Ëndrra si shumësi, fshehtësi kuptimore dhe si vizion

Shkruajnë: Don Robert Kola dhe Anton Nikë Berisha

“Ëndrrat janë krijime estetike dhe s’ka dyshim që janë shprehja estetike më e lashtë”.

JORGE LUIS BORGES

“Për një ëndërr mund të thuhet gjithçka, përveç se është një gënjeshtër”.

ERNESTO SABATO

Një tekst kuptimisht i pafund

Poezia e Jorge Luis Borgesit me titull “Duke e harruar një ëndërr” është një tekst poetik sa i veçantë aq dhe kuptimisht i pafund. Ajo na zhyt në një det çështjet dhe është një nga tekstet më të hapur që lexuesit mund t’i ketë takuar ta njohë dhe të ndikohet prej tij.

Madhështia dhe veçantia e kësaj poezie përligjet në dy rrafshe: si vlerë poetike dhe si pafundësi kuptimore. Të dyja janë rrjedhojë e gjuhës poetike që përdor poeti dhe e mënyrës së shtjellimit të tekstit. Këta dy përbërës janë shkrirë në njëri-tjetrin sa nuk mund të flasësh për njërin pa qenë brenda edhe të dytit.

Me këtë krijesë poetike Borges-i na ka dhënë një nga shembujt e rrafshit më të lartë se çka duhet ta cilësojë një tekst poetik dhe si mund të shtjellohet – të ndërtohet ai për të bërë një ndikim estetik të duhur në marrësin. Pikërisht për këto cilësi po e vështrojmë në vijim nga disa rrafshe e aspekte.

Pse Borges-i e zgjodhi ëndrrën për objekt vështrimi poetik?

Shkrimtari Jorge Luis Borges njihet për aftësinë dhe shkathtësinë që t’i zgjedhë dukuritë që i bën objekt vështrimi poetik dhe për kujdesin e skajshëm që i kushton hartimit të tekstit në mënyrë që ai të jetë sa më poetik dhe si i tillë të bëjë ndikimin estetik sa më të madh në marrësin. Arsyet pse pikërisht e zgjodhi si objekt vështrimi poetik ëndrrën, nuk janë të rastit. Të ëndërruarit, ëndrra dhe ajo që ngjet brenda saj si dhe kujtimi për të – rrëfimi i saj, janë çështje që lidhen me jetën e njeriut dhe me natyrën e tij. Pra, është një gjë e pandashme nga jeta e njeriut si dje, si sot, si nesër. Pikërisht për këtë fakt ëndrra ka nxitur që të flitet për të nga kohët më të lashta dhe nga njerëz të shtresave e të vendeve të ndryshme. Vetë Borges-i pyet: “[…] a nuk është e kaluara jonë një seri ëndrrash? Ç’ndryshim mund të ketë midis kujtoj ëndrrat dhe kujtoj të kaluarën?”

Ëndrra në qenësinë e vet është një shqiptim dhe ndërtim i njëmendësisë së ekzistuar ose të dëshiruar, përkatësisht shmangie nga realiteti jetësor, ku veprimet janë të kufizuara dhe zhvillohen brenda një rendi dhe logjike të caktuar; në shumicën e rasteve synimet dhe dëshirat e njeriut në jetën konkrete mbesin vetëm si të tilla. Në një mënyrë ose një tjetër, ëndrra është edhe kundërvënie dhe mohim i realitetit konkret, që përkon edhe me atë që ndodh në botën e përrallës. Kjo ngjet për arsye se ëndrra është shprehje më vetjake e ndërdijes dhe e përvojës së njeriut, ajo shpreh njeriun në formën e tij më të plotë. Bota e saj është e pakufi dhe e pakufizuar; funksionon mbi parime të mëvetësishme, që janë krejt të tjera në krahasim me ato të botës konkrete, me atë që ngjet në veprimin e përditshëm të njeriut. Siç dihet, në ëndërr thyhen parimet dhe logjika e përditshmërisë; brenda saj ndodhin ngjarje të ndryshme (edhe kundërshtore); të kohëve e të natyrave të ndryshme; ato afrohen dhe njësohen – mes tyre, sikur të ishin të një vendi dhe të një kohe. Pikërisht për këto veçanti të ëndrrës një varg shkrimtarësh i krijuan veprat e tyre dhe i krijojnë duke u mbështetur në këtë botë. Në mënyrë të veçantë për këtë dukuri ndikon rendi dramatik që shfaqet në ëndërr.

Në ëndërr njeriu nuk di se çka ndodh kur sheh ëndërr, as pse e shohim atë ëndërr. Thuhet se njerëzit e parë nuk e kanë dalluar gjendjen e ëndrrës nga zhgjëndrra; ata kanë menduar se ëndrrat janë gjendje e të qenit zgjuar. Këtij përcaktimi poetët i dhanë një përmasë edhe më të thellë. Sipas tyre, në rrafshin poetik, çdo zhgjëndërr është ëndërr.

Paul Groussac thoshte se zgjohemi nga ëndrra pasi kemi përshkuar zonat e hijes, labirintet e ëndrrës sonë. Sipas Thomas Brown-it, ëndrrat japin një ide të epërsisë së shpirtit të njeriut, meqë shpirti është i pavarur nga trupi dhe priret të luajë e të ëndërrojë (Petrone do të thoshte “shpirti pa trupin loz”), ndërsa në një sonet të Gongora-s thuhet:

Ëndrra, autor shfaqjesh,

në teatrin e saj prej ere

nganjëherë vesh trajta të bukura hijesh.

Se bota e ëndrrës është për shumëçka e rëndësishme dhe e ndërliqshme, e dëshmon edhe ky mendim i vetë autorit të poezisë “Duke e harruar një ëndërr”, Jorge Luis Borges-it: “Ëndrrat janë krijime estetike dhe s’ka dyshim që janë shprehja estetike më e lashtë”.

Në “Epin e Gilgameshit”, ndër veprat letrare poetike më të lashtat, e shkruar me shkrimin kuneiform, ëndrra gjashtë herë paralajmëron ose shënjon diçka të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të veprimit të asaj që ngjet në këtë vepër.

Shekspiri thoshte se ëndrra është gjëja që jam; në tragjedinë e tij “Hamleti”, princi Hamlet i drejtohet Ofelisë, po aq dhe vetes dhe tjetrit: Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë-vdekje, (Akti III, Skenë I). Edgard Allan Poe-ja ishte ndër poetët e rrallë që dëshmoi aftësinë të përshkojë atë “truall” të magjishëm midis reales dhe botës së ëndrrave, atë brez të hijëzuar kufitar, ku përvojat e krijuesit ndërlidhen e gërshetohen në mënyrë të çuditshme me përbërës të të dy anëve të mbretërive: jetës e vdekjes. Kjo gjë përligjet sidomos në poezinë e tij “Tokë – ëndërr”, që është një pamje e botës së ëndrrës e kthyer përmbys.

Një nga përbërësit e qenësishëm të kryeveprës poetike të Zherar dë Nerval-it “Silvia” është ndërtimi i saj mbi botën e ëndrrës, që i jep një përmasë sa të veçantë aq dhe komplekse. Edhe bota e veprës “Princi i vogël”, një vepër poetikisht tepër e rrallë, është e përftuar kryesisht sipas botës së ëndrrës. Për këtë arsye çdo qasje dhe interpretim që i bëhet kësaj vepre, duhet të niset nga kjo botë. Shembuj të tillë të thuash se janë të pafund.

Ëndrra dhe kujtimi për të

Borges iu qas dhe e bëri objekt vështrimi poetik ëndrrën (dhe akthin) për arsye se ajo është shumë më e ndërliqshme sesa mendohet në të parë. Kjo ndërliqësi dëshmohet nga procesi i ëndërrimit, vetë ëndrra si dhe rrëfimi i saj, pra përmes kujtimit, pastaj ëndërruesi përballë Hyjit.

Ëndrra si proces është një mister dhe vështirë i pranon përcaktimet dhe rregullat. Në qenësinë e vet ëndrra i njëson të kaluarën, të tashmen dhe të ardhshmen. Pra, ajo ngërthen shtresime kohësh e dukurish të shumta e të ndryshme. Në veprën “An Experiment with Time”, Dunne thekson dhe një dukuri të rëndësishme të ëndrrës e të natyrës së saj: “Çdo njeriu ëndrra i fal një përjetësi të vogël që i lejon të shohë të kaluarën dhe të ardhmen e tij të afërt. Tërë këtë, ëndërruesi e sheh në një çast të vetëm ashtu si Zoti që sheh nga përjetësia e tij e pafundme procesin kozmik”. Këtë e thotë vetë Borges-i: “Ëndrra është njëherësh e shumëfishtë (shumështresore) dhe e atypëratyshme”.

Pa dyshim se veçantitë e këtilla të shumta të ëndrrës, pafundësia e asaj që mund të thuhet për të, e ka nxitur Borges-in ta bëjë ëndrrën objekt vështrimi poetik dhe t’i shpreh disa nga këto veçanti përmes tekstit poetik dhe pamjeve poetike.

Duke bërë fjalë për ëndrrat Erich Fromm (Erih From) thoshte: “Forcat tona që përcaktojnë ëndrrat tona, janë dëshirat tona irracionale. Në gjumë u japim jetë atyre impulseve, ekzistencën e të cilave nuk duam ose nuk guxojmë ta pranojmë kur jemi të zgjuar […] Prirjet irracionale, që në ëndërr shprehen si të plotësuara, i kanë rrënjët te fëmijëria jonë…”.

Bota e ëndrrës, shumësia e dukurive dhe e vlerësimeve që nxit ajo, dyshimet që mbesin edhe pas përgjigjeve të ndryshme, dëshmon se ajo ndërlidhet me shumë çështjeve të jetës dhe se ato mëdyshje në një mënyrë ose në një tjetër ndodhin dhe në veprimet e jetës së njeriut. Është ajo që ka thënë poeti austriak Walter von der Vogelweider, kur e pyet veten “Ist es mein Leben geträumt oder ist es war?” A është e ëndërruar (ëndërr) jeta ime ose ajo është njëmendësi”.

Një dukuri tjetër po aq e rëndësishme që ngërthen ëndrra dhe ajo që ndodh pas saj, ose interpretimeve që i bëhen asaj (nga paraardhësit dhe vetë Frojdi) është ndryshimi që ngjet midis ëndrrës dhe kujtimit të saj, përkatësisht të treguarit të saj (pas çastit të ëndërrimit), që nuk është i vogël. Thomas Brown thotë se “[…] kujtimi për ëndrrat është më i varfër se realiteti i tyre i shkëlqyer”.

Ëndrra frymëzim i vizionit

Thuhet se poeti është mburoja e ëndrrës zanafillore, ndërsa poezia zgjimi i saj. Përmes saj (ëndrrës) endët një misteri i pafund. Ëndrra është frymëzim i vizionit. Vizioni është shndritje. Shndritja është përmbushje e trajtës. S’ka vizion pa shndritje dhe s’ka përmbushje të trajtës pa frymëzim. Misioni i poetit dhe i poezisë qëndron në shndritjen e trajtës.

Pra, poezia është thurje e njëmendësisë me dritën virgjërore të krijimit, ndërsa poeti ëndërrimtari që mbjell dritën e zanafillës..

Poezia e Borges-it “Duke e harruar një ëndërr”, e ndërtuar mbi ëndrrën e këputur të zanafillës, është, siç thamë, njëra prej poezive më të thella të tij. Duke shquar natyrën e poetit, autorja spanjolle M. Zambarno, thotë: “[…] Poezia kërkon të rifitojë ëndrrën zanafillore, nga e cila njeriu u zgjua pas rënies së parë; kërkon ëndrrën e pafajësisë së mëparshme, ajo që ishte para pjekurisë së tij. Poezia është njësim, pajtim, përqafim që shtrëngon në bashkim qenien njerëzorë me ëndrrën prej së cilës vjen, duke shlyer hapësirat. Metafizika, përkundrazi, është largim i përhershëm nga ëndrra zanafillore. Filozofi beson që vetëm duke u larguar, e vetëm duke u zhytur në humbëtirën e lirisë dhe vetëm duke mbetur deri në fund vetvetja, do shpëtojë, do jetë.”

Nga vargu i parë kjo poezi e Borges-it na ballafaqon me misterin e ëndrrës. Ajo e përshkon poetin me dritën e saj. Nga ëndrra e ëndërruar, poeti nuk kujton asgjë tjetër, pos dyerve të shumta që e rrethojnë.

Në mëngjesin e dyshimtë pashë një ëndërr.

Mbaj mend se në ëndërr kishte disa dyer.

Drita e vizionit kalon përmes derës, por nuk mbyllët përmes saj. Drita e saj hap dyer aq sa përhapen edhe rrezet e saja. Misteri hyn përmes derës, por nuk mbyllët nga asnjë derë. Sa i thellë del vëzhgimi i M. Buber-it, i cili duke folur për takimin e përsosur që kërkon heshtja e trajtës së krijesës, heton se si të gjitha dyert e saj bashkohen në një derë të vetme dhe njeriu nuk di përmes cilës ka hyrë brenda saj: “Mund të rrëmbehemi nga jeta përmes natyrës, botës ‘fizike’, të konsistencës; nga jeta me njerëzit, botës ‘psikike’, të ndjesisë; nga jeta me qenësinë shpirtërore, botës ‘noetike’, të vlefshmërisë, dhe kështu mund të përshkohet tejdukshmëria e tyre, kuptimi i tyre. Secila nga këto sfera mund të bëhet dhe bëhet e rëndësishme, apo të mbesin dhe të pashndritura, pa marrë parasysh si do t’i quajmë ato, edhe nëse i emërtojmë me emra të shkëlqyer, si kozmos, eros dhe logos. Në të vërtetë, për njeriun kozmosi qëndron, nëse gjithësia bëhet shtëpia e tij, një vatër e shenjtë, ku kryen flitë e kushtuara; për njeriun qëndron erosi, vetëm nëse për të qenia bëhet ikonë e amshimit dhe bashkimi me qeniet e tjera një zbulesë; për njeriun qëndron logosi, vetëm nëse apelon në mister duke vepruar dhe duke shërbyer shpirtin. Kërkimi i heshtjes që lyp trajta, gjuha dashamirëse e njeriut, shpallja e heshtur e krijesës: të gjitha janë dyer që na udhëheqin kah prania e fjalës. Mirëpo, kur vjen koha të ndodhë takimi i përsosur, dyert bashkohen në një derë të vetme të jetës reale dhe nuk dihet se nga cila derë ke hyrë brenda”.

