Sot, në TKOB do të vihet në skenë shfaqja e Ansamblit Popullor, “Jehona jone”. Nga Çamëria në Kosovë e nga Bregu në Korab, publiku do të mund të përcjellë traditat më të bukura shqipe, këngët, vallet, vajet e gëzimet, të cilat do të vijnë të interpretuara mjeshtërisht nga artistët e Ansamblit Popullor, mbrëmjen e sotme.
“Ndër shekuj, jehona e isos së Jugut, tupanit të Veriut e këngët majë krahi kanë lajmëruar lajme të gëzuara e të trishta. Kjo ishte mënyra se si populli ynë komunikonte dikur”, shkruhet në publikimin e bërë nga TKOB në rrjetet sociale.
Koncerti “Jehona jonë”, vjen si lajmërim i ditëve të bukura të vitit te sapoardhur dhe do të kumbojë në skenën e TKOB-së nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Solistë të këtij koncerti të veçantë do të jenë: Denisa Gjezo, Iris Bega, Aranit Hoxhaj, Lekë Pecnikaj, Avni Miraka etj./atsh/KultPlus.com