Gjirokastra u bë mikpritëse e trupës artistike të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në performancën e tyre, artistët sollën për publikun vendas dhe të huaj vlerat e jashtëzakonshme të folklorit shqiptar dhe trashëgimisë tonë kulturore.
Ky aktiviteti i dha një tjetër natë të magjishme zonës në pazarin karakteristik të Gjirokastrës dhe në sheshin “Çerçiz Topulli” duke tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj që janë të shumtë gjatë muajit Gusht.
Artistët tregojnë emocionet që kanë sa herë që kthehen për të performuar për publikun gjirokastrit dhe interesin e shtuar të turistëve për trashëgiminë tonë kulturore.
Aktivitetet kulturore në zonën muzeale të këtij qyteti do të vijojnë edhe gjatë Shtatorit.
Ngjarjet kulturore në Gjirokastër kanë bërë që gjatë sezonit të verës edhe turistët të mos ngurojnë të bëhen pjesë aktive e tyre duke mësuar nga trashëgimia jonë dhe kthyer në promovuesit më të mirë të qytetit të gurtë dhe Shqipërisë në botë./tvklan/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ndau në rrjetet sociale një video nga pjesëmarrja e fundit e trupës së Ansamblit Popullor në Festivalin e 32-të Ndërkombëtar të Folklorit në Varna, Bullgari.
Ansambli Popullor, Nderi i Kombit Shqiptar, po përfaqëson denjësisht Shqipërinë në një festival gjigant, i cili mbledh së bashku kulturat e dhjetëra shteteve në disa netë spektakli dhe performancash unike. Sot ishte nata përmbyllëse e festivalit, ku AP performoi dhe “Vallen e shqipeve”, duke i treguar botës, vlerat tona folklorike.
“Angazhimi në evente të tilla ndërkombëtare shërben si trumpetim i traditës dhe kulturës shqiptare nëpër botë”, shkroi TKOBAP në rrjetet sociale.
Pjesëmarrësit e huaj të këtij viti janë nga Ukraina, Sllovakia, Mali i Zi, Hungaria, Gjeorgjia, Shqipëria, etj. Bullgaria në këtë festival përfaqësohet nga Ansambli Folklorik i Varnës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore “Odessos”. Koncerti gala përmbyllës, i titulluar “Let’s Stay Friends”, do të bashkojë të gjithë pjesëmarrësit së bashku me ansamblin folklorik “Odessos”./atsh/KultPlus.com
Me koncertin e titulluar “Këndojmë me Orkestrën e Ansamblit Popullor” instrumentistët e Ansamblit Popullor do të përformojnë për dy netë me radhë me një repertor të pasur muzikor.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën të ditur në një postim në rrjetet sociale se për herë të parë, orkestra e Ansamblit Popullor vjen në një formë krejtësisht origjinale, me një koncert recital.
“Në datat 3 dhe 4 dhjetor, ora 19:00, vjen ky recital risi, sepse për herë të parë, repertori më i spikatur i muzikës instrumentale të orkestrës së ansamblit, vjen në një formë krejtësisht origjinale, duke u integruar edhe me këndimin e orkestrës. Orkestra e Ansamblit do të luajë muzikën dhe njëkohësisht edhe do të këndojë në momente të veçanta”, thekson TKOBAP.
Koncerti organizohet në vijim të veprimtarisë artistike që po zhvillon orkestra e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe të suksesshëm në jetën artistike të Ansamblit Popullor në TKOBAP që përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori.
Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore ose Ansambli Popullor është krijuar në vitin 1957./atsh/ KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 76-vjeçare, valltari i njohur i Ansamblit Popullor, Besim Jazexhiu.
“Ansambli Popullor humbi një nga ikonat e saj”, u shpreh ministrja e Kulturës, Margariti. Vallja shqiptare, pavarësisht se nga ç’trevë, nuk kishte kuptim pa pasionin dhe virtuozitetin e valltarit Besim Jazexhi. Solist i parë, koreograf dhe drejtues artistik, ai u kthye në një shkollë për breza të tërë valltarësh.
