin e sa më shumë mundësive, sidomos për të rinjtë, jo vetëm nga Peja, por gjithë Kosova.
Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar, e cila u nënshkrua sot. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje prezent ishin edhe ambasadorja franceze, znj. Marie Christine Butel, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar – Anibar, Arba Hatashi. Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, znj. Marie Christine Butel foli për historikun e bashkëpunimit të Ambasadës Franceze me Anibar, ndërsa Arba Hatashi, përveç prezentimit të tri animacioneve të shkurtra, të realizuara nga nxënësit e Akademisë së Animacionit Anibar, prezentoi edhe punën e Anibar, Kinema “Jusuf Gërvalla” dhe Akademisë së Animacionit.
Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës. Qendra Frankofone në Pejë do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme që punojnë në Pejë e Kosovë, me organizata të ndryshme që fushën e veprimit ose prejardhjen e kanë në Francë. Kjo qendër, ndër tjera, do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge si dhe aktivitete të tjera kulturore e edukative në Komunën e Pejës. Përmes Qendrës Frankofone në Pejë, të rinjtë dhe të rejat, por jo vetëm, do të kenë mundësi të shumta për të mësuar mbi kulturën e pasur franceze. Marrëveshja e sotme me Ambasadën Franceze është një hap tjetër në shtegun e gjatë të bashkëpunimit që Anibar ka realizuar në fusha të ndryshme.
Hapësira e Qendrës Frankofone është po ajo që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit, e themeluar nga Anibar, dhe që është restauruar dhe rivitalizuar si pjesë e Kinema “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com
Edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar – “Anibar”, është mbyllur sonte. Ai është mbajtur nga 15 – 21 korrik në qytetin e Pejës.
Në këtë edicion jubilar, Anibar u bë nikoqir i mijëra mysafirëve nga mbarë bota dhe nga vendi, shfaqi 300 filma të animuar në pesë kinematë: Jusuf Gërvalla, Kinemaja për fëmijë e të ri në teatrin “Istref Begolli”, Kinemanë “Urban”, te Liqeni dhe te Kubat; po ashtu shfaqi 15 programe speciale, dy prezantime speciale nga regjisorët e serialit “Rick dhe Morty”, mbajti 5 punëtori për fëmijë dhe të rinj, si dhe dy masterklasa për studentë të artit dhe gazetarisë dhe katër panele diskutimi për rolin e artit në avancimin e të drejtave të njeriut dhe aktivizmit.
Anibar, po ashtu, shfaqi filmat që ishin në garë për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë, ndërkombëtarë, nga Ballkani, filmin më të mirë të animuar me muzikë, dhe filmin më të mirë të animuar nga studentët.
Në vijim po ju sjellim fituesit e këtij festivali:
1. Në kategorinë e filmit më të mirë të animuar ndërkombëtarë fitues është:
Filmi “And then the bear” nga Agnès Patron;
Falënderim special për filmin “I’m going out for cigarettes”, nga Osman Cerfon dhe “Egg” nga Martina Scarpelli.
2. Garën për kategorinë e studentëve e fitoi filmi:
“Applesauce” nga Alexander Gratzer;
Falënderime speciale për “Hide N Seek” nga Barbora Halířová.
3. Nga kategoria e Filmit më të mirë të metrazhit të gjatë fitoi:
“The Tower”, nga Mats Grorud;
4. Nga gara për Filmin më të mirë të Ballkanit e fitoi:
“Imbued Life”, nga Thomas Johnson dhe Ivana Bosnjak;
Falënderime speciale për “N’korniz” nga Gëzim Ramizi.
5. Filmi muzikor i animuar më i mirë shpallet:
“Siamés – Mr. Fear”, nga Pablo Rafael Roldán dhe Ezequiel Torres;
6. Çmimi i Publikut iu dha:
“Toomas Beneath the Valley of the Wild Wolves”, nga Chintis Lundgren.
Juria kryesore e festivalit që përzgjodhi fituesit në katër kategori ishte në përbërje të: Koji Yamamura, Agotta Vegso, Annette Schinlder, Jeremiah Dickey, Lise Fearnley. Ndërsa filmin më të mire të studentëve e ka vlerësuar juria në përbërje të: Hana Arapit, Jon Mithi, Lum Radoniqi, Qëndrim Spahija, Rigon Kurteshi. / Koha.net / KultPlus.com
13 filma të punuar nga studentët dhe të vlerësuar si filmat më të mirë të shkurtër të animuar nga shkolla e filmit “Animation Workshop”, u shfaqën dje në Kinemanë ‘’Jusuf Gërvalle”, në kuadër të edicionit të dhjetë të Anibar.
