Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare.
Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.
Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë, shkruan KultPlus.
Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. / KultPlus.com
Ishin kan vllaznue dielli e hana. Shkon hana ni dite per qef tu dielli edhe ja con ni pare tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mire. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanen. S’i bjen kurgja. Hana i thot: Qysh u ba puna kshtu? Une erdha e t’i pruna ni pare tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja! Dielli i tha: Po ti kurre njejte s’po rrin: here hic, her n’ngjys, here e plote e nuk dita qysh me t’i pre teshat, per qata s’t’i pruna.
Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.
Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. / KultPlus.com
Sot shënohet 30-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve, periudhë kjo që konsiderohej si një ndër vitet më frytdhënëse të kombit shqiptar, shkruan KultPlus.
Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.
Viti 1990 njihet si viti i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar.
Ndërsa sot KultPlus ju sjell fjalimin që Anton Çetta e mbajti për faljen e gjaqeve. / KultPlus.com
Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.
Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se Kryetar u zgjodh dr.Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Prof. Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.
Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.
Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani./ KultPlus.com
100-vjetori i Anton Çetës, nga e mbara nuk është thjesht një ditë, por i gjithë viti, për të përmbushur detyrimin tonë karshi kësaj figure emblematike të botës shqiptare…
Anton Çetta, apo siç njihej edhe me nofkën Kryeplaku i Kosovës, në kohën kur populli shqiptar ballafaqohej me egërsinë dhe barbarinë serbe, që i kishte përçarë e hasmëruar armiku sllav, në propozim të një grupi të rinjsh nga Peja, kishte arritur që t’i prijë karvanit të pajtimtarëve që të falin gjaqe, plagosje e ngatërresa të rënda
Shkruan: Frrok KRISTAJ
Studiuesi që dha kontributin më të madh në letërsinë gojore shqiptare ishte Anton Çetta. Rëndësia dhe vlera e materialeve të mbledhura e të botuara nga Anton Çetta nuk shprehet vetëm në sasinë e tyre, por, para së gjithash, në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e tyre. Ai i mblodhi dhe i publikoi (me botime të veçanta e nëpër revista shkencore) ato krijime që kishin një kuptimësi të qenësishme për botën shqiptare në përgjithësi dhe për botën shpirtërore të shqiptarëve në veçanti. Ato krijime ngërthejnë në vetë aso kuptimesh e aso vlerash që mund ta pasurojnë edhe më shumë artistikisht shpirtin e shqiptarit. Me një fjalë, ai voli materialet folklorike të kësaj letërsie të pavdekshme, në të cilën rreh zemra e popullit, pasqyrohen aspiratat e mendimet kombëtare e uneversale të tij. Anton (nga i ati Lazër dhe e ëma Agata) Çetta u lind në Gjakovë, më 3 janar 1920, pra para plot 100 vjetëve (3 janar 2020). Ishte vetëm nëntë muajsh kur u shpërngulën prindërit e tij në Tiranë. Atje ata jetuan tre vjet. Meqenëse i ati i Antonit – Lazëri i takonte Partisë Demokratike të Fan S. Nolit, regjimi i mbretit Zog e kishte burgosur. Pas lirimt nga burgu, Lazëri me bashkshorten Agata dhe djalin Anton kthehen në Prizren. Në këtë qytet muze Anton Çetta kreu tri klasë fillore te mësuesi zymjan Lazër Lumezi, që atëbotë ishte intelektual i njohur. Pastaj, i ati i Antonit me familjen e vet migruan në Francë. Këtë migrim e bëri nga frika se pushteti mbretëror e kishte në shenjestër për ta riburgosur. Në Francë qëndroi deri në vitin 1928, ku u kthye në Tiranë e ku qëndroi deri në vitin 1941. Gjatë asaj kohe Antoni i kreu edhe klasat e mbetura të fillores, pastaj ndoqi mësimet në Liceun e Korçës dhe më vonë atij iu akordua një bursë me të cilin ai e vazhdoi shkollimin në Liceun klasik në Milano të Italisë. Me të kthyer nga Italia gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren. Në vitin shkollor 1945-1946 Anton Çetta punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik (dega e gjuhës frënge) të Universitetit të Beogradit (në Serbi). Studimet i krue në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Uneversitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti (në tri vëllime) këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër popullore (shqiptare). Në vitin 1968 kaloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Atje udhëhoqi degën e folklorit. Plot tëtëmbëdhjetë vjet punoi në Institutin Albanologjik, pra deri në vitin 1986, kur edhe u pensionua. Për aktivitetin shkencor, kulturor e kontributin e tij në përkthimin e shumë veprave, Anton Çetta u laurua shumë herë me çmime e shpërblime të njohura, e ndër to edhe me Çmimin e Dhjetorit. /KultPlus.com
Anton Çetta, shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, lindi në vitin 1920 në Gjakovë.
Sot, janë bërë plot 24 vite që nga vdekja e tij. Atë e kujton i gjithë populli shqiptar si plakun e urtë që bëri pajtimin e shumë gjaqeve.
Anton Çetta mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës.
Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së.
Anton Çetta vdiq në vitin 1995 në Prishtinë për të mbetur përjetë në mendjen e njeriut shqiptar si plaku i urtë që bëri pajtimin e shumë gjaqeve. / KultPlus.com
N’kohë
t’vjetra gjaku për ftyrë ish kanë katër lira; gjaku i burrit dymdhetë lira e
varra sakat gjashtë lira.
Shkon
njani tu ni plak edhe e dvet:
– Qysh bâhet kjo punë qi varra i ka gjashtë lira e ftyra katër lira?
– Ftyra nuk lahet me pare, – ja kthei plaku. – Ai qi nuk don m’e hupë ftyrën e
vet, për tâ âsht pishtoli. Ai qi nuk ka dert për ftyrë e do m’i marrë paret,
boll i ka katër lira.
Një arkivë e gjallë e folklorit shqiptar, i cili me dashurinë më të
madhe e transmetonte këtë folklor në formë të përrallave, çdo natë para gjumit.
Donika Çetta kësisoj e
përshkruan babain e saj, Anton Çettën.
Ne të gjithë e njohim një Anton
Çetta prej librave, prej faljes së gjaqeve, prej dorështrëngimeve, prej
rezonimit të mirësisë në fytyrën e tij, prej historive që prindërit tanë na
kanë treguar për këtë burrë, prej fotografive bardh e zi dhe me ngjyra, prej
momenteve kur familjet gjejnë paqe.[1] Të tjerët
e kanë takuar rastësisht, disa në ëndrra, të tjerë në fushën e pajtimit.
Donika e njeh më mirë se ne, më ndryshe se ne, më mishërueshëm se ne këtë emër historik.
