Në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ mbahet ora e shkrimtarit me Anton Berishajn

Më 28 tetor 2024, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, u mbajt takimi me poetin, përkthyesin dhe studiuesin e letërsisë, Anton Berishaj. Aktiviteti u mbajt në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës – Ora e shkrimtarit.

Poetja dhe drejtoresha e kësaj Biblioteke, Naim Beqiraj, në fillim të fjalës së saj tha “Berishaj është profesor i letërsisë në Fakultetit të Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, i cili ka botuar shkrime të ndryshme kritike brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ka botuar poezi dhe ka përkthyer mjaft vepra të rëndësishme letrare. Të pranishëm ishin krijues të letërsisë shqipe, lexues dhe dashamirë të letërsisë si dhe maturantë të “The Britsh School”. Drejtoresha e Bibliotekës, Naime Beqiraj, në përgjithësi foli për krijimtarinë e poetit dhe studiuesit Berishaj, duke ofruar edhe të dhëna biobibliografike për të.

Anton Berishaj (1965), poet, prozator, kritik i letërsisë dhe përkthyes. Është profesor i letërsisë së vjetër shqipe, teorisë së vargut, prozës bashkëkohore shqipe dhe i historisë komparative të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Në fokus të studimeve të tij letrare janë letërsia medievale shqiptare dhe letërsia e barokut, por edhe letërsia moderniste dhe neoavangarde. Anton Berishaj është autor i dy librave studimorë: “Retorika dhe letrarësia” (Prishtinë, 2005) dhe “Letërsia per-formative” (Prishtinë, 2010), si dhe i artikujve studimorë për letërsinë shqipe në revista vendase dhe ndërkombëtare. Ka botuar përmbledhjet poetike “Lule mëngjesi” (Podgoricë 1986) dhe “Fenomenologjia e vdekjes” (Podgoricë 2019), një botim i plotësuar i librit të parë. Ka përkthyer shkrime teorike të studiuesve të letërsisë, sidomos të formalistëve rusë dhe të strukturalistëve çekë. Ka përkthyer edhe shumë autorë nga gjuha serbe dhe kroate në shqip dhe autorë shqiptarë në këto gjuhë. Midis tjerash ka përkthyer: Vladimir Arsenijević “Mexico – ditar lufte“, Sabaium, Prishtinë 2001, Saša Ilić „Rënia e Kolumbisë“ – roman, Qendra Multimedia, Prishtinë 2013, Škeljzen Malići “Kosovo i raspad Jugoslavije”, Most Art, Beograd 2014, Bekim Fehmiu „Shkëlqim dhe tmerr“, Samizdat, Beograd 2016, Shkëlzen Gashi „Kosovo u udžbenicima Kosova, Albanije, Srbije, Crne Gore i Makedonije“, Prishtinë

2016, Saša Ilić „Gjahu i iriqëve“, short stories, Qendra Multimedia, Prishtinë 2019, Igor Štiks „W“, Bard Books, Prishtinë 2021, Ivana Bodrožić Simić „Hotel Zagorje“, Jakup Ceraja, Prishtinë, 2022. Etj.

Në dialog me të pranishmit autori shtroi disa nga pikëpamjet e tij lidhur me aktin kreativ, vlerën universale të poezisë dhe natyrën komplekse të frymëzimit poetik. Ai spikati rëndësinë fundamentale të lojës dhe ludizmit dhe eksperimentit në procesin e krijimit letrar. Nëpërmjet tyre, sipas tij, ai ka realizuar komunikimin me traditën letrare (fillimisht me simbolistët frëngë, Bodler, Rembo, Verlen…, por edhe me traditën tekstuale shqiptare dhe botërore), si dhe tekstet dhe diskursin filozofik nga i cili poezia e tij është inspiruar në masë të madhe.

Në vazhdim ai foli edhe për rëndësinë kulturore dhe letrare të përkthimit dhe përvojën e tij personale në këtë fushë, duke konstatuar midis tjerash se përkthimet shpesh kanë konstituuar edhe letërsitë dhe kulturën tekstuale të popujve të ndryshëm, çfarë është edhe kultura dhe letërsia shqiptare. Sipas tij një kulturë ekziston nëpërmjet komunikimit me Veten dhe Tjetrin, i cili në vetvete është një proces kompleks semiotik i përkthimit.

