Albina Idrizi
Sërish unë, në letrën e njëzetetretë
të ciklit drunor
duke shkruar veten
për të kushedi të satën herë, madje
edhe atëherë kur shkruaj për ty
jam po unë, në veten e dytë.
Ti më lexon
në qoshen tënde të jetës
për një çast,
qoftë vetëm për një çast,
pa u ndjerë vetëm.
Ec zgjuar me të gjitha shqisat,
i atypëratyshëm nëpër çdo shkronjë,
pa të kaluar asgjë,
pa u ndalur në asnjë,
si nëpër tespih lutjesh.
Është mëtimi më i bukur
për të mbushur boshllëkun
e të arrish atje ku dot nuk shkon,
në mua,
në ty,
në tjetrin.
Ç’të duhet poezia,
thanë ata që më ndaluan pragun,
si t’ua shpjegoja të kuptonin
se, kisha gjetur krahëhapur
kanatat e fjalës
gjer në apogjeun e shpirtit,
ku të takova ty,
apo të krijova vetë, nuk e di.
Më beso, fati është një shaka
kozmike për të humburit e fillit
në labirinthin e kohës
që matet me tonën prani.
Sërish unë, vij rrokafundit
me një nënshkrim të kuqërremtë nëntori
mbi gjethen e mbrame që përtoket,
kur ndalem e shikoj
si të kanë sjellë sot tek unë
duart e mia./KultPlus.com