Akademia e Shkencave në Shqipëri aderon në lëvizjen për luftën kundër antisemitizmit

Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë miratoi njëzëri vendimin e kryesisë së saj për aderimin në Lëvizjen për Luftën Kundër Antisemitizmit.

Në një letër drejtuar Robert Singer (Chairman Center of Jewish Impact Senior Advisor to the Combat Anti-Semitism Movement) dhe shkëlqesisë së tij z. Noah Gal Gendler, ambasador i Shtetit të Izraelit në Tiranë, Skënder Gjinushi, në emër të Akademisë së Shkencave, i informon ata se forumi më i lartë vendimmarrës i ASH-së, në mënyrë të njëzëshme vendosi të miratojë propozimin e Kryesisë për aderimin e këtij institucioni në Lëvizjen për Luftën kundër antisemitizmit (Combat Anti-Semitism Movement), duke miratuar përkufizimin e përdorshëm për antisemitizmin sipas kuptimit në dokumentin e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (Insternational Holocaust Remembrance Alliance – IHRA).

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, deklaroi se “duke qenë se shteti shqiptar është vend bashkëthemelues i Forumit Ndërkombëtar të Holokaustit, duke qenë se shteti shqiptar si vend organizator i Forumit të Ballkanit kundër Antisemitizmit ka pranuar interpretiminin e antisemitizmit sipas përcaktimit nga Lëvizja kundër Antisemitizmit dhe është anëtarësuar në këtë lëvizje, duke qenë se Akademia e Shkencave është bashkëhartuese e Ligjit për “Ditën e Kujtesës” dhe organizatore e shumë konferencave shkencore në përputhje me të, duke qenë se botimet shkencore të Akademisë së Shkencave dhe bashkëpunëtorëve të saj kanë luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen ndërkombëtare të rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë SHOAH, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka vendosur të aderojë si intitucion në nismat ndërkombëtrare IHRA dhe CAM”.

“Ky vendim të shpallet me rastin e Ditës së Ndërkombëtare të Kujtesës, që është 27 Janari 2021. Pikërisht për këtë arsye ne sot bëjmë publik këtë vendim tonin, i cili iu është transmentuar institucioneve përkatëse dhe për pasojë Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokasutit”, – tha kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.Më pas akad. Shaban Sinani, sekretari shkencor në Akademinë e Shkencave, bëri të ditur për mediet se vendimi që mori Asambleja e Akademisë së Shkencave u është bërë i njohur menjëherë organizatave ndërkombëtare që bënë regjistrimin e subjekteve qofshin shtetërore, qofshin institucionale, qofshin edhe individë, për ta regjistruar si një institucion që e ka pranuar përkufizimin sipas dy organizatave IHRA dhe CAM.

“Në përgjigje të letrës që i është dërguar kësaj organizate, presidenti i Qendrës së Ndikimit Hebre, Robert Singer është shprehur me vlerësimet më të larta për këtë hap që është hedhur nga Akademia e Shkencave, duke e quajtur “një vendim të jashtëzakonshëm” të saj dhe duke e konsideruar një “hap kolosal” që një akademi kaq prestigjoze si Akademia e Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm përcakton pozicionin e saj në lidhje me termin antisemitizëm në kuptimin e sotëm dhe në kushtëzimet që ka termi me Holokaustin, por edhe si dhe një hap që mund të ndikojë për mirë që institucione të tjera akademike dhe universitare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe me gjerë, në prag të Ditës së Kujtesës apo edhe më tej, të hedhin një hap emancipues për një shoqëri të lirë”, – tha akad. Shaban Sinani.

Edhe në letrën përshëndetëse të ambasadorit të Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit, është shprehur se “populli shqiptar ka mbajtur gjithmonë anën e vërtetë të historisë”. /atsh/ KultPlus.com