Nga Shijaku në Itali – Anila Shaqiraj mes arkitekturës, artit dhe projektimit të çantave për Gucci

Shpeshherë në jetë, shumë ëndrra dhe dëshira mbesin thjesht në sirtar, sepse mungon shtysa e madhe brenda vetes që thyen çdo barrierë vetëm për të arritur tek caku. E këto tipare nuk i kanë munguar Anila Shaqirajt, e cila pavarësisht se ishte një vajzë e ndrojtur dhe e heshtur në fëmijëri, bëri çmos që të gjithë reflektorët të kthehen tek ajo dhe talenti i saj, shkruan KultPlus.

E përmendur në vitet e fundit për përfshirjen e saj në kompaninë Gucci, jeta dhe karriera e Shaqirajt është shumë më shumë se kaq, e shtrirë në shumë disiplina të artit.

Në një intervistë të veçantë për KultPlus, ajo shpalosi jetën dhe karrierën e saj që nga momenti ku ajo fitoi konkursin e pikturës së organizuar nga UNESCO, konkurs ky që edhe e shpërfaqi talentin e saj, studimet në arkitekturë, përfshirjen në modë dhe hapjen e fondacionit ‘Mollakuqe’.

Një vajzë tejet kurioze mbi gjithçka e për jetën dhe definicionin e saj në tërësi, Anila Shaqiraj, tregoi nëpërmjet kësaj interviste se si arriti të gjejë veten në shumë fusha duke eksploruar pikturën, arkitekturën, modën, dhe edukimin përtej kufijve të zakonshme dhe duke krijuar një rrugëtim të pasur në krijimtarinë e saj e duke dhënë një shembull frymëzimi për gjeneratat e reja.

Anila Shaqiraj – nga zbulimi i talentit deri tek studimet në Itali

Sado që Anila Shaqiraj e përshkruan veten si një vajzë të ndrojtur nga Shijaku, talenti i saj për artin dhe pikturën, megjithatë arriti të dalë në pah, e për këtë pati ndihmën e mësueses së saj, piktores Shpresa Beqiri, e cila vuri re këtë talent të saj, i cili më pas u përcoll edhe me çmime në konkurset ndërkombëtare të pikturës.

“Kam lindur në Shqipëri në Shijak, afër Durrësit, aty kam bërë shkollimin dhe qysh në fillimet e mia kam pasur një lidhje me pikturën, mirëpo që kur isha e vogël nuk ishte vënë re, megjithatë unë kisha mësuesen e pikturës që më kishte shumë qejf dhe më ndiqte gjithmonë. Unë si fëmijë kam qenë fëmijë shumë i heshtur, pra nuk isha fëmijë shumë që u shprehte, prandaj edhe nuk lija hapësirë që të kuptohej talenti im. Por rastis që unë një ditë të dal në gazetë sepse kisha fituar një çmim ndërkombëtar të UNESCO-s. Ajo kishte të bënte me një temë, ku kishte marrë pjesë edhe shkolla ime dhe unë dola fituese fillimisht nga shkolla e Shijakut, më pas nga ajo e Durrësit e deri tek ajo e Shqipërisë dhe nga 36 vende ndërkombëtare që kishin marrë pjesë kishin përzgjedhur vetëm 12 punime dhe në fund u bë një kalendar me temën mbi familjen. Unë pata bërë një pikturë me pastel”, theksoi Anila, duke shtuar më tutje se që nga ai moment reflektorët e qytetit ishin kthyer nga ajo dhe se të gjithë e kishin kuptuar se kishte talent.

Pas suksesit të parë ndërkombëtar, Anila vazhdoi të ndiqte rrugën e talentit të saj, duke shprehur gjithnjë një dëshirë të fortë për mësim dhe zhvillim personal. Kjo ishtë periudha kur ajo filloi të ndjejë nevojën për një formim më të thellë dhe vendosi të ndjekë rrugën e arkitekturës. Megjithatë, për të realizuar këtë ëndërr, Anila Shaqira vendosi të studiojë jashtë Shqipërisë, duke zgjedhur Italinë për këtë qëllim.

