Shkon hana ni ditë për qef tu dielli edhe ja çon ni parë tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mirë. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanën. S’i bjen kurgja. Hana i thotë: Qysh u ba puna kshtu? Unë erdha e t’i pruna ni parë tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja! Dielli i tha: Po ti kurrë njejtë s’po rrin: herë hiç, herë n’ngjysë, herë e plotë e nuk dita qysh me t’i pre teshat, për qata s’t’i pruna.
Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963. / KultPlus.com
Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plotgojë që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Et’hem Haxhiademi është përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).
Et’hem Haxhiademi është përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).
Kushtet politike dhe shoqërore të vendit tonë janë bërë gjithnjë pengesë që jehona e zhvillimeve letrare të Europës të dëgjohet në kohën e vet. Kështu ndodhi edhe me klasicizmin. Ardhja e kësaj rryme letrare në letrat shqipe përmes penës së Haxhiademit qe tejet e vonuar. Kjo rrymë letrare që lindi, u zhvillua dhe lulëzoi në Europë, fillimisht dhe kryesisht në Francë, në shekujt XVII-XVIII, tek ne lindi, u zhvillua, lulëzoi dhe përfundoi në dekadën e katërt të shekullit të kaluar, me veprat që përmendëm. Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plotgojë që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Nëse Naimi është “pjellë e vonë e romantizmit”, siç e ka cilësuar Çabej, Haxhiademi është pjellë tepër e vonë e klasicizmit. Ashtu si përfaqësuesit e mëdhenj të klasicizmit europian, Rasini, Kornej, Bualo, La Fonteni, Molieri, etj., i lidhen veprat e tyre me problemet e kohës, edhe Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla ose nga historia jonë e hershme dhe mesjetare, trajtoi probleme aktuale shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare. Kështu që veprat e tij kanë karakter të theksuar edukativ dhe didaktik. Edhe në pikëpamje të formës, veprat e tij i kanë qëndruar me besnikëri tragjedisë klasike; ato janë shkruar në poezi, në vargje 12-rrokëshe.
Në vitet ’30 të shek. të kaluar, kur u botuan dhe u shfaqen në skenë, tragjeditë e Haxhiademit patën jehonë në mendimin kritik letrar, pozitiv e negativ, ndër gazetat e revistat e kohës si në gazetat “Arbënia” dhe “Drita”, në revistat “Minerva”, “Perpjekja shqiptare”, etj. U prit jashtëzakonisht mirë dhe u shoqërua me një entuziazëm të papërshkruar popullor drama “Skënderbeu”, që u shfaq në Tiranë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, etj. Më vjen mbarë të bie këtu një vlerësim të njërit prej yjeve më të shkëlqyer të gazetarisë sonë të viteve ’30, Branko Merxhanit, për këtë vepër: “Libri i fundit dhe ma i bukur i dramaturgut t’onë Etem Haxhiademit asht “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fëtyra e çuditçme e fatozit t’onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik, të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragedinë ma të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së populit shqiptar. Vepra e Haxhiademit, që zë një vend të posaçëm nëpër botime letrare të vitit të kaluar, asht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatozi i ynë kombëtar, ky burrë i math me origjinën e tij shqiptare, me edukatën bizantino-islamike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe ‘par excenllence’, produkt gjigand i mythit primitiv të Malsisë s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejt dënimit të fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mun në pragun e historisë. Njerz që rrojnë jetën si nji tragjedi, kanë vdekjen e nji heroit…”Branko Merxhani (1894-1981)
Në vitet e diktaturës, veprat e Haxhiademit u hoqën nga qarkullimi dhe shkrimtari atdhetar që vuante në Burgun e Burrelit si “Armik i Popullit” u mohua plotësisht. As studentët që kryen fakultetin e letërsisë shqipe gjatë atyre 50 viteve të çmendura nuk mësuan se letërsia shqipe ka pasur edhe rrymë klasiciste dhe një përfaqësues të saj. Në tekstet e historisë së letërsisë sonë u kritikuan ashpër shkrimtarë si Fishta, Konica, Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, gazetarët e shquar të viteve ’30 si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, etj., po emri i tij nuk u përmend asnjëherë. Haxhiademi fatkeqësisht vdiq në burgun e Burrelit. Ish të burgosur kanë folur edhe për dy vepra të shkruara në burg: “Jeta e njeriut” (roman) dhe “Koha e premtueme” (dramë), të cilat nuk i njohim. Mbetet detyrë e dorës së parë po aq letrare sa edhe patriotike, që historia e letërsisë dhe kritika letrare të pasqyrojnë e të analizojnë veprimtarinë letrare të shkrimtarit Etëhem Haxhiademi, që ky të jetojë në letërsinë dhe në kujtesën e popullit tonë për të cilin punoi dhe vdiq.
