Ambasada shqiptare në Bern i bën apel të gjithë prindërve dhe fëmijëve të moshës shkollore që të ndjekin masivisht mësimin e gjuhës shqipe.
Përfaqësues të ambasadës kanë vizituar shkollën shqipe të Lozanës, si një shkollë e re e hapur së fundmi në zinxhirin e 50 shkollave shqipe në Zvicër.
Ata kanë qenë pjesë e një ore mësimore me mësuesen Anita Duriçi. “Pasioni i mësueses dhe kurioziteti i nxënësve shqiptar për të mësuar gjuhën, kulturën dhe historinë amtare janë shembuj frymëzimi për të gjithë ne për të na nxitur për të dhënë maksimumin në masivizimin e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë. Një falënderim të veçantë për prindërit e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm të cilët me punën dhe sakrificën e tyre bëjnë që fëmijët edhe pse rriten në një shtet tjetër, duhet patjetër që të mësojnë gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare”, shprehet ambasada në postimin e saj në rrjetet sociale.
Shkolla e fundit shqipe që është çelur në Zvicër e që sot numëron plot 50 të tilla në të gjithë vendin është ajo e Rorschacherberg, të Kantonin e St. Gallen-it. Një ndihmesë të madhe në këtë përpjekje ka dhënë edhe Drejtoria e shkollës zvicerane, prindërit dhe koordinatori i Shkollës Shqipe në Zvicër, Vaxhid Sejdiu. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com