“Nga aty kam vendosur të vij në Firencë për të studiuar arkitekturë sepse në atë kohë në Shqipëri, universiteti nuk ishte i njohur jashtë dhe unë imagjinoja një fëmijë 18-vjeçar që kishte ëndërra. Kur fitova çmimin e pikturës isha 15-vjeç dhe nga aty pastaj fillon faza e adoleshencës kur ti mendon që do të bëhesh një person i famshëm dhe nëse dua të bëhem një person i famshëm duhet të kem një universitet që është i njohur në gjithë botën dhe kjo ishte ideja se pse unë i kërkova prindërve të mi që të studioja në Itali. Atyre në një farë mënyre ‘u ra pika’ sepse nuk mund ta imagjinonin që unë të largohesha, sepse ne ishim një familje me babanë inxhinier, nënën agronome, të dy me shkollë por ishin në rregull në Shqipëri, pra kishin punët e tyre dhe nuk mund ta imagjinonin të dërgonin fëmijën e parë në studime në Itali vetëm. Por ngaqë isha të themi një fëmijë i talentuar nuk më thonin dot jo”, deklaroi më tutje Anila Shaqiraj, duke përshkruar zhvillimet e këtij ndryshimi të madh në jetën e saj, vendim të cilin e kishte marrë ajo vetë.

Mëgjithatë, në fillimet e para në Itali, e përcollën sfida të mëdha, pasi kishte shkuar në një ‘botë’ tjetër, ku ishte pothuajse e vetme, pa asnjë të afërm pranë.

Pavarësisht kësaj, ajo ka treguar guxim dhe vendosmëri për të sfiduar vështirësitë. Rrugëtimi i Anilës për të arritur deri në Itali ka sjellë një ndryshim jo vetëm në jetën e saj, por edhe në jetën e atyre që janë prekur nga historia dhe sukseset e saj. Duke theksuar rëndësinë e talentit, kurioziteti, guximit dhe mbështetjes së miqve dhe familjes, Anila Shaqiraj ka krijuar një rrugëtim frymëzues që shërben si shembull i forcës dhe vendosmërisë në ndjekjen e ëndrrave.

Tranzicioni nga arktiktura në modë

Gjatë intervistës, Anila Shaqiraj e ritheksoi karakterin e saj përherë kurioz, tipar ky që e kishte të theksuar që e vogël. Prandaj edhe gjatë studimeve në arkitekturë, ajo tregon që nga kurioziteti, përherë është marrë edhe me studime e kurse të tjera ekstra shkollës.

Ajo tregon se tranzicioni nga arkitektura në botën e modës nisi si një periudhë lezetshme, por edhe sfiduese në jetën e saj. Duke studiuar arkitekturë në Itali, një fatkeqësi familjare e ndërpreu rrugëtimin e saj shkollor për një periudhë, por kjo ndërprerje e dha kohën dhe hapësirën për të ndryshuar perspektivën e saj.

“Gjatë studimeve në arkitekturë, pata një fatkeqësi familjare, babai im pësoi një sëmundje të rëndë që pasoi edhe në 20 vitet në vijim, unë aty pata një lloj ndërprerje të studimeve dhe kur i rimora pas një viti, kishte kaluar kohë, ndërkohë, unë kam qenë person që gjatë studimeve kam qenë e interesuar edhe në gjëra të tjera, në fushën e spiritualitetit, të artit, të psikologjisë dhe në njëfarë formë kisha gjithmonë radarët e ndezur dhe në atë periudhë pasi rifillova studimet më ishte ofruar edhe të bëja asistenten në universitet të një kursi projektimi dhe kisha qasje të disa ngjarjeve që bëheshin në universitet dhe pashë që kishin hapur disa kurse formimi mbi projektimin e çantave dhe ndërkohë unë isha akoma studente, një profesoreshë universitare më kishte përzgjedhur si asistenten e saj, pra bëja edhe asistenten ndonëse kisha mbetur pak vonë me studimet”, u shpreh Anila Shaqiraj, duke treguar se jashtë universitetit, ajo ishte e përfshirë edhe në shumë kurse dhe përgjegjësi të tjera, megjithatë ajo vendosë ta bëjë edhe kursin për projektimin e çantave.