“Fëmijëria dhe vendlindja janë
dashuritë që lëshojnë rrënjët më të thella në njeriun. Për këtë arsye ajo
gjithnjë gjatë gjithë udhës që bën njeriu, e thërret në prehrin e vet” –
thoshte babi. Ndërsa për mua, të rritesha krahas tij, fëmijëria ime ngjasonte
në fytyrën e mëngjesit dhe shpirtin e përrallës” tregon Donika Çetta, vajza e
Anton Çettës.
“Shpesh i kujtoj edhe ditët e
kaluara me babin në liqenin e Batllavës meqë atje kishim një vikend shtëpizë.
Babi e kishte hobi peshkimin ndërsa unë isha ndihmësja e tij pa të cilën nuk
kishte fat në peshkim, më thoshte. Në të aguar, në mëngjesin e hershëm bëheshim
gati për të shkuar në peshkim. Në avullin që lëshonte liqeni derisa i
afroheshim vendit tonë të preferuar të peshkimit ,rrezet e para të agimit binin
në fytyrat tona dhe na jepnin ngrohtësi dhe shpresë. Pasi vendosnim shkopinjtë
e peshkimit fillonin këshillat dhe bisedat e këndshme babë e bijë që dinin të
zgjasnin por ndonjëhere ndërpriteshin nga të dridhurat e tërheqja e shkopit që
nënkuptonte se peshku kishte rënë në grep. Shpesh na bashkoheshin edhe fëmijët
e fshatit dhe të tjerë, meqë s’kishte njeri që s’lakmonte që së paku një orë të
jetës të ishte përkrah babit dhe të bisedonin me të” tregon Donika.
Është e vështirë ta ndërpresësh
tregimin e Donikës, meqë ky tregim të merr me vete me të njëjtën mirësi që
Anton Çetta edhe sot e reflekton ndër shqiptarët kudo.
Akademik, profesor, mbledhës i
folklorit, patriot i njerëzishëm, dikur edhe deputet, Anton Çetta – i lindur në
Gjakovë në vitin 1920, jetoi ditët e tij të fundit në vitin 1995 në Prishtinë.
Anton Çetta ka qenë edhe një baba shembull sipas të bijës së tij.
“Unë si fëmiu i parë i familjes
isha shumë e lidhur me babin por kisha një përgjegjësi më të madhe dhe pritej
shumë nga unë. Unë duhej të isha fëmiu model, me të gjitha epitetet më të mira
që mund t’i ketë dikush edhe pse ai nuk na imponoi kurrë asgjë. Mundohesha që
të marr sa më shumë nga ai, sa herë që kishte pak kohë unë i rrija në prehër
dhe nuk i ndahesha meqë isha edhe pak çapkëne dhe kureshtare dhe doja të fitoja
përgjigjet e mia, por ai nuk mërzitej me pyetjet e mia të pafundme dhe me
durimin më të madh mi shpjegonte ato. Duke u rritur unë, me mua rriteshin edhe
pikëpyetjet për situatat e ndryshme të krijuara që na i servonte jeta por unë e
kisha përgjigjen për të gjitha meqë babi na pat thënë: “Çkado që të bëni në
jetë ose përpara ndonjë vendimi të rëndësishëm vetëm mendoni – A do t’a kisha
bërë sikur ta kisha babin këtu” Kjo thënie më përcolli gjatë gjithë jetës dhe
më shërbeu si udhërrëfyes në çdo hap të jetës dhë në çdo vendim të rëndësishëm
të saj” na shpjegon Donika, kur duhet të kujtojë raportin e saj me Anton Çettën
e të gjithë shqiptarëve, të vetmin Anton Çettë të jetës së saj.
***
“Desha t’u lija brezave që do të vinin artin, mençurinë dhe kulturën e popullit tonë të lashtë” Anton Çetta Libri i parë nga Anton Çetta, mes të tjerave edhe humanist, botohet në vitin 1953.
Mprehtësia e tij letrare vazhdon
të rrjedhë me tekste të ndyshme, shumica prej tyre edhe për nevojat e shkollës
shqipe dhe një katalizator për edukimin e gjeneratave të tëra shqiptare.
Rreth 20 libra me përmbledhje
folklori dhe traditë gojore nga të gjitha trevat, janë bagazhi modest por jo i
kompletuar i Anton Çettës. Shembull, “Prozë popullore nga Drenica” përmban plot
folklor e traditë mbledhur prej Çettës.
“Njani shkoi me u rrue tu ni berber. Berberi e kish pase zakon m’u
livdue shume. Kur e rruejti myshterine, filloi me i thane:
-Balla boll mire t’kam rrue, valla boll mire t’kam rrue. Myshteria edhe i nej
gati e i tha:
– Valla edhe une boll mire t’kam nejt”
***
Agata Çetta, vajza tjetër e Anton Çettës, nuk përmbahet kur flet për
madhështinë e këtij njeriu.
“Fëmijëria ime ka qenë e thjeshtë, mu sikur virtyti të cilin Tata ka tentuar gjithmonë të na e mësonte, thjeshtësia. Megjithatë, mes shkollës, lojërave dhe obligimeve tjera që unë kisha si fëmijë, kujtoj shumë qartë përrallat që ai na tregonte në “Odën e oxhakut”, vendin e tij dhe tonë të preferuar e të rregulluar me elemente dhe stoli tradicionale, ku Tata edhe kalonte shumicën e kohës duke punuar. Në netët kur na zinte gjumi nën zhumrën e makinës së shkrimit, unë nuk e kuptoja rëndësinë e madhe të punës së tij, por këtë gjë e kam kuptuar me kohë dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë në krijimin e personalitetit tim, shprehisë së punës dhe përkushtimit ndaj gjërave të rëndësishme në jetë” tregon Agata, e cila e quan Tata – plakun e urtë Anton.
“Gjithmonë unë dhe motra e kemi thirrë Tate. Më kujtohet që në vegjëli shoqëria më pyeste pse e thirri Tate e jo Babë, dhe iu pata thënë që edhe Tata e ka thirrë njëjtë gjyshin, kështu që e kemi trashëguar”.
“Kur ka lindë motra ime e madhe,
Tata ia ka ngjitë emrin Donika, dihet sipas bashkëshortes së Skënderbeut. Kur kanë
ardhë për vizitë të afërmit në shtëpi, tezja e Tatës e ka pyetur: “Anton, si ia
ngjite vajzës emrin?”, Tata i thotë Donika. Po si Anton nuk ia ngjite në emër
të nanës? Tata përgjigjet: Kur të lindë e dyta ia ngjes. Dhe menjehere tezja
reagon, jo të dytin fëmijë e dojmë djalë. Tata vetëm qeshë. Ky është tregimi i
emrit tim” tregon Agata.
***
Të rrijmë pak te Anton Çetta.