Ministrja e Kulturës u shprehu ngushëllime të ndjera familjarëve dhe komunitetit artistik, që humbën një guidë në rrugën e tyre profesionale.
Besim Jazexhiu ka filluar punë në vitin 1961 si balerin në Teatrin e Operës. Gjatë kësaj periudhe, krahas kërcimit në trupën e baletit ka realizuar personazhe në balete të ndryshme si “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Laurenca”, “Fadeta”, “Sheherazadja”, “Petja dhe Ujku” dhe etj.
Në 1965 fillon punë si solist në Ansamblin e Ushtrisë dhe më pas nga viti 1968 solist në Ansamblin Popullor. Në këtë periudhë, fillon edhe vëmendja për krijimin dhe përpunimin e valleve popullore në Ansamblin Popullor dhe për shumë trupa artistike amatore. Pas viteve ’90, kontributi i tij shtrihet dhe në Kosovë e Maqedoni. / KultPlus.com
Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, realizojnë një turne historik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Zana Cela: Ansambli i këngëve dhe valleve popullore rikthehet pas 30 viteve në një turne të tillë në qytete e Kosovës. Në datën 25 prill në Prizren, 26 prill në Gjakovë, 27 prill në Gjilan dhe në datën 28 prill në Luginën e Preshevës për të mbyllur në qytetin e Shkupit.
Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës. Programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si edhe në folklorin e pasur kombëtar.
Sokol Marsi: Përsa i përket repertorit ai është ndërtuar duke përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nga Çamëria në Shkup. po kështu edhe vallen e shqipeve dhe vallen e Tiranës.
Pas shpalljes së thirrjes nga Ministria e Kulturës për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe përfundimit të mandatit të drejtoreshës aktuale ajo konfirmon rikandidimin.
Zana Cela: Sigurisht do të rikandidoj me një qëllim, sepse projekti që unë kam prezantuar në platformën time dhe në vazhdimësi, është një projekt që është në gjysmë të rrugës dhe unë se bashku me stafin tim e kam për detyrë që ta vazhdoj dhe definoj sepse i gjithë ai projekt që kam definuar të përfundojë të gjithë objektivat e tij.
Me rastin e inaugurimit të Teatrit të ri kryeministri premtoi dyfishim të rrogave të artistëve, në lidhje me këtë premtim Cela ka këtë përgjigje.
Zana Cela: Në dijeninë time nuk ka asgjë që e ka penguar këtë gjë. Unë jam në pritje dhe jam shumë e sigurt që kryeministri i vendit do të fillojë impelemtimin e këtij premtimi
Opera “La Boheme”, e kompozitorit Giacomo Puccini dhe libret të Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica, u mirëprit mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Në këtë shfaqje të operas bohemiane, historisë më të bukur të dashurisë, interpretuan orkestra, kori, trupa e baletit, artistët e Cirkut të Tiranës dhe kori i Fëmijëve.
Regjia e këtij produksioni iu besua regjisores së re, Ada Gurra, e cila shënon për herë të parë në karrierën e saj, realizimin e një produksioni operistik të këtyre përmasave. Gjithashtu skenografia iu besua një tjetër talenti të ri, Renold Sula. Orkestra e TKOB u dirigjua nga dirigjenti italian Jacopo Sipari, ndërsa kostumograf është Ardi Asllani.
Në rolet kryesore mbrëmjen e djeshme interpretuan Eva Golemi (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo), Armando Likaj (Marcello), Ogert Islami (Schaunard) Bledar Domi (Colline), Genc Vozga (Benoit), Sokol Hidersha (Alcindoro), Gerald Murrja (Parpignol) dhe Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri).
Sinopsi i veprës
Në fundin e shek. XIX në Paris, katër shokë jetojnë së bashku në një papafingo. Rodolfo dhe Marcello qëndrojnë në shtëpi duke punuar dhe vjen njëri nga të rinjtë, muzikanti Schaunard, i cili ka fituar para dhe ata vendosin për të ngrënë në një restorant aty pranë. Poeti Rodolfo nuk i shoqëron, sepse duhet të mbarojë shkrimin e tij, por ndërpritet nga Mimi, një rrobaqepëse e cila ishte fqinjë me të. Ata tërhiqen nga njëri – tjetri me shikim të parë dhe bashkëdrejtohen për në restorant, ku po i presin miqtë e tij.
