Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nderohet me çmim në Karnevalin e Berlinit

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është nderuar me çmimin “Karneval Der Kulturen 2024- Berlin”, në Karnevalin e Berlinit që është mbajtë së fundi, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses ka njoftuar drejtori i këtij ansambli, Ylber Asllanaj i cili ka shpjeguar se ky çmim i është dhënë në kategorinë e Valles dhe Muzikës. Ansambli “Shota” ka perfomruar me koreografinë “Festa e Bashkimit” nga mjeshtri Fehmi Shaqiri, me muzikë të Ylber Asllanaj, përpunim i motiveve të këngës “Xhamadani vija-vija”. / KultPlus.com

Ansambli “Shota” gati për koncertin e fundvitit, pas 20 vitesh rikthen vallen e “Peshkatarit”

E tërë trupa artistike e AKKV “Shota” janë angazhuar që të sjellin momente shumë të veçanta për publikun e Prishtinës në koncertin e fundvitit.

Këngët, vallet e muzika e bukur qytetare do ta karakterizojnë këtë koncert që poashtu rikthen

Vallen e “Peshkatarit” pas 20 vitesh, nga koreografi, Prof. Haki Mulliqi.

Koncerti vjen më datë 18.12.2023, në ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ( Pallati i Rinisë). / KultPlus.com

Ansambli “Shota” me koncert si dedikim për instrumentistin e ndjerë Mentor Krasniqi

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” po vjen me koncertin e radhës i cili i dedikohet instrumentistit tashmë të ndjerë të ansamblit, Mentor Krasniqi. 

Koncerti mbahet me datë 19 maj në sallën e amfiteatrit-Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim në ora 19:00. / KultPlus.com

Zymrije dhe Besnik Grajçevci antarësohen në Këshillin Internacional të Vallëzimit

Pikërisht sot në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, valltarët Zymrije dhe Besnik Grajçevci kanë njoftuar se janë nderuar me certifikimin dhe antarësimin në Organizatën Internacionale të Vallëzimit, përcjell KultPlus.

Kjo organizatë, funksionon nën ombrellën e Unescos, dhe siç ka bërë të ditur Besnik Grajçevci përmes një statusi në rrjetin social Facebook, nga tash e tutje, aktivitetet e tyre krijuese do të bëhen përmes kësaj organizate.

Bashkangjitur gjeni statusin e plotë të Grajçevcit.

Pas një pune me përkushtim dhe rreshtur pa ndalur së dhënuri për kulturë, përmes vallëzimit si interpretues, përfaqësues, edukimit, seminareve, përvojave ndërkombëtare dhe shkëmbimit të fuqisë tonë artistike e krijuese. Ne sot, mu në diten ndërkombëtare të dancit/vallëzimit 29 Prill 2021, u nderuam me qertifikimin dhe antarësimin në CID (Organizate internacionale e Dancit).

Nga sot, ne do bëjme aktivitetet tona krijuese përformuese, prezantuese edhe përmes kësaj organizate që është nën ombrellen e UNESCO.

Falenderojm miqëve ndërkombëtar që propozuan kandidaturat tona pranë kësaj organizate dhe Këshilli i CID vlersoj me licensimin dhe antarsimin tonë si pjesëtar të saj.

Një sukses si ky është përgjegjesi e shtesë në planet tona profesionale si artist të pamvarunë nga Republika e Kosovës.

Thank you!
FIDAF
CID
GËZUAR SËBASHKU!
Zymrije Grajçevci
Besnik Grajçevci.
/ KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ pa instrumente e valltarë, Gjocaj: Varshmëria ndaj Ministrisë ka shkaktuar probleme të mëdha

Xhemile Hysenaj

Instrumentet e vjetëruara, mungesat e instrumentistëve në orkestër, mungesa e valltarëve dhe këngëtarëve, boshllëku ligjor që pamundëson përtëritjen e grupit të valleve, janë vetëm disa nga problemet me të cilat Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ po përballet tash e sa vite. Kërkesa dhe ankesa të shumta i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga ky Ansambël që funksionon si institucion i varur nga kjo Ministri, mirëpo deri më sot, shumica nga këto ankesa e kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër, shkruan KultPlus.  

Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, i cili njihet për kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore, duke qenë ndër asetet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, për një periudhë tejet të gjatë, është duke funksionuar në kushte jo dhe aq të mira. Disa nga instrumentet që i nevojiten orkestrës së këtij Ansambli mungojnë, poashtu mungojnë edhe instrumentistë, valltarë e këngëtarë. Mungesa këto që domosdoshmërisht duhet të plotësohen me bashkëpunëtorë të jashtëm, gjë kjo që e komplikon realizimin e planit artistik dhe organizimin e trupës së Ansamblit.

Ndër kriteret elementare për çdo Ansambël profesional, është që të ekzistojnë dy formacione valltarësh me nga tetë çifte, ndërkaq në Ansamblin ‘Shota’ pothuajse ka ngelur vetëm një formacion. Siç ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus, janë  gjashtë vende të punës të “humbura” që nga viti 2014, pasi vendet e punëtorëve që janë pensionuar apo janë larguar jashtë vendit nuk janë zëvëndësuar me punëtorë të rinj, pasi MKRS nuk ka hapur akoma asnjë konkurs për Ansamblin dhe sigurisht këto vende janë zënë me punëtorë të Ministrisë apo departamenteve tjera.