Rreth viteve 1945-46 ai punoi në
Gjimnazin e Prizrenit, duke qenë edhe anëtar i Shoqërisë Kulturore-Artistike
“Agimi”, më vonë edhe kryetar i saj. Në Serbi shkon për tu regjistruar në Degën
e Gjuhës Frënge. Atje emërohet asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë
Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të
Beogradit. Në këtë detyrë punoi dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së
bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me
Kadri Halimin, etnograf, përgatiti në tri vëllime këngët më të njohura
popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime
kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti
serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe
të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap
Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe
letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.[2]
Dom Lush Gjergji, në një intervistë të tijën, e quan Çettën kirurg shpirtëror të shqiptarëve.
“Antoni ishte njeri i provanisë
së Zotit. Ai me hulumtimet që i bëri rreth thesarit popullit, rreth
frazeologjisë, rreth kulturës dhe qytetërimit, 20 vjet, ishte një lloj
përgatitjeje për veprën e tij hyjnore, sepse kudo që shkonim me bacën Anton,
kishte njerëz që ai i njihte. Madje ishte legjendare kur shkonim para
tridhjetë, katërdhjetë vjetëve, kam qenë në këtë shtëpi dhe më kujtohet atë
natë kur kemi biseduar për kulturën, për traditën, për popullin shqiptar, dhe
ka lindur një fëmijë. Madje i kujtohej edhe emri i njeriut
tri-katërdhjetëvjeçar, dhe ai thoshte: baca Anton ai jam unë. Prandaj krijonte
një atmosferë unike. Para Anton Çettës ka qenë shumë e vështirë të thuash jo”. [3]
***
“Duhet të jemi trima të urtë. Kombi shqiptar kurrë nuk ka qenë më unik, pas këtij bashkimi kombëtar nuk ka fuqi që mund ta gjunjëzojë këtë popull” Anton Çetta
Donika tregon se ishte privilegj
që ajo dhe motra e saj patën një baba të tillë, por gjithashtu ishte edhe një
barrë mbi supet e tyre, barrë që rëndohej në periudha të ndryshme të zhvillimit
të tyre.
Si të vogla, motrat ishin
‘vajzat e profesorit’, ndërsa si adoleshente nënkuptonte edhe një kufizim të
dëshirave të kohës, siç shprehet Donika.
“Pavarësisht asaj ne nuk u fshehem nën hijen babit por u përballëm me sfidat dhe hallet e ndryshme. Kështu mësuam që të jemi më stoike dhe më të guximshme dhe mos të jenë problemi i parë hallet tona, por të na karakterizojë durimi, urtësia, qëndresa dhe guximi” vazhdon Donika.
Njëjtë si Donika, edhe Agata
thotë se ka qenë barrë e mirë fakti që familjarët e Antonit gjithmonë kanë
tentuar të gjejnë rrugën e drejtë të jetës.
“Më shumë se barrë e mirë, kjo
për ne ka qenë kënaqësi. Mirënjohja për veprat e tij dhe respekti të cilin ai e
ka gëzuar dhe e gëzon akoma ndër njerëz dhe fakti që ne ballafaqohemi pothuajse
çdo ditë me njerëz tek të cilët Tata ka pasë ndikim në çfarëdo forme, neve na
bënë shumë krenare dhe na ndihmon ta mbajmë dhe ta përcjellim tutje këtë
përgjegjësi edhe te fëmijët tanë” shprehet Agata, sot një artiste e cila jo
shumë kohë më parë hapi një ekspozitë në Mynih me 13 grafika të teknikës
akuatintë dhe 11 pjata nga argjila në kombinim me filigran, që është një ndër
artizanatet më të dalluara shqiptare.
Agata, pra, ka qenë edhe emri i
nënës së Anton Çettës. Lazër Çetta ka qenë babai i Antonit. Ky i fundit ka qenë
dekoruar nga presidenti francez me medaljen “Officier d’Académie” e akorduar në
vitin 1928. Poashtu në vitin 1934 dekorohet për herë të dytë nga shteti francez
me medaljen “Kalorës i Legjionit të Nderit (Chevalier de la Légion d’Honneur)”.
Nga kjo familje vjen edhe
Beniamin Çetta. Beniamin Çetta u lind në Tiranë në marsin e vitit 1937. I atij,
Lazër Çetta pati mundësi të merrte kulturë dhe arsim perëndimor dhe u bë
profesor i gjuhës frënge në një gjimnaz në Tiranë si dhe drejtor i drejtorisë
së të drejtave të studimit në Ministrinë e Arsimit. Djali i madh i familjes,
Antoni përfundoi Liceun e Korçës, ndërsa Beniamini do të studiojë për Mjekësi. [4]
***
Donika e Agata edhe sot i kthehen shkrimeve të Anton Çettës, duke reflektuar mbi intelektin e tij.
“Sa herë që lexoj shkrimet e
babit kthehem në retrospektivë dhe udhëtoj me të në botën e tij paqësore, të
bukur, të pasur, të qeshur me plot dashuri dhe urtësi. Shpesh në ato shkrime e
gjej edhe përditshmërinë tonë duke gjetur përgjigjet për sot dhe për nesër. Po
e veçoj një tregim që edhe pse i shkruar shumë vite më parë aq bukur e
përshkruan situatën tonë momentale në vend:
Kishte qenë një djalë që i kishin bërë magji dhe qe shndërruar në gjarpër. Po ishte djalë i një babai të mirë. Kur hyri në moshën e pjekurisë i tha babait: “Baba, martomë”. Po si të martoj, more bir? Babai i shkretë, për të mos ia prishur qefin dhe mendoi se do të ishte një formalitet vajti dhe iu kërkoi vajzën, siç është zakon tek ne, një miku në katund. “Po ta kërkoj vajzën, në emër të zotit”, i tha. Po si ta jap për djalin gjarpër? – i tha ky. Vajza, që ndodhej prapa derës e dëgjonte dhe i tha babait që ta jepte, sepse kërkesa ishte në emer të zotit. Dhe, kështu babai ia dha. Kur do të shkonte kjo vajza nuse u këshillua me një grua plakë të mençur “Si të sillem me këtë gjarpër?”, e pyeti plakën e mençur. “Bijë e nënës, i tha kjo, vishi 7 këmisha. Kur të hysh në dhomë dhe të urdhëroi gjarpri “Hiqe këmishën” ti, do t’i thuash “Hiqe një lëkurë”. Dhe, kështu vazhdo “hiq një këmishë, e hiq një lëkurë”, deri sa të zhvishen shtatë këmishat e shtatë lëkurat. Kur i zhveshën këto, pastaj, dolën dy krijesa të mrekullueshme. Djali u lirua nga magjia, ndërsa vajza u bë një nuse shumë e bukur
Kështu njerëzit tanë duhet të
zhvishen një herë e përgjithmonë nga mllefet ndërsa partitë shqiptare duhet të
lirohen nga mëritë në mes vete. Nëse nuk çlirohemi nga këto brenga dhe
antagonizma, nga këto të këqia, në rast se do të vazhdojmë me intriga ndaj
njëri –tjetrit procesi i zhvillimit të vendit tonë do të jetë shumë i ngadaltë”
tregon Donika Çetta.
