Nga “Toka Jonë” te “Cifti i lumtur”, gjurmët e pashlyeshme të aktores Antoneta Fishta në teatër dhe kinematografi

Përkujtohet sot 99 vjetori i lindjes së aktores së mirënjohur, Antoneta Fishta.

Artistja ka lindur më 22 janar të vitit 1922 në Vjenë të Austrisë. Për shkak të humbjes së prindërve të saj, ajo kthehet në Shqipëri ku rritet nga murgeshat dhe ndjek studimet në shkollën normale “Donika Kastrioti” dhe diplomohet për mësuesi, profesion të cilin ajo e ushtroi në rininë e saj.

Me vendosjen e saj përfundimisht në Shkodër dhe mëqënëse pasioni që ajo kishte që në fëmijëri nuk i ishte zbehur, aktorja Fishta si fillim bëhet pjesë e grupeve artistike në Shkodër.

Ajo u bë pjesë e teatrit “Migjeni” të Shkodrës duke interpretuar si fillim në shfaqjet “Çështja Ruse”, “Portreti” dhe “Ishulli i paqes”, shfaqje këto që nxorën në pah talentin e madh të artistes dhe që më pas do t’i besoheshin role të rëndësishme në vepra të tjera të vëna në skenën e teatrit “Migjeni”.

Në këtë teatër, artistja ka interpretuar më tepër se 70 personazhe nga më të ndryshmet. Por përveç teatrit, ajo u bë shumë shpejtë pjesë edhe e kinematografisë shqiptare duke interpretuar edhe këtu rreth 12 role të cilat kanë ngelur gjatë në memorien e publikut.

Ndër shfaqjet dhe filmat që ajo ka interpretuar dhe ka lënë gjurmë janë “Shtrëngata e Ostrovskit”, “Tirani i Padovës”, “Toka Jonë”, “7 shaljanet”, “Këshilli i ndrikullave”, “Detyrë e posaçme”, “Shtigje lufte”, “Çifti i lumtur”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Radiostacioni”, “Flaka e maleve”, “Rruga e lirisë” dhe shumë e shumë role të tjera.

Artistja është vlerësuar shumë herë me çmime dhe medalje të mara në festivale të ndryshme teatrorë dhe kinematografikë.

Antoneta Fishta ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar dhe për shumë breza me radhë do të ngelet një figurë dhe model i rëndësishme në artit shqiptar.

Ajo u nda nga jeta më 26 tetor 2016 në Itali në moshën 84 vjeçare./ atsh/ KultPlus.com