‘Vetëm për pozitën e Koreopetitorit të Ansamblit, i cili ka dal në pension në vitin 2018, i kemi bërë deri më tani  23 kërkesa për këtë periudhë dy vjeçare, drejtuar Ministrisë për të hapur konkurs. Dhe asnjëherë kjo nuk ka ndodhur, dhe për me tepër as nuk kemi marrë pergjigje (zyrtare) për këtë qështje’, shprehet tutje Gjocaj për KultPlus.

Ajo çfarë me ngulm kërkon Gjocaj, është pavarësia totale e Ansamblit dhe Institucioneve tjera qendrore të kulturës nga Ministria. Në Nëntor të vitit të kaluar është proklamuar pavarsia e këtyre institucioneve nga ana e Ministrës së Kulturës, duke funksionalizuar fillimisht Kodin Buxhetor. Gjocaj konsideron se varshmëria ndaj Ministrisë ka shkaktuar probleme tejet të mëdha. Për Kodin Buxhetor, i cili këtij Ansambli i takon edhe me ligj, Gjocaj thekson se është vetëm një hap i vogël dhe i domosdoshëm, por hapat e tjerë janë të nevojshëm në mënyrë që Ansambli të mos menagjohet nga MKRS, por nga menagjmenti i zgjedhur i tij.

‘Përveç mos’hapjes së konkurseve dhe mungesës së organogramit, që nuk na lejohet ta bëjmë ne, ne kemi probleme edhe me ndërrimin e gjeneratave, pasiqë, për shkak të mos’harmonizimit të ligjit të Ansamblit me ligjin e pensioneve,  edhe përkundër që në ligj eshtë saktësisht e përcaktuar, ne nuk mund t’i dërgojmë njerëzit në pension dhe rrjedhimisht na ngelet që për 3/4 vite, grupi i valleve të ngjitet në skenë i përbërë nga pleqtë. Po ashtu ndarja e buxhetit për Ansamblin, është paushalle dhe e pa bazuar në kerkesat që bën ansambli: “Kurrë nuk kemi marrë ndonjë arsyetim se përse Ministria e Kulturës i ka ndarë aq mjete për institucionet përkatëse dhe në cka  janë bazuar, pasi në kërkesës tonë, që mbeshtetet me planin detaj te punes dhe ate buxhetor, jo se jo. Për më keq, ne nuk e dijmë sa kem mallra shërbime, nuk mund të realizojmë investime apo blerje kapitale. Investimi i fundit kapital në “Shotë”  është bërë në vitin 2008, kur është rindërtuar objekti i Ansamblit”, deklaron Gjocaj për KultPlus.

Sipas Nenit të 27 në Ligjin për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ dhe për Ansamblet e tjera, ‘Shota’ është e obliguar që të ketë arkivin e vet, ku duhet të ruaj, pasurojë dhe kultivojë lëndën arkivore. Mirëpo, siç potencon Gjocaj, këtë gjë ai e ka kërkuar tash e gjashtë vite, me kot.

“Ka gjashtë vite që unë kërkoj të realizohet Arkivi i Ansamblit dhe kjo gjë kërkon një shumë modeste. E kemi bërë kalkulimin dhe komplet projekti kushton diku 50.000 euro dhe duhet pranuar një specialist të Arkivit i cili njëkohësisht e njeh edhe teknologjinë informative, në mënyrë që kjo gjë të bëhet si është më së miri. Të gjithë ministrat që kanë qenë, prej kur jam unë drejtor i ‘Shotës’,e kanë pas këtë kërkesë në tavolinë, të gjithë kanë premtuar se ky projekt do të realizohet, por asnjëherë nuk është bërë asgjë. Një institucion me një traditë 70 vjeçare, të mos ketë arkiv të vetin, është e dhimbshme”, deklaron tutje Gjocaj.

Udhëheqësi Artistik i këtij Ansambli, Ylber Asllanaj ka treguar për KultPlus se është bërë kërkesa për minimumin 24 anëtarë që do të kompletonin trupën artistike, ndërkaq për sa u përket instrumenteve të nevojshme, ai konsideron se ky është një problem qe pret te zgjidhet se shpejti, pasi Ministria e ka shpallur tenderin dhe dikush tashmë e ka marrë përsipër këtë gjë. 

“Neve na mungon infrastruktura humane, nuk e kemi stafin artistik të kompletuar edhe valltarë meshkuj edhe femra, ne nuk e kemi korin as sektorin e solistëve vokal të konsoliduar, vitet e fundit janë pensionuar dy nga katër, tani i kemi vetëm dy që as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e ansamblit. Është shumë e vështirë kur ti deri në momentin e fundit planifikon të prezantohesh me dikë, i cili eshte bashkepunëtorë i jashtëm dhe nuk e ka obligim që të përmbushë kërkesën e Ansamblit dhe mund të mos paraqitet fare. Sigurisht se ata lirohen prej obligimit moral sepse ka nga ata bashkepunëtorë që, për shkak të procedurave banale dhe në mungesë të Kodit Buxhetor, ne nuk kemi mundur tua paguajmë mëditjen e para dy viteve. Për neve është shumë e vështirë”, ka theksuar Asllanaj për KultPlus.

Ai poashtu, shprehet se nuk e mohon vullnetin të cilin Ministria edhe mund ta ketë, por në fund rezultati nuk është i kënaqshëm. Pasi siç potencon ai, ka kohë që nga Ministria premtohen shumë dhe asnjë nga kërkesat e Ansamblit për të cilat Asllanaj tregon se janë minimale, nuk janë përmbushur pak e hiç.

Ndër të tjera, Asllanaj është shprehur tejet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me Ansamblin ‘Shota’.