“Kohëve të fundit, pasi që isha
pjesëmarrëse në përgatitjen e kompletit të veprave të Tatës, më është dhënë
mundësia më shumë të lexoj rreth veprimtarisë së tij nga të tjerët por
gjithashtu edhe krijimtarinë e tij. Jam ndjerë shumë mirë, por njëkohësisht me
një barrë të madhe. Gjatë përgatitjes e kemi përfshirë edhe arkivin familjar,
me material shumë të pasur për popullin, që do të kenë rastin t’i lexojnë kur
të botohet” na thotë Agata.
Agata mban mend kujtime me
antropologun Anton Çetta, njeriun meritor edhe për themelimin e Institutit
Albanologjik, deri në moshën 10 vjeçare. Prej kur ka nisur aksioni për pajtimin
e gjaqeve, në vitin 1990, Tata i Agatas ka qenë i tëri i përkushtuar në këtë
proces.
“Kalonim pak kohë bashkë. Gjatë
javës shume rrallë shiheshim. Nga ajo moshë, pjesën më të madhe të kohës, për
neve është përkujdesë mama. Përveç nesh, edhe për shtëpi e për njerëzit që
kishin nevojë e vinin te ne. Tash kur i kujtoj fjalët e tij, i kam edhe më të qarta
mesazhet që m’i ka dhënë. Ka shumë por njëra më është ngulitë: Kur Gjyshi e ka
përcjellë Taten për në Liceun e Korçës, institucioni më i rëndësishem edukativ
i asaj kohe, i ka thënë: “Anton, çkado që bën, çfarëdo vendimi që merr, mendo,
a do t’veproje njëjt po ta kishe Tatën afër. Këtë këshillë Tata e ka përcjellë
edhe te unë dhe motra” tregon Agata, që veç e përsëritë Donikën në këtë pikë.
***
“Kultura e popullit nuk është si një tempull antik grek që mbështetet
në shtatë – tetë shtylla, por kala e ngritur nga mija gurë, ku kujtoj se edhe
unë kam vënë gurë, sado të vogël”
Anton
Çetta
Herë të vajzat e tij e herë të
Anton Çetta, është aspak e lehtë të shkruash për këtë figurë e cila mundësoi
pajtimin e rreth 1200 gjaqeve e 600 plagosjeve, mospajtimeve mes shqiptarëve,
problemeve kryesisht me gjakmarrje mes familjeve që ishin ngujuar për vite.
Profesor Antoni së bashku me Esad Mekulin, Mark Krasniqin, Hivzi Sulejmanin, Idriz Ajetin, Kadri Halimin, Skender Rizajn e disa të tjerë përbenin brezin e parë, brezin e artë të intelektualëve shqiptarë të Kosovës që e bartën barrën më të rëndë për ta arsimuar, edukuar, emancipuar popullin e Kosovës, duke u bërë kështu edhe bartës të zhvillimeve të jetës kulturore, artistike e shkencore të Kosovës. [5]
“Mua gjithmonë tek miqtë më
prezentonte si sugaresha e tij, dhe kur shëtisnim ma vendoste dorën mbi supe.
Kur e takonim dikë, iu thoshte: Sugaresha ime më ndihmon të eci se mbështetëm
në të. Unë fluturoja nga gëzimi. Gjithmonë nëpërmjet ndonjë tregimi apo ilustrimi
na jepte këshilla” tregon Agata.
Donikës i pëlqen sidomos
përmbledhja “Në prehër të gjyshes”, kur duhet të përzgjedhë diçka nga
krijimtaria e Anton Çettës. Në këtë vepër përfshihen vjersha apo poemtha të
frymëzuara nga krijimtaria jonë popullore. Përmes tyre arrihet efekti edukativ,
sepse u rekomandohet fëmijëve rruga e drejtë, forcimi i virtyteve më të larta e
më të mira dhe luftimi I veseve të këqia.
“Këto vjersha në formë të
gojëdhënave, legjendave e përrallave gjithmonë më kanë bartur në botën
imagjinative e magjepse e këtë efekt e ka edhe më fëmijët e mi kur ju lexoj
para gjumit. Fëmijët janë krijesat më të dashura dhe na kënaqin me atë
sinqeritet, naivitet dhe pafajsitë e tyre. Çdonjëri prej nesh do të dëshironte
të fitojë simpatinë e tyre me ndonjë vjershë, tregim apo prozë didaktike e
kështu të kontribuonte sadopak edhe në edukimin e tyre etik, estetik e
kulturor, e mendoj që babi e ka arritur mjaft mire këtë sidomos me veprën e tij
“Në prehër të gjyshes” e cila është lexuar brez pas brezi” vazhdon Donika.
“Thuhet se në momentet më të vështira popujt e mëdhenj nxjerrin nga gjiri i vet bijtë dhe bijat më të mira për të udhëhequr drejt lirisë dhe shpëtimit. Kjo i ndodhi dhe popullit shqiptar vite më parë nën udhëheqjen e babit, studenteve dhe miqëve te tij kur filloi pajtimi kombëtar shqiptar. Shtrirja dhe jehona e këtij pajtimi gjithkombëtar tregoi si kurrë më parë se pushtuesi nuk do të mund të ushqehej në gjakun e shqiptarve përmes nxitjes së hakmarrjes dhe mërive vëllavrasëse. Ishte koha ku ashtu sipas traditës të të parëve tanë të lashtë populli shqiptar Kosovën e ktheu në një kuvend të besës, trimërisë dhe mençurisë. Ky popull i përvuajtur duke shtrirë dorën e pajtimit filloi shërimin shpirtëror kombëtar duke shtruar kështu rrugën dhe duke parapërgatitur këtë rini dhe këtë popull për të shkruar faqet më të ndritura të historisë tonë dhe për ta hapur udhën e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës” përfundon Donika.
***
Do ta përfundojmë me Anton Çettën, njeriun i cili ka nevojë të citohet në libra, të flitet për të në rrugë, të ketë shtatore e bust për të, të ketë kujtime të shkruara, të ketë përkujtimore e të ketë ceremoni që na e sjellin në kujtesë atë. Gjeneratat e reja duhet ta lexojnë, gjeneratat e vjetra duhet të reflektojnë, librat e historisë e antropologjisë duhet ta marrin si shembull në secilin kapitull. Shkrimtarët duhet të inspirohen prej tij, studiuesit duhet ta vazhdojnë rrugën me të njejtin zell studimor të Çettës. Vajzat e tij, megjithatë, do të mbesin gjithmonë vajzat e Anton Çettës, njeriut me zemër të madhe e të mirë.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja
e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë
nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së
).