Marcello, shoku i Rodolfos po flirtonte me ish-të dashurën e tij Musetta, e cila detyron shoqëruesin e saj të paguajë faturën për të gjithë. Më vonë Musetta dhe Marcello jetojnë bashkë, si Mimi dhe Rodolfo, kjo e fundit vuan nga tuberkulozi dhe do të ndahet nga Rodolfo, sepse ai mendon që nuk ka mundësi ta ndihmojë të shërohet. Musetta ndahet nga Marcello dhe katër shokët rikthehen në jetën e tyre në papafingo. Ata vizitohen nga Musetta, e cila ka shoqëruar Miminë. Mimì dhe pse tani jeton e pasur, kur ndjen se vdekja po i afrohet, shkon drejt dashurisë së saj të vetme, Rodolfos. Ajo dëshiron të vdesë në krahët e tij, e rrethuar nga miqtë e saj të vërtetë. Musetta, Marcello, Schaunard dhe Colline bashkohen në një përqafim të fundit, ndërkohë që Rodolfo qan mbi trupin e pajetë të Mimisë.
Opera “La Boheme” do të shfaqet edhe në datat 15,16 dhe 17 dhjetor. Në shfaqjen e 15 dhjetorit do të interpretojnë Renisa Lackaj (Mimi), Nina Muho (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo), Paolo Ingrasciotta (Marcello), Ogert Islami (Schaunard), Xhieldo Hyseni (Colline) Bledar Domi (Benoit, Alcindoro), Gerald Murrja (Parpignol) dhe Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri).
Ndërsa në 16 dhjetor do të interpretojnë Simona Karafili (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta) Raffaele Abete (Rodolfo), Armando Likaj (Marcello), Ogert Islami (Schaunard), Bledar Domi (Colline), Genc Vozga (Benoit), Sokol Hidersha (Alcindoro), Gerald Murrja ( Parpignol) Erlind Zeraliu ( Sergente dei Doganieri). Në 17 dhjetor do të interpretojnë Nina Muho (Mimi), Dorina Selimaj (Musetta), Raffaele Abete (Rodolfo), Paolo Ingrasciotta (Marcello) Ogert Islami (Schaunard), Xhieldo Hyseni (Colline), Bledar Domi (Benoit, Alcindoro) Gerald Murrja ( Parpignol), Erlind Zeraliu (Sergente dei Doganieri). / atsh / KultPlus.com
Qendra e Tiranës u kthye mbrëmjen e djeshme në një festë të vërtetë të muzikës shqiptare.
Në skenën e ngritur përballë Teatrit të Operas dhe Baletit u organizua një mbrëmje gala me artistët më të rinj të Ansamblit Popullor.
Në programin e këtij koncerti ishin përzgjedhur këngët dhe vallet tradicionale shqiptare më të njohura dhe më të mirat që përmban repertori I folklorit të vendit tonë.
Deputues në këtë skenë ishin 35 te rinj, vokalistë dhe valltarë të cilët u trajnuan intensivisht për tre muaj rresht në “Studio Ansambël.
TKOB gjithashtu me këtë event të organizuar, përmbylli edhe kalendarin artistik Janar – Korrik 2021.
Drejtoresha e TKOB, Zana Çela shprehet: “Me një sensibilitet të veçantë për përkrahjen e të rinjve Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu vlerësimin dhe falenderimin e madh për përkrahjen e artistëve të rinj që prekin skenën e TKOB dhe ato të Tiranës”.
Ajo ka theksuar se artistët deputues në këtë koncert janë “Artistët e së Ardhmes”.
Festa e madhe vijoi me këngët dhe vallet që kanë bërë historinë e muzikës popullore shqiptare, interpretuar nga yjet e rinj të skenës shqiptare. / ATSH / KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka zhvilluar koncerte në skena të ndryshme të vendit tonë.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka publikuar disa fakte për jetën artistike. Në këtë material të institucionit publikohen materiale të Ansamblit Popullor gjatë katër viteve të fundit.