“Nuk dua të humbas rastin t’i falënderoj të gjithë ata që në mënyrë shumë të sinqertë e dashamirëse, bashkëpunojnë me Ansamblin, përndryshe në këtë situatë në të cilën jemi, e kemi të pamundur mbajtjen e koncertit, sepse derisa të ndërrohen për një koreografi valltarët, neve na duhen së paku katër këngë e ne i kemi vetëm dy këngëtarë. Pra, teknikisht është e pamundur të funksionojmë pa bashkëpunëtorë”, ka deklaruar Asllanaj.

KultPlus ka kontaktuar edhe me Ibër Alajn, sekretarin e përgjithshëm në Ministri të Kulturë Rinisë dhe Sportit, i cili për sa i përket Arkivit të Ansamblit ‘Shota’ theksuar se aktualisht janë duke u ndërmarrë masa për realizimin e këtij projekti.

‘Në planifikimet buxhetore të Departamentit të Kulturës për vitin 2021 është planifikuar edhe krijimi i arkivit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Aktualisht janë duke u ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e këtij projekti’, ka potencuar Alaj për KultPlus.

Ndërkaq, në pyetjen se kur saktsisht pritet që ‘Shota’ të funksionojë si institucion në vete pasi MKRS kishte premtuar që një gjë e tillë të ndodhë në janar të këtij viti. Alaj është përgjigjur si në vijim: Bazuar në Ligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2021, institucionet e kulturës, përfshirë edhe Ansamblin Shota kanë kodet e veçanta buxhetore. / KultPlus.com

Ndjenja krenarie e patriotike në koncertin e “Shotës” për 13 vjetorin e Pavarësisë

Xhemile Hysenaj

Sot Kosova shënon 13-vjetorin e Pavarësisë, e për të nderuar këtë ditë të madhe për popullin tonë, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ erdhi me një koncert festiv, duke rikujtuar kështu edhe njëherë sakrificën e madhe të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti nuk kishte si të fillonte ndryshe përveçse me Himnin e Kosovës, ky qysh në fillim publiku u emocionua e festa u ndez në brendësi të tyre.

Vallja instrumentale për çifteli dhe orkestër nën ekzekutimin dhe autorësinë e Gent Hoxhës ishte pika tjetër që po mbante ritmin e koncertit e publiku vetëm sa entuziazmohej më shumë.

Krejt kjo, i la vend Ansamblit ‘Shota’ që erdhi me këngë e valle shqiptare, të cilat ngjallën ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm e të cilët nuk i kursyen duartrokitjet pas secilës performancë. Vallja e parë ishte ajo e Tiranës, për të vazhduar kështu me këngë të interpretuara nga Majlinda Cakiqi, Sokol Latifi, Myrvete Bajrami, Ismet Bugujevci, Riza Bytyqi e Violetë Kuaj, këngë këto që i këndoheshin Shqipërisë, Kosovës, vëllezërve Gërvalla, familjes së Jasharëve e mbarë historisë së popullit shqiptar.

Fyelli, tupani, defi e çiftelia kumbuan në secilën skutë të Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga arti skenik i jashtëzakonshëm i trupës së Ansamblit ‘Shota’, të cilët më shumë se publikut, dukej sikur i vallëzonin historisë sonë të lavdishme.

Pas një viti tejet të vështirë, ‘Shota’ kishte filluar me përgatitje për këtë koncert, pasi pandemia, si në shumë fusha tjera të artit edhe tek ansambli pati ndikimin e vet jo të mirë. Duke i vështirësuar e shpesh edhe pamundësuar përgatitjet e përbashkëta të kësaj trupe.

“Këtë vit e kemi filluar me kapacitet të plotë, por prapë kemi pasur pengesa gjatë rrugëtimi pikërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq, për këtë koncert që u organizua për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë vështirësitë, trupa është munduar të bëjë maksimumin”, ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus.

Ndër performancat më emocionuese ishte ajo e Majlinda Cakiqit, e cila para publikut erdhi me këngën ‘Mora fjalë’. Një performancë kjo për të cilën Cakiqi ka treguar se është përgatitur shumë moti.

“Jam përgatitur qysh moti, ndërkaq dy javët e fundit kemi pasur prova intensive. Kur këndon live është gjithmonë një emocion i veçantë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur Cakiqi për KultPlus.

Koncerti përfundoi, por për të pranishmit do të mbetet gjatë në mendje. Emocionet dhe ndjenjat patriotike që u ngjallën mbrëmë nuk harrohen lehtë, kjo padyshim vërehej në fytyrat e gjithsecilit.

Krejt për fund, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefet Gjocaj kishte edhe një ankesë kundrejt Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se ‘Shota’ do të bëhet institucion në vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Për këtë gjë, Gjocaj konsideron se si një hap i parë drejt pavarësimit të institucioneve qendrore të kulturës siç është kodi buxhetor i cili edhe pse është miratuar, ‘Shota’ vazhdon ende të jetë varur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë ekstreme.

“Fakti që ne kemi mungesa në trupë dhe nuk mund të hapim konkurse, nuk kemi mundësi të planifikojmë asgjë pa miratimin e MKRS. Për pavarësi të institucionit as që bëhet fjalë, është punë e mirë ajo që ka nisur Dumoshi sepse kodi buxhetor është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo nuk do të thotë pavarësi e institucionit, pasi kjo pavarësi vie kur ‘Shota’ ka njësinë e burimeve njerëzore, zyrën e financave, kur ne e planifikojmë buxhetin etj”, ka deklaruar Gjocaj. / KultPlus.com

Ansambli “Shota” kremton 70 vjetorin, nga viti i ardhshëm do të jetë institucion në vete

Artdashës të grup moshave të ndryshme në kohëra të llojllojshme kishin gjetur bashkim në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Kjo shtëpi e valleve dhe kulturës tanimë feston 70 vjetorin e themelit të saj, teksa bëhet me dije se vitin e ardhshëm do të jetë institucion në vete, shkruan KultPlus.