Pak rreshta për “Lyrën” dhe Haxhiademin
Nga Jozef Radi
“Lyra” e Et’hem Haxhiademit, e botueme në vitin 1939, asht pa as ma të voglin diskutim nji prej monumenteve të poezisë shqipe… E shkrueme në nji kohë të vështirë, kur ende poezia shqipe ishte në nji fazë ngjizjesh dhe kërkimesh, kur Bota, me të edhe vetë Shqipnia, po i futesh nji tragjizmi dhe nji kasaphane të papame, Et’hem Haxhiademi botoi “Lyrën” e tij. Nji libër poezish që ndoshta as nuk u lexue, as u kuptue dhe as u respektue si dhe si duhet, mbasi menjiherë mbas botimit do të vinte pushtimi dhe bashkë me të edhe kriza ma e madhe morale e shoqnisë shqiptare., kështu që kjo vepër nuk mori jo mirnjoftjen e kohës kur ajo u shfaq, po as të krejt kohnave që erdhën ma pas. Praktikisht kjo vepër sot e kësaj dite asht e palexueme, e pakuptueme, e pavlersueme… ende e pangulun në kujtesë kolektive jo veç të lexuesve, po as të elitave (po i quejmë të tilla) që e kanë pasë ma së pakut detyrë të merren me përhapjen dhe zbërthimin e saj. Kështu pra, “Lyra” mund të konsiderohet ende vepër e pambrritun dhe e pavumere ndër shqiptarë! Ajo ka gjithsej vetëm 11 poezi… as ma shumë e as ma pak. Asnji libër poetik s’ka pasë kaq pak poezi, dhe asnji libër poetik nuk të jep ma shumë mundsi me u shprehë se “Lyra”. Edhe pse dy – tri prej poezive mund t’i quejmë edhe poema, si fjala vjen “Nymfat e Shkuminit”, “Elegji për Naim Frashërin” apo “Nata e zezë”, prap se prapë për poezinë e Haxhiademit duhet hapë nji kapitull i ri njohjeje, dashnie, vlersimi dhe interpretimi… përndryshe ne nuk bajmë asgja tjetër veçse i mbyllim sytë përpara nji vepre të madhe që s’mund të kapërcehet ma me heshtje, prej atyne që tash ju duhet me ju uluritë në birë të veshit për çka kanë ba…Po kjo punë mendoj se asht në rrugë e sipër, dhe s’ma merr mendja se flamurtarët e heshtjes kanë me pasë po at sukses të dikurshëm në “lavdinë” e tyne…Haxhiademi asht poet elitar, sqimatar, kokfortë, solemn dhe njerzor… e shpesh teksa lexon vargjet e tij, krijon përshtypjen se Ai jeton në nji realitet të përtejmë, të duket sikur asht ngjitë maje nji piedestali dhe na e reciton kumbueshëm magjinë e vargjeve te veta me shpirtin e nji gjuhe që ai e beson hyjnore… Edhe pse ndjehet i lanun mbasdore, ai rri midis atij sheshi të madh ku s’guxon me u afrue askush… dhe sheh mirë se rreth tij s’janë veç do ziliqarë e do salierve diku në skaje që i gëzohen atij sheshi të mbetun bosh dhe atij njeriu të mbetun vetëm… e megjithatë, në kangën e vet, Ai asht i bindun se jehu i saj, në mos sot, nesër; në mos nesër… dikur ka me u ndje si duhet… e sigurisht ka me u ndje fuqishëm. Si duket, Haxhiademi ka dalë me koshiencë të plotë jashtë kohës së vet, dhe ka zgjedhë Poezinë si armë hyjnore komunikimi, pse atij i ka ra për hise me ndërtue at tempull të rrënuem prej nga ku i jep hov fjalës shqip, duke dëshmue se Gjuha e tij, s’i len asgja mangut Kangëve të Lashtësisë Ballkanase, bile asht ma se i bindun se ajo asht bartsja ma e denjë e asaj Kange.Gjuha e Haxhiademit, po edhe poezia e tij, (më pëlqen ta theksoj kët gja), asht e Mesmja e Artë midis Fishtës, Koliqit dhe Camajt në njenën anë dhe Frashërit, Poradecit dhe Kutelit në anën tjetër… veç me nji mision shumë ma ta madh, ma largpamës, ma hyjnor: përbashkimin dhe njehsimin sa ma të natyrshëm të gjuhës së letrave shqipe!