“Kur e pashë këtë kursin, thashë ‘Sa e bukur qenka kjo për çanta’ sepse kur merresha atë kohë me pikturë, mbaj mend që më kishin intervistuar në TVSH sepse isha ‘kinse’ e famshme, dhe në njërën nga ato intervistat mua më pyetën se ‘çka do të bëhesh kur të rritesh, stiliste?, dhe mbaj mend që u jam përgjigjur që nuk e di ndoshta edhe stiliste sepse jeta është e gjatë mund edhe të ndryshoj mendje edhe e kam pasur gjithmonë fiksim këtë pjesën e sitlistes më shumë nga ana e modës edhe kur e pashë këtë broshurën thashë interesant të bësh çanta, ta shohim njëherë se si është kjo pjesë dhe u regjistrova por ishte ekstra orarit të studimeve, e bëra dhe thjesht më pëlqeu”, tha në vijim ajo duke shtuar se edhe pjesa e arkitekturës e ndihmoi që të spikasë edhe në këtë kurse, meqë i dinte disa rregulla bazë.

Ndonëse këtë kurs e kishte bërë thjesht nga kurioziteti, ai i hapi rrugë edhe më tej në fushën dhe industrinë të cilën ajo sapo kishte hyrë. Pas përfundimit të këtij kursi, organizatori i ka propozuar asaj një punë që kërkonte pikërisht zbatimin e njohurive të cilat ajo i kishte marrë në këtë kurs, megjithatë ajo fillimisht e refuzoi.

“Pas një viti, isha në vit të fundit në universitet dhe thashë me vete tani është momenti dhe pyeta atë profesorin sepse e ndjeja që kisha nevojë për një ndryshim. Personi që e organizonte këtë kurs ishte i lidhur me shumë kompani që kërkonin persona që e kishin përfunduar këtë kurs dhe më rekomandoi në njërën nga kompanitë më të mira në anën e Toskanën që bënin multi-brands, bënin marka të njohur. Pasi më morën në intervistë, pas 20 ditësh unë e gjeta veten duke punuar në këtë kompani”, thotë Anila gjatë intervistës për KultPlus, duke treguar zanafillën e përfshirjes së saj në brendet e njohura për çanta.

Ajo nëpërmjet kësaj interviste ka folur edhe për një tjetër pasion që ajo e praktikonte atë kohë e që ishte disiplina e ‘Feng Shui’, një traditë antike kineze për arredimin e shtëpisë.

“Gjatë universitetit, ndërkohë që unë punoja edhe në këtë kompani, unë kam pasur edhe një pasion tjetër që nuk doja të heqja dorë, kisha ‘Feng Shui’. ‘Feng Shui’ është një disiplinë e vjetër antike kineze që ka të bëjë me aredimin e shtëpisë sipas harmonisë. Unë gjatë arkitekturës kisha njohur këtë disiplinë të lashtë dhe isha fiksuar pas ‘Feng Shui’ dhe kur fillova të punoja me çanta, nuk doja assesi të tija edhe disiplinën e ‘Feng Shui’ e për këtë arsye nuk doja ta merrja orarin e plotë”, tha ajo duke shtuar se i kishte vënë vetes kusht ta praktikonte edhe këtë disiplinë.

Gucci – nga frika se po hyn në një ambient të egër dhe sfidues, në një vend që i hapi dyer të mëdha

Pas shumë viteve punë në kompani që prodhonin multi-brende shumë të njohura botërisht, Anilës, një ditë i erdhi një propozim shumë i veçantë nga një profesor që e kishte njohur në një nga kurset e shumta që ajo kishte ndjekur. Ai i kishte propozuar punë në kompaninë e Guccit dhe se po kërkonin një projektuese me kualifikimet e saj, megjithatë këtë propozim ajo fillimisht e mori me skepticizëm.