Projekti Ora e shkrimtarit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

“Ora e Shkrimtarit” përkujton Anton Pashkun, Lule Pashku: Babai ka qenë një shpirt i madh dhe shumë i bardhë

Suada Qorraj

Autori ikonik i letërsisë shqipe, Anton Pashku, shkrimtari i letërsisë së shekullit njëzet u përkujtua sonte në ambientet e KultPlus Caffe Galery, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.

Diskutimi mbi jetën dhe veprën e Pashkut filloi me fjalimin hyrës të moderuesit Binak Kelmendi, i cili tha se Pashku shquhet për stilin e tij karakteristik dhe për ngritjen kundër normave që ekzistonin në atë kohë.

“Antoni shquhet për stilin e tij karakteristik, modelin që e kishte vetëm ai për shpërfilljen e normave letrare që atëherë aplikoheshin ose zbatoheshin nga krijues të ndryshe, krijues të kohës dhe ai ishte hapur, ose fshehtas bashkë me një grup tjetër intelektualësh kundër normave të realizmit socialist”, theksoi Kelmendi.

Ndërkaq  profesori Anton Berishaj gjatë fjalimit të tij mbi veprën kolosale të Anton Pshkut tha se do të fokusohet në veprën ‘Oh’ të Pashkut, me të cilën ai kultivoi trashëgimi të madhe.

“Unë sonte do të fokusohem në romanin ‘Oh’ të Pashkut, me të cilin ai kultivoi trashëgiminë e dadaizmit dhe surrealizmit, trashëgimi kjo që besohet se ishte kyqe në poetikën e Pashkut. Tre kategoritë që janë përdorur shumë në poetikë nga Pashku janë loja, ëndërrimi dhe shkrimi automatik si trashëgimi e surealizmit”, tha ndër të tjera Berishaj.

Shkrimtari Adil Olluri tha se ndonëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet që prej herës së parë kur kishte lexuar tregimin ‘Kulla’, për të ky tregim mbetet tregimi më i bukur i prozës së shkurtër shqipe.

“Megjithëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vite nga leximi i parë, ende kam qëndrimin tim se tregimi ‘Kulla’ është një nga krijimet më të bukura të prozës së shkurtër shqipe. Një krijim imagjiantiv simbolik që mund të lexohet nga kënde të ndryshme, gjë që e bënë krijim të arrirë”, pohoi Olluri.

Ai ka shtuar se rrëfimi i Anton Pashkut në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ sepse ka si armë të fortë idetë që janë gjëja parësore e letërsisë së shkrimtarit.

“Rrëfimi i Pashkut në prozën e tij të shkurtër në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ, jo i drejtpërdrejtë, dhe tregimet e tij janë tregime të ideve, sepse përveç reprezentimit figurativ e stilistik, armë e fortë e tregimeve të Pashkut janë pikërisht idetë, që shpesh herë janë lënë në plan të dytë nga interpretuesit e teksteve të tij për t’u trajtuar forma dhe struktura letrare e tregimeve si gjëja parësore dhe shpeshherë edhe e vetme e letërsisë së këtij romani”, ka thënë shkrimtari Olluri.

E pranishme gjatë kësaj nate ishte edhe e bija e vetme e Pashkut, Lule Pashku e cila e konsideronte përkujtimin për babain e saj si një ndjenjë të bukur sepse siç tregoi ajo, ai ishte nga ata shkrimtarët që ka punuar shumë dhe çdo herë ka përkrahur personat që kanë pasur dashur për artin.

“Është ndjenjë e mirë që kohë pas kohe të përkujtohet meqenëse ai me të vërtetë ka punu shumë, ka qenë një njeri që e ka dashtë shumë artin edhe njerëzit të cilët janë marrë me artin i ka përkrahë gjithmonë. Ai ka pas diapazon te gjere te dijes, pavarësisht qe ishte shkrimtar njohurit e tij ishin të gjëra edhe për degët e tjera të artit. Ai i ka përkrah të gjithë, sidomos ata që ju kanë qas, mirëpo mua më erdh mire që pash njerëz që ishin mirënjohës për atë pjesë”, tha për KultPlus Lule Pashku.