“21 janar 2017- Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore performoi në Lushnjë, me rastin e 97-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. 23 shkurt 2017, me ftesë të Bashkisë Mirditë, Ansambli dhuroi një shfaqe të larmishme me këngë popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Abat Doçit.
22 prill 2017 – Ansambli Popullor në qytetin e Përmetit me rastin e “Çeljes së sezonit turistik Përmet”, ku u zhvilluan aktivitete të ndryshme dhe Ansambli performoi me këngë e valle të krahinave të ndryshme të vendit dhe në fund të koncertit dy numra me këngë lirike së bashku me sazet e Përmetit”, shkruan institucioni në materiale.
Në 6 maj 2018, Ansambli Popullor performon në Vaun e Dejës në festën tradicionale të “Ditës së Luleve”, në 28 maj 2018 merr pjesë në “Javën e Ali Pashës” në Tepelenë, 15 qershor 2018 mban koncert në Rrëshen, 22 qershor 2018, koncert i 60 vjetorit të Ansamblit Popullor në Llogara në kuadër të “Opera Summer Tour”.
Më 22 qershor 2018, Ansambli Popullor vijoi me koncertin e 60- vjetorit të Ansamblit në Sarandë. 23 korrik 2018, Ansambli Popullor performoi në “Sokakun e të marrëve”, në sheshin e shëtitores në Himarë. Në 17-18 tetor 2018, Ansambli Popullore mbylli natën e fundit të festivalit “Oda Dibrane” në Dibrën e Madhe dhe vijoi me koncertin në Peshkopi.
Në 28 tetor 2018 performon me koncertin “60 vjet Ansambël Popullor”, në Elbasan. Në datë 21 janar 2019 zhvillon koncertin në Lushnjë, me rastin e 99 -vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe në 24 shkurt po të këtij viti trupa e madhe e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, orkestra e TKOB, artistët më të mirë të muzikës shqiptare, çuan në Shkodër grand galanë “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Ansambli shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com
Në Ukrainë, ”Vallet dhe Këngët Popullore”, kanë dhënë koncert në qytetin Odesa, për komunitetin shqiptar atje, shkruan KultPlus.
Ansambli Popullor mbetet ambasador i përçimit të traditës te brezi i ri i disaporës, duke mundësuar kështu ruajtjen e traditës së kombit tonë.
Bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Diasporës synon njohjen e elementëve kulturore, antropologjike, historike dhe folklorike te më të rinjtë e komunitetit shqiptar në Ukrainë.
Në vijim mund të shihni disa prej fotove të shkrepura gjatë koncertit. / KultPlus.com
“Nëntori Shqiptar 2018” në Gjermani starton në qytetet Essen dhe Munich më 16 dhe 19 nëntor, ku trupa e Ansamblit Popullor do dhurojë disa nga perlat e folklorit shqiptar.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko vazhdon të promovojë vlerat kulturore dhe artistike të shqiptarëve në botë.
“Trupa e Ansamblit Popullor do të dhurojë emocione të mëdha në dy koncertet që do të zhvillojë në qytetet Essen dhe Munich më 16 dhe 19 nëntor. Publiku shqiptar dhe gjerman do të ketë mundësinë të ndjekë disa nga perlat e folklorit shqiptar të punuara nga Mjeshtri Rexhep Çeliku për 60-vjetorin e krijimit të Ansamblit. Ky koncert organizohet në kuadër të aktivitetit “Nëntori Shqiptar 2018” në Gjermani”, shpret Majko./ A.T.SH/ KultPlus.com
Trupa e Ansambli Popullor sjell në skenë “60 vite Histori”, shkruan KultPlus.
Një koncert gala, i cili do të sjellë repertorin më të bukur të folkut shqiptar, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve ndër vite.
Koncerti madhështor vjen më 11 dhe 12 nëntor me fillim nga ora 19:00, në Teatrin Kombëtar (në pedonalen përbri Galerisë së Arteve), në Tiranë./ KultPlus.com