I jam në gjunjë misionit të këtij Njeriu të Madh, që edhe sot vërtet mundet me u lexue si jashtë kohe, po… i sigurt se ka me mbetë i të gjitha kohnave…!
Qershor-Shtator 2015
Lyra – Poezi – (1939)
Parathanëje
Në nji kohë si kjo e jona, me u marrë njeriu me poezí a me ç’do art t’jetër të bukur, asht nji punë e kotë e nji mundim i pafrytshëm. Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi t’i banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji “punë qi ep bukë”, si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës.
Me fjalë të t’jera të banjë nji sakrificë dhe nji sakrificë të madhe. Të rrijë pa dëfrime jete, të rrijë pa prehje e qetsi, të rrinjë ma në funt edhe pa gjumë, për të krijue diçka të bukur dhe artistike.
Epoka e jonë materiale të tillë njerëz i quën të sëmundë. Dhe deri diku asht e drejtë. Mundimi i vazhdueshëm duhet të pjelli në funt frytin e shpërblimit. Pse me u mundue me mjellun në kopshtin e jetës pemë qi nxjerrin gjithmonë lule dhe nuk lidhin kurrë as ndonji kokërr të vogël?
Me gjithë këtë, në këtë Shqipnin t’onë ka disa të pakët qi i ka kapun nji sëmundje e tillë. Dhe kur të kujtohet se këtu ke na përveç satisfakcionit material ke mrapa dhe urrejtjen e publikut për veprën qi i fale me kujdes e dhimbje shpirti, ahere gjendja e shkrimtarit shqiptar bahet sá mâ tepër tragjike.Drama e Ipsenit “Armiku i Popullit” e shpreh mjaft bukur në këtë rast botën shqiptare kundrejt puntorit të Muzavet.Dikur nëpër perioda t’errta të vendevet t’jera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cílët i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta bamirës e lidhën vehten e tyne me historín e literaturës romake e frange. Këtu tek ne ngjanë e kundërta. Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët. Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?Sigurisht jo. Ndër të tilla kushte puna e letrave asht nji heroizëm, nji idealizëm pa kufi. Dhe deri sá në kohën e soçme idealizma quhet nji marrëzi,duhet t’a këtë dhe shkrimtari fatkeq vendin në çmendinën e Vlonës.Me gjithë këto sá u tha sipèr, un prap përmblodha nji volum të vogël të vjershavet të mija dhe ja paraqis publikut shqiptar. Nji punë e pakët, por e kujdesëshme, qi besoj se do t’i vlejë mjaft literaturës s’onë të vorfën.
Et’hem Haxhiademi
*Elbasan, 14 Mars 1937
Skënderbeu
Tragjedi me pesë akte
Parathanëje
Këtë rradhë këndonjësvet të ndershëm u parashtroj nji tragedi tjetër, subjekti i të cilës asht heroi i ynë kombëtar Skënderbeu; themë e marrun prej historis s’onë mâ të këthjellët. Në trageditë e mija të maparëshme mâ tepër më ka tërhekun landa në vetëvehte se sá themat kombëtare. Me “Ulisin” e “Akilin” kam dashun të thur dy tragedi me dy kryetrimat e epopevet homerike Odyssen e Iliada. Me “Aleksandrin” e “Pirron” dy tragjedi qi të kenë për protagonista dy kreshnikë të historis s’onë përpara Krishtit, ndonse për ta dyshohet vërtetësija Shqiptare.