Në çastin e zgjimin poeti është në mëdyshje. Përmallimi për ëndrrën e thellë që ka e përshkuar shpirtin e tij, nuk e shuan kërkimin. Ëndrra e tij bëhet e pakapshme, sidomos nga hija e miteve antike, që i thuren ëndrrat e njerëzimit përmes mitologjisë aq thellë, siç rrëfen edhe miti i Tiresias. Ëndrra bëhet edhe më e pavëzhgueshme nga shfaqja e premtimit të Abrahamit nën qiellin e Urit të Kaldesë, kur Hyji i premton së pasardhësit e tij, do të jenë pa fund, si yjet e qiellit dhe si rëra e detit. (krhs Zan 15, 1-21) Po ashtu, vëzhgimet që vijnë nga Spinoza, trullosin mendjen e poetit, mbase ky mendimtar Hyjin e njëson më natyrën, kur tha: “Deus sive natura.”

Vizioni i ëndrrës së poetit bëhet sa i pakapshëm, po aq edhe i përmallueshëm; nuk pajtohet që ëndrra e tij të tretet me zgjimin e mëngjesit.

Zgjimi im në mëngjes bëri të shuhet

ajo përralla intime që tani

është më e pakapshme se hija

e Tiresias ose e Urit të Kaldesë

ose e mëtimeve të Spinozës.

Poeti nuk ndalon vetëm në përbluaje e përimtime filozofike; nuk gjen prehje derisa ëndrra e tij, nuk lartësohet në gjirin ngushëllues, ku përmblidhet çdo ëndërr dhe çdo lot i derdhur.

Është e njohur që një irlandez thoshte

që në vëzhgimet e Hyjit, i cili nuk fle asnjëherë,

çdo ëndërr bashkohet në amshim

çdo kopsht i zbrazët dhe çdo lot.

Pra, poezia është rruga e njësimit me transcendencën. Ajo pret ngadhënjimin e dashurisë. “Poezia është ikje dhe kërkim, nevojë dhe frikë, është vajtje dhe ardhje, është thirrje për ikje; është ankth pa fund dhe dashuri pa mbarim. Nuk mund të përqendrohet mbi zanafillën, sepse dashuron botën dhe krijesat e saj dhe nuk gjen prehje derisa ato nuk do të njësohen me të në zanafillë. Nga kjo rrjedh se poezia është dashuri e birit, e të dashurit dhe dashuri e vëllait. Jo vetëm që dëshiron të kthehet në soditjen e zanafillës, por gjakon që të kthehet së bashku me të gjithë dhe s’mund ta arrijë këtë, pos në saje të shoqërimit, përmes shtegtarëve, fytyrat e të cilëve i ka parë nga afër, i ka ndier ofshamat e tyre së bashku me të vetat, në mundimin e udhëtimit […] Poezia nuk ngërthen individualitetin, por bashkësinë. Ajo synon njësimin e gjithmbarshëm: ngadhënjimin e dashurisë”.

Vizioni i ëndrrës është fshehtësia e gjërave; shfaqet vetëm përmes dashurisë. Me ngulmim poeti kërkon të kapërcejë pragun e vizionit, dhe të gjendet në vatrën që shndrite thelbin e fshehtësisë të çdo gjëje:

Po të dija çka ishte ajo ëndërr

që ëndërrova ose çfarë do të kem ëndërruar,

do t’i dija të gjitha gjërat.

Poezia “Duke e harruar një ëndërr” është “shifër e transcendencës”. Përmes saj poeti kërkon të qëndrojë në pragun e vizionit, nga merret drita e trajtës. Tërë krijesa pret të përmbushet me dritën e amshuar.

Përmasat poetike të tekstit

Përbërësi kryesor që i jep shpirtin dhe pafundësinë kuptimore kësaj poezie të Borges-it, që nxit komunikim të pazakonshëm dhe një ndikim estetik të skajshëm është teksti i saj. Pikërisht kjo poezi e përligj atë mendimin e njohur të studiuesit të shquar rus, Jurij. M. Lotman, i cili thoshte: “Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë”.

Veçantia e parë që e cilëson tekstin e kësaj poezie të Borges-it është ngjeshësia apo dendësia e tekstit. Autori ka hequr nga teksti çdo gjë të tepërt; ka lënë vetëm atë tekst që mjafton të kapën çështjet dhe kuptimet kryesore, që shkaktojnë pastaj degëzime të pafundme. Për këtë do të bindemi nëse synojmë të heqim qoftë edhe një varg madje edhe një fjalë dhe më nuk e kemi poezinë përkatëse. Pra, poezia “Duke e harruar një ëndërr” ka një tekst skajshmërisht të kursyer dhe të menduar mirëfilli.

Shumëkuptimësia e tekstit fillon në pjesën e parë të vargut të parë: Në mëngjesin e dyshimtë, me çka dyshimi parashënjon qenësinë që e përshkon gjithë krijimin. Si mund të jetë mëngjesi i dyshimtë dhe për çka shërben ky mëngjes i dyshimtë? Natyrisht, në tekstin poetik është e mundur, madje një mënyrë e këtillë e shqiptimit parapëlqehet. Pikërisht në këtë mëdyshje të mëngjesit, zënë fill mëdyshjet e tjera, po dhe shprehjet e tjera figurative që i japin shpirtësinë e poezisë si tërësi. Shprehja tjetër, sa e veçantë, aq dhe kuptimisht e pafund, është përralla intime […] / më e pakapshme se hija / e Tiresias ose e Urit të Kaldesë, ku shumësia kuptimore degëzohet, në dy rrafshe kryesore: në atë poetik dhe në atë teologjik e mitik. Në rrafshin e parë teksti të vë para një pafundësi dyshimesh (vazhdon dyshimi nga vargu i parë): Cila është përralla intime e njeriut? Njëmendësia? Ëndrra? Synimi? Dëshira? E kaluara? E Ardhmja? Ose të gjitha së bashku?

Vargu tejet i rrallë: Hyjit, i cili nuk fle asnjëherë, ndërlidhet ngushtë me vetë aktin e ëndërrimit, të ëndrrës. Në rrethana të rëndomta nuk thuhet se Hyji nuk fle (rëndom thuhet është gjithnjë i zgjuar, roje e përhershme etj.), po këtu njësohet mirëfilli me ëndrrën dhe me harrimin e saj. Kjo është në lidhje të ngushtë me vargun tjetër: çdo ëndërr bashkohet në amshim, që i përket Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe të gjithëkohshëm. Edhe vargu: Vijon dyshimi dhe hijësimi rritet dëshmon për vazhdimësinë e rrafshit të lartë të të shprehurit poetik: ndërlidhet me dyshimin të shfaqur në vargun e parë dhe në vijim, po këtu pos dyshimit kemi dhe hijësimi; të fshehtën, të pathënshmen; atë që secili lexues, në mënyrë të mëvetësishme, e imagjinon. Pra, edhe dyshimi, edhe hijësimi shkojnë e rriten sa më shumë që i afrohem fundit të tekstit, po jo dhe fundit të mendimeve që nënkuptohen dhe nxiten nga teksti.

Edhe fundi i poezisë, që në vështrim të parë duket i qartë, dëshmon për vijimësinë e dyshimit që nis me pjesën e parë të vargut të fillimit: Po të dija çka ishte ajo ëndërr dhe […] çfarë do të kem ëndërruar, / do t’i dija të gjitha gjërat.

Nga këto vargje lind pyetja: çka di njeriu? Pse është dija e tij e kufizuar? Mos kjo të shpie vetvetiu tek ideja se vetëm Hyji është i gjithëdijshëm? Ose sa shumë i mbetet njeriu të mësojë për qenien dhe ekzistencën e vet?

Edhe fundi i tekstit të kësaj poezie e përligj atë që thamë në fillim: tekstet i saj është nga më të hapurit që është përftuar nga Borges-i po dhe nga poetë të tjerë.

Dhjetor 2021

Jorge Luis Borges

DUKE E HARRUAR NJË ËNDËRR

Në mëngjesin e dyshimtë pashë një ëndërr.

Mbaj mend se në ëndërr kishte disa dyer.

Pjesa tjetër më treti. Zgjimi im

në mëngjes bëri të shuhet

ajo përralla intime që tani

është më e pakapshme se hija

e Tiresias ose e Urit të Kaldesë

ose e mëtimeve të Spinozës.

E kalova jetën duke përimtuar

dogmat me të cilat përballeshin filozofët.

Është e njohur që një irlandez thoshte

që në vëmendjet e Hyjit, i cili nuk fle asnjëherë,

çdo ëndërr bashkohet në amshim

çdo kopsht i zbrazët dhe çdo lot.

Vijon dyshimi dhe hijësimi rritet.

Po të dija çka ishte ajo ëndërr

që ëndërrova ose çfarë do të kem ëndërruar,

do t’i dija të gjitha gjërat.

Përkthyen nga italishtja (krahasuar dhe me origjinalin spanjisht): Don Robert Kola dhe Anton Nikë Berisha. / KultPlus.com

Roman që mban mijëra magji që gurëzojnë

(Rreth romanit të Anton Nikë Berishës “La sete pietrificata” (Etja e gurëzuar). Romanzo. Traduzione Albana Alia. Pellegrini Editore Cosenza 2013)

Giovanni Pistoia

Gjithçka zë fill në Maqi, një vend real, irreal, surreal, metafizik, në vjeshtën e vonë të një stine pa moshë, para se të binte errësira pa hije e perëndimit. Një burrë, i brishtë si një enë prej balte, përpiqet të mbledhë copëzat e ekzistencës së tij të shpërndara nëpër dhomën përballë detit. Çdo fragment sfilitet në historinë e vet, që zhytet në kohët e lashta, në një të kaluar prej kufijsh të qartë e të paqartë, arkaikë, mitologjikë. Përpjekja e fuqishme dhe ambicioze, përtej të mirës dhe të keqes, është të bashkojë përsëri copëzat për të rikrijuar vazon, në mënyrë që ajo të mbetet akoma e tillë, e zbukuruar nga eksperienca e udhëtimit të saj të gjatë. “ Jeta është çka bëjmë prej saj. Udhëtimet janë udhëtarët. Ajo që shohim nuk është ajo që shohim, por ajo që jemi”, shkruan Pessoa.

Jo, unë nuk do të them asgjë në lidhje me romanin Gjin Bardhela të Anton Nikë Berishës, një vepër e botuar në vitin 2002 në Prishtinë dhe në Itali në vitin 2013 nga shtëpia botuese Pellegrini që, falë përkthimit nga Albana Alia, shumë të tjerë, tashmë kanë shkruar dhe analizuar punën e Berishës me mjeshtëri dhe përpikëri; unë nuk do të mund të shtoja asgjë origjinale, madje do të rrezikoja të shkaktoja ndonjë dëm në një shkrim të tillë të përpunuar, kuptohet qartë, me kujdes të veçantë, me mundim dhe gërmim në brendësi të vetë autorit. Pse, në fakt, bëhet fjalë për një punë komplekse, të rrjedhshme, të thellë, plot me intensitet shpirtëror me një shumësi tepër të rëndësishme elementesh historike, përrallore, mitologjike, filozofike, antropologjike, gjuhësore, psikologjike dhe psikoanalitike. Nuk mund të them asgjë, edhe për faktin se do të duhej të ndalesha gjatë për të analizuar ngjarjet e rrëfyera përmes të cilave shpalosen histori të ndryshme, tradita, fakte, episode; do të ishte njësoj sikur të mos i jepej mundësia lexuesit që ta shijonte vetë këtë lexim, për të marrë pjesë në ndodhitë e protagonistit, i cili ndërmerr rrugëtime të gjata, që humbasin nëpër labirintet e kohës dhe hapësirës. Ndër të tjera, Gjin Bardhela i arbëresh. Etja e gurëzuar, është një roman me një mijë aspekte, me implikime të panumërta; një roman me ndërthurje, ku një kujtim tërheq të tjerë, ku imazhi i një vajze sjell ndërmend valle dhe këngë, dhe ku vallet dhe tingujt u japin kuptim dhe vlerë atyre që gjenden në kujtesë, në veçanti kujtimet e një populli në arrati për shkak të ngjarjeve historike të parrëfyeshme. “Këngët janë qenia e popullit; janë shpirti i shpirtit të tij. Pa to njeriu ynë zhduket si krypa në ujë!”; “Këndimi i të hequrave dhe i pësimeve i kanë bërë të vetëdijshëm gjindjen tanë për jetë; i kanë përgatitur për të mbijetuar.” E më tej: “Edhe në ethe valljet nuk harrohen. Kush i harron, harron frymëmarrjen. Pa to e pa gjuhën s’ka më arbëreshë.”

Bota e evokuar nga Berisha është, në fakt, bota arbëreshe dhe Toka e Paraardhësve, që në roman përgjithësohen. Do të jetë lexuesi, i marrë për dore nga pena e rrjedhshme e shkrimtarit, që do të zhytet në këto faqe, që kanë ritmin dhe patosin e një “libri të verdhë” emocionues. Do të jetë lexuesi që do të udhëtojë, së bashku me protagonistin e mërzitur, të shqetësuar, të mallkuar, shumë të ndjeshëm dhe të shndërruar në skenarë të ndryshëm dhe të papritur, në kërkim të jetës, pa e ditur që a është tashmë i vdekur. “Sepse atij [njeriut] nuk ia shton forcat zotërimi i së vërtetës, por kërkimi i saj: vetëm këtu qëndron përparimi i përhershëm i përsosjes së tij” shkruan Lessing që, jo rastësisht, citohet nga autori në hyrje të librit.

