Presidenti Meta pret artisten Anna Stratigò: Ambasadore e kulturës arbëreshe në botë

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim artisten Anna Stratigò. Meta e cilësoi atë një ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë.

“I lumtur të takoja artisten e shquar Anna Stratigò, ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë, këngët e së cilës janë duartrokitur në shumë skena prestigjioze ndërkombëtare, duke prezantuar denjësisht jo vetëm muzikën, por edhe kostumet dhe traditat e mrekullueshme arbëreshe”, tha Meta.

Artisja do të jetë e ftuar në një program televiziv në vend për festat e fundvitit, dhe kreu i shtetit thekson se Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe.

“Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe. Gjyshi i saj, Vincenzo Stratigò ishte poet revolucionar arbëresh i lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe mik i Garibaldit. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie dëshmojnë, jo vetëm për një vetëdije të mprehtë sociale por edhe dashurinë e madhe dhe krenarinë e të qenit Arbëresh, siç e dëshmojnë disa nga vargjet e poemës së tij ”Sono Albanese” (“Jam shqiptar”) shkruar në vitin 1857″, u shpreh Meta./atsh/KultPlus.com