Këtë herë, tyke e ditun se popullit t’onë i pëlqejnë themat kombëtare, paraqis tragedin “Skënderbeu” me protagonist heron t’onë kombëtar. Landën e kësaj tragedije do t’a kallxojmë me pak fjalë: Ahere kúr Turqit kishin pushtuë gjithë siujdhesën e Ballkanit dhe i kërcnohesh rrezik i madh Shqipnis dhe kúr gjithë shpresat e Europës së Krishtenë ishin varun vetëm ke Shqipnija e ke krahu i Skënderbeut kundrejt rrezikut të Turqvet, Moisiu, kushërini i Skënderbeut dhe generali mâ i mirë i tij, tradhtoi atdhen e vet dhe iku në prehnin e Sulltanit. Shkaqet e tradhtis së Moisiut simbas dokumentavet historike ishin këto: nakari kundrejt Skënderbeut për famën qi fitonte për ditë, lakmija për t’u bâ Mbret i Shqipnis dhe kallzimet qi i fuste përditë e shoqja Zanfina, mbassi kjo e urrente Skënderbeun, për shkak se ky e ndau prej burrit të parë Karol Muzakë Topis për t’i dhanë të motrën për gruë Mamicën. Këto shkaqe pra e shtynë mâ në funt Moisin jo vetëm të tradhtojë atdhen e vet, por të vinjë mâ vonë dhe si komandant i ushtris turke për të luftuë me Skënderben. Në luftën qi u bâ afër Dibrës së poshtme ushtrija turke u thyë e u prish. Moisiu, mbassi kishte frikë të shkonte prap në Turqi dhe i munduëm prej vetëdijës, u këthyë përsëri në Shqipni dhe i ra ndër kambë Skënderbeut për t’i falë fajin e madh qi bani. Ç’do tjetër mbret kundrejt nji tradhtije të tillë do t’a dënonte pa mëshirë Moisin, por Skënderbeu tepër shpirtmadh u mallengjyë prej tij dhe e ngriti me durët e veta e e puthi në ballë tyke ja dhanë prap gradën qi pat mâ përpara. Ndërsa Moisiu luftonte kundër Skënderbeut e shoqja e tij përpiqesh gjithnji me intriga qi t’i mbushi mendjen dhe Hamzait për t’a tradhtuë t’ungjin Skënderben. Zanfina u përpoq pa pushuë për të ja arritun qëllimit, por vetëm se kur iu mbush mendja Hamzait për të trathtuë t’ungjin, burri i Zanfinës Moisiu, u këthye nga Turqija dhe erdhi i ra ndër kambë Skënderbeut. Prá Moisiu u penduë dhe Hamzai e filloi tradhtinë. Nga ky dëshprim ahere Zanfina marrohet dhe therë vehten me thikë. Kjo asht me pak fjalë landa e kësaj tragedije.
Gjinokastër, 1 Maj 1935
*Shkëputur nga Dossieri që Revista Poeteka i ka kushtuar shkrimtarit Et’hem Haxhiademi, në nr. e saj të 36-të , verë 2015
Koha e kaluëme
Lyra, 1939
IX
Shpesh her’ mallngjehem kur në mendje m’sillet,
E bukra kohë e artë e rinis s’ime
Dhe vaja ke qerpikët më mbështillet.
Ah të kallxohet asht e rand’ me shkrime,
Se sá e mallshme e kaluëmja çfaqet
Dhe sá të ban t’thellohesh në mendime.
Prandaj sá her’ mendoj m’rrëqethen faqet,
Për moshën t’ime t’vogël qi s’këthehet
Dhe me të tashmen shpirti s’më kënaqet.
Kur nis pranvera e ambël të dëftehet
Me manushaqe t’çelme nëpër ara
E kumbulla në lule të zbërthehet;
Ahere m’flururon në koh’ të para
Muë zemra dhe zbavitjet më kujtohen,
Midis kodrinash të rrethuë me mara.
As qi kujtimit t’im do t’i largohen
Të hershmit foshnje qi m’shoqnuën në lodra
Nëpër livadhe qi me garth qarkohen.
E kur së bashku ngjiteshim ndër kodra,
Për t’mbledhun lule t’laguna prej vesës,
Këndojshim porsi nand hyjneshat motra.
Por kush mendonte kushtet e jetesës,
Ahere qi veç gazi na pushtonte
Dhe fatin t’on’ të ngjom’ ja varshim shpresës?
Curritshin zoqt dhe pylli krejt gjimonte,
Nga melodit e tyne rritesh shija,
E n’orizontin dielli perëndonte.
Ahere dhe puntorët nga shtëpija
Këtheheshin prej punës tyk’ këndumun,
Ku gjithsecilin e priste fëmija.
E mbas atyneve na të vargumun,
Me tufa lulesh ecnim nëpër durët
E me fëtyr’ të çelët e t’gëzumun.
Lëviznim si maqiku në pëlhurët,
Me brohoritje t’madhe n’koh’ të vona,
Tyk’ na gufmuë prej gazit krahanurët.