Roman me një ndërtim të guximshëm, ku përzihen lidhje dhe elemente jetësore nëpër botë të ndryshme: duke filluar që nga kujtimet e fëmijërisë (e mrekullueshme figura e Gjyshes Mri, mbrojtëse e flaktë e traditave më të rëndësishme) deri tek ato më të largëta në kohë, të lidhura me historinë e lashtë të popullit të vet dhe të trimave të tij, me shpirtrat e paraardhësve, me shijen stërgjyshore dhe misterioze të tokës mëmë. Një vend ku gjithkush do të dëshironte të jetonte dhe të vdiste. Në një mit të përkujtuar, gjarpri nuk dëshiron të shpëtojë veten nga zjarri që po djeg pyllin: “Nuk munda se në këtë vend kam lindur, këtu jam rritur e këtu desha të vdes!”

Një arkitekturë si shkallare spirale, por me shkallë të çrregullta, të pasigurta, të palidhura, të mbivendosura, ku ngjitja dhe zbritja është e vështirë; një strukturë e konsiderueshme dhe e butë, ku ndërthuren tradita, zakone dhe rituale magjike të largëta, shumë të largëta dhe që i përkasin hapësirave të ndryshme; figura reale dhe fantastike: zana, nimfa, orë (figura mitologjike femërore) gardianë, rapsodë epikë dhe këngë të tyre të dhimbshme dhe prekëse. E gjithë kjo, por edhe më shumë, haset në rrugëtimin retrospektiv dhe të dhimbshëm të protagonistit të romanit, i cili kërkon në vetvete, në dinamizmin, pak rëndësi ka nëse është i ndërgjegjshëm apo jo, të nënvetëdijes, të pavetëdijes, për të mos thënë, mbi të gjitha, në pavetëdijen më të thellë. Nuk është rastësi që mitet, legjendat, ëndrrat, ankthet e këqija dhe simbolet e rëndësishme sulmojnë mendjen e ndezur të protagonistit, i cili përballet me çdo problem vetëm e vetëm që të rifitojë dritën, qetësinë, jetën, duke u përpjekur të vrasë me armë vetë vdekjen. “Po. Vdekja nuk mundet me jetë. Ajo mundet me vdekje! Mbi të nuk ngadhënjehet ndryshe.”

Dritë. Shpesh drita rikthehet nëpër vuajtjet e errësirës. Është aspiratë e vazhdueshme që rishfaqet nëpër faqe, edhe në ato më melankoliket (mjafton të përmenden përshkrimet e hidhura dhe të ashpra të të vdekurve që dalin nga varret nëpër varreza). Qëllimi është të arrihet drita, edhe nëse kjo gjë kërkon sakrifica të mëdha. Berisha i falet poezisë (takimi me poetin De Rada nuk është i dorës së dytë në ekonominë e librit):

Në shtegtimin e pafund
ëndërroj ngjitjen në diell
e me peshën e udhëve
vij e ndalem
në etjen tënde.
Në lumin e mallit
shtegtimi e rizgjon këndimin
e vetimave me vjeshtë

T’i vështroj sytë
e më bëhet se i kam parë
gjithmonë:
stinë të gurëzuara
që derdhin
në bebëza
etjen e plagosur
të dhimbjes sime

Pastaj
në zemër të vatrës
zemrën ma lëshon
e ngarend suvalëve
me pishën e ndezur të largësive
Pesëqind vjet
O pesë mijë
Një
GJAKU YNË

Një udhëtim i gjithi në brendësi të vetes për të arritur thelbin e jetës, kuptimin e ekzistencës. Ne nuk jemi vetëm prej mishi, kockash, uji, gjaku, por prej rrënjash, të njohura dhe të panjohura, të afërta dhe të largëta. “Pa të kaluarën njeriu është si pema pa rrënjë. Secili, dhe në varr, bart ngjarje, kujtime e dhimbje të veta dhe të gjindjes që u përket.” Ndërgjegjësimi se asgjë prej nesh nuk humbet përgjithmonë, që gjurmët, fara, shpirti (një term që përdoret shpesh në faqet e romanit) do të trashëgohen nëpër kohëra, të ndihmon për të jetuar dhe për t’i dhënë dinjitet jetës. Ashtu si të parët tanë na transmetuan bagazhin e tyre të madh, që përmbante edhe shumë mistere. Rezultati është që të mblidhen bashkë gjithë copërat e thyera, të shpaloset nëpërmjet zbulimit të vetvetes, madhështia e njeriut, qoftë edhe nëpërmjet brishtësisë së tij të frikshme, prania e tij e pafundësishme në kupën e madhe kozmike.

E kam të vështirë të mos rrëfej në detaje ankthin e protagonistit, por, siç parashtrova më lart, më duket më e drejtë që të jetë lexuesi ai që do të përhumbet mrekullisht në vorbullat e trazuara edhe të figurave të tjera që e bëjnë leximin sugjestiv, përfshirës që në rreshtat e para. Mund të them vetëm se protagonisti, Gjin Bardhela i Ndre Bua Petës, nuk është asgjë tjetër përveç alter egos së Berishës. Është pikërisht Berisha protagonisti i vërtetë, real i romanit. Është pikërisht ai udhëtari, gërmuesi, eksploruesi. Dhe djersa që rrjedh me bollëk në këto faqe është ajo e Antonit, dhe mund të them pa frikë se ky udhëtim, i tij, i ka kushtuar shumë mundim. Nuk është rastësi që përgatitja e veprës zgjati shtatë vjet. Shtatë, një numër që përdoret shpesh nga Antoni. Mendoj se shumë herë, duke u zhytur në humnerat e kujtimeve dhe në përsiatjet dhe në përmbytjet e popullit të tij, Berisha ka ndjerë një dhimbje të ngurtësuar. Mendoj se shumë herë Berisha ka ndjerë njësoj si në vargjet e poeteshës gjermane Mascha Kaléko “Nostalgji për tjetërkund / të cilës nuk mund t’i shpëtosh: / nostalgji për t’u ndjerë brenda, nëse je jashtë, / për të qenë jashtë, nëse je brenda.”

I gurëzuar. Një term që shoqëron gjithë romanin. Duke filluar prej titullit, Etja e gurëzuar, i gurëzuar mbetet protagonisti kur braktiset nga roja e vet, i gurëzuar është mëngjesi, Gjini, protagonisti ndihet si i gurëzuar nga zana a malit, gjithmonë Gjini është i detyruar të ecë për të shmangur gurëzimin, qetësia ndiqet nga një lloj frike e gurëzuar, “Stinë të gurëzuara” është titulli i poezisë që De Rada i dhuron protagonistit, duart e Gjinit janë të gurëzuara, zërat janë të gurëzuara, dashuria gurëzohet, gurëzohet dita, gurëzohet Gruaja që Gjini vështron, Gjini mbetet i gurëzuar, i palëvizshëm në rrugë, një lloj balte e gurëzuar mbulon duart e Gjinit; për të arritur te kapitulli i fundit “Etja e ngrirë në buzë”, shkëndija e fundit e një qiriu të ndezur shfaqet si një “kafshim, që i përngjante etjes së ngrirë në buzë.”

Është për t’u çuditur përse Berisha ngul këmbë kaq shumë në këtë imazh që i referohet gurit (guri që shfaqet disa herë në libër), rrasat (pllakat) mbi të cilat gdhenden fjalë që sfidojnë kohën. I gjithë rrugëtimi për të zbuluar vetveten është aq i vështirë dhe i rëndë sa guri, shpesh kërkimi për të vërtetën është më shumë i rëndë dhe i nevojshëm sesa vetë e vërteta. Berisha përdor me kujdes fjalën, e ngarkon atë me kuptime të rënda, i beson asaj detyrën për ta bërë tekstin më sugjestiv dhe tërheqës dhe shpesh fjalia bëhet varg, lirizëm i pastër, kënaqësi për ata që kanë shije të veçanta. Nuk është rastësi që Poeti i tij i dashur shkruan poezi mbi rrasa guri. Romani përmban mijëra magji që gurëzojnë. Vetë romani të jep përshtypjen sikur është shkruar mbi një rrasë guri të lëmuar si dëshmi e ankthit për të mposhtur kohën (“Arti nuk di për kohë, prandaj as përftuesit e tij nuk plaken”) dhe, në të njëjtën kohë, për të dëshmuar sa dhimbje të ngurtësuara kushton çdo udhëtim, edhe pse i domosdoshëm, për të mësuar si të jetosh dhe, mbi të gjitha, duke përmendur Seneken, për të mësuar si të vdesësh. Duke kujtuar Borgesin, për të arritur në qendër, te algjebra ime, te çelësi im, te pasqyra ime. Në fund të fundit, romani është një këngë e gjatë që, nga fillimet e shpirtit, përmes miteve, legjendave, episodeve imagjinare, arrin deri në ditët tona, në jetën tonë të përditshme të ngjizur, na pëlqen apo jo, me ëndrra dhe realitet; një këngë që na sjell përpara pasqyrës sonë ashtu siç duket (dhe dukemi) në shikimin e mëngjesit të hershëm që nuk është gjithmonë një agim i ri.

Shumë shpesh, shkruan De Rada në një nga poezitë që Berisha i paraqet si të poetet të madh arbëresh, vdiset me etje dhe pa fjalë. Është një rrezik që synohet t’i shmangemi duke shuar etjen nëpërmjet magjisë së fjalës, e cila kurrë si në këtë roman është gur. Gurë, ato të Berishës, që pavarësisht shfaqjeve, janë të mbuluara me myshk të freskët me vesë dhe kërkojnë dritën, guralecë që poeti dhe shkrimtari tepër i ndjeshëm i konsideron kokrra lotësh të tharë.

(E përktheu nga italishtja Albana Alia)

Studimi i parë në shqip për poetikën e Aristotelit

Anton Nikë Berisha, Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit. E botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2018.

Ditë më parë doli studimi më i ri i Anton Nikë Berishës Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit, i pari i këtillë i botuar në gjuhën shqipe.

Është e njohur se vepra e Aristotelit “Qasje atit poetik” ose, siç është e njohur me titullin “Poetika” ka zgjuan interesimin një numri të madh studiuesish të letërsive të ndryshme, duke filluar nga Mesjeta.

Në fillim të studimit autori i studimit sjell këtë mendim të autorëve D. Gërliq & L. Abercrombie për këtë vepër të filozofit të madh të Greqisë së lashtë: “Vepra e Aristotelit ‘Mbi artin poetik’ sigurisht është poetika më së shumti e botuar, e përkthyer dhe e komentuar nga të gjitha librat e këtij lloji të botuara deri më tash. Në librin ‘Principet e kritikës letrare’ prof. Abercrombie (1881 – 1938) për këtë vepër të Aristotelit shkroi: Poetika është jo vetëm diskutimi i parë plotësisht filozofik mbi letërsinë, por edhe baza e të gjitha diskutimeve të mëvonshme. Shumë nga ato që thotë Aristoteli ilustrojnë mendimin grek dhe kanë të bëjnë me letërsinë greke, por shumë nga ato që thotë ai përbëjnë thelbin e mendimit të drejtë për letërsinë përgjithësisht. Në shumë pikëpamje asgjë nuk i është shtuar, dhe për sa mund të shihet, asnjëherë asgjë as nuk do t’i shtohet asaj që pat të thotë Aristoteli për artin letrar”.

Në Hyrjen me titullin “Çka do të thotë ta njohësh mirëfilli veprën “Qasje artit poetik” të Aristotelit?, Anton Nikë Berisha shkruan:

Veprën “Qasje artit poetik” apo “Poetikën2”, siç quhet zakonisht, Aristoteli e shkroi gjatë viteve të para të qëndrimit në Athinë rreth vitit 330 para Krishtit. Ajo i përket llojit të veprave për nevoja arsimore (ezoterike ose akromatike); përbëhet nga shënime të ndara në 26 pjesë, që nuk janë të shtjelluara mirëfilli sipas një vijimësie lineare. Kjo mund të lidhet dhe me dy redaktimet që i janë bërë Qasje artit poetik (Peri poitikes): të hershmin dhe të vonshmin. Përkundër kësaj të dhëne, natyra e shënimeve dhe mënyra e renditjes s’ka ndikuar, as në qëndrueshmërinë e mendimit, as në qartësinë e argumentimit. Sipas katalogut të Diogjenit “Poetika” e Aristotelit përbëhej nga dy libra, domethënë neve na ka mbërritur vetëm libri i parë. Në librin e dytë, sipas asaj që thuhet në kapitullin e gjashtë,duhet të vështrohej sidomos komedia. Richard Janka botoi më 2005 studimin “Aristotele on Comedy” (Aristoteli dhe komedia), ku flet edhe për një punim të Aristotelit prej tri faqeve e gjysmë me titull Tractatusa, i ndarë në gjashtëmbëdhjetë pjesë, sipas të cilit përpiqet të ndërtojë pjesën e dytë të Poetikës së Aristotelit që i kushtohet komedisë.

Poetika e Aristotelit, si thekson Stephan Halliwell, është e rëndësishme për arsye se është vështrim analitik: “Vështrimi i Aristotelit para së gjithash nuk është përshkrues (empirik), edhe pse përmban disa elemente përshkruese. Përmes teorisë së tij të mimesisit, ndriçohet fakti se në arte është e rëndësishme, jo ajo që është, po ajo (diçka) që krijohet mbi bazën e asaj që është, që ekziston. Sipas Aristotelit poezia është ‘lënda’ (a construct), ndërsa poeti “ndërtuesi” (a constructor). Po ashtu Aristoteli mund të emërohet mbase dhe kritiku i parë letrar në kuptimin e mirë të fjalës, sidomos të epeve të Homerit, siç thekson studiuesi italian, Ferdinando Alberggiani”.