Ajo ka shtuar se është krenare që ka pasur një baba si Anton Pashku, sepse ai nuk ka qenë një baba autoritativ, por mbi të gjitha ai i ka udhëzuar çdo herë. Sipas saj Anton Pashku ka qenë një shpirt i madh.

“Unë jam krenare që kam pas baba meqenëse ka pasë shumë vlera, përveç këtyre letrare ai edhe si njeri ka qenë shumë i formuar, nuk ka qenë nga ata prindërit tradicional e të pasurit autoritetin në shtëpi. AI na ka mësu me e ngrite zërin kur nk na ka pëlqyer diçka, ai çdo herë na ka udhëzuar por nuk ka paneguar që të shprehim mendimin tonë. Ai ka qenë një shpirtë shumë i mire, shumë i madh edhe shumë i bardhë. Më vie mirë që e përkujtojnë dhe e falenderojnë për punën e tij”, ka përfunduar Pashku.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi të cilat do të mbahen javëve në vazhdim./ KultPlus.com

Ramadan Rexhepi – prozator që duhet ta njohim mirëfilli

Shkruan Anton Nikë Berisha.

Para vitit 1963, kur edicioni i revistës letrare “Jeta e re” nxori në dritë “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit, në ish Jugosllavinë, pra në Kosovë, qenë botuar pak vepra letrare në prozë e krejt pak me tregime. Më 1953 u botua përmbledhja me tregime e Sitki Imamit “Drejt ditëve të reja1”, më 1957 romani i Sinan Hasanit “Rrushi ka nisë me u pjekë”, më 1958 romani i Adem Demaçit “Gjarpijt e gjakut”, më 1958 “Vija e vërragë” e Ramiz Kelmendit, më 1959 romani i Rexhai Surroit “Besniku” dhe romani i Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha” (për fëmijë), më 1960 përmbledhja me tregime e Hivzi Sulejmanit “Era dhe kolona”, më 1961 përmbledhja “Tregime” e Anton Pashkut, “Dashnija dhe urrejtja” e Rexhai Surroit dhe romani “Karvani i bardhë” i Azem Shkrelit (versioni i parë, i dyti më 1996), më 1962 “Dy rrëfime” të Ramiz Kelmendit dhe proza “Rrethimi” i Tajar Hatipit.

Nga veprat me tregime në gjuhën shqipe të botuara në fillim të viteve ’60 në Jugosllavi2, përkatësisht në Kosovë, veçohen sidomos “Tregimet” e Anton Pashkut dhe “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit (pa mohuar në asnjë mënyrë vlerën e vëllimit me tregime “Era dhe kolona” të Hivzi Sulejmanit, sidomos tregimet e qenësishme “Hijet në kuvertë” dhe “Miku im Xho3”).

Ramadan Rexhepi qysh si normalist ishte dhënë pas leximeve të veprave të prozatorëve të shquar botërorë. Nga një e dhënë e vetë autorit mësojmë se tregimin “Letra e vajzës bonjare” e shkroi në moshën njëzet vjeçare: “[…] isha i ri dhe zieja si lëndina e veshur me lulegjiza e lulebrigje”.

Në tregimet e veta Ramadan Rexhepi përmbushi synimin ku dukuritë dhe idetë e ndryshme, dramat që e cilësonin jetën e tij dhe jetën e njerëzve të gjuhës dhe të gjakut të tij, shqiptohen përmes një gjuhe figurative, një sistemi shprehës të pasur dhe të mëvetësishëm poetik dhe teksti të jetë sa më komunikues: “Unë kujtoj që shkrimtari ka këtë rol. Të japë mesazh. Unë, gjithnjë mundohem të jem fjalë pakët. E thashë edhe më herët, ëndrra njeriun e ka ushqyer që të lëvizë5” ose siç do të thoshte Lasgush Poradeci: “Qëndro një nëpër ndryshime”. Kjo e përligj atë që thoshte Claude Simon (Klod Simon) se shkrimtari duhet të synojë të krijojë diçka tjetër përballë asaj që është shkruar më parë: “[…] Ai që rekomandon sot si model Stendalin, Balzakun ose Tolstoin, nuk kupton se ata janë të mëdhenj për shkak se në kohën e vet kanë shkruar si asnjë tjetër më parë. Ata kanë lënë porosinë e pakënaqësisë së përhershme ndaj formave të vjetra letrare, të cilave u janë shmangur, duke zbuluar forma të reja, sepse, shkrimtari që përdor forma të vjetruara, përkundër orvatjeve për përmbajtje revolucionare, është krijues i cili nuk ka të thotë asgjë të re, dhe aq më pak të shprehë diçka revo-lucionare […]”.