Filmat u prodhuan nga studentët e shkollës së filmit “The Animation Workshop/ VIA University Collage”, në Danimark. Përmes animacionit filmat preken tema aktuale në shoqërinë e sotme si racizmi, tabuja, riciklimi; mbrojtja e ambientit, etj.
Këta filma u pritën mirë edhe nga pjesëmarrës në festival që paten mundësi t’i shikojnë. Antik Doli, pjesëmarrës tha se filmat kanë qenë unik, dhe kanë shfaqur fuqi dhe ndikim.
“Secili prej filmave ka qenë unik në stil, mesazh dhe realizim. Gjithçka ka pas fuqi edhe ndikim tek shikuesit duke filluar nga animacioni tek audio”. Dafina Vokrri, një pjesëmarrëse tjetër për filmat tha se secili ka pasur rendësin dhe mesazhin e vet. ‘Më pëlqeu idea e organizimit, tu e pas parasysh se secili film i shfaqur e pati rëndësinë dhe mesazhin e vet. “
Po ashtu, ajo shtoi se për të kuptuar filmat e animuar kërkon vëmendje të madhe, por megjithatë ajo japin kënaqësi të jashtëzakonshme. “Ndonëse nevojitet koncentrim për të zgjidhur enigmat e dhëna, këta filma sjellin kënaqësi të jashtëzakonshme dhe udhëzime mbi jetën, dëshirat, pengesat.”
“Best of Animation Workshop” po shfaqën në kuadër të Anibar, që u hap me 15 korrik dhe vazhdon deri më 21 korrik 2019, në Pejë
Festivali Anibar Animation sivjet mban edicionin jubilar prej 15 deri më 21 korrik në Pejë, me temë “Frika dhe Shpresa”.
Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të festivalit.
Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, ka bërë të ditur më herët se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.
Në edicionin e 10-të të festivalit do të ketë edhe 15 programe speciale, 4 workshope për të ri, 3 master-klasa dhe mysafirë specialë.
Përkrah programit të jashtëzakonshëm të Anibarit të mbushur me shfaqje të filmave të animuar, punëtori për animacion, programe speciale, prezantime gjatë gjithë ditës, gjithçka do të kulmojë me netët muzikore që zënë një vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshme në aktivitetet e këtij edicioni të festivalit, që mbahet nga 15 deri me 21 korrik 2019, në Pejë.
Gjatë këtyre netëve prej orës 23:00, në një mjedis të hapur, në Parkun e qytetit të Pejës, si asnjëherë më parë, shumë artistë, bende dhe DJ, do të performojnë zhanret dhe këngët e tyre për të sjellë një atmosferë të gjallëruar dhe ritme të veçanta gjatë netëve të Anibar.
15 korrik – Nata që hap ndejat muzikore të Anibar është e dedikuar për muzikën Regge ku artisti Blend Mishkin bashkë më grupin Roots Evolution do të ju sjellin tinguj të afrobeats dhe muzikë reggae. Artisti i dytë do të jetë Natty Fiyah e cila tashmë njihet në zhanrin eksperimental të muzikës, e që mund të përshtatet në çdo rast, reggae, jungle apo drum’n’bass.
16 Korrik – Një natë që do të karakterizohet me muzikë Hip Hop Old School. Do të habiteni nga shpejtësia dhe tekstet e reperëve si Llumi & Blleki, që janë pjesë e grupit P.I.N.T. Të dytë sjellin tingujt e hip-hopit klasik dhe rap-it të viteve 2000 të përzier me elemente moderne. Ndërsa, DJ Goce, përfaqëson kohën e hershëm të hip hopit dhe e çon këtë zhanër në rrënjët e hershme të tij. Një mysafir i veçantë në këtë natë do të jetë Sticky, artisti i ri pejanë dhe një mik i Anibarit do të debutoj me muzikën e tij.
17 korrik – Janex po vjen drejt nga New York-u në Pejë, për të performuar për herë të parë në Anibar. Një interpretuese e shkëlqyer, me një zë të mahnitshëm dhe muzikën e saj indie-pop/dance, është bërë të njohur në të gjithë industrinë. DiziRadio artisti i ri nga Peja do të ketë njërën nga performancat e tij të para me paraqitjen në Anibar.