Përtej shfaqjeve skenike dhe kërcimeve nën ritmin muzikor, ky ansambël tani është kthyer në vulë të rezistencës kulturore të vendit, duke dëshmuar në epoka të ndryshme rëndësinë e traditave dhe përcjelljes së tyre brez pas brezi.

Tash teksa ka krijuar një histori në vete, 70 vjetorin e saj “Shota” e feston dinjitetshëm, duke e pasur një listë të gjatë emrash që dikur ia ka hapur dyert.

Edhe ky përvjetor bashkoi shumë njerëz, në ceremoninë e festimit të së cilës e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila u shpreh se ndjehet e nderuar të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Për dallim nga të përvjetoret tjera, ky i sivjetmi u ndje ndryshe. Kërkesa e kahmotshme e Ansamblit “Shota” gjeti realizim.

“E kam mbajtur premtimin dhe nga janari i vitit 2021, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, do të jetë institucion i pavarur”, u shpreh Vlora Dumoshi.

Tutje ministrja çmoi lart kontributin që dha “Shota” në jetën kulturore të vendit.

“Në 70 vite jetë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve ka kaluar nëpër peripeci dhe sfida të shumta, por ai është ngritur mbi to dhe është shndërruar jo vetëm në një institucion që mbanë gjallë traditën tonë të këngëve, valleve, veshjeve autentike dhe galerisë së pashtershme të motiveve popullore, por edhe në një ambasador të mirëfilltë të kulturës sonë në botë”, tha Dumoshi.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” përveç në vendin tonë, tanimë është dëshmuar edhe në skenat e shteteve përtej kufirit duke rrëmbyer çmime të shumta. / KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’: Me hidhërim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut dhe bashkëpunëtorit tonë

IN MEMORIAM: Ahmet Brahimaj (1953-2020)

Nga Shefqet Gjocaj

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut, bashkëpunëtorit dhe artistit të nderuar Ahmet Brahimaj, ish- balerin dhe drejtor shumëvjeçar i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Andaj dua që në emër të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal t’u shpreh ngushëllimet më të thella familjes Brahimaj, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt.

Njëherazi ngushëllimet tona, në veçanti shkojnë për të gjithë kolegët nga Baleti Kombëtar i Kosovës, institucion ky që lidhët ngushtë me emrin e Ahmet Brahimajt.

Ahmeti nuk e jetoi gjatë moshën e pensionit, sepse edhe ashtu ai nuk mund të paramendohej si pensionist. Autoriteti dhe karizma e tij ishin domosdoshmërish të nevojshme aty ku ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës: Në Teatrin Kombëtar dhe rreth Trupës së BKK. Mungesa e asaj karizme do të le boshllëk të madh dhe do të na mungojë të gjithëve.

Duke qenë se emri i tij ishte i lidhur edhe me AKKV “Shota”, si ish-anëtar i Këshillit Artistik dhe si bashkëdrejtues i këtij institucioni, për një periudhë të shkurtër kohore, e pastaj edhe si anëtar komisioni në vlerësimin artistik të TA, ai do të na mungojë edhe si bashkëpunëtor i Ansamblit. Respekt për punën dhe veprën e tij.

Prehu në paqe, Ahmet! Shpirti të pastë dritë! / KultPlus.com

Shoqata ‘Iliria’ dhe fotografë të ‘Blick Photographie’ vizituan Ansamblin ‘Shota’

Sot kryetarja e shoqatës shqiptare ‘Iliria’ nga Sain Julien en Genevois- Francë, znj. Luljete Hoxha- Deda me bashkëshortin e saj z. Shaip Deda, të shoqëruar nga tre anëtarë të Asociacionit të gazetarëve dhe fotografëve ‘Blick Photographie’ nga ky qytet afër kufirit Francë- Zvicër kanë vizituar sot Ansamblin ‘Shota’

Bëhet e ditur se qëllimi i kësaj vizite ishte realizimi i një sesioni fotografish, të cilat pritet të prezantohen në kuadër të muajit të kulturës shqiptare në Francë, që fillon në Prill të këtij viti.

“Qëllimi ynë është që përmes fotografisë, të shpalosim vlerat tona kombëtare, artistike dhe kulturore”, u shpreh znj. Deda.

E cila poashtu tregoi se ky grup ka qarkulluar gjithandej nëpër Kosovë, për të marrë imazhe karakteristike, dhe sipas tyre, Ansambli ‘Shota’ ishte i pashmangshëm.

Fotografët francezë: Chloe Conin, Malika Mihoobi dhe Loic Xavier janë angazhuar nga kjo shoqatë. Ata realizuan fotografi të Trupës Artistike të Ansamblit, me kostumeve popullore të të gjitha trevave shqiptare, që janë në fondusin e Ansamblit.