Të merresh me veprën filozofike të Aristotelit në përgjithësi dhe brenda saj me “Poetikën”, domethënë të ballafaqohesh me mendimet dhe me dijen e njërit nga filozofët dhe autorët më të shquar të të gjitha kohëve, i cili jo vetëm la gjurmë të thella në dijen e kohës së tij, po në qenësinë e vet ajo ngërthen edhe mendimet e paraardhësve. Si e tillë ajo i përshkoi dhe qindvjetshat që vijuan duke bërë ndikimin e saj të shumëfishtë11. Në konceptin e filozofimit të Aristotelit është thelbësore arritja gjithnjë në koncepte përcaktuese, kapja e thelbit të aspekteve të veçanta të Shpirtit dhe Natyrës në një modalitet të thjeshtë, pra, në formën konceptuale. Prej këtej rrjedh një pasuri dhe plotësi aspektesh, gjë e cila dëshmon se Aristoteli ka përpara vetes tërë intuitën dhe nuk lë pas dore asnjë detaj, sado banal të duket ai. Shpirti i tij ka mirëpritur të gjitha aspektet e dijes, të gjitha i kanë interesuar dhe të gjitha ai i ka studiuar me themel dhe gjerësisht.

Filozofi i shquar gjerman, Hegeli e cilësonte Aristotelin: “[…] Aristoteli ka qenë një nga gjenitë shkencorë më të pasur, universalë e të thellë, që ka ekzistuar ndonjëherë, një njeri, të cilit asnjë epokë nuk mund t’i vendosë pranë të barabartin e vet […] njeri i mençur, me të cilin nuk mund të krahasohet askush nga asnjë kohë”, ndërsa Kark Marksi e quante: “Aleksandri i Maqedonisë i filozofisë helene”. Filozofi rus, Valentin Ferdinandovich Asmus thoshte: “Duke i studiuar kanonet estetike të tragjedisë dhe të epit, Aristoteli pa para vetes një varg të madh çështjesh estetike. Midis tyre vend qendror zë çështja e marrëdhënies midis artit dhe realitetit […] Rëndësia historike e estetikës së Aristotelit është aq e madhe sa nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të hollësishme. Aristoteli është themelues i estetikës shkencore dhe i hulumtimit shkencor të artit. Në teorinë e vet të estetikës Aristoteli ka përfshirë çështjet më të mëdha nga fusha e shkencës së artit dhe ka përcaktuar parimet të thuash në të gjitha aspektet e estetikës së mëvonshme. Merita e tij e madhe qëndron në atë që ka përcaktuar vështrimin e artit si lloj i mëvetësishëm i veprimtarisë së njeriut, i cili ka detyra të veçanta dhe i cili kërkon kushte të veçanta që ato të përmbushen […] Këtu janë dhe fillimet e ideve të mëvonshme mbi artin si lloj i mëvetësishëm i të menduarit në figura. Deri në ditët tona na mahnitin faktet që Aristoteli i jep në formën e modeleve të analizës së veprave artistike. Sidomos është e rëndësishme që estetika e Aristotelit, pa marrë parasysh premisat e përgjithshme racionale, është jashtëzakonisht konkrete pikërisht për çështjen e marrëdhënies midis motivimeve ideore dhe formale të veprës […] Së fundi, si gjeniale duhet pranuar pikëpamja e tij në qenësi dialektike mbi ndryshimin e normave estetike, mbi nënshtrimin e tyre individual të detyrave shprehëse që ndryshojnë […]”.

Nga studimi që i bën Poetikës së Aristotelit studiuesi i shquar rus, Mihail Bahtin, thoshte: “Teoria e gjinive […] deri në ditët tona nuk ka mundur të shtojë gjë substanciale në atë që është bërë nga Aristoteli. Poetika e tij mbetet bazë e pandryshueshme e teorisë së gjinive, sado që nganjëherë kjo bazë të jetë thellësisht e fshehur sa të mos shquhet”.

Filozofi i njohur kroat, Danko Gërliq, e çmon Aristotelin “[…] ndër gjenitë më të thellë, më të gjithanshëm e më të pasur që u shfaqën ndonjëherë, por para së gjithash sepse ai është themelues i një drejtimi të tërë të madh në estetikë […]”.

Profesori i dikurshëm i Universitetit të Zagrebit, përkthyesi dhe ndër njohësit dhe komentuesit më të shquar të Poetikës së Aristotelit, Zdeslav Dukat, thekson se vepra e Aristotelit “Qasje artit poetik shënon fillimin e shkencës së letërsisë evropiane. Kjo vepër e Aristotelit ka pasur një ndikim të madh në teorinë dhe krijimtarinë letrare të periudhave të tëra, po dhe ka shkaktuar dukurinë e lëvizjeve të reja që e kanë mohuar vëzhgimin e Aristotelit. Po vlefshmëria e qasjes së Aristotelit letërsisë dhe estetikës nuk është zbehur as sot prandaj ajo paraqet veprën e pakapërcyeshme dhe në bashkëkohësinë tonë”.

Edhe në letërsinë tonë kjo vepër e Aristotelit është vlerësuar lart.

Mjaftojnë këto mendime për të thënë se marrja me veprën e Aristotelit “Qasje artit poetik” nuk nënkupton vetëm t’i qasesh dhe ta vështrosh mendimin e këtij dijetari të jashtëzakonshëm, dëshmuar dhe në këtë vepër dhe në veprat e tjera që i hartoi ai, por edhe në disa vepra të autorëve para tij, sidomos të Platonit, që u bënë objekt shqyrtimesh të shumta të studiuesve të fushave dhe të periudhave të ndryshme. Rreth kësaj dukurie përkthyesi dhe njëri ndër njohësit më të mirë të Aristotelit, anglezi, S. H. Butcher (Buçer), shkruan: “Poetika e Aristotelit duhet të lexohet në dritën e veprave të tij të tjera; duhet t’i gjejmë fijet që e lidhin teorinë e tij të artit me sistemin e tij të gjithmbarshëm filozofik: duhet të zbulojmë kuptimin që ai i jep ‘shëmbëllimit’ (imitimit, ngjasimit, përngjasimit, pasqyrimit, përtëritjes) si nocion estetik – nocionit fatkeq, të cilin ai, duhet pranuar, e trashëgoi nga paraardhësit, po që për të ardhmen e plotësoi me kuptim të ri”.

Në veprën “Qasje artit poetik”, pra, përkundër që vërehet ndikimi i Platonit, Aristoteli përligji mëvetësinë dhe origjinalitetin e vet dhe krijoi një bazë të rëndësishme nga e cila pastaj dhe u zhvillua dhe u pasurua mendimi teorik, kritik dhe estetik për letërsinë.

Vlerën e “Poetikës” së Aristotelit e përligj edhe ky mendim i studiuesit F. A. Petrovski: “Poetika e Aristotelit mbetet monumenti kryesor i periudhës klasike greke, kushtuar shtjellimit sistematik të problemeve të krijimtarisë artistike, apo teorisë së letërsisë. Vepra monumentale na ka mbërritur në formën që mendonte ta botonte Aristoteli. Kjo të bie në sy dhe në vetë tekstin e ‘Poetikës’, si dhe nga të dhëna të tjera. Kështu p.sh. në ‘Retorikë’ (Libri 8, kapitulli 7, paragrafi 4), Aristoteli bën këtë premtim. “[…] Çfarë kuptoni ju me fjalën pastrim, tani për tani po e zëmë në gojë vetëm si një fjalë të përgjithshme, një shpjegim më të hollësishëm do ta bëjmë në librin mbi ‘Poetikën’. Ky premtim nuk plotësohet, megjithëse në kapitullin e gjashtë të ‘Poetikës’ flitet për ‘pastrim’ (Katarsis), por s’jepet asnjë shpjegim i hollësishëm”.

Poetika e Aristotelit ka një rëndësi të shumëfishtë, për të mos thënë të jashtëzakonshme për arsye se në të vështrohen një varg çështjesh të rëndësishme për letërsinë, në mënyrë të veçantë për dramën dhe për epikën, për rëndësinë e veprës letrare për marrësin (dëgjuesin ose lexuesin), pra për estetikën e autorit, të veprës dhe të marrësit, pastaj për disa lloje – gjini letrare etj. Si e këtillë vepra ndikoi në zhvillimin e mendimit teorik, estetik dhe interpretues të artit letrar të kohës kur u shkrua dhe deri në ditët tona. Kjo gjë përligjet nga një mori studimesh dhe punimesh të mëvonshme, përmes të cilave mendimi teorik dhe estetik i Aristotelit për letërsinë u pasurua, qoftë kur ato (mendimet e studiuesve dhe shkrimtarëve) ishin të ngjashme, qoftë të ndryshme ose kundërshtuese.

Ndikimi i pikëpamjeve të Aristotelit në studimin e letërsisë, nuk u shpreh vetëm nga ato që u thanë në veprën “Qasje artit poetik”, po edhe me ato që ai nuk i ndriçoi dhe nuk i sqaroi mirëfilli, siç janë nocionet mimesisi, katarsisi, dukuritë që lidhen me ditirambin (poezi – këngë kushtuar Hyji Dionisit), poezinë rituale (të përcjella me instrumente), himne dhe poezitë e kënduara për nder të hyjnive, pastaj këngët e shpotisë, këngëve falike etj24., sidomos çështjen e trinitetit (?) në artin e fjalës: lirikë, epikë, dramatikë, që në rrjedhë të shekujve u bë objekt aq i shpeshtë i studimeve letrare.

Dukuritë e vështruara dhe të përcaktuara në “Poetikën” e Aristotelit përligjin mëvetësinë e natyrës së letërsisë, të veprës letrare, të komunikimit dhe të ndikimit estetik të saj në marrësin26. Vepra letrare poetike është krijesë poetike gjuhësore e hapur për të cilën nuk mund të thuhet asnjëherë fjala e fundit; gjithmonë mbetet diçka që mund t’i shtohet, pra të vështrohet nga aspekte e përbërës të ndryshëm. Këtë gjë e kushtëzon fakti se vepra letrare poetike, e cilitdo lloj qoftë ajo, është një strukturim i mëvetësishëm dhe i ndërliqshëm gjuhësor shprehës, ku gjuha poetike, figurshmëria dhe shumësia e mendimeve të shprehura përmes saj e bën atë të papërsëritshme dhe në procesin e receptimit ajo asnjëherë nuk del e njëjtë. Si e këtillë ajo nxit dhe përligj një komunikim dhe ndikim të ndryshëm e shumësor jo vetëm tek marrës të ndryshëm, po dhe tek i njëjti marrës kur e lexon dhe ndikohet nga ajo në kohë, në kushte e në rrethana të ndryshme.

Nga ajo që u tha shtrohet vetvetiu pyetja: mos ndoshta me studimin e disa dukurive letrare në rrafshin teorik, të komunikimit poetik praktik dhe të ndikimit estetik në marrësin, që u dëshmuan në periudha të ndryshme dhe nga autorë të ndryshëm, duke filluar që nga mendimet e Aristotelit dhe të mësuesit të tij, Platonit, ndodhi ajo që e thekson filozofi dhe esteti kroat, Danko Gërliq se vetë studimi i vijueshëm dhe i ndryshëm i dukurive teorike, estetike dhe praktike të veprës letrare si forma më e qenësishme e amëzimit – të artit të fjalës, përligj njëkohësisht zhvillimin dhe pasurimin, edhe atëherë kur mendimet – vlerësimet nuk janë të njënishme, të afërta ose janë kundërshtuese, siç ndodhi me estetikën si disiplinë e filozofisë dhe të ndryshimit që ajo përjetoi nëpër kohë: “[…] estetika gjithnjë rishtas gjatë historisë e përkufizonte objektin e saj. Më në fund edhe vetë fakti i problematizimit dhe i historizmit të vetë lëndës së estetikës e dëshmon pjesërisht karakterin filozofik të kësaj ‘disipline’. Derisa shkencëtarët e tjerë e dinë lëndën e shkencës së tyre, që është përcaktuar që moti – madje është fyerje edhe t’i pyesësh për të – estetika filozofike duhet ta shtrojë vazhdimisht, lirisht, pyetjen pikërisht për këtë çështje të parë, fundamentale, ‘fillestare’, madje në mënyrë aq më të thellë e më radikale sa më tepër të jetë filozofike dhe sa më me të drejtë ta mbajë emrin estetikë”.

Tri janë, pos të tjerash, çështjet kryesore që më shtynë t’i qasem dhe ta vëzhgoj “Poetikën” e Aristotelit:

1. Në këtë vepër, në një mënyrë ose në një tjetër, Aristoteli sublimoi përvojën dhe dijen për letërsinë e kohës së tij dhe të paraardhësve të tij, Empedoklit, Sokratit, Demokritit, sidomos mendimet e Platonit29. Letërsia që u krijua në gjuhën e lashtë greke në kohën e Aristotelit u mbështet në letërsinë që u zhvillua edhe më parë, qoftë ajo e traditës gojore, qoftë e traditës së shkruar. Pra, njohja me pikëpamjet e Aristotelit dhe me veprat që ai i përmend, nuk nënkupton vetëm njohjen e mendimeve të tij dhe të veprave përkatëse, po shumë më gjerë.

2. Njohja e mendimit të Aristotelit për letërsinë, mënyra se si lindin veprat mbi bazën e mimesisit, njohja e natyrës së poezisë (lexo: Letërsisë) përballë historisë, pastaj njohja e veçantive të llojeve – gjinive letrare, sidomos të tragjedisë dhe të epikës, të mundësisë së ndikimit të së bukurës të veprës letrare poetike në marrësin, të dukurisë së katarsës, që shprehet sidomos gjatë shfaqjes në skenë të veprës dramatike, ndihmon të vërejmë sa ka ndryshuar dhe sa ka shkuar përpara mendimi teorik, estetik dhe interpretues i letërsisë dhe i veprave të veçanta letrare përballë asaj që ka thënë Aristoteli rreth 2300 vjet më parë.