Ish kanë ni katunar niherë e ish kan shkue n’Gjakovë. At’harë katunarët shkojshin n’Gjakovë për me pre tesha. Shkon ky katunari e i thotë terzisë: -A po m’i prenë ni parë tesha se m’nevojiten, po paret t’i jap n’kohë t’lamës. Terzija e veti: -Kut t’vi atje te ju me i marrë paret, a keni bar, a ka ku kullot kali? -Po, ka ku kullotë kali, se ka bari tekteri n’gu a sa t’don ka tërfojë e bar e çdo sen ka. Ky edhe i tha: -Jo përze, s’po vi hiç se, me pasë njerëz t’gjallë e gja qi kullotin n’at bari ti kishe pas me m’i pague paret. Mirpo masi s’ka kush i kullot gjanë, e gja s’ka qi kullosin bar e tërfojë, ti s’kie kah m’i paguen paret,e për qeta borgj s’po ti jap.
Humanisti me nam
shqiptar, Anton Çetta do të mbahet mend për kontributin e tij të madh që e dha
në pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve.
Vendosja e bustit të tij para Institutit Albanologjik të Prishtinës vazhdon që të jetë temë diskutimi. Disa thonë se busti i tij nuk duhet të ngrihet para Institutit, ndërsa disa të tjerët insistojnë që busti duhet të ngrihet vetëm para Institutit.
Me projektin e
tij të pajtimit të gjaqeve ai i shërbeu popullit dhe shoqërisë, i shërbeu
iluminizmit të popullit, shoqërisë dhe publikut të gjerë.
Më 2 shkurt 1990
me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së
gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit. Ky
konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar
që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që
jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Më poshtë ju sjellim disa opinione të publikuar më parë në KultPlus në lidhje me këtë çështje për të cilën nuk është vendosur akoma./ KultPlus.com
Ni i vërbovcas ish kanë shpi e madhe.N’vakt t’korrave,hinë n’arë nja tridhetë argat,burra e gra.N’bisht t’renit,korrke ni nuse,
qi e kishin marrë n’ato ditë.
I zoti i shpisë,kah dreka,duel me kqyrë si po shkon puna n’arë edhe e pa si ish punue fort për gut edhe keq.U bërtiti fort, po krejt fjalët u munuen me ja lanë nuses.
-Kush korri kaq nalt?-veti i zoti i shpisë.
-Nusja valla!-i thanë
-Kush la kaq shumë kajzi?
-Nusja.
-Kush i qiti dorzat,kaq keq,nëpër duej?
-Nusja!
-Kur u kthyen dreka e u rrethekuen n’sofër,i zoti i shpisë i thei bukë veç nuses.
-Pse s’po na then bukë edhe neve,po veç nuses?
-Se veç nusja paska punue,e ju paskeni kqyrë.
Mbledhur nga Anton Çetta. Anton Çetta ishte njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar në Kosovë. Çetta lindi në Gjakovë më 1920. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë dhe Korçë, ndërsa tri vjetët e fundit të liceut-drejtimi klasik- në Milano të Italisë.
Ishin kan vllaznue dielli e hana. Shkon hana ni dite per qef tu dielli edhe ja con ni pare tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mire. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanen. S’i bjen kurgja. Hana i thot:
Qysh u ba puna kshtu? Une erdha e t’i pruna ni pare tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja!
Dielli i tha:
Po ti kurre njejte s’po rrin: here hic, her n’ngjys, here e plote e nuk dita qysh me t’i pre teshat, per qata s’t’i pruna.
Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.
Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. / KultPlus.com
Vendimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës për mos aprovimin e kërkesës së Këshillit Organizues për vendosjen e lapidarit të profesor Anton Çettës para objektit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, ka shqetësuar miliona shqiptarë pa dallim feje, krahine apo ideje. Ka shqetësuar mbarë shqiptarët atdhetarë që i thonë bukës -bukë e ujit-ujit, përveç shqipfolësve pansallavisto aziatikë të cilët tash janë duke punuar që Kosovën ta drejtojnë drejtë shkrepave të Anadollit.
Njëri ndër këta shqipfolës është edhe drejtori aktual i Institutit Albanologjik të Prishtinës njëfarë Hysen Matoshi. Ky piun i rrjetit famëkeq talibanesk të Kosovës tash e tregoj fytyrën e vet të vërtetë. Edhe pse dihet botërisht se ky vendim vetëm është nënshkruar nga ky farë drejtori sepse është marrë krejt diku tjetër dhe nga persona krejt të tjerë. Opinioni i gjerë duhet ta dijë se mjetet për ngritjen e lapidarit të profesor Anton Çettës janë ndarë nga Institucionet e Kosovës, lapidari është i gatshëm por për momentin është i lënë pezull nga forcat e errëta pansllavisto- aziatike, të cilët e kanë okupuar Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe janë duke luftuar për një orientim kundër Evropian të Kosovës.
Është brengosës fakti se edhe pse Komuna e Prishtinës ka dhënë fillimisht leje për vendosjen e lapidarit të profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik, kryetari i tashëm i Prishtinës Shpend Ahmeti, është tërhequr nga vendimi i tij pas ankesës që ka bërë Instituti Albanologjik në krye me Hysen Matoshin për anulimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për moslejimin e shtatores së profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik. Me këtë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë një gabim të pafalshëm për anulimin e këtij vendimi. Ai duhet ta rikthej vendimin e parë në fuqi, dhe këshilli organizues i vendosjes së përmendores së prof. Anton Çettës ta shpejtoj procedurën e vendosjes së lapidarit të profesor Anton Çettës në vendin e vetë para Institutit Albanologjik. Anton Çetta pajtimtari i kombit shqiptarë sot është lanë as në tokë dhe as në qiell.
Shqiptarët e Anton Çettës janë ndarë në dy taborre. Ata që e duan ngritjen e lapidarit të profesor Antonit para Institutit Albanologjik, si dhe ata që e kundërshtojnë ngritjen e përmendores së profesor Antonit. Është fatkeqësi se në të njëjtën kohë kemi shqiptarët e orientimit Evropian që duan profesor Anton Çettën, dhe ata të orientimit pansllavisto-aziatik që nuk e duan profesor Anton Çettën. Me këtë e them lirisht se nuk ka mbetur pezull lapidari i profesor Anton Çettës por pezull ka mbetë orientimi Evropian i shqiptareve në Kosovë, orientim që dita – ditës është duke e humbur drejtimin e tij dhe është duke u mjegulluar. Për këtë veprim të këtij farë drejtori duhet reaguar menjëherë Ministria e Arsimit konkretisht Ministri Shyqeri Bytyqi duhet urgjentisht ta bëj pezullimin e këtij drejtori.