Përveç këtij qëllimi, drejtuesit e shoqatës “Iliria” u interesuan për mundësinë e organizimit të një vizite të Ansamblit ‘Shota’, në qytetin e Saint Julien-it, gjatë muajve Tetor-Nëntor 2020. / KultPlus.com

Ansambli “Shota” shpalosi mbrëmë sakrificën e shqiptarëve për liri

Xhemile Hysenaj

Ditën që lamë pas, Kosova festoi 12 vjetorin e pavarësisë, ku u manifestua në mënyra të ndryshme, kush me muzikë, me valle, me filma e me shfaqje teatrale duke shpalosur kështu rrugëtimin e shtetit tonë qysh nga koha e luftës e deri në ditët e sotme, shkruan KultPlus.

Për të festuar këtë ditë të madhe të shtetit tonë, Ansmabli i këngëve dhe valleve ‘Shota’, interpretoi para një publiku të madh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një interpretim ky që entuziazmoi publikun jashtë mase.

Ansambli ‘Shota’ kishte përgatitur këngë e valle shqiptare, të cilat nuk kishte se si të mos ngjallnin ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm. Filloi me ‘Lulet e Marsit’, për të vazhduar më pas edhe me pika muzikore nga Mirvete Bajrami, Liridon Sadriu, Sokol Latifi, Donika Rushiti e Riza Bytyqi, të cilët i kënduan Drenicës, Vraninës, Prekazit e atdheut në përgjithësi. Këngë këto që shpalosnin sakrificën e shqiptarëve e luftën për liri ndër vite.

Ndërsa vallet ishin të ndryshme, performuan valle dibrane e valle me motive të Hasit, gratë me xhubleta shqiptare, burrat me tirq, ku përmes lëvizjeve të tyre dukej sikur i vallëzonin kombit e i flisnin publikut me një gjuhë që vetëm shqiptarët do ta ndjenin e kuptonin.

Nuk ka shumë kohë që ikona e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, ka ndërruar jetë. Ansambli i këngëve dhe i valleve ‘Shota’ ka bashkëpunuar shumë herë me Pagarushën, figurë të cilën e nderuan edhe gjatë homazheve që u mbajtën në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E për ta nderuar figurën e saj edhe një herë, ‘Shota’ këndoi këngën ‘Nji lule qi m’ka çel” të Nexhmijës.

Pas përfundimit të koncertit i cili u pasua me duartrokitje të zgjatura, Ylber Asllanaj, udhëheqësi artistik i Ansamblit, tregoi për KultPlus se ishte mjaft i kënaqur me performancën e ‘Shotës’ për këtë 12 vjetor të pavarësisë së Kosovës edhe pse deklaroi se mungesa e një salle adekuate për Ansamblin është mesë e nevojshme pasiqë një mungesë e tillë u shkakton ngarkesa shtesë për realizimin e performancave të caktuara.

”Ishte një performancë mjaft e suksesshme, ‘Shota’ është mjaft profesionale në punën e vet. Suksesi u vërejt edhe tek reagimi i publikut”, potencoi ai për KultPlus.

Ansambli ‘Shota’ është gjithmonë i pranishëm në koncerte e manifestime të ndryshme, qofshin ato shtetërore, kombëtare apo fetare, duke lënë gjithmonë mbresa të mëdha tek publiku. Edhe mbrëmë emocionet e publikut ishin tejet të pranishme, ata me duartrokitje e brohoritje që nuk u ndalën për minuta të tërë, përcollën ‘Shotën’ pas përfundimit të performancës së tyre.

Koncerti i mbrëmshëm ishte nën organizmin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës kishte përgatitur edhe shumë aktivitete tjera që përfshinin muzeun, galeritë e filmin. / KultPlus.com

Ansambli “Shota”: Nexhmije Pagarusha, profili më i lartë që ndonjëherë kemi bashkëpunuar

Telegram ngushëllimi!

Në emër të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së doajenës- Bilbilit të këngës shqipe, zonjës së nderuar Nexhmije Pagarusha. Njëherazi ngushëllimet shkojnë edhe për bashkëpunëtorët me të ngushtë dhe gjithë komunitetin artistik shqiptar.

Duam të shprehim bindjen tonë të thellë se ndarja fizike e Nexhit tonë, nuk e zbehë, por do ta forcojë edhe më shumë admirimin që kemi, ne dhe brezat që do të vijnë për këtë DIVË të papërsëritshme të këngës shqipe! Ajo, ndër të tjera paraqet edhe profilin më të lartë që ndonjëherë ka bashkëpunuar me Ansamblin “Shota”, me të cilin Nexhmije Pagarusha ka përformuar nëpër skenat vendore dhe ndërkombëtare, në vitet e arta të karrierës së saj.

Ne, gjenerata e tanishme mburremi që kemi jetuar në kohën e saj, që kemi pasur rastin ta njohim edhe personalisht, duke mos harruar edhe sa lartë e ka ngritur ajo “stekën”, që ne e kemi detyrim ta ruajmë si nivel përfaqësimi, ndër gjenerata. Padyshim që një Nexhmije tjetër, zor se lind serish. Thuhet se njerëz të tillë “lindin çdo 100 vjet”!

Në këtë rast dhimbjeje unë dua të kërkoj nga të gjithë që ne të mos qajmë për Nexhin. Nuk e lumturojmë atë, nëse ne përlotemi. Bëj ftesë për një DUARTROKITJE të gjatë! Më të gjatën që kemi bërë ndonjëherë!

Pushoftë në paqe shpirti saj, për aq gjatë sa ajo, me zërin e saj na ka fisnikëruar dhe na ka bërë të mburremi me të. Për aq gjatë sa do të jetojë vet KËNGA!
LAVDI!
Shefqet GJOCAJ, drejtor i AKKV “Shota” / KultPlus.com

Ansambli “Shota” anulon të gjitha aktivitetet e parapara për festat e nëntorit

Ansambli “Shota” ka pezulluar të gjitha aktivitetet e parapara për festat e nëntorit në shenjë nderimi ndaj viktimave pas tërmetit në Shqipëri, shkruan KultPlus.com

Përmes një postimi në Facebook, Shefqet Gjocaj e ka bërë publik vendimi si dhe ku edhe ka shprehur keqardhjen për atë se çfarë ka ndodhur.