“Të them të drejtën para se të hyja në këtë ambient më thanë ki kujdes se ai është një ambient i egër dhe sfidues, unë kisha punuar edhe në kompani të tjera, por për Gucci-n më thanë kujdes kur të hysh, thashë ta shohim. Mirëpo, ajo që mendoj është se ajo që bën diferencën është se si sillesh ti. Në këtë ambient nuk më ka nxjerrë dhëmbët asnjëri, sepse unë kam qenë gjithmonë një njeri që para se të merrte diçka, jepte. Kur më jepej ndonjë detyrë, unë bëja gjithmonë më shumë. Gjithmonë kam qenë person që jepte dhe ka pasur gjithmonë tapet të kuq kudo. Unë në Gucci kam hyrë në vitin 2015 dhe kam ndryshuar katër-pesë role sepse pikërisht kam qenë kurioze mbi gjithçka sepse puna më pëlqente dhe shkoja me entuziazëm në punë, por kjo është natyra ime, nuk është puna, është se si ti e sheh jetën”, shpjegon ajo fillimet e punës së saj në Gucci.

Në intervistën për KultPlus, Anila Shaqiraj shpalosi edhe me projektin e radhës në të cilin ajo po punon në kuadër të Guccit, e që ka të bëjë me restaurimin e çantave që kanë bërë bujë në historinë e Guccit, duke i sjellë në një version të ri, por duke mos ua humbur origjinalitetin.

“Unë tani merrem me një projekt shumë të bukur që quhet ‘Gucci Vault’. Gucci është një nga të vetmet kompani që ka një arkiv shumë të pasur historik me të gjitha produktet që janë bërë në histori, unë jam specifike për çantat dhe të gjitha artikujve me lëkurë përveç këpucëve. Kur unë jam propozuar para një viti e gjysmë, Gucci kishte pasur idenë për të krijuar një koleksion mbi vintage, artikuj që kanë bërë historinë, çantat e famshme që ruhen në arkiv dhe që janë përdorur edhe nga emra të njohur. Pra, zgjidhen këto lloj çantash vintage nga zyra jonë dhe mbi këto vendoset të bëhet një rinovim si nga ana e strukturës së çantës si dhe nga ana stilistike duke krijuar një çantë unike por duke ruajtur origjinalitetin dhe historinë e saj, vetëm duke shtuar disa punime specifike”, tregoi në vijim Anila Shaqiraj, duke shtuar se këto çanta më pas do të shiten për njerëz specifikë.

Refektimi – kthimi pas në kohë

Anila Shaqiraj, kur shikon pas në kohë, identifikon veten e saj si një vajzë të ndrojtur dhe shumë e turpshme në fëmijëri. Megjithatë, ajo shton se, megjithëse turpi vazhdon të jetë një pjesë e saj, ka shtyrë veten drejt një gjendje më të guximshme dhe të vendosur. Kjo tranzicion nga një personalitet i ndrojtur në një individ më guximshëm është bërë përmes kurajos dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur qëllimet dhe ëndrrat e saj.

“Anila e vogël ka qenë shumë e ndrojtur, në kuptimin që ka qenë shumë e turpshme, ndonëse akoma jam, mirëpo kam shtyrë veten me kurajon sepse duhet. Kam pasur gjithmonë ëndrra të mëdha brenda meje por nuk e dija se si saktësisht mund t’i realizoja, një gjë mund të them se nuk kam asnjë pishman. Nuk kam asnjë gjë që po të kthehesha pas mund ta bëja ndryshe”, thekson ajo, duke thënë mes tjerash se mendon se çdo gjë në këtë jetë ndodh për një arsye.