Këtë çështje duhet ta merr në shqyrtim në mënyrë urgjente edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili në mënyrë urgjente duhet që t’i kërkon raport me shkrim vartësit të tij në Ministrinë e Arsimit Shyqeri Bytyqit,e jo ti lëshoj mjete me shuma të larta dhe të paparashikueshme pikërisht personit që e kundërshton lapidarin e Anton Çettës para Institutit Albanologjik siç beri ditë më parë këshilltari i Kryeminstrit Haradinaj, Jahja Lluka duke përkrahur një drejtor të tillë të dhunshëm dhe duke quar dëm mjete të shumta në Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prandaj këtu nuk është mbetur gjë tjetër përpos faktit se Këshilli Organizues duhet të jetë këmbëngulës, për vendosjen e lapidarit të profesor Anton Çettës duke u bazuar në vendimin fillestarë që ka lëshuar Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti, i cili më vonë nga presionet që ju bënë nga forcat e errëta u dashtë ta anuloj vendimin e tij. Kurse shqiptarët pa dallim feje, krahine apo ideje të dalin të organizuar dhe në mënyrë masive ta vendosin lapidarin e profesor Anton Çettës para Institutit Albanologjik.
S’ka rrugë tjetër sepse organet e dhunshme të këtij Instituti nuk lëshojnë pe në veprimet e tyre të shëmtuara dhe nuk kanë respekt fare për veprimtarinë studiuese, atdhetare, humane dhe pajtimtarë që bëri profesor Anton Çetta. Ah profesor i nderuem Anton! Në vitet e nëntëdhjeta kur të pata marr në intervistë ndër të tjera me pate thënë se kur të hiqet mjegulla leht do ta kemi. Të gjithë kemi menduar ashtu por fare nuk doli e vërtetë. Pushtuesit osman dhe ata pansllavist na i lanë kopilat e tyre të cilët sot janë duke e lënduar çështjen shqiptare dhe e kanë sjell deri në buzë kapitullimi, por shpejtë do t’iu vjen fundi, se ende ka djem nënash shqiptare qe do ti dalin zot tokës arbërore. / KultPlus.com
Dielli me emrin Anton Çetta e ka vendin te Instituti aty ku ai dha kontributin e tij.
Madje ai meriton më shumë se një bust, duhet të ketë Institut me emrin e tij të madh etj etj.
Vetëm errësirës i pengon Dielli kur ndriçon.
Por, dielli do të jetë aty para Institutit ku ai la pasurinë e tij të veprës deshën apo nuk deshën ata që duan t’i ngritin vetes Buste në të ardhmen.
Jam i lumtur o Diell i Dardanisë me emrin e madh Anton që ta kushtova në atë vegjëlinë time një vepër modeste për kontributin tënd të madh. Faleminderit që ke punu në hapjen e syve të popullit tonë për ta dashtë njëri-tjetrin e jo urry. / KultPlus.com
Janë të vocërr e menjeshkretë ata që kundërshtojnë vendosjen e shtatores së tij tek Instituti Albanologjik…
Anton Çetta asht Guissepe Garibaldi i Kosovës, unifikues urtak, zbulues i shpirtit te popullit dhe pajtimtar.
Autoritet moral.
Ai mbylli plagën ma të shëmtuet ndër popullin shqiptar të Kosovës: Gjakmarrjen, tuj i hap shtigjet e emnacipimit dhe Perëndimorizimit të shoqnisë kosovare!
Ishte cok mbështetës i Ibrahim Rugovës, prandaj logjika staliniste që si frymë e drejton Institutin Albanologjik dhe dijet albanistike nuk e durojnë pamjen e tij hijerëndë që mbjell shpresë e uzdajë nder shqiptarët kosovarë.
Profesor Çetta e ka zberthy myjën e fjalës, logosit dhe etosit të shqiptarëve kosovarë.
Mësues e mbledhës folklori, etnolog e patriot e epur i Republikës së pavarme të Kosovës, Anton Çetta asht njani nga ata qe janë shkri me e ngrit n’kambë këtë Republikë!
Nuk është vetëm marre po edhe ligësi e atyne shkretanave që refuzojnë shtatoren e Anton Çettes në oborr të Institutit Albanologjik – ata janë tepër të vegjël para emnit të tij të ndritur – dhe i trishton ideja se Republikën e bënë durimtarët dhe ata që i lidhen vegëzat e këputuna me Perëndimin siç ishte Rugova dhe miku i Tij i afërt Profesor Antoni dhe një vargan i pafund shqiptarësh idealista!
Prandaj për t’u lidhur rreth idesë së çlirimit duhej arritur një pakt, një pajtim mes shqiptarëve të hasmuem mes vete, që Profesor Çetta e arriti në mënyrë shembullore!
Për atë që e ka bërë Profesor Çetta për Kosovën duhej t’i ngrihej përmendore në seccilin qytet të Kosovës e jo vetëm tek Instituti Albanaologjik, ku ai ka shkri një pjesë të madhe të shekullit të tij jetësor.
P.S.
Profesor Antoni rrezatonte mirësi e siguri, nji aurë drite p’ej shejtori mblidhej rreth Tij.
Pranë Tij njeriu ndihej se kishte vleftë…
(Anton Çetta, Bahtir Sheholli, Halil Matoshi, ne nji pajtim, Orllan 1990)
Ndodh një vrasje në mes të Tiranës, për gjakmarrje, për më tepër e një oficeri policie, njeriu të rendit dhe ligjit, teksa gjykata kishte dhënë vendim me burg për vrasjen, për të cilën do shtihej si shpagim mbi njeriun me uniformë. Rast i ngjashëm me atë të pastorit në Shkodër dy vjet më parë. E mendja të shkon fill e te njeriu mit i pajtimit: Ah, sikur të ishte gjallë Anton Çetta! Mbase nuk do të kishte ndodhur kjo e ajo gjëmë. Habitesh se si në rrethana të caktuara historike mblidhet aq shumë fuqi te një njeri i vetëm. Aq shumë pushtet moral. Mbase më tepër se në të gjitha institucionet e shtetit së bashku, sigurisht kur shteti nuk është fuqiplotë e kësisoj i duhet njeriut të bëhet institucion. Anton Çetta është rasti unik i pajtimtarit ndër shqiptarë. Më 1990 ai ishte vetë zëri i Kosovës dhe Kosova mishërim i idealit të tij. Është njëqindvjetori i Pavarësisë dhe është normale të “kokrrohen” një nga një ata që janë balli i kombit në njëqind a një mijë vjet.