Aftësinë e rrëfimtarit të mirëfilltë Ramadan Rexhepi e dëshmoi në tregimet dhe në romanet që i botoi deri më tani.

Po ndalëm përmbledhtas në tri veprat e tij: “Kumbonaret”, “Udhëkryqi” – “Stina e emrave të bukur” dhe “Dilemat e Emrush Dokos”.

Përmbledhja me tregime dhe novela “Kumbonaret” (Prishtinë 1963) e Ramadan Rexhepit, veçohet me një perceptim dhe shqiptim thellësor të botës sonë e të fatit të njeriut tonë, shprehur nëpërmjet një rrëfimi poetik të lartësuar e cilësor, të mbrujtur më tablo poetikisht të pasura, herë – herë të jashtëzakonshme, që me artin e madh e pushtuan lexuesin e kohës, po mbesin të tilla edhe për kohën tonë e për kohët që do të vinë.

Synimi kryesor i Ramadan Rexhepit qe ta krijonte tekstin sa më artistik që ishte e mundur, një strukturë tekstore që thotë më shumë se një kuptim dhe e cila do të ndikonte në lexuesin. Ai ishte i vetëdijshëm se kufizimi i mendimit në një tekst letrar jo vetëm do ta ngushtonte vlerën e tekstit të përftuar, po edhe përfilljen dhe ndikimin e tij.

Ky përcaktim vërehet jo vetëm në shqiptimin e kontrasteve të jetës konkrete e të botës së brendshme të personazheve, të tablove të pasura e të përshkrimeve të rralla poetike, po dhe të zbulimit të veçantive shpirtërore kur një person ballafaqohet me veten ose me të tjerët në rrethana të rënda të gjallimit.

Dy gjëra kushtëzuan veçantinë dhe pasurinë e tregimeve dhe të novelave të Ramadan Rexhepit të përfshira në vëllimin “Kumbonaret”: gjuha dhe mënyrat e shtjellimit të tekstit. Pa një gjuhë të pasur nuk mund të shkruhet një vepër e madhe e artit të fjalës, po as kjo nuk mjafton; shtjellimi gjuhësor shprehës është vendimtar dhe përcakton qenësinë e çdo krijese letrare poetike. Të shprehurit gjuhësor dhe imagjinata e pasur i kanë ndihmuar autorit të kësaj vepre t’i shqiptojë dukuritë në veçantinë e tyre, të kapë “vogëlsirat”, ato që shpëtojnë nga një vrojtim i rëndomtë, nga syri që nuk synon të depërtojë përtej asaj që sheh në të parë.

Romani “Dilemat e Emrush Dokos” (Malmö 2004) e Ramadan Rexhepit është një vepër satirike tragjike, që në krahasim me përmbledhjen me tregime e novela “Kumbonaret” dhe me romanin “Udhëkryqi” – “Stina e emrave të bukur” ka një gjuhë e stil tjetër. Në të autori shqipton pësimet, kundërthëniet dhe synimet e fshehta e të dëmshme të veprimeve politike të shqiptarëve në shtetet e Perëndimit, me përqendrim të veçantë në Suedi, qofshin ata individë ose grupe jo formale; përplasjet midis tyre, shprishjen shpirtërore, smirën, xhelozitë, paturpësinë dhe veset e tjera të shfaqura si rrjedhojë e përçarjeve dhe e interesave politike që ata përfaqësonin, si dëshmi e përçarjes dhe qëndrimit politik në Shqipëri dhe në Kosovë, ku komunizmi dhe enverizmi vazhdonin të rrënonin shpirtin dhe botën shqiptare në rrënjë.