Këtu keni postimin e tij të plotë:

“Te nderuar miq,
Në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit ne Shqipëri, Ansambli “Shota” i pezullon aktivitetet e parapara për nderë te festave të Nëntorit! Me këtë nënkuptojmë anulimin e Koncertit premierë, të paraparë te mbahet nesër (27.11.2019) dhe pjesëmarrjen e paraparë ne aktivitetin qe ishte planifikuar te mbahet ne Drenas (28.11.2019), me rastin e përurimit te shtatoreve te Heronjve te Kombit Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari!

Bashkë ndjejmë thellësisht me vëllezërit dhe motrat tona qe humben jetën ne tërmetin shkatërrues ne Republikën e Shqipërisë dhe familjet e tyre, e njëherazi shprehim gatishmërinë tonë qe t’u dalim ne ndihmë familjeve ne nevojë, me të gjitha mundësitë tona”, ka shkruar në Facebook Shefqet Gjocaj. /KultPlus.com

Ansambli ”Shota”, fituese e çmimit të dytë në Festivalin e Koresë së Jugut

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve ”Shota”, u shpall fitues i vendit të dytë në festivalin ”Cheonean Folkore and Dance Festival”, festival ky që mbahet në Korenë e Jugut.

Festivali “Cheonean Folklore and Dance Festival”, ka pasur pjesëmarrës nga shumë vende të ndryshme të botës, ndërsa Ansambli ”Shota”, ishte i vetmi Ansambël shqipta që ishte në garë me 17-të shtetet pjesëmarrëse, shkruan KultPlus.

Lajmin e bëri të ditur Ylber Asllanaj, udhëheqësi artistik i këtij institucioni, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook.

Statusi i plotë:
Akkv “SHOTA” nderohet me VENDIN E DYTË
Urime të gjithë atyre që e dhanë edhe pikën e fundit të djersës dhe nuk kursyen asgjë që, atdheut tonë, ti rrisin namin edhe në këtë pjesë të largët të botës!

Festivali i cili përveç garës kryesore të përformancës së përgjithshme, përfshinte edhe kategori tjera garuese në: defile në rrugë dhe përformanca individuale, që ishte edhe një mundësi e shkëlqyeshme qe bota të njihej me kulturën shqiptare përmes “Shotës”./KultPlus.com

Ansambli “Shota” fiton çmimin e dytë në festivalin më të madh të folklorit në botë

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka arritur të fitojë çmimin e dytë, në festivalin më të madh të folklorit në botë “Büyükçekmece Kulture ve Sanat Festivali” (Festivali Ndërkombëtar i Kulturës dhe Arteve), në Turqi, përcjellë KultPlus.

Ansambli “Shota”, ka përsëritur suksesin e vitit 2013, kur po ashtu kishte fituar çmimin e dytë në këtë festival, por tani në një konkurrencë dukshëm më të fortë, duke marrë parasysh që në edicionin jubilar- të 20-të të këtij festivali, këtë çmim e ka marrë në garën ku kanë konkurruar 28 shtete nga mbarë bota. Marrë parasysh se Ansambli ka udhëtuar në Turqi, me disa mungesa në orkestër dhe grupin e valltarëve, ky është sukses shumë i madh, edhe për faktin që në këtë festival kanë garuar shtete me ansamble shumë serioze nga Rusia, Gjeorgjia, Ukraina, Bullgaria, Spanja, Serbia, Kroacia, Hungaria, Panamaja, India etj. Vendin e parë dhe çmimin “Ura e Artë” e Mimar Sinanit e kanë ndarë dy ansamble nga Rusia dhe Hungaria ndërkaq vendin e tretë e ka fituar ansambli nga Gjeorgjia. Krahas pllaketës së argjendtë, për vendin e dytë Ansambli ka marrë edhe shpërblim material në vlerë prej 2000 dollarësh Amerikan.

Festivali i Folklorit dhe Arteve në Buyukçekmece, i cili organizohet nën patronatin e dy organizatave më të mëdha të folklorit në botë: CIOFF dhe FIDAF, dhe kryetarit të komunës së Buyukçekmeces, Dr. Hasan Akgun. Ky festival shtatë (7) herë është shpallur festivali më i mirë i folklorit në botë. Se sa i rëndësishëm është ky festival tregon fakti se në të, krahas garës së folklorit, janë organizuar edhe tri gara tjera paralele: Gara e fotografisë artistike, gara e vallëzimit kontemporan dhe gara e skulpturës prej druri. Gjithsej shtete pjesëmarrëse, në të gjitha garat, ishin 71 vende nga mbarë globi. Festivali është mbajtur nga data 26 Korrik deri me 3 Gusht. Moto-ja e këtij edicioni ishte: “Dashuri për njëri-tjetrin, paqe për të gjithë” (Love foreach-other, peace for all). Se çfarë rëndësie i kushton organizatori këtij festivale dëshmojnë shumë fakte: Marketingu i jashtëzakonshëm, jo vetëm në qytetin ku ai zhvillohet, por edhe në Stamboll dhe qytete tjera të Turqisë. Në hapje të festivalit kanë marrë pjesë shumë deputetë të parlamentit turk dhe kryetarët e 5 komunave më të rëndësishme të Turqisë, në mesin e të cilëve edhe Ekrem Imamogllu, kryetar i porsazgjedhur i Stambollit. Pastaj të gjitha aktivitetet e festivalit, janë transmetuar drejtpërdrejtë në kanale të ndryshme televizive të Turqisë.