Po a është zyrtarisht Anton Çetta një i tillë? A është dekoruar ky tribun me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”? Kanë kaluar njëzet e dy vjet nga misioni i tij i paarritshëm, ku ai ishte protagonist (i një protagonizmi historik), por që nuk ia njihte meritat vetes, ashtu si dhe bashkëpunëtorët e tij të shquar, akademiku Mark Krasniqi, misionari Dom Lush Gjergji, avokati Bajram Kelmendi etj. “Studentët dhe studentet e Universitetit të Prishtinës ishin ata që i kryen pajtimet”, na thoshte një vit më vonë, me 1991, Anton Çetta, kur patëm rastin fatlum të takoheshim me të në Shqipëri. Ai dhe gjithë ekipi i tij pajtimtar, në shkrime e emisione televizive, kanë falënderuar ata që e pranuan faljen e gjakut. Por nga ana tjetër ata që falën dhe ata që u falën nuk dinë se si të shprehën për atë mision kombëtar dhe prijësit e tij. Është padyshim një nga ngjarjet e shënuara të njëqindvjetorit të Pavarësisë. Askush deri më sot nuk ka arritur të mbledhë 500 mijë vetë, sa këta misionarë të pashembullt, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” në Kosovë. Asnjë ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër kombëtare s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë udhëheqës shqiptar, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, mbret i shqiptarëve, diktator komunist, lider demokracie, këndej dhe andej kufirit, në mos vetëm Gjergj Kastrioti pesëqind vjet më parë.
Kur niste aksioni i pajtimeve, strukturat politike-policore serbe shkruanin në raportet e tyre se ky do të dështonte, pasi shqiptarët nuk e kishin në traditë faljen. Dhe kuptohet që ai mision kombëtar nuk do të kishte atë jehonë dhe atë peshë po të mos shihej dhe si një betejë morale me dashakeqësinë serbe, gjykuar mbase jo si sot, por në rrethana të tjera, kur Millosheviçi përgatiste gjenocidin dhe shfarosjen e shqiptarëve. “Babai i pajtimit” e quan Ramiz Kelmendi, Anton Çettën dhe të duket se nuk ka titull përtej këtij. Pajtimtarë të njohur kosovarë, në studiot e RTK-së, rrëfenin plot histori të dhimbshme. Një vajzë ishte betuar para të atit, kur ai po jepte shpirt nga plumbi që kishte marrë në arë, se do t’ia merrte gjakun!… Por ndërhyrja kishte qenë aq e fortë dhe, kur ajo vendosi ta falte gjakësin, shkoi pranë varrit të të atit bashkë me grupin misionar dhe iu drejtua atij, se po e falte për hir të Kosovës. Por nëse në Kosovë asokohe ndodhi mrekullia e gjakfaljes brenda një kohe aq të shkurtër, nuk ngjau e njëjta gjë në Shqipëri, në vitet e tranzicionit. Ngase këtu mungonte një Anton Çettë, i cili kur dëgjonte zëra “intelektualë”, se mjaft kemi bërë për vendlindjen, thoshte se gjithçka ka kufi, masë, cak, por jo ajo që ne duhet të bëjmë për Atdheun. Kjo është dhe urtësia më proverbiale e tij. Dhe ata që ia hynë demek punës për pajtimet nëpër malësitë veriore në Shqipëri duhej të mendoheshin se po “mateshin” me Anton Çettën, dhe sikur ta kishin me gjithë shpirt dhe jo sa për të mbijetuar shoqatat e tyre, që shpesh do t’iu nxihej faqja nga pazaret e gjakut.
https://www.youtube.com/watch?v=dlmJbA5G2JA
Pajtimi i Kosovës me 1990 është ndër faqet më të ndritura shqiptare të shekullit të 20-të. Ai nuk është një gjë në kohën e kryer. Ai dhe sot është një model komunikimi e mirëkuptimi. Shihni kronikat apo videot e kohës të shihni sa i përkorë është fjalori, sjellja, gjestet e Anton Çettës e të tjerëve, dhe njëherësh sa i rënduar është fjalori i politikës, gjestet, batutat, ironitë, përplasjet e ndërsjella të shefave politikë. Epo nuk janë e njëjta gjë, mund të thotë ndokush, politika dhe pajtimi. Sigurisht që ka dallim mes tyre, porse ajo politikë që ftoh, acaron, ndan, përçan, përjashton, rebelon, është regresive. Politika receptimin dhe leximin e parë ka miradien, të marrët vesh, të qenët mision. Por ky është keqkuptimi ynë me demokracinë. Prandaj ta kishim këtë vigan të urtisë jo vetëm për gjakmarrjen dhe pajtimin mes njerëzve të thjeshtë, por dhe për ujditë e sotme politike. Presidenti dhe Kryeministri (të dy të së djathtës) takohen sa për sy e faqe në Ditën e Europës në ceremoninë e organizuar nga ambasadori i BE-së. Dy politikanë të lartë (të së majtës) rrinë disa vjet në “hasmëri” politike, gjersa darkojnë në Gjirin e Lalëzit. E prapë na vjen të themi: sikur të ishte gjallë ai, burri simbol i pajtimeve, mbase ata të dy e ata të dy do të kishin folur më parë. Baca Anton do të kishte hyrë mes tyre, si atëherë, duke zgjatur dorën e pajtimit. Kryekrejet, mes të djathtëve e të majtëve. Demokratëve e socialistëve. Berishës e Ramës. Lidershipeve politike përherë të acaruara e në sherr njëzetvjeçar. Do ta niste kuvendimin urtë e butë, si kështu, more “bijtë” e politikës, po ne s’jemi në gjak, jemi vllazën, more të (pa)mjerë. Do të kishte hyrë dhe në mes të politikanëve të rinj të Kosovës kur ta donte puna. Apo ngaqë punët shpesh nuk na venë mbarë, e vetmja gjë që na ka mbetur është ajo shprehja asgjëthënëse: “Ah sikur të ishte ky apo ai shpëtimtar!…” Dhe se e dimë se punët e një populli, kombi, mirëqeverisjeje nuk bëhen me “sikur”. Sidoqoftë do të na i thoshte ca të vërteta Baca Anton, dhe nga ato që ai nuk i kishte për zanat (xetë e politikës), që fare mirë po i thonë të tjerë, Sarkozi në ditën e tij të fundit në “Elize”, Merkel me zgjedhjen e Presidentit gjerman etj.