3. Duke u marrë me mendimet e Aristotelit për letërsinë i jepet jetë studimit të mëtejshëm të saj, i cili ka për detyrë të dëshmojë që letërsia si art të bëhet e të jetë pjesë e pandashme e veprimtarisë shpirtërore të njeriut, që sot funksionon dhe përcillet, pra dhe ndikon, përmes mjeteve të ndryshme bashkëkohore teknologjike, e jo vetëm përmes leximit të librit ose shfaqjes së veprës në skenë.

Në këtë hyrje e shoh të nevojshme të përmend faktin se përkthimet në shqip të “Poetikës” së Aristotelit jo gjithmonë përligjin thellësinë dhe saktësinë e origjinalit, për çka jam bindur edhe duke i krahasuar me përkthimet që i kam shfrytëzuar në gjuhë të ndryshme, siç përligjet dhe në këtë mendim: “Ndonëse edhe këtu, natyrisht, si edhe përgjithësisht kur është fjala për filozofi autentike, asnjë interpretim nuk mund ta zëvendësojë leximin e tekstit filozofik origjinal, të përcjellë me asociacione të pavarura dhe me përpjekje të interpretimit vetjak kritik. Vërtet mund të jepet një ndihmë në interpretimin dhe analizën, por interpretimi i vërtetë është ai që rrjedh nga pyetjet dhe kërkimet vetjake, sepse nuk mund të filozofohet për tjetrin sikurse nuk mund as të jetohet për tjetrin”.

Në fund më duhet të them se vëzhgimi i pikëpamjeve të Aristotelit shprehur në veprën “Qasje artit poetik” – “Poetika”, përkatësisht qasja mendimeve të tij për artin e fjalës, nuk domethënë kthim prapa, kodifikim i përcaktimeve të dukurive të letërsisë, po njohje më e mirë, hapje dhe pasurim i mendimeve dhe i vlerësimeve, vetëdijesim i mundësive të pafund të komunikimit dhe të interpretimit të veprës letrare si strukturë gjuhësore poetike, në kuptimin sidomos të asaj që thoshte me të drejtë Gadamer-i: “Tradita nuk është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri”.

Me këtë rast dua t’u shpreh falënderimin tim Abdullah Zenelit dhe birit tim, Labinotit, për mbështetjen dhe ndihmën që më dhanë për hartimin e këtij studimi.

Prishtinë, qershor 2018./ KultPlus.com

Në shqip nuk duhet të fillojë fjalia me por dhe me prandaj

Shkruan Anton Nikë Berisha.

(Dukuri të gjymtimit dhe të shëmtimit të gjuhës sonë)

0 Dukuria e përdorimit të fjalëve të huaja, kur e kemi fjalën në gjuhën tonë, përligj shëmtimin dhe rrënimin e gjuhës

Krahas dukurive të shëmtuara që e cilësojnë rrjedhën e përditshmërisë sonë, janë dhe disa dukuri që dëshmojnë për gjymtime dhe shëmtime të gjuhës sonë – të vetmit përbërës të qenësishëm kombëtare që na dallon nga të tjerët. Këto gjymtime dhe shëmtime i vërejmë në punime të autorëve të ndryshëm, qoftë të botuara në gazeta dhe revista, qoftë në botime të veçanta, sidomos në përkthimet letrare.

Gjymtimi dhe shëmtimi i gjuhës sonë të shkruar sot përligjet sidomos përmes dy mënyrave:

1. përmes shtjellimit gjuhësor sintaksor dhe
2. përmes përdorimit të panevojshëm të fjalëve dhe të shprehjeve të huaja.

Të dy mënyrat janë të dëmshme dhe me pasoja të mëdha.

Është e njohur se leksiku (fjalët) është thesari i një gjuhe, po natyrën e mirëfilltë të saj e bën shtjellimi sintaksor. Me një fjalë, vetëm me mënyrën e shtjellimit të fjalisë, pra në rrafshin sintaksor, përligjet burimësia dhe veçantitë e një gjuhe kombëtare.

Në këtë rrjedhë, po veçoj këtu vetëm dy raste që dëshmojnë shëmtimin e gjuhës sonë: fillimi i fjalisë me por dhe me prandaj.

Të dyja këto fjalë janë lidhëse dhe është e çuditshme që jo vetëm autorë të rëndomtë, por edhe gjuhëtarë i përdorin këto forma.

Dukurinë e kam vërejtur sidomos në përkthimet tona letrare. Brenda një romani të përkthyer, fjala vjen, fjalia fillon me qindra herë me por. Në qoftë se do t’i lejonim vetes dhe ta hiqnin por-in në fillim të fjalisë, në qenësi nuk do të mungonte asgjë. E njëjta gjë do të ndodhte sikur në vend të pikës të vinim një presje dhe fjalinë ta vazhdonim me por (natyrisht duke e shkruar me germë të vogël).

Rëndom lidhëset por dhe prandaj vijnë pas fjalisë kryesore dhe pas presjes. Këtë rregull e gjejmë të thuash në secilën libër të mirëfilltë të sintaksës së gjuhës sonë.

Edhe në fjalorin e gjuhës shqipe jepen një varg shembujsh ku lidhëset por dhe prandaj përdoren pas presjes (natyrisht këtu nuk e shoh të arsyeshme të sjell ndonjë shembull).

Po kështu përdorimi i fjalëve të huaja përligj një shëmtim dhe një rrënim të madh të gjuhës sonë të bërë nga ne vetë. Në qoftë se përdorimi i fjalëve në disa shkenca fundamentale si në kimi, fizikë, astronomi e të ngjashme është deri diku i arsyeshëm (kur na mungojnë fjalët), në veprat letrare poetike kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë. Shkrimtari i mirë, gjurmues i mirëfilltë i leksikut dhe i shtjellimit të tekstit, i gjen shprehjet poetike me kuptime të përafërta apo të ngjashme. Tek e fundit në një vepër letrare të shkruar në gjuhën shqipe, shkrimtari nuk çmohet për diçka tjetër, por për pasurinë dhe për pastërtinë e gjuhës që përdor, sidomos të gjuhës poetike.

Nuk janë vetëm fjalët që e shëmtojnë të shprehurit poetik të veprave të shkruara në gjuhën tonë, si favor, objektiv, transparent, surprizë, lavaman, denoncim, kadaver, çimiter, dimension, konservoj, preferim, disheza etj. po shprehjet e tëra që e shkatërrojnë mirëfilli dhe prozën më artistike: ia bëri një favor, e kishte shtatit teknikisht, e arriti objektivin e të ngjashme.

Në fund po e përsëris një mendim që e kam thënë në studimin tim “Poetika e fjalëve të gurta – Qasje veprës poetike të Azem Shkrelit” (Argeta LMG, Tiranë 2011): krijuesi që gjakon dhe shpreh rrafshin më të lartë poetik, shpreh rrafshin më të lartë të vetëdijes kombëtare.

Prishtinë, prill 2018

Rreth krijimtarisë studimore të Ibrahim Rugovës

Shkruan Anton Nikë Berisha.

Në fushën e studimit të letërsisë Ibrahim Rugova la një trashëgimi sa të pasur aq dhe të veçantë. Kjo dëshmohet me një varg veprash vlerash të mëdha, ku ndriçohen çështje teorike dhe estetike të letërsisë si art i fjalës dhe interpretohen një varg veprash letrare si tërësi tekstore shprehëse dhe kuptimore si, fjala vjen, Prekje lirike (1971), Kah teoria (1978), Strategjia e kuptimit (1980), Vepra e Bogdanit 1675 – 1685 (1982), Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986), Refuzimi estetik (1987).

Ato dallohen jo vetëm për shumësinë e dukurive që vështrohen, për interpretimet e veprave të letërsisë shqipe dhe të letërsive të tjera, po dhe për qasjen moderne të tyre, ku përdoret një sistem i pasur nocionesh që zbatohet në studimet e letërsive të mëdha. Kjo gjë e shkëputi studimin tonë letrar nga qasje pozitiviste që ishte ngulitur thellë në të.
Veprën letrare poetike Ibrahim Rugova e vështroi në kompleksitetin teorik dhe të realizimit praktik, në tërësinë e funksionimit e të pranimit të veprës e të ndikimit estetik të saj në marrësin. Duke e parë dhe studiuar veprën letrare si fenomen të hapur e kompleks, Rugova hulumtoi aspektin konotativ – kuptimor, si rezultat i strukturimit të veçantë gjuhësor – poetik, pra vrojtoi çka mund të thotë një vepër letrare, sidomos formën dhe mënyrën si thuhet ajo. Brenda këtij përimtimi të veprës letrare dhe procesit kompleks të formësimit, Rugova zbatoi sistemin e vet të mendimit, të aplikimit dhe të realizimit të tij. Për t’ia dalë kësaj atij i ndihmoi njohja e mirë e teorisë dhe e praktikës letrare. Mendimi i tij për disa dukuri letrare e sidomos për disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, si ato të Xoxes, Kadaresë, Podrimjes, etj. nuk del apriori imponues. Thellësia dhe ngjeshësia e mendimit të tij pasojnë nga konceptimi, organizimi, shkoqitja – analizimi i fenomeneve që i merr në shqyrtim. Autori nuk thotë dhe nuk e sforcon qëllimisht pohimin me shprehje retorike, por nëpërmjet mendimit të qëndrueshëm, si rrjedhojë e studimit dhe e analizës paraprake përkushtuese.

Në studimet e veta Ibrahim Rugova gjithmonë la mundësinë e vështrimit të dukurive edhe nga pikëvështrime të tjera, madje edhe të ndryshme nga ato që i bën ai. Kjo ndodh meqë vepra letrare vështrohet si fenomen që secili e lexon dhe vë komunikim në mënyrën e vet, varësisht nga niveli i përgatitjes teorike dhe i njohjes së praktikës letrare, estetikës receptive, por edhe më gjerë. Për këtë arsye nëse me të drejtë thuhet se kritika dhe interpretimi objektiv dhe thellësisht kreativ ia shton vlerën veprës letrare, zgjeron dhe thellon kuptimin e ekzistimit e të ndikimit, shpalos strukturimin e botës poetike të veprës letrare, pra ekzistencën dhe qenësinë e saj, atëherë një gjë e tillë realizohet në mënyrë të ndjeshme dhe të veçantë në veprat e Rugovës. Sistemi i ngritur i koncepteve, përkatësisht standardizimi i tyre, pa të cilin nuk mund të mendohet studimi modern dhe bashkëkohës, i japin veprës së tij një dimension të ndjeshëm koherencës së mendimit dhe të interpretimit. Me veprat e tij saktësohet dhe funksionalizohet matagjuha e shkencës së letërsisë në kulturën tonë.

Mund të thuhet se çdo libër i tij i botuar paraqiti një çast të shënuar brenda mendimit tonë letrar teorik e kritik. Kështu në veprën e parë teorike interpretuese Prekje lirike (1971) me një gjuhë të veçantë shprehëse ai depërtoi thellë në esencat lirike e kuptimore të poezisë së disa poetëve më të njohur botërorë e shqiptarë si, fjala vjen, Bodlerit, Jeseninit, Lorkës, Preverit, pastaj Nolit, Migjenit, Serembes etj. Nëpërmjet gjuhës poetike-interpretuese thellohet në tiparet dhe cilësitë artistike e estetike të poezive të shqyrtuara dhe arrin një identifikim të plotë me forcën lirike e komunikuese të krijimit – si shprehësi e përjetësisë poetike.

Kështu ngjet edhe me veprën Kah teoria (1978), ku letërsia vështrohet si diferentia specifica dhe problemet e saj qenësore i trajton në rrjedhën e përgjithshme të mendimit teorik e kritik, pra sjell një informacion të rëndësishëm, të drejtpërdrejtë, nga kulturat dhe letërsitë e tjera.

Këtë mënyrë studimi të letërsisë, të dukurive e të veprave konkrete letrare Rugova e pasuroi dhe me librin Strategjia e kuptimit, që është një verifikim i ri i aftësisë së tij që të merret me çështje konkrete të studimit dhe të interpretimit të veprës letrare e të dukurive të saj, ku sintetizohet e realizohet praktika letrare – vështrimi dhe interpretimi i veprës letrare si unitet formësor, kuptimor e artistik. Strategjia e kuptimit dëshmon për cilësinë dhe vetëdijesimin e mendimit tonë teorik dhe estetik; shpreh përbashkimin e teorisë dhe të praktikës letrare – një artikulim dhe interpretim modern të problemeve të artit të fjalës në përgjithësi e sidomos të veprës letrare në veçanti. Për herë të parë brenda mendimit tonë kritik letrar dhe estetik përligjet njohja e thellë e teorisë në shqiptimin dhe analizimin e dukurive të veprës letrare në planin konotativ, ku veçanërisht shprehet saktësia dhe preciziteti i konceptimit të objektit të shtruar, i të shprehurit e i të menduarit nëpërmjet metagjuhës; një kohezion i logjikës vetëzotëruese, funksionale e nxitëse, një siguri për të komunikuar me probleme ontologjike të letërsisë dhe të veprës letrare, pa e imponuar çështjen e shtruar, por duke e shprehur nëpërmjet kuptimësisë sintetizuese individuale dhe gjithnjë duke e ndërlidhur atë në një kontekst më të gjerë. Rugova në mënyrë të vijueshme gjakon kuptimin në veprën letrare në një varshmëri e kushtëzim të ndërsjellë me përbërësit e tjerë qenësorë si, fjala vjen, shtresat e rrëfimit artistik, imazhet, figuracionin etj. Ai vë në dukje se vepra artistike është fakt artistik, ku vërtetohen një apo disa ide dhe pikëpamje, të mënyrës shtjelluese artistike, çka shpreh baraspeshën e një të vërtete që kërkohet të theksohet e të afirmohet.

