Shfaqja “Antigonat” me regji të Erson Zymberit po vjen premierë në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, në Gjakovë si një lexim i ri, ndoshta edhe arbitrar, i një rrëfimi mirë të njohur, të dëgjuar e parë shpesh edhe në skenë, përcjell KultPlus.
“Në një shkrirje të qëllimshme të dy dramave (të Sofokliut dhe Jean Anouilh), ne kemi krijuar një lëndë skenike të re, më të dendur, e të cilën e kemi plotësuar e qëndisur “me pak dhimbje të freskët – sa për të dëshmuar sërish e sërish, se fatet njerëzore përsëriten, ashtu siç përsëriten edhe dramat e tragjeditë njerëzore. Por mbi të gjitha, me këtë shfaqje, ne duam të tërheqim vëmendjen tek patriarkati, jo më vetëm si shtypës dhe si pengues i prosperitetit e zhvillimit shoqëror, por edhe si formë e shtypjes së njërës prej ndjenjave më sublime: domosdoshmërisë së njeriut për të kujtuar e për të mbajtur mend”, thuhet në njoftim.
‘Antigonat’ janë nënat, gratë e motrat tona të cilat me kurajo e vendosmëri e sfidojnë harresën, e sfidojnë arrogancën dhe përbuzjen shoqërore. Ato janë gra në zemrat e cilave gjenden muzetë e dhimbjes më të madhe njerëzore. Kur mbamendja jonë mund ta harroj pamjen e tmerrit, të mizorive, të dhimbjes e trishtimit, atë do të mund ta gjejmë sërish në sytë e zemrat e këtyre grave.
Shfaqja vjen premierë me datën 27 mars, e që ngjizë dy data, dy ditë, dy kujtime, njërën atë të ditës botërore të teatrit dhe tjetrën, ditën e zezë e të kobshme të familjes Qerkezi, ku zonjës Ferdonije Qerkezi, më 27 mars 1999, i është marrë burri dhe katër djemtë e saj. Të dy këto data, të cilat njashtu si dy maskat e teatrit shpalosin dhimbjen njerëzore dhe misionin e teatrit si platformë e medium i gjallë, i drejtpërdrejtë e i vërtetë, na bëjnë ndërtues’ e përgjegjës artistik dhe jo vetëm.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Vlora Dervishi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Altina Kusari.
Pas premierës së 27 marsit në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, “Antigonat” pason edhe me dy premiera të tjera më datë 28 dhe 29 mars duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com