“Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema promovohet në Prizren

 

Figura historike e kinematografisë shqiptare, aktorja Tinka Kurti do të jetë javën tjetër në Prizren, për promovimin e librit “Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” të autores Anila Mema, përcjell KultPlus.

Libri i cili përmban rreth 40 vite ditar mbi jetën artistike të “Artistes së popullit” dhe “Mjeshtres së madhe”, Tinka Kurti, do të promovohet javën e ardhshme.

Ditarin e shkroi bashkëshorti i saj, muzikanti Palokë Kurti pas çdo premiere teatrore apo filmi, teksa Tinka rrëfente momentet e saj në prova e shfaqje, në skena e shesh xhirime.

Libri është botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i shoqëruar me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë që 70 vjet më parë si dhe fotografi origjinale dhe të papublikuara më parë. Në një gërshetim prej shpirti e fryme, ditari paraqet një përzierje mes ndjesive, madhështisë, sinqeritetit, dëshirave, përjetësisë, pikëllimit, intimitetit, suksesit dhe dështimit.

Të pranishmit do të kenë mundësi bashkëbisedimi me aktoren dhe autoren, ndërkohë që disa kopje të librit do të jenë në shitje.

Promovimi i librit bëhet diton e mërkurë, më 12 tetor, nga ora 17:00, te Kino Lumbardhi. / KultPlus.com

‘Tinka Kurti, Ditari i një bashkëshorti’, promovohet libri për aktoren e madhe

Jeta dhe karriera artistike e aktores së madhe Tinka Kurti vjen tashmë në një libër të autores Anila Mema.

“Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” titullohet libiri i autores Anila Mema, i promovuar në një ceremoni ku ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, aktorët Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Luftar Paja, etj.

“Tinka ia doli sërish jo vetëm të na mblidhte, por edhe të krijonte një atmosferë aq miqësore e të ngrohtë, sa vetëm një shkodrane plot humor si ajo mundet. E nderuar të merrja pjesë në promovimin e librit “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema, mbështetur plot dashuri e asnjë ngurrim nga Ministria e Kulturës”, tha Margariti.

Tashmë, vijoi Margariti, kemi në duar një libër që ka brenda vetes kaq shumë histori, dashuri, pasion, ndjesi personale.

“Një guidë për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit, për të gjithë ne adhuruesit e aktores, por edhe ndjekësit e kinematografisë, që janë rritur me rolet e së madhes, Zonjës Tinka Kurti dhe një plejade të tërë aktorësh të pakohë, të pamoshë. Një gjest guximtar, të ndash kaq shumë nga vetja”, tha Margariti.

Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit.

Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin XI të mbajtur prej 23 deri në 27 prill 2000 në Tiranë iu dha Çmimi i Madh i Karrierës. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961. Për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”./atsh/ KultPlus.com