Në moshën 54 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, humoristi shkodran Anton Krosaj, ka ndërruar jetë, shkruan KultPlus.
Lajmi për vdekjen e humoristit është bërë i ditur në faqen zyrtare të Teatrit ‘Migjeni’, në rrjetin social Facebook.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë se u nda nga ne, aktori i njohur i Estradës së Shkodrës, Anton Krosaj. Lamtumirë miku ynë i mirë!”, thuhet në njoftim.
Anton Krosa prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën ndaj të cilës nuk ka mundur ta fitoj.
Krosaj u lind më 26 Janar 1966 në Shkodër. Ai nisi si aktor me Fabrikën e Duhan-Cigareve, po në qytetin e lindjes. Gjatë kësaj kohe mori pjesë në shumë shfaqje dhe luajti shumë role në Fabrikën Duhan-Cigare. Më pas nisi si aktor me Estradën Profesioniste Shkodër në 2003. Në vitin 1985 mbaroi Shkollën e Mesme Industriale.
Ka marrë pjesë në disa komedi të RTSH-së me regji të Arjan Culiqi. Disa nga to janë Para nga qielli, Piruet, Pesha e gruas sime, Pavioni zero, Personazhe ne kurth.
Krosaj ka luajtur edhe me estradën profesioniste në komeditë: O vajzën o komunën, Vëllai nga babai, Surpriza, Big Brother Shkodra 1, Big Brother Shkodra 2, Martesë me Internet, Zef Deda Show 3, Bujar Qamili Shoë 2, Lumturi në Fukarallëk, Je Shkodran në qoftë se, Humor me shkolle te mesme etj.
Krosaj gjatë punës së tij si aktor ka vënë në skenë edhe tre shfaqje për fëmijë: Gëzuar 2015, Gëzuar 2016 dhe Pranverë për fëmijë. / KultPlus.com