18 korrik – Kjo natë hapet me Reka Zallan e cila është gjithnjë në kërkim të atmosferave për të krijuar rritme impulsive. Muzika e Reka Zallanit karakterizohen kryesisht nga tinguj të errët me elemente psikodelike. Më pas Genti me Vargmal Records është një tjetër artistë që lidhjen me muzikën elektronike e ka formësuar që në fëmijëri, ai është një eksplorues i muzikës e veçanërisht në zhanrin tekno psychedelic.
19 korrik – është nata qe i dedikohet muzikës alternative. Performanca e parë do të jetë e grupit nga Prishtina, Asgjë sikur Dielli që përmes teksteve me metafora provokative, kryesisht me tema nga jeta sociale, gjithnjë kanë krijuar një atmosferë autentike, në muzikën alternative kosovare. Më pas vjen një DJ nga Kroacia, nën emrin DJ Shullio, ai rregullisht bënë dj-ing në festivalet e filmit të animuar dhe vende të tjera. Ai është edhe drejtori artistik I Festivalit Animafest Zagreb.
20 korrik – Me pasion të vërtetë, finesë teknike dhe shumë dashuri për detajet, Tereza udhëheq përmes tingujve të saj elektik që kapërcejnë kufijtë tradicional të zhanreve. Në një mënyrë emocionuese ajo kombinon stimulimin e saj muzikor për të eksploruar me një angazhim të sinqertë ndaj valëve “frenzy” për një natë të paharruar për publikun e Anibar. Më pas artisti nga Maqedonia Andrej Micajkov do t’ju bëjë të relaksoheni dhe të zhyteni në rrjedhën e muzikës së tij të “energjisë natyrore” që është e lehtë dhe e këndshme për t’u dëgjuar
21 korrik – Nata përmbyllëse e këtij edicion të Anibar do të rezervoj tinguj ritmik dhe plot gjallëri të orkestrës Gypsy Mambo këngët e tyre vijë nga një traditë e performancave argëtuese muzikore, ata kanë bërë muzikë në shumë festivale të mëdha të muzikës në të gjithë botën. /KultPlus.com
Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të Festivalit ‘Anibar”, që mbahet në Pejë nga 15-21 korrik.
Kështu bënë të ditur zyrtarë të Anibar International Animation Festival, i cili fillon më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 21 korrik.
Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, tha se ka qenë shumë e rëndësishme që në këtë edicion të kenë laramani.
Ai bëri të ditur se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.
“Tema e këtij edicioni flet për shpresat dhe frikët. Kemi pasur një mijë aplikime, prej tyre janë përzgjedhur 300 filma. Edhe këtë vit kemi vazhduar t’i angazhojmë studentët nga Kosova në mënyrë që të rrisim kritikën e tyre”, tha ai.
Leonora Aliu, koordinatore për media, tha se edhe kësaj radhe janë përqendruar për një program sa më të pasur.
“Në edicionin e 10 të festivalit do të kemi 300 filma të animuar, 15 programe speciale, 4 workshope për te rinj, 3 masterklasa dhe mysafirë specialë, regjisorët e serialit ‘Rick and Morty'”, tha ajo. / KultPlus.com
Një ndër objektivat e Festivalit të Animacionit “Anibar”, është dhënia e kontributit në edukimin e brezave të rinj rreth animacionit, përmes prezantimeve nga profesionistë të fushave, artistë e profesorë të dëshmuar tashmë globalisht përmes punës së tyre. Për këtë qëllim këtë edicion kemi ftuar një ndër emrat më të njohur të industrisë së filmit të animuar në Japoni, është animatori i shumënjohur Koji Yamamura.
Yamamura do të jetë prezent në ditën e fundit të festivalit, më 21 korrik 2019. Ai do të mbajë një prezantim në lidhje me “Shndërrimin e imagjinatës në realitet” përmes animacionit. Pas prezantimit të tij, pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të parashtrojnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me të lidhur me teknikat më profesionale të përdorura nga mjeshtri i animacionit. Duhet potencuar se në përgjithësi në industrinë e filmit të animuar, teknologjia e përdorur në prodhimin e filmave merr vëmendjen kryesore të kritikëve dhe artdashësve.
