“Muza Competition”, konkursi që bashkon tradicionalen dhe modernen dedikuar të rinjve në fushën e modës, një projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022, u përmbyll mbrëmë me fituesen e këtij edicioni.
Fituesja e vendit të parë të “Muse Competition” nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dizenjatorja më e mirë për këtë edicion është Anisa Dudaj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, i cili dha trofeun për fituesen e çmimit të parë, u shpreh se aktivitete të tilla, që bashkojnë, i shërbejnë më së miri në këtë moment kombit tonë.
“Nuk ka nevojë të shkojmë jashtë për të vlerësuar veten, nuk ka nevojë të vijnë të huajt këtu për të na vlerësuar ata. Më në fund kemi një super aktivitet, që shpresoj do të vazhdojë çdo vit, me një super juri, por mbi të gjitha me super çuna dhe goca të talentuar, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Jam shumë krenar për ju të gjithë! Kohët e fundit ne, politikanët, e kemi prishur pak, mundohemi të gjejmë sebepe për cic-mice, për sherret e vogla për tre vota këtu, për pesë vota atje. Kur një aktivitet ndodh në Tiranë, nuk ndodh në Moskë, ndodh në Tiranë. Doku Fest ndodh në Prizren, nuk po ndodh në një qytet rus, po ndodh në një tjetër qytet shqiptar. Ndaj, le t’i lëmë mënjanë çudirat që kemi parë këto kohë, dhe të kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë. Orët që po jetojmë, janë orët më të mira për shqiptarët,” u shpreh Veliaj.
Konkursi u dedikohej të rinjve nga mosha 18-35 vjeç nga gjithë qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim nxitjen e punësimit në ekonomitë krijuese, nxitjen e krijimit të bizneseve start-up në këtë fushë dhe zgjerimin e bizneseve. Juria e përbërë nga disa figura të njohura të fushës së fashion dhe dizajn-it si Fadil Berisha, Aferdita Onuzi, Emina Çunmulaj, Valdrin Sahiti, Enada At’Nikolla dhe Helidon Haliti përzgjodhën aplikantët më të mirë përgjatë tre fazave të konkursit./tvklan.al / KultPlus.com