Krahas pjesëmarrjes në garë të folklorit, Ansambli “Shota” është nderuar edhe me praninë në disa aktivitete sociale, në njërin nga të cilët (Inaugurimi i një linje detare nëpër Bosfor), me kërkesë të kryetarit të komunës, Akgun, “Shota” ishte ansambli i vetëm pjesëmarrës, i ftuar për performancë. / KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ merr pjesë në dy festivale të mëdha të folklorit

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sivjet do të marrë pjesë në festivalet e mëdha të folklorit në Buyukçekmece të Turqisë dhe Seul të Koresë së Jugut.

Fillimisht trupa e Ansamblit do të udhëtojë për në Turqi, më datë 25 korrik, ku nga 26.07-03.08.2019 do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar i Kulturës dhe Arteve.

Në këtë festival marrin pjesë 28 shtetet pjesëmarrëse, si Brazili, Kroacia, Afrika Jugore, Portugalia, Indonezia, Ukraina, Republika Ceke, Venezuela, Maqedonia e Veriut, Greqia, Qiproja, Bullgaria, Panama, India, Gjeorgjia, Rusia, Sllovakia etj, shkruan ksp.

Më vonë, nga data 25 shtator, “Shota” do të udhëtojë drejt Seulit, ku edhe në Lindjen e Largët, në Festivalin “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të prezantojë kulturën dhe traditën tonë.

Në mes të këtyre dy festivaleve, “Shota” ka pranuar edhe një ftesë nga komuniteti arbëresh i Horës së Arbëreshëve (Sicili), për të marrë pjesë në manifestimin tradicional “Festa e Themelimit” më 30 gusht 2019.

Ky aktivitet pritet të jetë në bashkë-organizim me Ministrinë e Diasporës të Kosovës.

Ministri Gashi ka vizituar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka vizituar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota”. Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me drejtorin e Ansamblit “Shota” Shefqet Gjocaj i cili njoftoi ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi premtoj mbështetje për valltaret dhe i përgëzoi për sukseset që kanë treguar gjatë vitit 2018, po ashtu i inkurajoj që këto rezultate dhe këtë angazhim ta vazhdojnë edhe më tutje.

Qëllimi i kësaj vizitë është për të parë nga afër se cilat janë nevojat financiare të këtij institucioni shumë të rëndësishëm kulturor, pasi që kemi marrë vendim që të gjitha institucioneve të kulturës tua rrisë buxhetin jam shumë i bindur që Ansamblin “Shota” ka qene i anashkaluar në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë mbështetje të duhur financiare. Dhe nga sot për shkak të punës edhe rezultateve të mëdha që kanë pasur , ju njoftoj që do të ketë rritje të buxhetit për vitin 2019 varësisht nga programi që do të paraqesin në këshill te në ministri ka thënë ministri Kujtim Gashi.

“Po ashtu ne jemi dakorduar edhe në takimet paraprake që ky institucion ka nevojë për arkivin e vet për ruajtjen e materialeve shumë të rëndësishme dhe sot e konfirmojmë që këtë projekt do ta iniciojmë si procedurë dhe jemi të interesuar që çdo kërkesë të marrim me seriozitet, po ashtu ky ansambël ka nevojë edhe për instrumente sepse një pjesë e tyre janë shumë të vjetra dhe besoj që bashkërisht do të gjejmë zgjedhje dhe mundësi buxhetore që ky institucion të pajiset edhe me instrumente të reja”. ka thënë mes tjerash ministri.

Ndërkaq, Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit Shota, tha se nga ministri kanë marrë zotimin edhe për realizimin e projekteve që Shota ka filluar si dhe për projektet e planifikuara.
“Besoj shumë që e kemi pasur mirëkuptimin dhe do ta kemi në vazhdimësi. Unë besoj shumë që projektet që i kemi filluar do të realizohen në një kohë të përshtatshme”./KultPlus.com

Ansambli “Shota”, me premierë për “Epopenë e UÇK-së”

Koreodrama “Lulet e Marsit” është premiera e Ansamblit “Shota”, me koreografi të Xhemali Berisha dhe me muzikë dhe orkestrim të Ylber Asllanaj, shkruan KultPlus.

Udhëheqësi Artistik i Ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj koreodramën “Lulet e Marsit” e ka konsideruar si një perlë të re në “Gjerdanin” e Ansamblit.

“Kjo premierë është punuar ekskluzivisht për nderë të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij”, thuhet në njoftim, i cili tutje sqaron se kjo koreodramë ka në qendër luftën dhe sakrificën e tre brezave të familjes Jashari.

Tematika fillon me prologun e Shaban dhe Zahide Jasharit, dhe bekimin që ata i japin Ademit për rezistencë. Tutje vazhdon me rezistencën e burrave dhe grave të familjes Jashari dhe përfundon simbolikisht me një homazh të 13 fëmijëve (numri i fëmijëve të vrarë të familjes Jashari në datat 5,6 dhe 7 Mars 1998), të cilët skenikisht paraqitën me nga një lule dhe një qiri. Në anën tjetër krye-personazhi, i luajtur nga solisti i Ansamblit Besnik Grajcevci, shndërrohet në lapidar. Kjo konform simbolikës tashmë të njohur “Ai është i gjallë”.