Në mënyrë të veçantë Ramadan Rexhepi i qartëson dukuritë përmes shembujve dhe përbërësve të ndryshëm të veprimit të individëve ose të grupeve, sidomos patriotizmin e shpifur, që ishte bërë shumë i rrezikshëm. Nevoja që kundërthëniet, prapësitë dhe tragjikat, pra interesat e ndryshme, të ndriçohen në mënyrë sa më të plotë dhe thellësore, autori përdor një ligjërim ironik, po më pak figurativ. Me fjalë të tjera, rrëfimi në roman është konkret dhe përcaktues.

Nga dukuritë e vështruara në vepër dhe nga mënyra e ndriçimit të tyre dëshmohet një tragjikë e shumëfishtë që e cilësonte veprimin e shqiptarëve të ndarë e të përçarë në Suedi, po dhe në shtetet e Perëndimit, siç ndodhte kryesisht në vetë rrjedhën e jetës politike në Shqipëri dhe në Kosovë.

Romani “Udhëkryqi” – “Stina e emrave të bukur” (Prishtinë 2010), që u botua në Prishtinë me titullin “Stina e emrave të bukur” pa asnjë dyshim është kryevepra letrare poetike e Ramadan Rexhepit. Autori nisi ta shkruajë atë që në vitin 1957 dhe vazhdoi me vite të tëra, duke e rimarrë e përpunuar disa herë – për t’iu kthyer edhe në kohën e fundit. Në të ai përligji aftësinë dhe shkathtësinë e një rrëfimtari cilësor, gjë që vërehet sidomos në gjuhën poetike dhe në stilin që përdor, duke përftuar një botë sa të pasur aq dhe të mëvetësishme poetike, që nxit një komunikim të mirëfilltë.

Me mënyrën si u qaset dukurive të jetës konkrete, me gërmimin dhe me shpalimin e botës së brendshme të personazheve, të shqiptimit të pësimeve dhe të tragjikave të njeriut tonë në një kontekst konkret shoqëror e politik, sidomos të dhunës që u është bërë shqiptarëve nga pushtuesit e nënshtruesit sllavë, Ramadan Rexhepi afrohet me prozatorët e mëdhenj si Balzaku, Shollohovi, Jakov Xoxe, Martin Camaj (me romanin “Rrathë”) etj. Ramadan Rexhepi niset nga realiteti konkret, po atë e ndërton përmes rrëfimit poetik sa të natyrshëm aq dhe të lartësuar. Ai gjakon të zbulojë dhe të shqiptojë kundërthëniet shoqërore dhe politike të mjedisit përkatës, tundimet shpirtërore, kundërthëniet e brendshme, shkakun e sjelljeve të tilla dhe pasojat në vetë shpirtin e njeriut. Personazhi kryesor, Ilir Kelmendi, ngërthen në vete shumësinë e intelektualëve që vuanin dhe pësonin, që përballoheshin me dhunën shtetërore dhe jetonin brenda marrëdhënieve të përmbysura, ku dëshmohej absurdi i veprimeve të organeve të shtetit e të pushtetit ndaj tij dhe ndaj bashkëkombësve.

Rrëfimi i Ramadan Rexhepit në këtë roman është i larmishëm dhe mirëfilli poetik, larg çdo retorike e patetike. Nga teksti dalin mendime të qenësishme e shumëngjyrëshe, që cilësohen me një drejtpeshim të madh; në secilin përshkrim dhe në secilën tablo poetike autori synon të jetë sa më i veçantë dhe në rrafshin sa më të lartë.

Me një fjalë romani “Udhëkryqi” dëshmon pasurinë dhe pjekurinë e prozës së autorit po dhe të prozës sonë në përgjithësi.

Ajo që thashë më lart përligj faktin se Ramadan Rexhepi është prozator që duhet ta njohim mirëflli. Kjo është në të mirën tonë si lexues dhe në të mirën e letërsisë sonë.

Tetor 2018