Në funt këtheheshim në votrat t’ona,
Ku shpirt i lodhun dëshiron të prehet
Dhe ku mësalla priste rrethuë n’frona;
Por koh’e till’ për muë mâ nuk këthehet!
* Botuar për herë të parë në Revistën Poeteka nr:36/ KultPlus.com
Humanisti me nam shqiptar, Anton Çetta do të mbahet mend kontibutin e tij të madh që e dha në pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve.
Në një video të publikuar thuhet se Çeta arriti të tubonte mbi një gjysëm milioni njerëz në një tubim, në Kuvendin e VERRAVE TË LLUKËS, në Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit.
“Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. / KultPlus.com
Anton Çetta njihet për rolin dhe kontributin e tij në faljen e gjaqeve, shkruan KultPlus.
Ai konsiderohet si njeriu që vuri paqe në mes shqiptarëve, duke bërë që të lënë hakmarrjen prapa dhe ti shtrijnë dorën njëri tjetrin, pavarësisht rrethanave. Në këtë video nga arkiva e RTK-së, shihet edhe një djalë rreth moshës 10 vjece duke falë gjakun e babait të tij.
Kurse vetë Çetta, shihet në këtë video duke shpjeguar se kur kishte filluar aksionin e pajtimit të gjaqeve, në dy ditët e para kishin arritur që të bindnin dy familje që të falnin gjakun dhe të marrin besë për dy muaj.
Kurse pas një aktiviteti të madh, Cetta thot se brenda një dite kanë arritë që vetëm nga Drenica të falen 100 gjaqe. Për më shumë shikojeni videon./ KultPlus.com
Anton Çetta, që konsiderohet si nderi i kombit, ka qenë dhe mbetet ndër figurat kryesore të rezistencës së shqiptarëve, ku në kohën më të vështirë për popullin kosovar, ai me iniciativën e tij arriti të pajtojë shumë familje, shkruan KultPlus.
Më poshtë KultPlus ju sjell një nga thëniet e njohura të tij, që flet për popullin shqiptar, për robërimin e traditën e popullit tonë.
Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar… / KultPlus.com
Sot mbushen 102 vjet nga lindja e veprimtarit Anton Çetta.
Ai mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.
Por veprimtaria e tij më e madhe është në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të pajtojë hasmëritë mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.
Kjo lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës. / KultPlus.com
Toplica Badivuku ka sjellur në rrjete sociale rrëfimin e saj për Çettën, teksa rrugëtimit human të faljes së gjaqeve ajo iu bashkua si 15 vjeçare.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Adelina Toplica Badivukut:
Në jetë kam taku shumë njerëz, po janë disa kujtimi për të cilet nuk vdes kurrë. Jo-rastësisht kanë qëlluar të jenë të dy në këtë fotografi të shkrepur në Drenicë në vitin 1990. I bashkoi një ideal- po ai ideal që me solli edhe mua në këtë fotografi Levizja për Faljen e Gjaqeve.
Të dy I takova kur ju bashkova karavanit të pajtimit si 15 vjeqare. Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat – shqiptarët u pajtuan e u afruan me njeri tjetrin si pregaditje për shtrëngatën që na priste. Sa herë ka ndodh, që natën vonë, kur kishim edhe nga 10 orë te ulur në një odë, baca Anton ti thërriste zotit të shpisë, urtësisht : “qohu hé burrë, mos ja falsh dorasit, falja gjakun rinisë, zgjatja dorën e pajtimit kësaj vajze të re, fale për ardhmerinë e saj e të rinjëve te Kosovës”.
Ateherë une e pergjumur pritsha te ngrihej ai në këmbë dhe me lot në sy, ma zgjaste mua dorën ta falte gjakun, shpesh për djalin a vëllaun e vetëm.
Sa akt human, I madhërishem!
Sot në ditēlindjen e bacës Anton, kjo fotografi ma kujtoj ate njeri të rralle. Dhe afer tij bacen Elez Zogaj, shtëpia e të cilit në Komoran, na bani konak me muaj te tane te gjithëve.
Viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çetës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve.
Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve.
