Turizmi në Shqipëri është duke u zhvilluar me ritme shumë të shpejta, veçanërisht turizmi i aventurës dhe ndjekja e shtigjeve janë kthyer ndër atraksionet më të kërkuara momentalisht nga turistët vendas dhe të huaj.
Referuar ngjarjeve tepër të rënda të ditëve të fundit dhe jo vetëm, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura i bën thirrje të vazhdueshme të gjithë të interesuarve të jenë të kujdesshëm dhe të mirë informuar mbi çdo nismë që dëshirojnë të ndërmarrin në natyrë.
AKZM i bën apel turistëve vendas e të huaj që të kenë kujdes veçanërisht kur zgjedhin të eksplorojnë shtigje me vështirësi të lartë ose zona të tilla si: kanione, lumenj, male të thepisur, etj.
“Shtigjet natyrore janë sa të bukur, aq edhe të rrezikshëm. Ju duhet gjithmonë të shoqëroheni nga specialistët e duhur. Guidat turistike të licencuara, rojet mjedisore, të cilët janë pjesë e 12 Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe Qendrat e Vizitorëve, janë informuesit dhe shoqëruesit e duhur për të gjithë ju”, tha AKZM. / atsh / KultPlus.com