Për Koji Yamamura-n krijimi i filmave të animuar është si hyrje në një botë më të thellë shpirtërore, ku tejkalohet dualizmi në mes të mendjes dhe materies, dhe mund të realizohet bashkimi i ndërdijes me realitetin. Koji Yamamura gjatë prezantimit të tij do ta përqendrojë vëmendjen kryesisht mbi aspektet psikologjike të disa filmave të tij të animuar si: Mt. Head, Fig, Franz Kafka, Country Doctor, Strings Muybridge, “Satie Parade”;. Ai do të flas ndër tjerash për rolin e ndërdijes në prodhimin e filmave të animuar, dhe mënyrat për të hyrë në ndërdije përmes teknikave të animacionit.
Përndryshe, Koji Yamamura është anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, dhe profesor i Universitetit të Arteve në Tokyo. Ai gjatë vitit 1990 e rafinoi stilin e tij, duke shpenzuar shumë në krijimin e filmave për fëmijë. Filmi tij, “Mt Head”, është nominuar për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të animuar nga Akademia e Filmit në vitin 2003. Filmi i tij në thelb intepreton historinë tradicionale japoneze të Rakugos “Atama-yama”. Nominimi për Oscar shënoi një pikë kthese për Kojin. Pas këtij nominimi, filma te tij si: “Crocodile”; (2005), “Franz Kafka” “Country Doctor” (2007), dhe “Strings Muybridge”; (2011), morën më shumë se 90 çmime nëpër festivale të animacionit./Inajderi/KultPlus.com
Away” është njëri nga tre filmat e animuar të metrazhit të gjatë që vijnë për herë të parë në Kosovë, përmes ekranit të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të edicionit të dhjetë të festivalit të animacionit Anibar, që mbahet nga data 15 deri më 21 korrik në Pëjë.
“Away” do të shfaqet në ditën e katërt të festivalit Anibar, përkatësisht me datën 18 Korrik nga ora 16:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla”. Ky film, së bashku me filmin “The Tower” të regjisorit Norvegjez Mats Grorud dhe “Ruben Brendt, Colector” të regjisorit nga Sllovenia Milorad Krstic, garon për filmin më të mirë të animuar të metrazhit të gjatë ndërkombëtarë.
Filmi “Away”, është një histori klasike e rikthimit në shtëpi, duke përcjell aventurat e një djali në një motor, duke tejkaluar barriera të ndryshme fizike dhe metafizike me ndihmën e mikut të tij të vogël. Me pamjet mbresëlënëse të skenave të animuara që paraqiten në rrugëtimin e djaloshit, pyjet, shkretëtira, shpella apo peisazhet detare, sjellin ndjesi mahnitëse gjatë shikimit të filmit.
Regjisori dhe animatori Gints Zilbalodis edhe pse vetëm 25 vjeçar është shumë i suksesshëm dhe me përvojë në realizimit e filmave të animuar, magjepsja e tij me filmat filloi që në moshë të re, filma klasikë dhe ata të shkurtë kishin ndikim në formësimin e tij. Ai ka realizuar shtatë filma të animuar në media të ndryshme duke përfshirë animacion me vizatime, animacion 3D dhe live-action animacion, shpesh duke përzier me karakteristikat e tyre. Dy filmat e tij që i kanë sjellë veçanërisht shumë vëmendje nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare janë: “Priorites” dhe “Inaudible”.
“Away”, është një projekt të cilin regjisori ka arritur të realizojë i vetëm, duke filluar nga regjia, skenari, animacioni, madje edhe për muzikën e filmit dhe gjithçka tjetër në të, është përkujdesur vet Zilbalodis. Arsyeja kryesore që e ka shtyrë të ndërmarrë një hap të tillë, jo pak të guximshëm dhe sfidues, sipas regjisorit është “dëshira të mësonte të gjitha aftësitë e kërkuara në krijimin e filmave”, kështu që sa herë të ketë mundësi për të bërë një film me një ekip më të madh, “do të kuptonte më të mirë rolin e gjithsecilit”.
Premiera botërore e filmit u shfaq në “Animafest Zagreb 2019”, ndërsa menjëherë më pas u shfaq edhe në “Annecy Animation Festival”, të Francës ku është shpërblyer me çmimin Contrechamp (2019).
Edicioni jubilar i festivalit të parë të animacionit në Kosovë do të vazhdojë që të sjellë në Pejë regjisorë të njohur.
Takimi me filmbërësit dhe shkëmbimi i përvojave mbetet vizion i “Anibarit”. Për të dëshmuar këtë, organizatorët e Festivalit tashmë kanë bërë të ditur emrat e tre regjisorëve të ftuar. Që të tre për punën e tyre janë shpërblyer me çmime të rëndësishme të fushës së animacionit. Bryan Newton , Matt Taylor dhe Milorad Krstiq do të jenë pjesë e edicionit të 10-të, i cili do të mbahet nga 15 korrik deri më 21 korrik.