Me propozimin e Vlora Dumoshit si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot Qeveria e Kosovës miratoi propozimin që muaji nëntor të quhet Muaji i Anton Çetës, të themelohet çmimi “Anton Çeta”, dhe të shënohet muaji si i tillë me një varg aktivitetesh si vijon:
– Përurimi i veprave te Anton Çetës;
– Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit ne Raushiq; Investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit
– Këndi i Anton Çetës – Ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;
– Emisione Televizive- RTK
Shfaqja e emisioneve dhe dokumentarëve të vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;
– Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë;
– Ekspozitë e fotografive në Prishtinë dhe Tiranë;
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ka kërkuar sot që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës, shkruan KultPlus.
Përmes një statusi në Facebook, Dumoshi ka thënë se Kosova dhe
Prishtina i kanë borxh Antonit, andaj duhet miratuar ky vendim për t’i gjetur
vend Antonit në Prishtinë.
Ky është postimi i plotë i Vlora Dumoshit:
Si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, kërkova që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës.
Sivjet është 100 vjetori i lindjes së Antonit dhe po ashtu 30
vjetori i Lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve.
Kjo lëvizje e madhe, që bashkoi djem e vajza, të ri e të vjetër u bë shtytja
themelore për programin e mëvonshëm për liri, pavarësi dhe demokraci.
Për më tepër, kjo lëvizje bashkoi popullin shqiptar të Kosovës, që sot të jemi
të lirë dhe të pavarur.
Kosova dhe Prishtina i kanë borxh Antonit, prandaj sot kërkohet
prej nesh, që të miratojmë një vendim për t’ i gjetur vend Antonit në
Prishtinë.
Sepse kështu e ndreqim një gabim të madh.
Sepse kështu e bëjmë Prishtinën më të bukur.
Sepse kështu Prishtinës ia japim një monument, para së cilit secili shqiptarë
do të ndihet krenar dhe i lartësuar.
Figura e tij e humanizon Prishtinën dhe mund të bëhet një pikë orientimi për qytetin. Figura e tij e fisnikëron Prishtinën dhe i jep dimension etik kryeqytetit të Kosovës, për të cilën ai punoi me dashuri dhe përkushtim. Të dashur asambleistë, një monument për Antonin, duhet të na bashkojë të gjithëve në këtë jubile të dyfishtë për të dhe për trashëgiminë e tij të pasur e bashkuese. Kosova sot ka nevojë për frymën e tij. Prishtina sot ka nevojë për figurën e tij. Prandaj ju ftoj që të bashkohemi sipas filozofisë së Antonit dhe për të mirën e brezave që do të vijë. Me urti e mirëkuptim, për të mirën e përbashkët. Nëse sot i japim udhë kësaj pune, kryeqytetit tonë do t’ i japim një monument madhështor të urtësisë, dashurisë dhe përbashkimit. / KultPlus.com
Sot shënohet 30-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve, periudhë kjo që konsiderohej si një ndër vitet më frytdhënëse të kombit shqiptar, shkruan KultPlus.
Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.
Viti 1990 njihet si viti i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar.
Ndërsa sot KultPlus ju sjell fjalimin që Anton Çetta e mbajti për faljen e gjaqeve. / KultPlus.com
Është e turpshme të refuzohet vendosja e shtatores së Anton Çettës para Institutit Albanologjik, pjesë e të cilit profesori ishte dekada me radhë. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e folkorit shqiptar dhe, sidomos, në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve. Arsyetimet banale të njerëzve të Institutit… që të mos lejohet përjetësimi i tij në bronz duhet injoruar. Po të ishte gjallë, profesori me siguri do t’i falte ata për këtë budallaki.
Ishte një maji i vitit 1990, kur bashkë me babën shkuam në vendin e quajtur Te Verrat e Llukës, afër Deçanit, në tubimin më të madh deri atëherë për pajtimin e gjaqeve. Isha 13 vjeçar dhe çdo ditë lexoja për aksione të pajtimit gjithandej Kosovës, në një kohë të vështirë të okupimit nga Serbia. Aksioni i nisur nga rinia dhe studentë të Rrafshit të Dukagjnit ishte përhapur rrufeshëm në pjesë të tjera të vendit dhe në krye të kësaj lëvizjeje fisnike ishte vënë profesori Anton Çetta. Që nga nxënës, studentë e bujq, e deri te mësues, doktorë, gazetarë e prijës fetarë ishin bërë pjesë e njërit ndër kapitujt më të ndritur të historisë shqiptare.
Baba insistoi që ta shoqëroja në tubim. Konsideronte se ishte e rëndësishme të isha pjesë e një ngjarjeje historike dhe me domëthënie të madhe. Kishte të drejtë.