Çështjen e shpalimit të kuptimit në veprën letrare autori e zhvillon në mënyrë aplikative dhe vë në dukje se është i domosdoshëm cilësimi i kuptimit dhe i cilësimit të kuptimit, domethënë i kuptimit të zbatuar në veprën letrare dhe i atij që i ia japim ne. Autori konstaton se kuptimi nuk mund të zëvendësohet me përmbajtjen e forma me strukturën, as anasjelltas, sepse vetë ky është finalitet i këtij organizimi organik që quhet vepër e realizuar përmes shkrimit.

Studimin e dukurive teorike, estetike dhe interpretuese Rugova e pasuroi edhe me librin Refuzimi estetik (1987), ku arti letrar, sidomos vepra letrare dhe mundësia e komunikimit dhe e ndikimit të saj në lexuesin vështrohet në një këndvështrim sa të ndërliqshëm, aq dhe modern, duke e parë atë si një tërësi shumësore përbërësish dhe mesazhesh poetike e jo si porosi dhe këshillë, siç e parapëlqente dhe e shprehte studimi pozitivist. Ai ngrihet kundër imponimit në letërsi, kundër përcaktimeve politike e ideologjike dhe i jep përparësi qasjes dhe interpretimit të lirë e kompleks të përbërësve poetikë të veprës letrare dhe rëndësisë së ndikimit të saj estetik në lexuesin.
Në rrafshin e interpretimit të veprave konkrete, studimi monografik Vepra e Bogdanit 1675 – 1685, dëshmon aftësinë dhe dijen e tij të lartë, të ballafaqohet dhe të vërë komunikim me tekste të ndërliqshme siç është Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve) e Pjetër Bogdanit, e shkruar në gjuhën shqipe qysh më 1675 dhe e botuar në shqip dhe e përkthyer në italisht më 1685 (në Padovë).

Cuneusi i Pjetër Bogdanit i doli Rugovës si një vepër monumentale e letërsisë sonë të vjetër, por edhe e letërsisë sonë në përgjithësi, në të cilën për herë të parë në gjuhën shqipe, në një nivel, me një gjerësi e me kompetencë të lartësuar shtrohen, theksohen e shkoqiten probleme të rëndësishme teologjike, filozofike, letrare, estetike, kosmogonike etj. Ato nuk janë shtruar dhe konceptuar rastësisht dhe dosido, sepse, si thekson autori, Çeta “[…] nuk është (vepër) thjesht speciale, që i kushtohet vetëm një problemi të veçantë. Për kah ideja themelore mund të konsiderohet si e tillë, po për nga problemet e shumta, marrë në planin metodologjik, është vepër universale, sepse përfshin dhe përmban në vete, në objektin e vrojtimit dhe të shqyrtimit të vet, disa klasematika problemesh e çështjesh rreth një apo disa ideve qendrore e esenciale, prandaj e gjithë vepra është një praktikë filozofike, një filozofim i pasur dhe i thelluar me argumente mbi krijimin, marrë në kuptimin më të gjerë dhe mbi jetën dhe përvojën njerëzore në planin e vendosjes dhe të shqyrtimit”. Të gjitha këto, vijon Rugova, përligjen në këtë vepër me “Një ligjërim intelektual e energjik në krijim dhe në formulim”.

Rugova i qaset dhe e zbërthen konceptin teologjik në veprën e Bogdanit, historinë e ekzistencës së njeriut – qenien e pavarur (ente independente) – Zotin, por edhe çështje të filozofisë së Mesjetës, me të cilat teologjia, (në kohën e Bogdanit) ishte në një lidhje të fortë; ato bashkëjetonin dhe bashkëvepronin ngushtësisht me njëra – tjetrën. Në veprën Cuneus Prophetarum Rugova sheh fillet e prozës shqiptare të shkruar – si dëshmi ekzistimi dhe formimi të gjuhës shqipe si gjuhë poetike dhe të aftësisë së saj komunikuese.

Duke e studiuar me përkushtim veprën Çeta e profetëve të Bogdanit, Rugova dëshmoi thellësinë e vrojtimit të problemeve, qoftë kur bëri fjalë për ato teologjike e filozofike, për raportin varësor dhe kushtëzues, pra për përkimet e teorisë dhe të praktikës së teologjisë dhe filozofisë (historia e ekzistencës, triniteti, filozofia e natyrës, trupi-shpirti, natyra naturans – mimesisi, teoria e dy të vërtetave, kategoritë estetike etj.), për kategorinë e kohës e të hapësirës (koha esenciale dhe koha ekzistenciale, mitologjia etj.), qoftë për praktikën teorike letrare e poetike, për stilin, tiparet e ligjëratës etj. Qasjen dhe interpretimin e shumë dukurive të veçanta ai nuk i bëri që të dëshmojë heterogjenitetin e veprës së Bogdanit, por të paraqitjes, të interpretimit dhe të përafrimit të saj sa më të përshtatshëm me preokupimet dhe botëkuptimin e lexuesit të sotëm. Ai jo vetëm shkoqiti dhe i përafroi shumë mendime të Bogdanit me ato që janë aktuale në shkencën e sotme të letërsisë, por i bën dhe një interpretim të thukët poezisë origjinale të Pjetër Bogdanit e të Lukë Bogdanit, sidomos Sibilave, të botuara në “Çetën e profetëve”.

Nëse kemi parasysh mendimin e Albert Stratikoit, të cituar si kryemoto në librin e Rugovës, se “Ceneusi” i Bogdanit – “lë të jetë objekt vërtet i denjë për studime të mëdha jo vetëm për shqiptarët, por edhe për dijetarët e kombeve të tjera”, atëherë themi me plot gojë se me veprën e vet Ibrahim Rugova vuri një gurthemel në paraqitjen dhe studimin modern të veprës së Bogdanit dhe hapi kështu rrugën për studime të tjera, të specializuara, që pasuan ose do të duhej të bëheshin në ndriçimin e shumë aspekteve të saj, sepse siç pohon Rugova, “sa më shumë do ta çmojmë e vlerësojmë këtë vepër, aq më shumë do të na çmojnë të tjerët…”

Edhe vepra studimore Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986) e përligj seriozitetin dhe aftësinë e Rugovës për t’u marrë dhe për t’i ndriçuar rrjedhat e mendimit tonë teorike kritik dhe interpretuese në një periudhë kohore mjaft të gjatë.
Në fund po përmend faktin se me veprat e veta teorike dhe interpretuese Ibrahim Rugova përftoi bazën më cilësore dhe më të ngritur në fushën e studimit të artit të fjalës në gjuhën tonë.

Anton Nikë Berisha dhe studimet e tij për letërsinë gojore arbëreshe

Shkruan: Bardhosh Gaçe

Vlerësimeve shkrimore për studiuesit e kulturës shpirtërore dhe letërsisë së një populli gjithmonë diçka u mungon, pasi brenda tyre përherë shpërfaqet një dyshim shpirtëror dhe intelektual, nëse ai është kapur pas hallkës së nevojshme dhe a e plotëson detyrimin e tij. Kjo detyrë dhe dyshim intelektual bëhet akoma më i madh dhe më reflektues, sa herë që gjendesh para universit të kulturës, konstitucionit shpirtëror dhe letërsisë gojore arbëreshe.

Studiuesin Anton Nikë Berisha kam dëshirë ta këndvështroj në këtë betejë të gjatë dhe të pambaruar, pasi veprimtaria krijuese dhe studimore e tij është e pasur dhe interesante, duke përmbushur një ndërmarrje të vështirë dhe sfiduese në fushën e letërsisë. Zakonisht njerëzit në jetë kanë pasur arsye të mëdha për të marrë vendime të rëndësishme. Për një studiues këto vendime janë të vështira, pasi fusha e studimeve është një udhëtim i gjatë me shumë shtigje dhe të papritura, ndërsa sedra e tyre prej shkencëtarësh të mirë dhe korrekt bën mrekulli.

Anton Nikë Berisha iu përkushtua aventurës së kulturës, artit, letërsisë dhe gjurmimit të universit arbëresh. Ka qenë një zgjedhje e zgjuar, jo vetëm për larminë që ka kjo kulturë dhe univers shpirtëror, por dhe për kompleksitetin e saj, e cila e çon studiuesin e çdo lloji në shtigje dhe realitete të mrekullueshme, që të mbushin me kulturë dhe dije. Të gjithë studiuesit që janë marrë me kulturën, folklorin, letërsinë, gjuhën, arsimin, traditën arbëreshe janë kompletuar me një motiv të qartë atdhetar dhe historik shqiptar, janë kompletuar me një përvojë dhe traditë të shkëlqyer të njerëzve me dije të larta që nga De Rada dhe gjithë plejada tjetër e njerëzve të ndritur, që punuan për kulturën arbëreshe dhe vazhdojnë të punojnë dhe sot e kësaj dite.

Realisht Anton Nikë Berisha ka zgjedhur një rrugë të vështirë, një rrugë të mundimshme shkencore, në të cilën pleksen kultura e të nxënit të ideve, kërkimi, gjurmimi, interpretimi, kreativiteti, puna si krijues dhe si filolog, njohja e konteksteve kulturologjike brenda dhe jashtë obligimit intelektual dhe shumë çështjesh të tjera. Po ashtu, studiuesi Anton Nikë Berisha për arsyet fondamentale të njohura nga të gjithë studiuesit shqiptar dhe arbëresh, është dakordësuar dhe me mendimin tonë, se letërsia arbëreshe në të gjithë format dhe kontekstet e saj është një obligim i detyrueshëm për studime, interpretime dhe vlerësime më të thella, komplekse e të vazhdueshme.

Studiuesi është i njohur për shumë arsye në të gjithë rrethanat dhe nivelet intelektuale shqiptare në veçanti, por dhe ato ndërkombëtare, me ç’rast ka treguar dhe po tregon një punë, inteligjencë dhe racionalitet të mençur, për t’i shkuar në fund një pune të nisur, sado e vështirë të jetë ajo, por ç’është më e rëndësishme, ai shquhet për një shqisë të hollë; intelektin prej shkencëtari të vërtetë dhe produktiv.

Në fondamentet më të njohura të popujve, pavarësisht arritjeve në nivelet e dijes dhe krijimit të mendësive apo praktikave të reja, të njohura si moderne, kultura dhe trashëgimia e hershme e letërsisë gojore të këtyre popujve ka mbetur e artë. Në jo pak raste, në jo pak herë, ky fondament ka qenë kaq i rëndësishëm për fate konkrete të këtyre popujve, pasi shoqëria njerëzore ka prodhuar rregulla korrekte në raportet mes të drejtës autoktone dhe të drejtës historike.

Sa herë që flitet për kulturën popullore, me të drejtë ne shqiptarët nuk mund t’i largohemi kurrsesi përplasjeve e debateve të njohura në rrethet akademike ballkanase, për çështje të tilla, që kanë marrë zgjidhje dhe do të vijojnë të marrin nga dëshmitë e kulturës sonë të lashtë.
Në rrugëtimin kërkimor dhe shkencor të Anton Nikë Berishës, krahas hulumtimeve të tjera, të bien në sy edhe studimet e tij komplekse: “Antologji e poezisë gojore arbëreshe” (1998), “Mbi letërsinë e arbëreshëve të Italisë” (2000), “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” (2001), si dhe “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” (2008) etj. Studiuesi, gati në të gjithë veprimtarinë e tij studimore dhe shkencore mbi kulturën arbëreshe në veçanti, krahas profilitetit skrupuloz, kërkimit dhe natyrës krahasuese të çështjeve që ka shtruar, ai duket se ka mbushur gjithmonë diçka në vendin bosh që ka pasur një çështje e një tjetër, d.m.th ai ka arritur të vërë gurë të qëndrueshëm në murin e mundimshëm të dijes sonë.

Studimin e titulluar “Mbi poezinë gojore të arbëreshëve të Italisë”, studiuesi e fillon me një krye-temë të mrekullueshme, që duket se e ka udhëhequr dhe vijon ta mbajë rreth vetes në mënyrë të vazhdueshme. Autori shkruan: “Në procesin e formimit, të gjallimit e të zhvillimit të popullit shqiptar letërsia gojore me llojet e saj, luajtën një rol të rëndësishëm dhe të vijueshëm që nga kohët e lashta. Krijuesit gojorë nëpërmjet këngëve dhe llojeve të ndryshme të prozës (përrallës, kallëzimit, anekdotës) ose urimeve, mallkimeve, fjalëve të urta etj., shprehën botën e tyre të brendshme dhe shfaqën ndjenjat dhe mendimet e tyre për jetën, për veprimin dhe për fatin e njeriut, për natyrën dhe për dukuri të saj”. (Anton Nikë Berisha, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Luigi Pellegrini Editore”, Collana di Leteratura Albanese, Itali 2008, fq.25)

Në thellim të veprimtarisë së vet kërkimore dhe shkencore, Anton Nikë Berisha, me botimin e përmbledhjes “Antologji e poezisë gojore arbëreshe”, bëri të mundur të përfshijë në të një visar të begatë të trashëgimisë gojore arbëreshe, duke e qëmtuar atë me skrupolozitet në 24 burime të ndryshme, nëpër botime të veçanta, nëpër revista dhe dorëshkrime, siç është “Dorëshkrimi i Kientit” 1736-1750 etj.

Krijimtaria popullore e përfshirë në këtë botim, e cila ka bërë një jetë folklorike për gati tre shekujsh, nën transkriptimin e Prof. Françesko Altimarit, na përcjell vlera të rralla për receptivin e mesazheve të tyre, duke dëshmuar edhe një nivel të lartë artistik nëpërmjet formave të lashta, riteve, miteve, legjendare, nëpër të cilat ngjizen edhe ndryshimet e tjetërsimit midis botës njerëzore, mitike dhe legjendare, një pjesë e të cilave kanë përhumbur nëpër shekuj.