“Prej aventurave ndërdimensionale drejt e në Anibar”, kështu
është vlerësuar ardhja e regjisorëve Bryan Newton dhe Matt Taylor. Mysafirët e
Festivalit, i cili mbahet në Pejë, do të kenë mundësinë që të eksplorojnë më
shumë botën e serisë më të guximshme të animuar “Rick and Morty”. Newton dhe
Taylor do të flasin më shumë për përvojën e tyre në krijimtarinë artistike.
Gjatë ditëve të festivalit në Pejë do të jetë edhe regjisori Milorad Krstiq, i cili do të jetë pjesë e aktivitetit “Meet the Filmmakers “në kuadër të Festivalit. Krstiq, i cili do të jetë në Pejë për shfaqjen e filmit të tij, ka një kohë të gjatë që njihet në boten e animacionit.
Festivali i filmit të animuar “Anibar”, i cili mbahet cdo vit në qytetin e Pejës këtë edicion ka dy mysafirë special Bryan Newton dhe Matt Taylor – dy regjisorët nga ekipa madhështore që ka krijuar një ndër seritë më të guximshme të animuara të kohërave tona “Rick dhe Morty”.
Newton dhe Taylor, do të na bashkohen këtë vit në Anibar përmes diskutimeve të hapura me ju dhe duke ndarë eksperiencën e tyre e të qenurit pjesë e ekipës që ka punuar në serinë që u shfaq për tre sezona me radhë në programin e mbrëmjes të Adult Swim në kuadër të rrjetit të kanalit për animacion Cartoon Netëork.
Anibar, këtë vit mbahet nga 15 deri më 21 korrik 2019. Ndërsa me datat 19 dhe 20 korrik 2019 (e premte dhe e shtunë) Matt Taylor dhe Bryan Newton do të mbajnë diskutimet e tyre në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë./Insjaderi/KultPlus.com
Në Festivalin e Animacionit Anibar që këtë vit organizon edicionin e tij të 10-të, do të shfaqet edhe premiera e filmit të animuar kosovar “N’Kornizë”.
Përveç që është njëri nga filmat e rrallë të animuar të prodhuar në Kosovë, veçantia e këtij filmi është realizimi me tekniken Stop-Motion Animation, pra nuk është një metodë tradicionale e animacionit të vizatimit, por është një teknik kinematografike ku aparati ndalet në mënyrë të përsëritur dhe fillon, për t’i dhënë figurave të animuara përshtypjen e lëvizjes.
Filmi “N’kornizë” i cili do të shfaqet për herë të parë
gjatë Festivalit Anibarit është punuar me regji të Gëzim Ramizit, skenar nga
Hana Zeqa dhe producent Rron Ismajlin, trajton historinë e një djali të ri që
jeton në qytetin imagjinar të Prishtinës. Ai zotëron një dyqan të vogël ku bën
korniza që njerëzit përdorin për të dekoruar kujtimet e tyre.
Festivali i Animacionit Anibar këtë edicion mbahet prej 15 deri më 21 korrik në qytetin e Pejës. Më shumë informata rreth filmave dhe programit që do të shfaqet mund ti gjeni në anibar.com. /KultPlus.com
Anibar hap thirrjen për pjesmarrës në punëtorinë e animacionit: Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë!
Nëse keni interesim për animacion, kulturë dhe ushqimin tradicional, atëherë bashkohuni në punëtorinë pesë ditore në Kinema “Jusuf Gervalla”.
Kjo punëtori organizohet në kuadër të projektit të Anibar “Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe ngritja e dialogut ndërmjet komuniteteve” i cili projekt është i mbështetur nga UNDP Kosovo.
Për më shumë informata rreth aplikimit klikoni linkun e mëposhtëm!
Të gjithë të interesuarit e moshës 16-30 inkurajohen të aplikojnë!
Pjesëmarrësit jashtë Pejës do t’i kenë shpenzimet dhe akomodimin e mbuluar gjatë kohëzgjatjes së punëtorisë. Punëtoria do të fillojë më 25 janar dhe do të vazhdojë deri më 29 janar, 2019.
Për të plotësuar aplikacionin ju lutemi klikoni këtu.
Të gjitha aplikacionet duhet të plotësohen dhe të dorëzohen deri më 20 janar 2019 për t’u konsideruar si pjesmarrës i kësaj punëtorie./ KultPlus.com