Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Çeku priti në takim pianisten Anila Aliu dhe Prof. Valbona Pula Petrovci, përcjell KultPlus.
Ato zhvilluan një takim me Ministrin z. Çeku dhe këshilltarin i tij z.Liburn Jupolli ku diskutuan për sfidat që kanë të rinjtë e vendit në këtë fushë, ndërsa nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u siguruan që një prej prioriteteve do të jetë mbështetja dhe promovimi i të rinjve, që janë aset shumë i rëndësishëm i vendit.
Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Së fundi ajo mori çmimin “Grand Award” në Garën Ndërkombëtare të Pianos në Bangkok. / KultPlus.com
Talenti i saj në njërin nga artet më të bukura, atë të muzikës, u hetua qysh kur ishte fëmijë. Ishte vetëm 8 vjeçe kur për herë të parë filloi të merrej me piano. Bëhet fjalë për Anila Aliun, vajza nga Gjilani që edhe pse në një moshë të re, ka arritur të jetë pjesëmarrëse edhe në skena të njohura ndërkombëtare. Në një intervistë për KultPlus, Aliu ka shpalosur më detajisht për rrugëtimin e saj i cili edhe pse mjaft i suksesshëm, për të është vetëm fillimi i një karriere me potencial të madh.
Ishte gara ‘Pianisti i Ri’ ajo e cila Anila Aliut i hapi dyert për të parën herë drejt skenave ndërkombëtare. ‘Nuk ka rëndësi se ku jetojmë, arritja e suksesit bëhet vetëm me vendosshmëri, punë, vullnet, diciplinë e sakrifica të shumëta. Por janë vullneti dhe dashuria e madhe dy gjerat kryesore, të cilat arrijnë të mposhtin çdo pengesë që e hasim gjatë rrugëtimit në ndërtimin e çfarëdo karriere’, thekson Aliu për KultPlus.
Anila tregon se nevoja për ndihmë dhe përkrahje ka qenë dhe vazhdon të jetë e domosdoshme në karrierën e saj prej pianisteje, pasi siç shprehet ajo, ky është një profesion tejet i kushtueshëm.
‘Ne e dijmë se në çfarë kushte ështe shteti jonë dhe përballja me sfidat e ndryshme është gjithmonë e pranishme, duke filluar nga mungesa e një salle koncentrale, mungesa e pianove, vendeve e hapësriave. Mirëpo, krahas të gjitha këtyre vështirësive, përkrahja e familjes, shoqërisë, shkollës së Muzikës në Gjilan dhe disa institucioneve përkatëse, nuk më ka munguar’, deklaron tutje Aliu.
Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara, masterklase e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Ndër çmimet më të rëndësishme që ajo ka fituar ka qenë ‘Solist-interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovën’, çmimi në pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë, ku Kosova rangohet së bashku me Rusinë dhe Estoninë si tri shtetet finaliste. Çmimi ‘Solist me Orkestrën Ballkanike’ në Itali, ‘Pjesëmarrje në Masterklase pianistike në Luksembug’, ‘Çmimi Special’ në Chopin Piano Fest’, ‘Çmimi Special’ në San Dona di Pave’ në Venecia të Italisë si dhe ‘Çmimi i parë’ dhe ftesa për performancë në ‘Carneige Hall’ në New York.
Ndërkaq, ndër koncertet më të rëndësishme ku Anila Aliu ka marrë pjesë, kanë qenë Koncerti me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncertet me Orkestrën Ballkanike të realizuara në Forli dhe Santa Sofia të Italisë në vitin 2017, Koncerti Solistik për një grup artistësh nga Singapori në vitin 2018, Koncerti Recital në Prishtinë poashtu në vitin 2018, Koncerti Recital në Bonn të Gjermanië në vitin 2019, performancat në shtëpinë e kompozitorëve gjerman si Beethoven dhe Robert Schumann si dhe koncertet në Aachen dhe Königswinter të Gjermanisë në vitin 2020.