Atë të martë të ditës së parë të majit, Te Verrat e Llukës u mblodhën 500 mijë njerëz. Në një tubim masiv çfarë nuk ishte parë ndonjëherë u falën 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa. Pas përfundimit të tubimit, policia serbe rrahu dhe burgosi shumë të rinj. Por, qëllimi ishte arritur – ishin pajtuar më shumë se njëqind familje mes veti.
Të hasmëruar shpesh edhe për shkaqe banale, që kishin çuar në vrasje e plagosje, burra e gra ia falnin gjakun Anton Çettës, ia falnin gjakun Kosovës. Kjo bëhej edhe më e rëndësishme, ngase ndodhte në rrethana jo të zakonshme, në rrethana okupimi.
Qindra familje të tjera u pajtuan viteve në vazhdim, jo vetëm në Kosovë, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi. Gjithnjë në ballë qëndronte profesori Çetta, i cili u zgjodh kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.
Profesori i letërsisë gjatë mbledhjes së folklorit nëpër viset shqiptare për dekada të tëra, kishte fituar respekt ndër njerëz. Kur u vu në ballë të pajtimit të gjaqeve, ia vunë epitetin “plaku i urtë”.
Gati për tri dekada, ai ishte pjesë e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërkohë që kishte botuar dhjetëra vepra me përmbajtje folklori deri në vitin 1995, kur edhe ndërroi jetë.
* * *
Anton Çetta vlerësohet për punën e tij kërkimore gjithandej viseve shqiptare por, po ashtu, edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në pajtimin e gjaqeve. Por, njerëzit që udhëheqin institucionin në të cilin ka kontribuar me dekada, Institutin Albanologjik, nuk po lejojnë që shtatorja e tij të vendoset në hapësirën para këtij institucioni. Arsyetimi është më shumë se banal – aty nuk paska hapësirë të mjaftueshme, thonë, ndërkaq shtatorja e profesorit meriton një vend më të mirë, një hapësirë më të madhe.
Për shtatoren e Çettës ka vend kudo, ngase ai e ka merituar me bëmat e veta. Askush, askund nuk do të refuzonte vendosjen e një shtatoreje të tij. Madje, do ta kishin për nder. Siç e patën për nder banorët e Mirditës, nga e kishte prejardhjen Çetta, të cilët në fund të vitit 2015 ia ngritën një bust në qytetin e Rrëshenit. Por, kështu nuk mendojnë edhe njerëzit që tash udhëheqin Institutin.
“Është fjala për një hapësirë të papërshtatshme për vendosjen e çfarëdolloj shtatoreje, meqë hapësira ku pretendohet të vendoset shtatorja është shumë e ngushtë. Në këtë hapësirë më herët ky këshill kishte siguruar lejen e Departamentit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, por është e papërshtatshme, madje aty kalojnë edhe gypat e Institutit Albanologjik”, është arsyetuar Hysen Matoshi, drejtor në këtë institucion.
Ky dhe të tjerë si ky mund të gjejnë edhe arsyetime të tjera, për të refuzuar vendosjen e shtatores së Çettës, por asnjëherë nuk mund ta zbehin kontributin e tij. Andaj, të tilla arsyetime banale duhet injoruar dhe shtatorja e profesorit duhet të vendoset aty ku e ka vendin, duke i bërë nder jo vetëm institucionit, por gjithë qytetarëve dhe vendit, shkruan Gazeta Express.
* * *
Anton Çetta ka pajtuar mijëra familje të hasmëruara, ka falur mijëra gjaqe në emër të këtyre familjeve. Sa herë përmendet emri i tij, mua më shfaqet si në vegim tubimi madhështor i 1 majit 1990 Te Verrat e Llukës. Më kujtohen përmbledhjet e folklorit të profesorit, që na sjellin ndërmend kush jemi.
Po të ishte gjallë, profesori me siguri do t’i falte edhe njerëzit e Institutit… për budallakinë e shfaqur karshi shtatores së tij. Shtatore që i nderon edhe vetë ata, nëse dinë ç’ështe nderi./KultPlus.com
Fotografi e rrallë e tri figurave më të rëndësishme të Kosovës.
KultPlus ju sjellë këtë fotografi në të cilën shihen së bashku tri figura të mëdha të popullit shqiptar: Anton Çeta, Ibrahim Rugova dhe Zekirja Cana, 30 dhjetor 1992./ KultPlus.com