Fondacioni ‘Mollakuqe’, një thirrje për ndryshim pedagogjik

Duke bërë jetën në mes të arkitekturës, artit, modës e shumë disiplinave të tjera, të nxitura nga kurioziteti, Anila Shaqiraj, u kthye në Shqipëri pas shumë vitesh duke themeluar fondacionin ‘Mollakuqe’ që ka për qëllim të nxit edukimin nëpërmjet artit. E ideja e këtij fondacioni erdhi pikërisht nga Shaqiraj dhe shoqja e sa Anita Huqi, që ndonëse bënë rrugë të ndryshme, ato u kthyen në Shqipëri për një qëllim të përbashkët.

“Fondacioni ‘Mollakuqe’ lindi si ide nga unë dhe shoqja ime e fëmijërisë Anita Huqi, shoqe e fëmijërisë me të cilën vendosëm që të vijmë me studime në Itali. Lindi nga një nevojë duke parë periudhën që po kalojmë në ditët e sotme, është një nevojsë ose një thirrje sepse duke parë veten time që ajo që ka bërë diferencën tek unë ka qenë kurioziteti, dëshira për të studiuar, për të mësuar çdo herë e më shumë. E çka shoh është se sa ditët kalojnë, tek gjeneratat që po vijnë nuk është më e tillë, është e vështirë t’i bësh fëmijët të mësojnë, është e vështirë t’i bësh fëmijët që të shkojnë në universitet dhe për më shumë që të motivosh që të studiojnë gjithë jetën, sepse unë universitetin kam mbaruar para 15 vitesh, dhe akoma unë studioj, po bëj tre-vjeçaren për pedagogjinë, sepse unë kam pasur gjithmonë kuriozitet mbi jetën dhe një mënyrë për ta kuptuar jetën është ta studiosh atë. Nuk është vetëm studimi që të jepet në shkollë, por studimet janë të shumta. Sot e kësaj dite nuk sheh njeri që ka ndonjë libër në tavolinë dhe asnjë nuk studion më dhe kjo është një mëkat. Pra, kjo lloj pedagogjie me të cilën po sensibilizojmë unë dhe shoqja ime në Shqipëri organizon konferenca, workshope, takime, me qëllim të përhapjes së pedagogjisë Waldorf-Steiner, një model arsimor që fokusohet në zhvillimin e fëmijëve nëpërmjet artit dhe bazohet në studimin e thellë të njeriut si qenië”, u shpreh Anila Shaqiraj, e cila më tutje thekson se në këtë fondacion bëhet edhe pikturë, skulpturë, punë druri, punë dore. Dhe pikërisht këto shkolla që janë në të gjithë botën, janë shkolla që nxjerrin fëmijë që kanë dëshirë të studiojnë, të informohen, sidomos nga ana sociale kanë një impakt shumë të fortë sepse nxjerrin njerëz që janë të aftë për shumë gjëra, janë të ndjeshëm, të kujdesshëm.

Po ashtu, ky fondacion ka edhe një qendër ditore, ku bëhen edhe aktivitete të ndryshme për fëmijë.

***

Për fund, Anila Shaqiraj dha edhe një mesazh për lexuesit e KultPlus, që përtej urimeve të fundvitit ka të bëjë më shumë për mënyrën se si duhet ta shohin jetën dhe të punojnë me shumë dashuri e kuriozitet për të.

“Mos u fokusoni tek ana materiale, ana materiale nuk është çdo gjë. Ajo që duhet të kultivoni është kurioziteti për jetën, dashuria për jetën, për të mësuarit, për atë që na rrethon. Babai im thoshte që ‘uji i ndenjur qelbet’ në kuptimin që uji duhet të rrjedhë dhe njohuria duhet të rrjedhë, kurioziteti duhet të rrjedhë, nuk duhet të bëhemi të ngurtë e të akumulohemi. Gjeni një gjë që ju pëlqen dhe kultivojeni atë por mos u bëni të ngurtë nga ana shoqërore, nga ana e ndjenjave, jeni me zemër të mirë dhe me sytë e hapur dhe do të shihni se gjërat do t’ju vijnë vetë”, përfundoi Shaqiraj për KultPlus./KultPlus.com