‘Muzika është diçka që ka jetuar gjithmonë në mua, diçka pa të cilën nuk mund të jetoj. Performimi në skenë, komunikimi përmes muzikës duke shprehur ndjenjat që i përjetoj vetëm me anë të notave, është diçka tejet e veçantë që më bën jashtëzakonisht të lumtur. Ndjej se qysh fëmijë kam qenë e destinuar për të ndjekur rrugën e pianistes. Pas çdo performance mezi prisja atë të radhës dhe kështu e kuptova që nuk jetoja dot pa këtë art’, potencon Aliu.
Dihet se muzika klasike në vendin tonë, pati zhvillim të vonshëm krahas shteteve tjera. Mirëpo, sipas Anilës, falë festivaleve dhe artistëve të ndryshëm që përfaqësojnë Kosovën brenda dhe jashtë vendit, muzika klasike ka filluar të zë një vend të veçantë edhe tek ne. ‘Muzika klasike është një tregues i madh i zhvillimit të kulturës së një shteti dhe dëshirë e imja është që të kem një rol në ngritjen e saj kudo në botë’, vazhdon tutje Aliu.
Anila është shumë entuziaste si karakter dhe ajo çfarë spikatet më shumë në personalitetin e saj është dashuria e pafundme për të mësuar dhe për t’i bërë ballë të gjitha sfidave që vijnë me këtë profesion. Ajo tregon për KultPlus se ndjen kënaqësi të madhe jo vetëm tek rezultati dhe çmimet që fiton por edhe tek vetë procesi që e shpie deri atje. Falë pasionit dhe ambicieve të mëdha që ajo ka, puna e saj në piano nuk është ndalur asnjëherë. Edhe pas sukseseve të mëdha, Anila, taman si një artiste e vërtetë, nuk është kurrë plotësisht e kënaqur, ajo kërkon gjithmonë diçka më shumë nga vetja.
Ndër qëllimet e saj kryesore, siç tregon ajo, është që të arrij ta prezantojë Kosovën në Evropë dhe më gjerë. Ajo me një këmbëngulje të madhe aspiron në ngirjten e vetëdijësimit për rolin e muzikës klasike në vendin tonë. ‘Një ndër qëllimet e mija është edhe ngritja në skenat prestigjioze botërore e kjo dalëngadalë po realikzohet. Së fundi kam arritur që të koncertoj në një ndër sallat më të rëndëishme të muzikës klasike, në atë të ‘Carnegie Hall’ në New York’, potencon Aliu për KultPlus.
Ndër performancat më të rëndëishme për Anilën, mbeten ajo me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncert ky i realizuar kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe dhe Koncerti Recital në Bonn të Gjermanisë në vitin 2012, një koncert ky që rezultoi me një suksees të jashtëzakonshëm dhe kritika prej më të mirave nga gazetat e portalet e njohura gjermane. Pas këtij koncerti, Aliu u ftua edhe për shumë peformanca të tjera në shtetin gjerman, performanca këto që pritet të organizohen në një të ardhme të afërt.
‘Prindërit e mi kanë qenë ata që kanë pasur ndikimin më të madh tek unë. Ama më mësuan të përkushtohem e tëra në karrierën time si pianiste: me kohë, talent dhe mbi të gjitha me dashuri. Mirënjohëse jam edhe ndaj të gjithë profesorëve të mi, si ata kosovarë poashtu edhe ata evropianë të cilët më rritën dhe formësuan profesionalisht. Në veçanti mësuesi im Visar Osmani me të cilin punova për tetë vite radhazi dhe me profesoreshën time në klasën e të cilës po studioj aktualisht, Valbona Pula Petrovci’, përfundon Anila, e cila nuk harron kurrë njerëzit që ndikuan dhe e përkrahën atë në zhvillimin e saj si pianiste. / KultPlus.com