Vjollca Duraku
Ansambli vokal “Harmonius” mbrëmë për herë të parë është prezantuar para publikut me koncertin “Këndo me ne” në Kishën Katolike “Shën Ndou”, nën drejtimin e dirigjentes Adelinë Ndreca- Kolaj, shkruan KultPlus.
Ky ansambël në përbërje nga: Aurela Krasniqi, Aurela Murtezaj, Urata Haziraj, Elona Sadiku, Saranda Ademi- Smajlaj, Fjolla Salihu- Kadiu, Fiona Shabani dhe Rita Hyseni solli një koncert të pasur artistik në paraqitjen e tij premierë, me një repertor që përfshin vepra të zgjedhura kryesisht nga muzika “Evergreen”, me mesazhe të fuqishme për gruan, fuqinë e gruas, dhe për bukurinë e jetës në përgjithësi.
“Harmonius Vocal Ensemble” përbëhet nga tetë vajza, dhe për mision ka kultivimin dhe promovimin e interpretimit vokal në një nivel të lartë artistik përmes një çasjeje të rafinuar ndaj muzikës. Pjesëmarrja e një publiku që kishte zënë çdo cep të sallës, ishte shenja e parë e kualitative e Oktetit “Harmonious”, pjesë e të cilit janë: katër soprano, dy mezzosoprano dhe dy alto.

Ndërkaq, interpretimi i tyre me zëra të jashtëzakonshëm që përcillnin një ndjeshmëri të veçantë, të kombinuar përkushtim estetik, solli një përjetim të rrallë artistik përmes veprave: Warrior- Kim Baryluk The Wyrd Sisters, True Colors- Billy Steinberg dhe Tom Kell, Autumn Leaves- Joseph Kosma, Wake me up- Tim Bergling (Avicii), Aloe Blacc, Michael Einziger, Egbert Nathaniel Dowkins Arr. Henrik Dahlgren, La Llorona- Adrian A. Cuello Piraquibis, Java Jive- Ben Oakland & Milton.
Vepra “Bring me Little Water, Sylvie”- nga Huddie W. Ledbetter solli një atmosferë të veçantë përmes mënyrës interpretative, që përcillej me një mënyrë elegante të të kënduarit e kombinuar me duartokitje me duar dhe trup, prekje delikate dhe tinguj të krijuar me këmbë. Kurse, vepra e fundit “What a Wonderful World”- nga George David Weiss & Bob Thiele, nën përcjelljen e pianistes Kristina Palokaj- Perkola e përfshiu në interpretim edhe publikun, duke dhuruar edhe atomosferën kulmore të koncertit.
Nën emcione të shumta, dirigjentja Adelinë Ndreca- Kolaj, pas koncertit tha se interpretimi i veprave të zgjedhura sipas shijes së profesionisteve ka qenë arsyeja e mirëpritjes së “Oktetit” nga ana e publikut.
“Ishte një emocion shumë i veçantë, bashkëpunimi pas një kohe shumë të gjatë me kor të tillë. Ka qenë një mbrëmje shumë e këndshme. Si gjithmonë vajzat e kanë treguar edhe njëherë sa të mrekullueshme janë. Paraqitja jonë ka qenë premierë, pas një miniprezantimi në muajin nëntor. Repertori ka pasur një laramani veprash. Kemi vendosur të këndojmë atë që neve na pëlqen, jo atë që presin të tjerët prej nesh të këndojmë. Për ta shiuar një vepër 100% duhet që ansambli fillimisht ta shijoj këngën që e këndon. Besoj që ja kemi dal”, ka thënë dirigjentja Ndreca-Kolaj.
Ajo më tutje tha se nëse kori gjen mbështetje, tendencat janë që performancat të vazhdojnë edhe në qytete të tjera, e pse jo, edhe jashtë kufijve të Kosovës.
“Gjithmonë kemi marrë komente të mira nga kolegët, por të kesh prezent një numër kaq të madh të njerëzve, për ne ka qenë një nder i madh. Normalisht, na ka bërë të ndihemi shumë mirë dhe na ka shtyen të vazhdojmë tutje me programe të tilla, me diçka jo shumë të zakonshme në Kosovë. Nëse kori gjen mbështetje, ka tendenca që të performojë edhe në qytete të tjera, e si dihet, pse jo edhe jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë dirigjentja Ndreca- Kolaj.
Ndërkaq, sopranoja Elona Sadiku ka thënë se ndihet krenare për nivelin e treguar artistik, qysh në paraqitjen premierë të “Harmonius Vocal Ensemble”.
“Performanca ka shkuar edhe më mirë se sa që e kam pritur, për faktin që “Harmonius Vocal Ensemble”është një ansambël i ri, andaj edhe pritshmëritë e mija kanë qenë më të pakta se sa ajo që është arritur sonte. Mund të them që ndiej krenari që jam gjendur mes disa grave dhe vajzave të mrekullueshme. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme interpretimi përkrah tyre”, ka thënë sopranoja Sadiku, e lumtur për një pjesëmarrje të madhe të publikut në sallë.
“Si ansambël i ri jemi shumë të lumtur për prezencën e shumë njerëzve. Na kanë nderuar me prezencën e tyre, e ne besoj e kemi bërë po të njejtën gjë duke përçuar emocionet më të thella te ata”, ka përfunduar Sadiku.
“Harmonius Vocal Ensemble” është themeluar në tetor të vitit 2024./ KultPlus.com