Si në parathënie edhe në studimin e gjatë të A. N. Berishës “Mbi poezinë gojore të arbëreshëve të Italisë”, studiuesi na bën me dije, se dy janë arsyet që ndërmori botimin e kësaj Antologjie, nevoja që poezia gojore arbëreshe, me vlerat dhe cilësitë e shumta poetike dhe kuptimore që bart, të bëhet pjesë e gjallimit letrar e artistik të botës arbëreshe e shqiptare, por edhe e asaj italiane. Nga ana tjetër, ai thekson se pa njohjen e mirëfilltë të poezisë gojore arbëreshe, studimet dhe interpretimet e letërsisë së kultivuar arbëreshe do të ishin të mangëta.

Në të 108 poezitë gojore arbëreshe përfshihen ninulla, lirika të dashurisë, lirika familjare, vajtime, balada, këngë legjendare, mitike dhe ato të epikës historike, si: “Mëma e ka nj’bir si dielli”, “Vashëz t’bukur çë m’ka mëma”, “Flëj, flëj, zambra ime”, “Luan një vashë me një moll”, “Hënëz e diell çë kur m’u leve”, “Ishin tri vasha të mira”, “Vinej një trim zallit e lumit”, “Trimi e zu e më puthi”, “Hapu mal e bëju udhë”, “Gjithë e veshur ndë të zeza”, “Kënka e Pal Golemit”, “Se ti zoti Pjetro Shin”, “Vu spërvjerët Skënderbeku”, “Nik Peta i lavosur”, “Hanij bukë Skënderbeku”, “Kostandini i vogëlith”, “Kostandini e Garentina”, “Olimbia e Vllastari”, “Fërshëlluan di zogë” etj., në të cilat mbizotërojnë rrëfimi lirik dhe epik.

Shpesh, brenda strukturës së teksteve poetike shpërfaqen tablo të gjera e të thella, duke nxjerrë në dritë mesazhe, ndjenja e përjetime të fuqishme mbi jetën dhe fatin e arbëreshëve, gëzimet dhe brengat e tyre, botën mitologjike dhe legjendare, ndodhitë historike e dukuritë natyrore, të cilat këndohen e vallëzohen ende në vatrat arbëreshe.

Lehtësisht, duke iu referuar sintagmave “procesin e formimit”, “të gjallimit”, “të zhvillimit të popullit shqiptar”, kupton marrëdhënien dhe referencën e gjerë që studiuesi ka me punën dhe detyrën e tij, si dhe sa ai e vlerëson kulturën popullore dhe detyrimi i tij si studiues që buron nga të marrit me të. Madje konstatimi i studiuesit shkon deri në thelbin racional dhe përgjithësues të kulturës popullore në të gjitha format e shfaqjes, pasi gjithë kultura e mëvonshme historike dhe konceptet moderne të sotme janë vendosur mbi këtë bazament të fortë të hershëm popullor.

Një nga çështjet e rëndësishme në interpretimin e poezisë gojore shqiptare, rrjedhimisht dhe asaj arbëreshe, është ajo që ka të bëjë me vjetërsinë e saj. Studimet e Anton Nikë Berishës ri konfirmojnë shënimet e Strabonit (viti 54 para Krishtit) apo historiani venecian Antonio Sabeliku (viti 1474), Marin Barleti, Buzuku, Budi dhe shumë autorë të tjerë të besueshëm, të cilët konfirmojnë se poezia gojore shqiptare është e hershme dhe përbën një lloj tradite të njohur, për të cilën sot nuk ka asnjë dyshim. Ky është një fakt i rëndësishëm jo vetëm për studiuesin në fjalë, por për vetë poezinë gojore popullore shqiptare dhe atë arbëreshe, e cila konsiderohet një lloj arkivi për kulturën popullore shqiptare.

I rëndësishëm është dhe një fakt tjetër, që studiuesi A. N. Berisha e evidenton si një arsye të rëndësishme në interpretimin dhe idetë që ai ka për poezinë gojore arbëreshe, që lidhet dhe me rapsodinë e parë arbëreshe, të njohur deri më tash, siç është rapsodia arbëreshe e Pal Golemit, e shënuar kryesisht në vitin 1693, një periudhë kohore kur ishin të njohura veprimtaria shkrimore e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Marin Barletit dhe autorë të tjerë që na bëjnë me dije edhe për poezinë gojore popullore. Ky është një fakt i rëndësishëm studimor, pasi rapsodia e parë është evidentuar kryesisht ndër arbëreshët e Italisë.

Studiuesi Anton Nikë Berisha, pavarësisht objektit specifik të studimit të tij, kryesisht atë të poezisë gojore arbëreshe, ka gjetur vendin dhe rastin të prezantojë idetë, perceptimet dhe argumentet e domosdoshme për të vënë në vlerë dhe në konsideratë krijimtarinë popullore në përgjithësi. Ai argumenton qartë rëndësinë e kultivimit dhe të kthim vëmendjes së studimit të vazhdueshëm të poezisë popullore, pasi dy arsye e justifikojnë këtë çështje, pasi, ajo (poezia popullore arbëreshe) trajtoi dhe shqiptoi botën dhe shpirtin shqiptar në harmoni shpirtërore dhe virtytet, ngjarjet historike dhe ato jetësore, por dhe se në shekuj shërbeu si një mjet dhe formë e shkëlqyer komunikimi, duke përgatitur terrenin e shëndetshëm të letërsisë artistike të shkruar. Në këtë kuptim dhe kompleks racional, poezia popullore duket se ka një receptivitet të madh dhe nuk mund të mbetet në një stere të thatë.

Historia e poezisë gojore arbëreshe, për shkaqet e njohura historike është një mundësi e mirë dhe një motiv më shumë për një studiues të kësaj krijimtarie,e cila pavarësisht pavarësisë tërësore që ajo ka, ka arritur t’i ruajë mrekullisht ekuilibrat e veta, për të përcjellë mesazhet dhe vlerat e duhura dhe në ditët e sotme.

Çështjet e pavarësisë tërësore që poezia gojore shqiptare, rrjedhimisht ajo arbëreshe, mbart në elementët e stadit të vjetër tematik, format e saja të lashta, por dhe shtresat e shumta kuptimore, janë të tilla për shkakun e nevojës apo dëshirës për një komunikim të gjerë dhe të pa kontrolluar në rregullat zhanrore.

Të gjendurit e ndjenjave, mendimeve, meditimeve, dhimbjeve, urrejtjeve dhe dashurive, fateve dhe fatkeqësive, dramacitetit dhe tragjedive, kuptohet qartë se në këtë regjistër të besueshëm dhe të organizuar lirshëm dhe thjeshtësisht, janë elementet racionale të “kronikës’ arbëreshe në aventurën e “atdheut të ri”, që ata ishin të detyruar ta krijonin dhe ta donin në kushtet e reja historike. Jehona e të kaluarës, legjendat mitike, një lloj romantizmi dhe mjediset baritore, karakteret prej luftëtarësh të personazheve të këngëve dhe shumë “aksesorë” të tjerë, që duken prezentë në poezinë gojore arbëreshe, shpjegojnë mjedisin dhe sfondin historik në të cilat u evokuan apo u krijuan këto poezi gojore.
Krahas vlerësimit të zakonshëm të formës kryesore të lirizmit dhe epizmit, që përgjithësisht karakterizohet që nga praktikat më të hershme të poezisë gojore popullore shqiptare- arbëreshe, studiuesi qëmton hollë se çfarë e tematizon zakonisht rrëfimin epik, si një strukturë e lashtë e këtyre krijimeve, ku duken elementë natyrorë, personifikime, hiperbolizime dhe mitizimi, si një lidhje e fortë tradicionalisht e njohur tek eposi i kreshnikëve dhe zgjatimet e mëvonshme të fillimit të epikës historike, e cila ka të bëjë me personazhe që sapo kanë lënë kohën e legjendave. Kënga e njohur “Konstandini dhe Garentina” dhe “Konstandini i Vogëlith”, të cilat duket se mjedisin e hershëm arbëresh e kanë si tokën e tyre, janë modeli i rrëfimit epik të poezisë gojore arbëreshe dhe asaj shqiptare në përgjithësi.

Studiuesi, në hulumtimin e tij të thellë shpjegon të gjithë elementët “anatomik” të këtyre krijimeve, si realitet dhe fiksion, elementët kohorë, distanca mes krijimit dhe “interpretimit” anonimizmi, mos evidentimi i kohës, por përdorimi i simbolikës dhe metonimisë, si rasti “vitin e rëndë” për kohën (Konstandini dhe Garentina), po ashtu dhe koncepti i “besa e madhe” dhe shumë çështje të tjera, i vijnë në ndihmë korrektimit estetik mbi këtë gjini të debatueshme dhe të nevojshme për studime të tilla.
Pavarësisht metonimizmit, përmes të cilit deduktohen elementët kohorë, në asnjë rast në poezinë gojore arbëreshe nuk është përjashtuar elementi tematik historik. Historia është gjithmonë aty, pavarësisht “kamuflazhit” të krijimit, i cili parëson atë që kërkon të thotë krijimi. Kështu “viti i rëndë” i “Konstandini dhe Garentina”, pavarësisht datimit, e ka brenda vetes elementin historik, i cili në këtë rast nuk lidhet apo nuk evidentohet përmes “personazhit”, por përmes ngjarjes tragjike, e cila i ka brenda zhvillimit të saj këto elementë. Studiuesi Anton Nikë Berisha bën kujdes të veçantë prej njohësi të mirë në këtë çështje, pasi asnjë lloj krijimi nuk mund t’i heqësh elementin historik, pavarësisht interpretimit ekstra- estetik.
Ndërsa rrëfimi lirik i poezisë gojore arbëreshe, ka një marrëdhënie dhe raport të lidhur fort me botën shpirtërore, duke fiksuar kështu dhe një lloj fati historik të arbëreshëve. Në një mënyrë apo tjetër këto elemente nuk mund t’i shkëputen asnjë lloj krijimi, veçmas atij popullor. Pastaj elementët artistik, figuracioni, metaforizmi, krahasimet, antitezat, personifikimet me anë të cilave kuptohet një nëntekst i pasur, janë çështje të përvetësisë dhe specifikës së këtyre krijimeve.

Në vijimin e punimit, për të cilin që në krye të herës e kemi quajtur një kontribut të veçantë në llojin e tij, studiuesi Berisha përpiqet të elementojë dhe të shpjegojë si cilësi, praktikë apo tipare të llojit, “kampionët” e elementëve, simbolikave dhe praktikën e poezisë gojore arbëreshe, që përgjithësisht përmbushin një detyrim për studiuesin. Në të vërtetë elementë të tillë janë si “aksesorët” e një shtëpie në të cilën banon një familje e rregullt dhe në disa breza e shtrirë. Kështu kënga e karakterit epik ka “aksesorët” e vet që përdorë rëndom, por që duhet të përdoren racionalisht, ashtu siç ka elementët e vet rrëfimi lirik.

Ndoshta një çështje e tillë, përveç evidentimit dhe interpretimit që autori bën për poezinë gojore arbëreshe, kërkon një kontribut shkrimor dhe studimor të gjerë, pasi në të duhet të zënë vend çështjet etnopsikologjike, psikologjike, historike, sociale, evoluimi individual dhe shoqëror dhe shumë elementë të tjerë, që në kohët kur janë krijuar këto krijime nuk kemi pasur këtë terminologji interpretuese dhe vlerësuese. Në rastin e poezisë gojore arbëreshe kjo është e rëndësishme. Studiuesi qëmton hollë dhe ka një qasje të besueshme, kur shkruan kryesisht për një element racional të rrëfimit lirik, siç është “puthja” në këtë rast: “Kështu, në krijimin “Trimi e zu e më e puthi”, këngëtari krijon një situatë metaforike të rrallë, një tablo unike e kuptimplote, si pasojë e gjendjes

së vajzës dhe puthjes që trimi i jep asaj. Puthja ka një fuqi magjike dhe bëhet një përbërës qenësor i objektit artistik. Për ta shprehur fuqinë magjike të saj (puthjes) krijuesi gojor përdor një sistem të tërë metaforash…” (po aty, fq.31)
Konstatimi nuk është statistikor, por një element “morfologjik- anatomik” i krijimit. Më pas autori merret me elementë të tillë si: “shikimi”, intriga çudibërëse e “dialogut” mes vajzës dhe kuçedrës, ku vajza i thotë asaj se është e bija e Diellit dhe Hënës, për ta sugjestionuar, se ajo banon atje ku jetojnë dhe rrufetë për ta goditur atë, “dilemat”, të cilat kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në këto krijime të hershme dhe shumë elementë të tjerë të këtij sistemi shumë të pasur artistik.
Duke marrë shkas nga “Dorëshkrimi i Kieutit”, si një dëshmi autentike dhe e rëndësishme e traditës letrare të poezisë gojore, por dhe të shkruar, pasi letërsia e shkruar është mbështetur që në fillimin e vet, kryesisht mbi krijimtarinë popullore, autori bën prezent shqetësimin studimor mbi disa çështje të tjera të evidentuara nëpër kohë, madje dhe në ditët e sotme, për nevojën dhe trajtimin që i duhet bërë kësaj krijimtarie. Autori sa ç’është bashkëkohor, po kaq është dhe korrekt në kritikën që ai ka mëton për shumë çështje që burojnë nga një nevojë ri shqyrtuese të kësaj teme. Ai ka kujtesë për rrafshin e studimeve të trashëgimisë popullore, e cila zë kohët hershme që nga krijimet e para. Mosbotimi i veprave të nevojshme të kulturës popullore, mospërkthimi dhe botimi i një sërë veprash të autorëve të huaj që kanë folur dhe shkruar për poezinë popullore dhe krijimtarinë e saj në përgjithësi, jo vetëm që nuk krijojnë mundësinë që ne të kemi një tablo të plotë, por mendimit artistik dhe studimeve tona, iu mungon një referencë e rëndësishme.