Premiera e kësaj shfaqjeje do të jetë në gala-koncertin që organizohet në Skenderaj, me datë 7 Mars ndërkaq sipas planit të punës së Ansamblit, parashihet edhe një premierë tjetër në Prishtinë, gjatë këtij muaji./ KultPlus.com

“Vallja e Rugovës” në mes të Gjermanisë (VIDEO)

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, pat shkëlqyer me performancën e tyre në Berlin, në vitin 2011, shkruan KultPlus.

Ata u patën prezantuar me “Vallen e Rugovës”, në Stadiumin e Berlinit, të cilët ishin pjesë e ceremonisë në shënimin e 30-të vjetorit të “Anniversary of the Art of Living”./KultPlus.com


Ansambli “Shota” shpreh ngushëllime për Çelikun: Po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime

Lajmi për vdekjen e valltarit të njohur, Rexhep Çelikut ka tronditur gjithë publikun shqiptar, ndërsa me dhimbje e krenari këtë humbje e ka përjetuar edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, shkruan KultPlus.

Me anë të telegrami të shkruar nga drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ShefqetGjocaj ka shprehur ngushëllimet për familjen Çeliku, ndërsa humbjen e valltarit e ka konsideruar të pakompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti për atë koreografik.
KultPlus ju sjellë të plotë këtë shkrim:

E nderuara familje Çeliku,
Shumë të nderuar kolegë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve dhe të TKOB,
Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Korifeut të valles shqipe, Rexhep Çeliku, “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”. Duke e konsideruar si një humbje tepër të madhe dhe të pa kompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe atë koreografik, në veçanti, me lejoni që nëpërmes kësaj letre të shpreh ngushëllimet më të thella, në emër të punëtorëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal. Më besoni, të dashurit e mij, se po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej në pjesë, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime. Sepse “Xhepi” ishte i të gjithëve dhe ashtu siç jemi mburrur më të, të gjithë, ashtu ndjejmë edhe dhimbjen për shkuarjen e tij në amshim. Gjithsesi, ai ishte njeri me fat! Duke arritur të realizohej në nivelin më të lartë të mundshëm, në artin e tij, ai u bë i gjithëkoh’shëm: Edhe sa ishte gjallë, ishte sinonim dhe frymëzim! Dhe i tillë do të jetë përgjithmonë, gjithnjë përderisa përmendet dhe luhet vallja shqipe. Gjithnjëpërderisa kujtohen dhe nderohen Korifenjtë!
Pusho në paqe artisti i kombit tim!
LAVDI!
ShefqetGjocaj, drejtor./KultPlus.com

Ansambli “Shota” vjen me koncert festiv, i dedikohet 20 vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Gili Hoxhaj

Në korridorin e objektit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe valleve “Shota” dëgjohej kënga dhe tingujt e daulles, që tregonin se ky ansambël më shumë përkushtim dhe punë intensive ka filluar përgatitjet për të sjellë një program festiv në kuadër 28 Nëntorit, ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Premiera e këtij koncerti do të shfaqet më 26 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drejtori i këtij Ansambli Shefqet Gjocaj tregoi për KultPlus se ky koncert përveçse vije për të shënuar Ditën e Flamurit, ka edhe një dedikim tjetër dhe si i tillë do të shfaqet edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Ky koncert i dedikohet edhe 20 vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit, dhe si i tillë do të shfaqet edhe në qendra të tjera të Kosovës. Ansambli planifikon një koncert në Gjakovë me 24 nëntor, në Skenderaj me datën 27 nëntor dhe më 28 Nëntor në Gjilan. Gjilani në këtë vit do të jetë kryeqendër shqiptare e shënimit të ditës së Flamurit, ku do të jenë të ftuar autoritet më të larta shtetërore të Kosovës, Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, pasi që më këtë rast do të bëhet edhe zbulimi i përmendores së heroit të kombit Idriz Seferi.

Gjocaj njoftoi se ky do të jetë një program i formatit të madh ku përveç valleve do të ketë edhe këngë korale dhe solistike, mirëpo celula apo bërthama e programit do të ndërtohet për rreth këngës “Heu Drenicë, heu trungu i lisit”. Në koncertin e datës 26 nëntor që do të mbahet në Prishtinë, Gjocaj tregoi se do të jetë i ftuar edhe grupi polifonik “Bilbili” nga Vlora. Gjithashtu drejtori i ansamblit “Shota” tregoi për KultPlus se Ansambli do të merr pjesë edhe në një program që organizohet nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, me rastin ndarjes së e çmimit “Hasan Prishtina”.

“Ne kemi edhe një aktivitet tjetër që do mbahet në patronatin e kryeministrit të Kosovës që do të mbahet në Sheshin 21, me datën 25 nëntor , me rastin e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina”, që do t’i ndahet publicistit, gazetarit dhe veprimtarit nga Shqipëria, Marin Mema. Sipas Gjocajt, në kuadër të këtyre organizimeve është ende opsionale që më datën 23 të mbahet një koncert në Prizren ose në Mitrovicë, por mbetet të merret vendimi nga autoritetet lokale, mirëpo ende nuk ka ndonjë vendim për shkak të zgjedhjeve lokale.

“Procesi i zgjedhjeve lokale na ka vështirësuar organizimin në disa qendra, sepse e kemi pasur të vështirë të kontaktojmë me autoritetet lokale të këtyre qyteteve për shkak të angazhimit të tyre në zgjedhjet lokale”, përfundoi Gjocaj./KultPlus.com