Por le të kthehemi te “Nderi i Kombit”, diku i dhënë me bujari e diku i munguar. A është ky titull, apo një tjetër i ngjashëm, që jepet dhe nga Presidentja e Kosovës? Pasi kombi është në të dy shtetet, pa folur dhe për shqiptarët në trojet e tjera etnike? Shqiptarët më në fund në njëqindvjetorin e Pavarësisë do të kenë një abetare të përbashkët, po a mund t’i kenë dhe titujt kombëtarë të përbashkët? E figura si Anton Çetta do të ishin mbase më të përshtatshmet për një gjë të tillë. Të mos harrojmë, e kaluara nuk i kishte të ndara figurat e mëdha. Shtjefën Gjeçovi lindi në Kosovë, por shërbeu dhe atje dhe këtu. Korifenjtë e kombit e kulturës nuk kanë as pasaportë, as kufij. Bile dhe njerëz të shquar të huaj si albanologu i madh, At Zef Valentini, që sapo u dekorua në Tiranë me urdhrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ndërkaq, meqë jemi fokusuar në Kosovë, a janë të shenjuar për tituj nderues të lartë, në këtë 100-vjetor solemn, dhe Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Azem Shkreli?…
Dëgjojmë të bëhen dekorime në vazhdimësi, ndonjëherë dhe për figura “anonime”, duke u bërë shkas për batuta, si një rast ku njëri nga drejtuesit e djeshëm u përfol për shpalljen dëshmor të gjyshit, që kishte pas vdekur nga kafshimi i qenit të tërbuar dhe jo në luftën kundër shkjaut, siç pretendohej. Zor të mbërrihet te figurat e kombit, pa hequr dorë nga gjyshi, daja, kushëriri… patriot (i rrejshëm). Se pas dekoratave të rrejshme, vijnë monografitë e rrejshme, monumentet dhe bustet e rrejshme. Një soj Shqipërie historike e rrejshme. E pafalshme kjo veçanërisht në një jubile si ky, kur më shumë se kurrë duhet të shmangen dekoratat militante, krahinore, nderbërëse dhe të maturohet panteoni kombëtar.
Sa për Anton Çettën, do të na kishte hije të kishim dhe një titull nderi a medalje me emrin e tij fisnik. / KultPlus.com
Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.
Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se Kryetar u zgjodh dr.Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Prof. Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.
Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.
Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani.
Shteti ka rikthyer buxhetin për shtatoren e Anton Çettës. Brenda dy javësh pritet të hapet konkursi për propozimet për realizimin e saj. Por procedurat për këtë do të nisin ende pa u ditur vendi se ku do të vendoset vepra në nderim të mbledhësit të folklorit e prijësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve.
Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale planifikon që gjatë periudhës së punimit të shtatores të gjendet edhe lokacioni. Tash ky është institucioni te i cili është bartur projekti, i cili dështoi vitin e kaluar.
Shteti ka ndarë 70 mijë euro për këtë projekt. Synimet për ngritjen e shtatores së prijësit të njërës prej lëvizjeve më të mëdha gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë është rikthyer në agjendën e institucioneve shtatë muaj pasi Qeveria kishte tërhequr buxhetin për këtë projekt. Përderisa Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale synon konkretizimin e realizimit të shtatores, Këshilli që ka iniciuar ngritjen e saj ende është në kërkim të vendit ku do të vendoset.
Vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores të paralajmëruar në shkurt të vitit të kaluar do ta pengonte refuzimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it, që kishte reaguar se për këtë nismë është anashkaluar krejtësisht. Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati pëlqimit për vendosjen e shtatores.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve memoriale, Idriz Blakaj, ka thënë se planifikohet gjithçka të marrë epilog këtë vit, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com
Anton Çetta njihet për rolin dhe kontributin e tij në faljen e gjaqeve, shkruan KultPlus.
Ai konsiderohet si njeriu që vuri paqe në mes shqiptarëve, duke bërë që të lënë hakmarrjen prapa dhe ti shtrijnë dorën njëri tjetrin, pavarësisht rrethanave. Në këtë video nga arkiva e RTK-së, shihet edhe një djalë rreth moshës 10 vjece duke falë gjakun e babait të tij.
Kurse vetë Çetta, shihet në këtë video duke shpjeguar se kur kishte filluar aksionin e pajtimit të gjaqeve, në dy ditët e para kishin arritur që të bindnin dy familje që të falnin gjakun dhe të marrin besë për dy muaj.
Kurse pas një aktiviteti të madh, Cetta thot se brenda një dite kanë arritë që vetëm nga Drenica të falen 100 gjaqe. Për më shumë shikojeni videon./KultPlus.com
Kjo lëvizje, me në krye Anton Çettën, në vitin 1990 arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndërshqiptare, dhe si e tillë kishte mision mobilizimin e shqiptarëve për rezistencë çlirimtare, shkruan KultPlus.
Marrë parasysh këtë mision, shumë gjaqe u falën në emër të kombit dhe më 1 maj 1990, në vendin e quajtur “Varret e Llukës” në komunën e Deçanit, u mblodhën më shumë se gjysmë milion shqiptarë në përkrahje të lëvizjes, e u falën shumë gjaqe. Kujtojmë këtë mision të Anton Çettës, nëpërmjet fotografive. /KultPlus.com
Në fillim të vitit, 50 mijë euro ishin ndarë për shtatoren e Anton Çettës. Në shkurt ishte paralajmëruar vendosja e gurit themeltar në oborrin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, që reagoi se nuk u pyet fare për këtë projekt, dhe ceremonia u shty. Në mars skadoi afati i lejes, e pesë muaj më vonë u tërhoq edhe buxheti, i cili nuk parashihet as për vitin që vjen.
Institucionet kosovare pos që gjatë një viti nuk kanë mundur të merren vesh rreth lokacionit për shtatoren e Anton Çettës, këtë projekt e kanë lënë pa buxhet.
Përderisa për Këshillin organizativ që synon ngritjen e shtatores së pajtuesit të gjaqeve e mbledhësit të folklorit, situata është tejet e papranueshme, zyrtarët qeveritarë kanë thënë se buxheti për këtë projekt mund të parashihet për vitin e ardhshëm. Por edhe kjo ka pak gjasë të ndodhë.
Tetë muaj pasi ishte caktuar edhe dita e vënies së gurit themeltar për bazamentin e shtatores, në oborrin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, procesi ka bërë hapa prapa. Hapësira për këtë shtatore nuk dihet se ku do të jetë, leja për ngritjen e saj ka skaduar e buxhetin e ka tërhequr Qeveria.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se 50 mijë eurot e parapara janë marrë nga Qeveria paraprake në kuadër të shkurtimeve buxhetore, para se ai të emërohet në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një gjë e tillë nuk u është kumtuar as bartësve të projektit.
Në fillim të marsit të këtij viti Instituti Albanologjik në Prishtinë kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të revokohet leja për vendosjen e shtatores në oborrin e këtij institucioni, me arsyetimin se nuk janë pyetur organet drejtuese të tij. Ata ende nuk kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre. Sipas pëlqimit tashmë të skaduar, shtatorja duhej të vendosej në anën e djathtë të shtegut hyrës për në Institutin Albanologjik, përkatësisht në një kënd të hapësirës së gjelbër. Sipas pëlqimit, IAP-i duhet të njoftohet tetë ditë para se të nisin punimet. Sipas këtij dokumenti, mbi bazamentin që mund të ngrihet mbi tokë deri në 1.2 metra, shtatorja mund të ketë lartësi prej 1.7 deri në 2 metra. Paraprakisht në muajin shkurt të vitit që shkoi, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, po ashtu kishte dhënë pëlqimin për vendosjen e shtatores para objektit të IAP-it. / KultPlus.com