Me shkas “Dorëshkrimi i Kieutit”, i Nikollë Filjes, që daton 250 vjet më parë, në të cilin që nga gjurmuesi i parë i tij e deri në ditët tona, duket se lexuesit dhe studiuesit shqiptar i kanë humbur vite dhe fakte kulturologjike të rëndësishme, autori dikton një plagë jo të vogël për çështje të tilla. Këtë, Berisha, siç duket e ka ndjerë në studimin e tij, si një arsye serioze dhe të domosdoshme për ta bërë pjesë të interpretimit shkencor dhe dëshmues. Dorëshkrimi është i rëndësishëm për një sërë referencash, pasi ai konsiderohet i pasur dhe për krijimtarinë popullore arbëreshe, sepse brenda tij ka rreth 18 këngë gojore arbëreshe, me një nivel të lartë artistik të tyre. Dorëshkrimi gjithashtu ka brenda tij dhe tri këngë në dialektin gegë, dhe kjo merr rëndësi të madhe për studiuesin e poezisë gojore arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi.

Këtë shqetësim korrekt, përmes studimeve skrupuloze e kanë mbështetur dhe studiues të tjerë, veçmas studiuesit të njohur sot të çështjeve kulturologjike arbëreshe si Matteo Mandala, në studimin e të cilit ka shumë interpretime referenciale në të cilat u shkrua “Dorëshkrimi” i njohur e të tjerë.
Kultura arbëreshe dhe poezia gojore arbëreshe prodhoi një plejadë të madhe e të vazhdueshme studiuesish shqiptarë, që për autorin kanë një rëndësi të veçantë, pasi studimet për poezinë gojore arbëreshe nuk janë në mjedis bosh, duke na dëshmuar një traditë të hershme, e cila duhet të vazhdojë në kushtet e reja bashkëkohore. Mandala argumenton, se Filja, autori i “Dorëshkrimit” ka ndikime të prekshme me autorë të tjerë, kryesisht të kulturës gege, me Budin, Bogdanin, duke na njoftuar një lloj lëvizshmërie kulturologjike nga autori në autor dhe nga koha në kohë, kur kemi parasysh se Bogdani nga “Dorëshkrimi…” ka goxha vite hapësirë dhe largësi. “Dorëshkrimi…”, si një dokument i rëndësishëm, me një intertekstualitet kohor dhe një hapësirë të konsiderueshme është i rëndësishëm sipas Anton Nikë Berishës, pasi “Me botimin e plotë të “Dorëshkrimit…” vetvetiu lindin një varg çështje të tjera të rëndësishme dhe komplekse, që heqin peshë për njohjen jo vetëm të traditës kulturore arbëreshe, të letërsisë (gojore e të shkruar), të gjuhës, të përkthimit nga italishtja në arbërisht në shek. XVIII, po dhe shumë më gjerë. Kam plot arsye të besoj, se studiuesit e fushave të ndryshme do të bëjnë objekt studimi këtë Dorëshkrim me vlerë dhe do të hedhin dritë rreth disa çështjeve tejet të vështira, por të qenësishme.” (po aty, f. 42).

Studimi i Anton Nikë Berishës është konkret dhe ka një vizion të gjerë, pasi ai është i klasifikuar. Modeli i studimit të imët, veçmas e “Rapsodisë së Pal Golemit”, jo vetëm se përmbush treguesit dhe referencën e një studimi model mbi poezinë gojore arbëreshe, por ai ka një praktikë të veçantë, ku ndërthuren mjeshtërisht dhe qartësisht çështjet teorike dhe ato praktike, me një thjeshtësi të duhur, duke iu përmbajtur aforizmit, se e thjeshta është tregues i njeriut të ditur. Sistemi preferencial integrues i kohës, ngjarjes, personazhit, epizmit dhe lirizmit, përdorimi i sistemit rrëfimtar dhe vargëzues tradicional, risitë dhe veçoritë e tjera, nuk kanë krijuar asnjë vështirësi për studiuesin që ai të integrojë në studimin e tij idetë dhe praktikat bashkëkohore të studimit gjithashtu.
Çështjet si “Traditë letrare gojore cilësore dhe e pasur”, “Veçantia e shtjellimit të strukturës tekstore”, “Qenësia e paranëntekstit”, “Dhembja dhe magjikja e dashurisë së nënës”, “Arti dhe amshimi artistik” dhe çështje të tjera përbëjnë një praktikë të mirë për studimin e poezisë gojore arbëreshe.
Në të gjithë këtë punim të veçantë të studiuesit Anton Nikë Berisha, besoj se i shkon për shtat një lloj metafore literale, sepse ai di mjaft mirë ta “lidhë kohën në cepat e saj”. Duket se është një metaforë poetike e bukur, të cilën dhe unë nuk mbaj mend ku e kam lexuar, por besoj se i shkon analizës dhe mendimeve mbi studimin e autorit, mbi një lloj krijimtarie popullore, e cila më shumë se çdo praktikë dhe fenomen krijues popullor zë brenda vetes një hapësirë jashtëzakonisht të madhe kohore. Për fatin tonë, kjo krijimtari zë brenda vetes mbi pesë shekuj, por si zgjatim i një hapësire kohore pa kohë.

Në mënyrën më korrekte autori nuk harron përvojën dhe praktikën studimore dhe shkrimore arbëreshe dhe shqiptare për këtë pasuri të jashtëzakonshme nën titujt shkrimor si: “Mbi rapsodinë e De Radës botuar më 1866”, i cili krijoi dhe “doktrinën” e krijimit të traditës së mbledhjes dhe studimit të poezisë gojore arbëreshe, në të cilin Berisha ka bërë një “grim” të detajuar të evidentimit dhe çështjet që dalin akoma dhe sot, “Mbi dorëshkrimin e Rapsodive të Francesko A. Santorit”, një personalitet i shquar i kulturës arbëreshe dhe krijimtarisë gojore.

Natyrisht, në këtë qasje përshkruese mbi veprimtarinë kërkimore e shkencore të studiuesit Anton Nikë Berisha, nuk mund të thuhen shumë gjëra, veçse duhet të vëmë në dukje, se ky punëtor i madh i letrave shqipe, me përkushtimin e tij të rrallë shkencor, na ka sjellë vlera të reja edhe për peshën që poezia popullore shqiptare, arbëreshe dhe gjithë pasuria tjetër kulturologjike shqiptare. Kënga është një krijim i shkurtër, i koncentruar, me një denduri jo të zakontë informimi shpirtëror, por dhe kohor, në të cilën është strehuar artistikisht nën petkun e figurës artistike një univers i paçmuar psikologjik, etnologjik, etnopsikologjik, historik dhe njohës gjithashtu.

Studimet e tij mbi të gjitha janë një model dhe qasje, një lloj mësimi për mundësitë dhe arsyen se si mund dhe duhet të studiohet poezia gojore arbëreshe dhe shqiptare në kushtet e reja, pa iu shmangur tradicionalizmit, përkundrazi, duke u mbështetur tek ajo./KultPlus.com

Vladimir Stipetiq, intelektual dhe shkencëtar i përmasave botërore

Në periudhën 1986 – 89 profesor Stipetiq ishte dhe rektor i Universitetit Zagrebit

Ditë me parë në Zagreb ndërroi jetë VLADIMIR STIPETIQ, një nga shkencëtarët më të shquar të dijes ekonomike kroate dhe botërore. Me vdekjen e tij mendimi shkencor për ekonominë kroate dhe botërore pësoi një humbje të madhe. Akademik prof. dr. Vladimir Stipetiq gjatë jetës së tij dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe pasurimin e shkencës së ekonomisë dhe kreu një varg detyrash të rëndësishme në Kroaci dhe në ish Jugosllavinë.

Fakultetin Ekonomik e kreu në vitin 1951, ndërsa studimet postdiplomike në Universitetin e Oxfordit në vitet 1957 – 1958. Gjatë jetës së tij krijoi një karrierë të pasur: punoi në Radio -Zagreb (1952 – 1953), në Institutin ekonomik në Zagreb (1953 – 1955), në Entin federativ të planifikimit shoqëror në Beograd (1955 – 19960), në Fakultetin ekonomik (1960 – 1993) dhe Fakultetin e hotelerisë në Opati (1988 – 1995).

Ishte profesor mysafir në shumë universitete botërore (SHBA: Ames, Iova; Yale; Stanford).
Në periudhën 1986 – 89 ishte rektor i Universitetit Zagrebit, pastaj anëtar i Këshillit ekzekutiv të Parlamentit (1971 – 1974.), deputet në ish – Parlamentin e Kroacisë dhe në Kuvendin federativ (1974 – 1978), kryetar i Komisionit kombëtar jugosllav për FAO (1973 – 1982.), nënkryetar i Këshillit botëror të ushqimit në KB (1978 – 1981) dhe anëtar i rregullt i saj (1976 – 1985). Po ashtu ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë për 56 vite (nga viti 1973).
Profesor Stipetiqi ishte fitues i shumë mirënjohjeve shkencore dhe i çmimit për vepër jetësore (1988).
Publikoi një varg librash, midis tyre “Bujqësia dhe zhvillimi ekonomik”, “A kërcënon uria” e shumë të tjerë.

Libri “Bujqësia dhe zhvillimi ekonomik” bëri jehonë të madhe në qarqet shkencore ndërkombëtare. Në të vërtetë, ky libër u bë abetare e dijes ekonomike në përmasa botërore. Në vitin 1973, këtë libër e përktheu në gjuhën shqipe profesori Hajrullah Gorani. Përkthimi në gjuhen shqipe vinte pasi që libri ishte përkthyer edhe në disa gjuhë tjera botërore. Për t’i bërë nderë Kosovës dhe studentëve dhe profesorëve universitarë për botimin shqip, profesor Stipetiq e shkroi një parathënie të veçantë.
Është për t’u habitur si Stipetiq nuk u nominua për Çmimin nobel për ekonomi. Në të vërtetë, u nominua një profesor tjetër i të njëjtit fakultet, Branko Horvat, si një simpatizues i tregut unik jugosllav. Stipetiq e çmonte kontributin e Horvatit për hartimin e librit “Çështja e Kosovës – Kosovsko pitanje”; theksonte se Branko Horvat tregoi guxim në trajtimin e kësaj problematike, por disi i humbi vizionin për Kosovën. I duhej edhe një hap dhe çdo gjë do ishte e qartë. Libri i Horvatit provokoi revoltë të madhe në qarqet serbe, por analiza tregonte diçka tjetër. Derisa mbante një pozitë të lartë në FAO (Organizatën botërore të ushqimit), ai e kishte studiuar marrëdhënien e bujqësisë me zhvillim ekonomik dhe kishte nxjerrë përfundime të qëndrueshme shkencore.

Në periudhën 1986 – 1989 profesori Stipetiq ishte rektor i Universitetit të Zagrebit. Kjo periudhë shënon fillimin e fushatës serbe ndaj institucioneve të Kosovës dhe në veçanti ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare në Kosovë. Mirëpo, profesori Stipetiq i mbajti dyert e hapura për studentët shqiptarë në të gjitha fakultetet e Universitetit të Zagrebit. Edhe në këtë periudhë ai ishte mentor i shumë studentëve shqiptarë në temat e magjistraturave dhe të doktoratave.

Profesori Hajrullah Gorani flet me admirim për angazhimin profesorit Stipetiq për botimin e librit të tij në gjuhen shqipe dhe për jehonën që bëri në Kosovë: “Personalisht e konsideroja privilegj përkthimin e librit të profesorit Stipetiq. Ai kishte qëndrime korrekte ndaj çështjes së Kosovës. Në fillim të viteve të 80 – ta në kuadër të diskutimeve për Enciklopedinë e Jugosllavisë, kishte reflektuar qëndrime të drejta shkencore, thotë profesor Gorani.
Edhe pas pavarësimit të Kroacisë, profesor Stipetiqi vazhdoi angazhimin e tij shkencor. Kështu, në kuadër të projekteve të HAZU (Akademi kroate e shkencës dhe kulturës), i shkroi 6 libra lidhur me zhvillimin e mendimit agrar kroat.

Sa herë që flitej për Kosovën profesor Stipetiqi në veçanti fliste për rezervat e mëdha të thëngjillit dhe qasjen afatgjate në shfrytëzimin e tij në kontekst të zhvillimit teknologjik dhe energjisë së ripërtritëshme në kuadër të Kosovës. Dyshonte se Kosova mund ta bëjë shfrytëzimin e thëngjillit brenda konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas tij vetëm shtetet e mëdha mund të kenë kapacitete optimale energjetike dhe metalurgjike. Mendonte se kombet e vogla (2 – 5 milion banorë), nuk janë në gjendje të prodhojnë këto outpute meqenëse nuk u ofrohen efekteve të shkallës së prodhimit. Këtë mund ta bënin SHBA, Kina, India, Gjermania e shtete të tjera.

Profesor Stipetiqi tregonte ndjesi të madhe për të ardhmen e Kosovës. Një muaj para vdekjes, ai thoshte se “një ditë do bashkohen Shqipëria dhe Kosova. Disa thonë do bashkohen në BE, unë saktësisht nuk e di mirëfilli këtë kohë. Sipas tij shteti i ri do të quhej “Iliria.”

Ne, dy studentë dhe doktorantë të dikurshëm të Universitetit të Zagrebit, shprehim mirënjohjen tonë të thellë po dhe të gjithë atyre shqiptarëve që studiuan në këtë Universitet, për profesorin dhe rektorin Vladimir Stipetiq, për qëndrimin e drejtë dhe për ndihmën që ai i dha arsimimit të lartë të shqiptarëve të Kosovës.

Muhamet Sadiku & Anton Nikë Berisha